1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Kur’ani në Encyclopædia Britannica

Më të lexuarat

 Libër i shenjtë i Islamit, fjalë e Zotit dhe kopje e Tabelës së përjetshme (Leuhul-Mahfudh) në qiell që i është zbritur pejgamberit Muhammed gjatë një periudhe prej 23 vitesh.

Zbritjet të herë pas hershme te Muhammedi së pari memorizoheshin nga ana e pasuesve të tij dhe recitohehin e lexoheshin në falje dhe rituale. Edhe pse vargjet e Kur’anit më vonë qysh në kohën e Pejgamberit u shkruan, ato për herë të parë u tubuan në formën siç janë sot gjatë periudhës së kalifes (zëvendës i Pejgamberit) së tretë.

Recitimi i Kur’anit gjithnjë ka qenë aspekt i rëndësishëm i devotshmërisë së muslimanëve. Si autoriteti më i lartë i komunitetit musliman, Kur’ani është burimi themelor dhe frymëzimi i vazhdueshëm i Islamit. Urdhërat e tij kanë karakterizuar zhvillimin unik të qytetërimit islam, dhe interpretimet e tij të ndryshme kanë ndikuar në trendet e ndryshme brenda këtij zhvillimi.

Kur’ani përmban 114 kaptina (sûrah) me gjatësi jo të barabartë. Surat më të hershme të periudhës mekase në përgjithësi janë më të shkurtëra dhe të shkruara në një prozë të rimuar, dinamike. Surat e periudhës më të vonshme medinase janë më të gjata dhe me stil më prozaik. Me përjashtim të sures së parë, El-Fâtiha (“Hapja”), suret janë të radhitura sipas gjatësisë së tyre, duke filluar me ato më të gjatat e vazhduar me më të shkurtërat. Së këndejmi, rrathitja, në të shumtën e rasteve, është e kundërt me rendin kronologjik të tekstit.

Theksi i mësimeve të Kur’anit ndryshon varësisht nga periudha e zbritjes. Zakonisht, një ide e vetme shqyrtohet në një sura. Rrjedhimisht, interpretimi sistematik i kuptimeve të Kur’anit kërkon vlerësimin e doktrinës së Kur’anit si tërësi dhe rrethanat e veçanta historike në të cilat Kur’ani i është drejtuar Pejgamberit dhe komunitetit. Suret e hershme përshkruhen me një thirrje të theksuar në moral dhe në respektim religjioz në dritë të Ditës së gjykimit që po vjen, ndërsa që suret e vonshme sigurojnë mësime për krijimin e një jete dhe shoqërie e mbështetur në jetë morale e thirur në  Zotin.

Monoteizmi absolut udhëheq të gjitha idetë kur’anore lidhur me All-llahun. Nevoja për të mos njohur asnjë hyjni pos All-llahut është përsëritur nga të gjitha librat dhe zbritjet e mëparshme të shenjta. Zoti i cili zbriti Fjalën e Tij te Muhammedi identifikohet me të njëjtin Zot i cili adhurohet nga çifutët dhe krishterët, porse këto komunitete nuk kanë patur rast të dëgjojnë gjithë zbritjen e Zotit te të dërguarit e tyre. Kur’ani e thekson Zotin si krijues absolut, si sundues dhe rregullues të një gjithësie të sistematizuar, sistem i cili ka reflektuar dhe aludon në fuqinë, në mençurinë dhe në sundimin e Tij të pakufishëm. Përmes Fjalës së Tij të zbritur, Zoti ka siguruar udhëzim për njerëzimin, sipas standardeve të atij udhëzimi Ai do ta gjykojë njerëzimin në Ditën e llogarisë. Theksi në drejtësinë e palëkundur të Zotit qetësohet me thirrjet e herëpashershme në mëshirën dhe ndjesën e Tij.

Kur’ani e përshkruan njeriun si “zëvendës i Zotit” në mesin e krijesave si dhe “injorant dhe kokëkrisur”. Ky paradoks ilustron tensionin moral që e karakterizon gjendjen njerëzore. Ndërsa njeriu është pajisur me potencialin më të madh nga cilado krijesë, vet ai është i ndjeshëm ndaj së keqes. Kur’ani nuk siguron themele për doktrinën e mëkatit origjinal apo përmbushjen e premtimit; mirëpo ai në mënyrë të qartë thotë se njerëzimi është përgjegjës, si individ dhe si në kolektivitet, për veprimet e tij. Edhe pse shumë fragmente flasin për lirinë e njeriut për të pranuar apo mos pranuar mësimet e Kur’anit, vargjet tjera flasin për kontrollin e Zotit të historisë në kuptim të afërt me paracaktimin. Kjo dykuptimësi ka mundësuar që muslimanët të interpretojnë në mënyra të ndryshme natyrën dhe fatin e njeriut.

Parimet morale për të cilat njeriu është i përgjegjshëm janë të shqyrtuara në Kur’an me një qartësi të madhe. Libri kërkon dorëzim absolut (islam) Zotit dhe Fjalës së Tij. Ky dorëzim kërkon zbatimin e parimeve morale si individualisht ashtu edhe në rendin sociopolitik. Në fund të kohës, gjithsecili njeri do të përballojë gjykimin dhe do të japë llogari për punët të nxjerrura para tij. Kur’ani siguron llogari të hollësishme për përfundim e llogarisë së Zotit: kënaqësitë e kopshteve të Parajsës dhe ndëshkimin e Ferrit. Edhe pse Kur’ani është burimi i parë i Ligjit islam, ai nuk përmban hollësitë e atij ligji. Ngjashëm, Libri siguron mësime fragmentale për detyrat kryesore të besimtarit të njohura si Pesë shtyllat e Islamit.

Interpretimi i drejtë i Kur’anit ka qenë qështje qendrore e të gjitha shkollave të mendimit islam. Një degë e veçantë e mësimit, e quajtur tefsir, merret kryesisht me interpretimin e Kur’anit. Komentatorët shfrytëzojnë tefsirin për të studiuar tekstin kur’anor në pajtim me disciplinat ndihmëse, siç është gramatika e arabishtës, leksikografia dhe tradita pejgamberike. Ky zhvillim i interpretimit,  sido qoftë, nuk i ka parandaluar kundërshtimet doktrinale; përkundrazi, shkolla të ndryshme teologjike dhe juridike kanë shfrytëzuar këtë disciplinë për të mbështetur sistemet e tyre përkatëse të mendimit.

Kur’ani, verbalisht i pranuar nga Muhammedi në arabishte, është cilësuar si i paemitueshëm dhe i papërsëritur si në formë ashtu edhe në kuptim, dhe përkthimi i tij tradicionalisht është ndaluar. Muslimanët anë e kënd botës kështu vazhdojnë të recitojnë suret e tij në arabishte, edhe pse ata mund që të mos e kuptojnë gjuhën. Përkthime të tilla siç janë bërë konsiderohentë jenë parafraza (shpjegim me fjalë të përkthyesit) për të ndihmuar kuptimin e Librit në fjalë./albislam

(Encyclopædia Britannica -Brief Treatment)

Përktheu: Gëzim Selaci 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit