1.9 C
Pristina
Sunday, December 15, 2024

NATO mund të anashkalojë planin e paqes të Trumpit për Ukrainën

Më të lexuarat

Një fjalim i një politikani gjerman në Kiev ka ngjallur pyetje në lidhje me mundësinë që aleanca ushtarake më e madhja në botë, NATO të hartojë një plan që do të anashkalojë atë të paqes të Donald Trumpit për Ukrainën.

Friedrich Merz, lideri i partisë konservatore të opozitës në Gjermani, inkurajoi vendet evropiane të krijojnë një aleancë dhe të bien dakord për një “vizion të përbashkët” të paqes në Ukrainë dhe të hartojnë një plan të tyre për të përfunduar luftën ukrainaso-ruse.

“Me ndryshimin e pushtetit në SHBA, ka mundësi që të kemi një situatë të re dhe duhet të përgatitemi për të. Duhet të krijojmë një strategji të përbashkët” brenda Evropës. Propozimi i Merzit përbëhet nga krijimi i një grupi të ri kontakti të aleatëve evropianë të Ukrainës, përfshirë Poloninë, Francën dhe Britaninë e Madhe, për të koordinuar një plan paqeje të pavarur nga idetë e SHBA”, tha kandidati për kancelar të Gjermanisë.

Friedrich Merz

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shprehu mbështetje për këtë plan dhe shkroi për vizitën e Merzit në Kiev në platformën X (ish Twitter).

“Diskutuam nevojën për të rritur ndihmën ushtarake për vitin e ardhshëm, çdo akt i tillë mbështetjeje jo vetëm që shpëton jetë, por gjithashtu forcon drejtpërdrejt pozitat e Ukrainës për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Po ashtu, diskutuam për integrimin e Ukrainës në BE, sigurimin e unitetit në Evropë dhe rolin e saj në forcimin e Ukrainës”, tha fillimisht ai.

“Mbështeta idenë e Merzit për krijimin e një Grupi Kontakti që përfshin Gjermaninë, Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Poloninë për të punuar drejt rikthimit të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën, ndërkohë që propozuam përfshirjen e Danimarkës. U dakorduam për rëndësinë e përmirësimit të aftësive të Ukrainës për raketa me rreze të gjatë dhe për zgjatjen e ftesës për NATO-n, e cila mund ta forcojë më tej vendin tonë. Arritja e një paqeje të drejtë në Ukrainë do të rikthejë jo vetëm sigurinë në Evropë, por gjithashtu do të ketë një ndikim të rëndësishëm në sigurinë globale”, shtoi lideri ukrainas.

Trump ka thënë më parë se do ta përfundojë luftën “brenda 24 orësh” dhe do të ndalojë të gjitha ndihmën ushtarake për Ukrainën pasi të rikthehet në detyrë.

Këshilltarët e tij raportohet se kanë hartuar një plan paqeje që do të përfshinte ngrirjen e të gjitha konflikteve në vijat aktuale të frontit dhe krijimin e një zone të demilitarizuar. Të dyja vendet do të ruanin të gjitha territorin që kanë pushtuar gjatë këtij armëpushimi.

Ekipi i presidentit të zgjedhur raportohet se ka diskutuar propozime për të përfunduar luftën Rusi-Ukrainë që përfshijnë heqjen e mundësisë për anëtarësim të Ukrainës në NATO, sipas reuters.

Zelensky së fundmi ka postuar në X për këtë dhe për mënyrën se si planifikon të vazhdojë të shtyjë për hyrjen në aleancën ndërkombëtare.

“Në lidhje me ftesën për NATO, është ende herët të flitet për të me presidentin Trump, sepse ai ende nuk është në Shtëpinë e Bardhë. Megjithatë, unë kam ndërmend të flas me Joe Bidenin së shpejti dhe ta ngre këtë çështje. Sepse ai është president aktual dhe shumë gjëra varen nga qëndrimi i tij”, tha ai.

Jamie Shea

Newsweek ka biseduar me Jamie Shea, ish-ndihmës sekretar i përgjithshëm për Çështjet e Sigurisë në NATO, në lidhje me mundësinë që NATO të krijojë një plan për të anashkaluar planin e paqes të Trumpit për Ukrainën.

Në lidhje me mundësinë që NATO të hartojë një plan të pavarur nga SHBA-ja, ai tha se “nuk mendoj se NATO do të përpiqet të veprojë kundër Shteteve të Bashkuara ose administratës Trump, do të ishte padyshim e pafavorshme për qëndrimin e Trumpit ndaj evropianëve ose NATO-s në përgjithësi. Pra, mendoj se NATO do ta shmangte këtë dhe do të dëshironte të punonte sa më harmonikisht me Trumpin dhe çdo plan që ai do të hartonte”.

“Së dyti, NATO nuk është lloji i organizatës që, siç e përmenda, merret me negociata politike. Shihni Luftën e Ftohtë, ajo u bë përmes bisedimeve dy plus katër për ribashkimin e Gjermanisë, kontrolli i armëve bërthamore ishte mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, Traktati i Forcave Konvencionale në Evropë u bë nga një organizatë e quajtur OSCE, Organizata për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë. NATO, natyrisht, ka interes në të gjitha këto”, shtoi Shea.

Ky i fundi negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës me përfshirjen e SHBA-së, i krahasoi si bisedimet për Traktatin e Forcave Bërthamore të Mesme me Bashkimin Sovjetik gjatë presidencës së Ronald Reaganit.

Ai vuri në dukje se NATO “krijoi një grup konsultativ të veçantë ku njerëzit që ishin të përfshirë në negociata, amerikanët, do të shkonin te NATO dhe do të informonin aleatët për çfarë po ndodhte, në mënyrë që aleatët të mos mbeteshin në errësirë, dhe të gjithë ata aleatë, duke u konsultuar, kishin mundësinë të shprehnin pikëpamjet e tyre”.

Trump dhe Zelensky

Në lidhje me propozimin e Merzit për krijimin e një grupi kontakti për Ukrainën, ai tha se “po, është e qartë që aleatët më të mëdhenj evropianë, Franca, Gjermania, Polonia, do të donin të ishin shumë afër dhe të tregonin se Evropa ka një vend në tavolinë gjithashtu. Kjo mund të funksionojë sepse këto grupe kontakti kanë ekzistuar edhe më parë”.

“Për shembull, ato morën pjesë në marrëveshjen e paqes të Dayton me Bosnjën në vitin ’95, e cila u negociua kryesisht nga amerikanët, por grupi i kontaktit ishte i pranishëm në Dayton, Ohio, në tavolinë, por duke e dërguar informacionin edhe tek NATO. Ka precedente për këto grupe kontakti që janë përdorur më parë mes Shteteve të Bashkuara dhe fuqive të mëdha evropiane, por natyrisht, kur bëhet fjalë për Ukrainën, të gjithë aleatët kanë dhënë ndihmë, Danimarka, Norvegjia, të gjithë kanë ndihmuar, të gjithë kanë interes në rezultat. Pra, mendoj se pyetja do të ishte për bashkëveprimin mes Shteteve të Bashkuara, një grupi më të vogël, dhe një grupi më të madh”, tha politikani gjerman.

“Mendoj për NATO-n dhe Ukrainën, nuk bëhet fjalë vetëm për Ukrainën. Ne nuk duam të dalim nga kjo duke lënë Rusinë në një qëndrim konfrontues me armë bërthamore në Bjellorusi dhe armë konvencionale ruse që shënjestrojnë NATO-n ose tanket ruse në kufirin me Finlandën”, shtoi amerikani.

Shea tha se NATO ka gjasa të kërkojë që të përfshihet më shumë në forcimin e kufizimeve ndaj forcave ushtarake ruse dhe ringjalljen e marrëveshjeve për kontrollin e armëve si traktati INF për “të siguruar që kemi një paqe të përhershme që del nga kjo, me një de-përshkallëzim të vërtetë me Rusinë”.

“Mendoj se interesat e NATO-s do të jenë, së pari, paqja afatshkurtër në Ukrainë dhe si do ta realizojmë atë, por më gjerësisht, si do të kalojmë nga kjo në një bisedë më të gjerë për armët e sigurisë evropiane në të ardhmen, realisht me Rusinë, për të përpjekur të de-përshkallëzojmë sa më shumë të mundemi”, përfundoi ai. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit