-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Gjeopolitika e botës Islame – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Historia njerëzore ka treguar se divergjencat politike janë nga shkaqet kryesore të përçarjes, madje edhe të luftërave mes vetë bijve të një populli, gjuhe, besimi dhe feje. Bota islame dhe ajo arabe nuk bën përjashtim nga ky fenomen njerëzor.

Arabët, më shumë se çdo popull tjetër në botë, i bashkon një gjuhë, një komb dhe një fe, dhe janë sunitë në pjesën dërrmuese. Gjithashtu, ata janë në kufij të njëri-tjetrit, pra, kanë të gjithë përbërësit e nevojshëm për të qenë të bashkuar. Ndërkohë, shtetet e tyre janë të përçara politikisht si mos më keq, duke qenë vasalë të interesave të Lindjes dhe Perëndimit dhe, mbi të gjitha, të varur nga interesat personale miope të klikave zullumqare që i sundojnë, të cilat assesi nuk përfaqësojnë as zërin dhe as interesat e popujve arabë.

Bota arabe, si zemra e botës islame, i ka të gjitha mundësitë dhe potencialet për të qenë e pavarur nga varësitë e huaja ushtarake, politike, ekonomike dhe ideologjike, që vijnë nga Lindja apo Perëndimi, sepse ajo mbart jo vetëm potencial njerëzor dhe pasuri natyrore që ia mundësojnë këtë pavarësi, por mbi të gjitha, mbart vlerat, virtytet dhe një trashëgimi qytetërimore që burim të tyre kanë shpalljen hyjnore.

Arabët shkëlqyen dhe u ngritën në histori, nga nomadë shkretëtire në pararojë të botës së zhvilluar, pikërisht përmes Islamit, ashtu siç konstatoi për ta, që në hapat e parë, Kalifi i dytë i Islamit, Umer ibn Hatabi, kur tha:
“Ne jemi një popull që Allahu na dha krenari përmes Islamit. Nëse do ta kërkojmë atë diku tjetër, Allahu do të na poshtërojë.”

Përçarja politike, vuajtjet, varësia e huaj dhe poshtërimi që bota arabe islame vuan sot, përmblidhen pikërisht në këtë thënie lakonike të Umerit.

E kemi trajtuar edhe më herët, se ajo që i nevojitet më shumë sot botës arabe islame është pikërisht çlirimi nga diktaturat, të cilat jo vetëm e kanë poshtëruar këtë komb të madh të botës dhe e pengojnë atë të dalë nga varësia e huaj, cilado qoftë ajo, por edhe keqpërdorin Islamin si fe, për t’i mbajtur të nënshtruar këta popuj, duke krijuar kështu pasoja që kanë dëmtuar rëndë edhe imazhin e vetë Islamit, pa harruar këtu, shfrytëzimin dashakeq që i bëjnë të huajt kësaj gjëje.

Nën diktaturë, dhe më e habitshmja është kur kjo quhet “islamike”, nuk del asgjë e hajrit. Dhe, siç e kemi thënë edhe më herët, Kurani dhe historia e Profetit tonë na tregojnë se, nën skllavëri dhe persekutim, nuk mund të ketë asnjë zhvillim pozitiv, as fetar, as ekonomik, as politik dhe as shkencor. Diktaturat, qofshin edhe ato fetare në pretendim, prodhojnë në planin njerëzor: skllevër, servilë, mediokër dhe hipokritë me shumicë, dhe padyshim zullumqarë, kriminelë dhe korrupsion. Diktaturat e rrënojnë ekonominë dhe e varfërojnë popullin, edhe pse mund të jenë vende me pasuri të mëdha, të cilat nën diktaturë i shërbejnë më së shumti mbajtjes së pushtetit dhe luksit të tij.

Gabojnë rëndë ata që besojnë se diktaturat janë më të mira apo më pak të këqija, qoftë edhe nga një aspekt i vetëm. Diktaturat, në çdo aspekt janë blozë, duke nisur që nga siguria dhe stabiliteti i brendshëm që pretendojnë, sepse e kthejnë vetë shtetin në kriminelin numër një ndaj qytetarëve të tij dhe krijojnë premisat për kryengritjet dhe anarkinë e ardhshme.

Kur flasim kundër diktaturave, nuk flasim kundër rendit, zbatimit të ligjit, normave dhe drejtësisë, por kundër arbitraritetit në zbatimin e tyre, kundër padrejtësisë dhe zullumit të legjitimuar që ushtron shteti.

Beni Israilët nuk mundën të krijonin shtet, as të zhvillonin fenë, qytetërimin dhe kulturën e tyre, vetëm se pasi dolën nga robëria e Faraonit. Në të njëjtën mënyrë, edhe muslimanët e Mekës nuk mundën dot të përhapnin fenë dhe as të ngrinin shtet e të formonin atë civilizim madhështor, vetëm se pasi emigruan në tokën e lirisë, në Medine. Jo rastësisht, kalendari islam e nis datimin e tij pikërisht me emigrimin (hixhretin) drejt lirisë, sepse pa atë emigrim, që u bë simbol i lirisë, Islami nuk do të kishte bërë atë që bëri me arabët. Hixhreti i Profetit (alejhi salatu ue selam) duhet t’i kujtojë botës arabe islame aktuale pikërisht dimensionin e munguar të lirisë sot.

Kështu që rënia e diktaturave arabe duhet përshëndetur, sepse është nga shkaqet kryesore të gjendjes mjerane, ku gjendet bota arabe në veçanti dhe ajo islame në përgjithësi.

Pikëllimi që shfaqin disa njerëz nga rënia e regjimit të diktatorit kriminel sirian, buron kryesisht nga teoritë konspirative, që vënë në qendër të tyre vetëm Perëndimin dhe shtetin sionist si burim të vetëm, dhe përjashtojnë Rusinë, Iranin apo Kinën! I ashtuquajturi “Boshti i Rezistencës” kundër Izraelit, Perëndimit dhe aleatëve të tyre në rajon, nuk është gjë tjetër, veçse një term i shpikur nga Irani, për të identifikuar veten dhe milicitë e tij ushtarake e politike që ka sot në botën arabe sunite, konkretisht Hizbullahun shiit të Libanit, Huthët shiitë të Jemenit, shtetin e sotëm të Irakut të kapur prej shiitëve të tij, një pjesë të rezistencës palestineze dhe ish-regjimin sirian alevi (nusejri) të Esedit.

Irani, ashtu si çdo shtet tjetër në Lindjen e Mesme sot, shikon vetëm interesin e tij politik, ekonomik dhe ideologjik. Nisur nga ky interes, ai ka krijuar aleancë me Rusinë, Kinën, Korenë e Veriut dhe të tjerë, në mënyrë që të rivalizojë ndikimin e Perëndimit në Lindjen e Mesme, të cilën e sheh si hapësirë gjeografike të ndikimit të tij. Irani nuk është vetëm një shtet shiit, por edhe trashëgimtar i perandorisë perse, dhe synimi i tij nuk është vetëm përhapja e shiizmit, por edhe rikthimi i fuqisë politike, ekonomike, kulturore dhe ideologjike të dikurshme, sepse historia e botës është edhe histori e rivalitetit mes perandorive dhe ish-perandorive.

Në anën tjetër, pushtetet e përçara arabe, duke u trembur më shumë seç duhet nga rreziku iranian, i cili ekzagjerohet sigurisht nga shteti sionist dhe lobi i tij, për të ruajtur regjimet e tyre zullumqare me çdo kusht – nga “gogoli iranian” dhe “rreziku i islamit politik” – janë të gatshëm të pranojnë çdo varësi nga fuqitë e mëdha, duke u bërë kështu vasalë të poshtëruar të Perëndimit dhe dele të buta para Izraelit. Esedi dhe regjimi i tij ishte vasal i poshtëruar i Iranit dhe Rusisë.

Këtë politikë ndërhyrjesh, varësish politike, ekonomike dhe pushtimesh ushtarake në Lindjen e Mesme Arabe, e favorizon pikërisht përçarja politike, e cila mbahet në këmbë kryesisht për shkak të diktaturave që sundojnë në këto shtete. Një botë arabe pa diktatura, do të ishte me shumë gjasa një botë arabe e bashkuar dhe e pavarur, e cila padyshim, do të ndërtonte një të ardhme shumë më të mirë jo vetëm për rajonin, por për të gjithë botën, sidomos nëse do të ngrihej pikërisht mbi të njëjtat vlera dhe virtyte, mbi të cilat u ngrit dikur bota islame. Marrëdhëniet me të tjerët, qoftë në Lindje apo Perëndim, do të ngriheshin në bazë të interesave reciproke dhe jo varësisë së tepruar të marrëdhënieve të sotme, por edhe mbi moralin dhe drejtësinë që kërkon Islami. Edhe pse nuk janë një shtet i vetëm, këtë politikë pavarësie dhe në interes të përgjithshëm të këtyre popujve, shtetet arabe mund ta luajnë edhe sot. Por, regjimet e tyre, më së shumti represive dhe despotike, nuk kanë as dëshirë dhe as vullnet të luajnë një politikë të tillë, sepse etja për pushtet absolut personal shkakton gjithmonë verbëri politike dhe gabime të rënda strategjike.

Edhe pse ne, si shqiptarë muslimanë jemi relativisht larg botës arabe, afërsia fetare dhe ndjeshmëria emocionale që kemi ndaj saj, nuk duhet të na bëjnë të gabojmë, duke u përçarë mes nesh, në qëndrime aspak etike karshi aspiratave për liri të këtyre popujve, duke injoruar paturpësisht vuajtjet dhe vullnetin e tyre, si dhe duke mos njohur nga afër as realitetin e tyre social, fetar, kulturor dhe politik.

Edhe një herë, na duhet ta ritheksojmë vazhdimisht, se përtej intrigave, kurtheve dhe konspiracioneve që ekzistojnë në botë, e gjithë bota – dhe jo vetëm ajo arabe dhe islame – është në dorë të Zotit dhe dirigjohet nga ligjet e Tij, e jo nga një elitë e vogël e fshehtë globale.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit