1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Pas disfatës në Siri, dy “shuplaka” të reja për Putinin

Më të lexuarat

Rebelimi i dy vendeve afrikane ndaj Moskës: Nuk do ta lejojmë…!

Autoritetet në dy bastionet kryesore aleate të liderit rus Vladimir Putin në Afrikë kundërshtojnë praninë e forcave ruse në vendet e tyre, duke paraqitur një kërcënim shtesë për përpjekjet e Moskës për të siguruar një bazë për një prani të fortë në kontinent pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në Siri, me të cilin Kremlini ishte aleat dhe mbrojtës.

Sudani ka refuzuar zyrtarisht kërkesën e Rusisë për të ndërtuar një bazë detare në bregun e Detit të Kuq në Port Sudan, raportoi më 18 dhjetor media e pavarur ruse The Moscow Times me bazë në Amsterdam, duke cituar një zyrtar të inteligjencës sudaneze.

Rusia thuhet se u ofroi autoriteteve sudaneze sistemin e saj të fuqishëm anti-ajror S-400 në një përpjekje për t’i bërë ata të bien dakord, por frika e një reagimi negativ nga Perëndimi e detyroi Sudanin të refuzonte kërkesën e Kremlinit.

Më pas, kryeministri libian Abdul Hamid Dbeibeh tha se do t’i rezistonte çdo përpjekjeje ruse për të forcuar praninë e saj ushtarake në vend. “Asnjë person patriot nuk pranon hyrjen e një vendi të huaj dhe imponimin e hegjemonisë së tij dhe ne nuk do të pranojmë hyrjen e asnjë fuqie të huaj, përveçse nëpërmjet marrëveshjeve zyrtare dhe për qëllime stërvitore. Ne do të luftojmë kundër çdo fuqie të huaj që hyn në Libi pa leje apo pa marrëveshje dhe ne nuk mund të pranojmë që Libia të jetë një front ndërkombëtar”, tha Dbeibeh gjatë një konference në Tripoli.

E ardhmja e pasigurt e bazave kryesore ruse

Përmbysja e Bashar al-Assadit ka vënë në rrezik praninë rajonale të Rusisë, duke rritur pasigurinë për të ardhmen e bastioneve të saj strategjike ushtarake në atë vend – bazën ajrore Hmeimim dhe veçanërisht bazën detare Tartus, një pikë kyçe e hyrjes ruse në Mesdhe.

Raporte të ndryshme tregojnë se Rusia po shqyrton një tërheqje të pjesshme nga Siria pasi vendi u pushtua nga forcat rebele që Moska luftoi në anën e Assadit gjatë luftës civile 13-vjeçare, duke e zhvendosur fokusin e saj në forcimin e lidhjeve me aleatët në rajonin e Magrebit dhe Afrikën verilindore, pasi do të siguronte një linjë furnizimi me vendet afrikane pa dalje në det dhe do të ruante ndikimin e saj rajonal.

Lëvizjet e fundit të Sudanit dhe Libisë kërcënojnë këtë synim të autokratit rus. Rusia është përpjekur të krijojë një bazë detare në Sudan që nga viti 2019, por konfliktet e brendshme dhe fillimi i një lufte civile në vend e kanë shtyrë këtë mundësi për një kohë të pacaktuar.

Nëpërmjet grupit mercenar Wagner, Kremlini ka mbështetur dy fraksione të autoriteteve ushtarake rivale aktuale – Forcën e Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) dhe Forcat e Armatosura të rregullta të Sudanit (SAF) – dhe ka vënë veton ndaj rezolutës së Kombeve të Bashkuara që bëjnë thirrje për një armëpushim në vend.

Pas largimit të Assadit, analistët dhe zyrtarët spekuluan se Rusia mund të lëvizë disa nga burimet e saj ushtarake nga baza detare e Sirisë në Tartus dhe baza ajrore Hmeimim në Libi. Wall Street Journal raportoi, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe libianë, se avionët rusë tashmë kanë transferuar pajisje të mbrojtjes ajrore nga Siria në bazat në Libi të kontrolluara nga komandanti i Ushtrisë Kombëtare Libiane (LNA) në lindje të vendit, gjenerali Khalifa Haftar, i cili mbështetet nga Kremlini. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit