10.7 C
Pristina
Thursday, January 9, 2025

Drama e kësaj palestinezeje nga një qen i ushtrisë izraelite

Më të lexuarat

Rrëfimi i një nëne që humbi foshnjën në bark nga të kafshuarat

Tahrir Husni al-Arian, 34 vjeç, tregoi historinë e saj për Middle East Eye nga shtëpia e familjes së saj në Khan Younis në Rripin e Gazës (MEE/Mohammed al-Hajjar)

Tahrir Husni al-Arian, në muajin e nëntë të shtatzënisë, pa copa të mishit të saj që binin në tokë, ndërsa një qen luftarak izraelit i kafshonte dhunshëm kofshën.

Nëna palestineze e tre fëmijëve ndodhej në shtëpi me bashkëshortin dhe fëmijët e saj në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës, kur ushtria izraelite sulmoi lagjen e tyre, al-Manara, më 24 tetor 2024.

Sulmi i qenit, që zgjati rreth dhjetë minuta, i shkaktoi dhimbje të padurueshme dhe komplikime të rënda shëndetësore, duke çuar përfundimisht në humbjen e foshnjës së saj të sapolindur.

Që nga ajo ditë, 34-vjeçarja nuk ka mundur të kthehet në shtëpinë e saj, duke vuajtur një traumë të thellë dhe të vazhdueshme.

Në Khan Younis, ajo ndau historinë e saj rrëqethëse me Middle East Eye.

Gjithçka filloi kur familja e saj vendosi të kthehej në shtëpi, pas shpërnguljeve të shumta që prej fillimit të luftës vitin e kaluar.

Dukej sikur zona ishte e sigurt, pa prani të dukshme të forcave izraelite, por qetësia u ndërpre papritur rreth orës 20:00, kur filluan bombardimet.

“Ata papritur nisën të bombardojnë zonën me raketa, dhe flakët ndriçuan qiellin,” tha Arian për MEE.

Në pamundësi për të dalë nga ndërtesa, Arian dhe familja e saj kërkuan strehim në banesën e kunatit në katin e poshtëm. Bombardimet shkatërruan shtëpitë përreth, duke përfshirë edhe atë të familjes al-Farra, ndërsa shumë fqinjë humbën jetën.

“Ne nuk mund të bënim asgjë. Ishim të bllokuar,” kujton ajo me dhimbje.

Arian, së bashku me bashkëshortin, fëmijët, motrën e saj shtatzënë dhe kunatin, u strehuan të gjithë në banjo, duke mbajtur dritat fikur nga frika se mos zbuloheshin ose sulmoheshin.

“Na tmerronte ideja se ndezja e një drite mund të na vinte nw shënjestrën e dronëve,” shpjegoi ajo.

Pak më vonë, ndërsa po ngjiteshin shkallëve, dëgjuan hapa dhe zëra. E shqetësuar, Arian e pyeti të shoqin për zërat.

“Është ushtria,” iu përgjigj ai me zë të ulët.

“Nuk ishte një qen i zakonshëm”

Kur shtëpia u mbush papritur me dritë, familja kuptoi se nuk ishte fjala për ushtarë, por për një qen të madh dhe të stërvitur, me një dritë dhe aparat fotografik të montuar në kokë, që eksploronte çdo dhomë të shtëpisë.

“Ai erdhi drejt nesh në banjo,” kujton Arian.

Ndërsa qeni iu afrua derës së banjos, familja u përpoq me dëshpërim ta mbyllte, por qeni e shpërtheu.

“Nuk ishte një qen i zakonshëm. Ishte shumë i madh, si një luan, i zi si nata,” rrëfen ajo.

Pasi hyri brenda, qeni sulmoi fillimisht motrën e saj 17-vjeçare, e cila ishte shtatë muajshe shtatzënë.

“I grisi fustanin e lutjes, por fatmirësisht u largua për disa momente.” Por qeni u kthye.

“Në fillim nuk e vura re, por papritur e ndjeva dhimbjen kur më kafshoi në kofshën e djathtë,” kujton Arian, me zë të ngjirur nga emocionet. “Kafsha vazhdoi të më tërhiqte zvarrë nëpër korridor, ndërsa ndjeja copa mishi që shkëputeshin nga trupi im.”

Përpjekjet e burrit dhe familjarëve për ta larguar qenin ishin të pafrytshme. Në fund, ndërhynë ushtarët izraelitë që ndodheshin jashtë banjos.

“U deshën katër ushtarë për ta ndalur qenin,” rrëfen Arian. “Burri im më tregoi më vonë se ushtari i parë dhe i dyti nuk mundën ta shkëputnin qenin. Ushtari i tretë po ashtu dështoi. Më në fund, i katërti ia doli duke përkëdhelur kokën e qenit, i cili më liroi dhe më pas doli jashtë, duke u ulur në divanin e dhomës së ndenjes.”

Sulme të tilla nga qentë luftarakë janë bërë një praktikë e zakonshme që nga fillimi i pushtimit izraelit në Rripin e Gazës, në fund të tetorit 2023. Ushtria izraelite përdor këta qenw të pajisur me kamera për të kontrolluar ndërtesat, duke përfshirë edhe ato të banuara nga civilë.

Në dhjetor, Universiteti i Tel Avivit publikoi një video ku prezantonte krijimin e një “dhome lufte inxhinierike” për të mbështetur operacionet ushtarake izraelite. Ky objekt zhvillonte teknologji për ushtrinë, përfshirë sistemin e transmetimit të drejtpërdrejtë për kamerat e montuara në qen. Këta qen janë përdorur në sulmet ndaj civilëve palestinezë në Gaza, duke shkaktuar vdekje dhe terror.

Në korrik, një raport i Middle East Eye (MEE) dokumentoi vrasjen e një palestinezi me sindromën Down, i cili u sulmua nga një qen luftarak në qytetin e Gazës dhe u la të vdiste nga ushtarët izraelitë.

“E paralizuar nga frika”

Pas sulmit brutal, ushtarët izraelitë e kthyen shtëpinë e Arianit në një bazë ushtarake. Ata sollën fqinjët e saj, i ndanë burrat nga gratë dhe filluan t’i merrnin në pyetje. Disa nga burrat, përfshirë edhe burrin e saj, u arrestuan.

“Unë isha ende e shtrirë në dyshemenë e banjos, e paaftë për të lëvizur këmbën e lënduar dhe e paralizuar nga frika,” tregon Arian për Middle East Eye (MEE). “Një ushtar që fliste arabisht më pa dhe më tha të ngrihesha.”

Me ndihmën e fqinjit të saj, Arian – shtatzënë dhe në gjendje të rënduar – u mbështet te divani jashtë banjos. Por tensioni nuk mbaroi aty. Ushtari u kthye dhe e pyeti duke treguar barkun e saj:

“Çfarë është kjo?”

“Shtatzënia,” u përgjigj ajo.

Dukej sikur ushtari nuk e kuptonte dhe vazhdoi: “Çfarë do të thotë kjo?”

Ajo ia shpjegoi: “Një fëmijë.”

Përsëri ai e pyeti: “Çfarë bebe?” Në fund, Ariani ngriti fustanin për t’i treguar barkun, duke u përpjekur të shmangte një situatë edhe më të rënduar.

Ndërkohë që gjendja e saj përkeqësohej, ushtarët nuk bënë thuajse asgjë për ta ndihmuar. Një prej tyre derdhi ujë mbi plagën dhe i vendosi një fashë presioni, që sipas saj ishte më shumë një përpjekje për të mbuluar gjurmët e sulmit brutal. Rreth orës 2:30 të mëngjesit, ushtarët u larguan, por jo pa na paralajmëruar: “Mos i tregoni askujt çfarë ndodhi.”

Kur ushtria u tërhoq, ambulancat mbërritën për të evakuuar të vdekurit dhe të plagosurit. Megjithatë, Arian refuzoi të largohej.

“Isha e paralizuar nga frika, e tmerruar nga mendimi se mund të na bombardonin ndërsa ishim jashtë,” rrëfen ajo. Vetëm kur ambulanca e fundit mbërriti, pak para agimit, Arian vendosi të largohej.

Në spitalin e dëmtuar rëndë Nasser, mjekët i dhanë një injeksion anti-toksin dhe i qepën plagën, e cila ishte rreth 15 centimetra e gjerë. Ata e paralajmëruan se për shkak të plagës së rëndë, ajo mund të mos ishte në gjendje të lindte në mënyrë natyrale dhe do të kishte nevojë për një operacion cezarian javën e ardhshme.

Tragjedia e saj nuk mbaron me kaq. Një muaj më parë, gjatë një kontrolli rutinë para lindjes, Arian kishte mësuar se foshnja e saj vuante nga deformime në gjymtyrët e poshtme. Mjekët ia atribuuan këto probleme stresit ekstrem, frikës dhe kushteve të vështira që ajo kishte përjetuar gjatë luftës – vrapimi për të shpëtuar jetën, zhvendosja e vazhdueshme dhe mungesa e ushqimit gjatë gjithë shtatzënisë.

Megjithë lajmet e zymta, mjekët i dhanë asaj një fije shprese. Ata i thanë se foshnja kishte 70 për qind mundësi mbijetese, megjithëse do të kishte nevojë për kujdes të veçantë në inkubator dhe terapi fizike për të mësuar të ecte normalisht.

“Unë humba fëmijën tim”

Rreth një javë pas sulmit që ndryshoi jetën e saj, Arian solli në jetë një djalë rreth orës 19:30. E quajtën Ibrahim dhe menjëherë e vendosën në një inkubator.

“Mjekët më thanë se operacioni ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe se gjendja e djalit tim ishte kritike,” kujton ajo.

“Ata shtuan se, nëse kishte ndonjë shans për mbijetesë, ishte minimal për shkak të infeksionit dhe plagës që kisha në kofshë.”

Gjatë operacionit cezarian, një erë e fortë e padurueshme dilte nga plaga e saj për shkak të infeksionit, tregoi një nga infermieret. Pas përfundimit të operacionit tw lindjes, Arian u përball me një tjetër ndërhyrje kirurgjikale për pastrimin e plagës.

“Ndjeja dhimbjen kur e hapnin dhe pastronin plagën. Era nga pajisjet që përdornin ishte e padurueshme,” tha ajo. “Më dukej sikur po mbytesha. I kërkova infermieres të hapte dritaren, thjesht për të marrë frymë.”

Pas dy operacioneve dhe mes zhurmës së largët të bombardimeve izraelite, Arian më në fund u lejua të pushojë.

“Isha e rraskapitur, me dhimbje të paimagjinueshme, por disi ndjeja lehtësim që ndodhesha në spital. Nuk doja të kthehesha më në Gaza. Thjesht doja të largohesha, të shkoja jashtë vendit.”

Të nesërmen në mëngjes, një infermiere i dha lajmin tragjik: foshnja e saj kishte ndërruar jetë në inkubator.

“Kishte një mundësi që të mbijetonte,” tha ajo mes lotëve. “Por sulmi i qenve e shkatërroi atë mundësi. Unë humba fëmijën tim. Por ajo që nuk mbaron është frika ime – që ushtria më ka shënuar dhe mund të kthehet pas meje.”

Për dy muaj pas ngjarjes, Arian refuzoi të fliste për atë që kishte ndodhur. “Sa herë që familjarët më pyesnin, unë u lutesha: ‘Mos flisni për këtë, mos e përmendni. Jam e tmerruar.’”

Edhe sot, Arian nuk mund të ecë siç duhet. Mjekët i kanë thënë se do t’i duhen rreth tetë muaj për t’u shëruar plotësisht.

“Dhimbjet janë të forta, dhe mezi mund të ecë,” shpjegon ajo. “Mjekët thanë se plaga është shumë e thellë. Edhe nëse duket sikur po shërohet nga jashtë, brenda do të duhen muaj të tërë për t’u rikuperuar.”

Në aspektin psikologjik, plagët e saj janë po aq të rënda. Ajo ende kërkon që dikush nga familjarët ta shoqërojë deri në tualet dhe fle me dritat e ndezura.

Familja përpiqet ta qetësojë, duke i thënë se janë gjithmonë pranë saj. Por Arian shpesh u përgjigjet me një trishtim të thellë: “Ishit me mua kur qeni më sulmoi dhe nuk mundët ta ndalonit.”

“Kam humbur besimin tek të gjithë,” përfundon ajo, ndërsa zëri i saj lëkundet mes dhimbjes dhe zhgënjimit. /Tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit