8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

EULEX dhe KFOR nuk po mundësojnë hapjen 11 lokacioneve në veri të dyshimta si varreza masive

Më të lexuarat

“Janë edhe 11 lokacione në rajonin e komunës së Mitrovicës, ku dyshohet se ndodhen trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës, por ato nuk po gjurmohen, pasi që KFOR-i nuk po krijon siguri për t’i hulumtuar”, ka thënë Bajram Çerkini, kryetar i shoqatës për të pagjeturit “Zëri i Prindërve” në Mitrovicë, dhe kryetar i Këshillit Koordinues i Asociacionit të Shoqatave të të Zhdukurve të Kosovës.
Këto komente Qerkini i ka bërë gjatë një takimi me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Guglielmo Luigi Miglietta, derisa ky i fundit ka vizituar selinë e Shoqatës, i shoqëruar edhe nga përfaqësues të UNMIK-ut dhe të EULEX-it, me qëllim që të mësojë për vendet e dyshuara për varreza masive në rajonin e komunës së Mitrovicës.

Gjenerali italian ka thënë se duhet punuar që përfundimisht të mbyllen rastet dhe ka premtuar se do ta ndihmojë procesin.

“Kjo nuk do të thotë se ne dimë sigurt për varrezat masive dhe se kemi heshtur deri më tani për këto. Kam mësuar nga paraardhësit rreth çështjes së varrezave masive në këtë rajon, do të ishte shumë humane nëse mund të punojmë në mbylljen e këtyre rasteve”, tha gjenerali Miglietta.

Në anën tjetër, Bajram Çerkini tha se serbët nuk kanë bërë asgjë në mënyrë të fshehur, por në mënyrë të hapur.

“Ne kemi siguruar dëshmi për dyshime të bazuara për 11 lokacione, ku dyshohet se ka varreza masive me trupa të personave të pagjetur. Për ç’arsye KFOR-i nuk po krijon siguri për mjekësinë ligjore për t’i hulumtuar këto lokacione, ndonëse kemi bërë kërkesa me shkrim, por edhe përmes deklaratave publike. Për fat, është gjallë dëshmitari që tregon me datë, orë dhe me numër për një krim. Pse zvarritet dhe pse nuk zbardhet rasti? Pse nuk mundësohet hulumtimi? Unë mendoj se përgjegjës për këtë moskryerje të punës është KFOR-i. Zyrtarë të EULEX-it kanë thënë se nuk po hulumtohen lokacionet për shkak të mungesës së sigurisë, faji kryesor është tek KFOR-i francez që ka përgjegjësinë në këtë zonë, që nuk ka krijuar kushte sigurie për mjekësinë ligjore”, ka thënë Çerkini, me një dozë nervoze.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit