1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Policia arreston 8 të dyshuar, konfiskon armatim e eksploziv pas sulmit në Ibër-Lepenc

Më të lexuarat

Autoritetet Kosovare i kanë arrestuar tetë të dyshuar dhe kanë konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë në veri në lidhje me një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në këtë pjesë të Kosovës, njoftoi të shtunën ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Shpërthimi mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke i nxitur autoritetet kosovare ta akuzojnë Serbinë për sulm “kriminal dhe terrorist” ndaj infrastrukturës jetike të vendit.

Duke folur në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Jugut, Sveçla tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.

“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste… synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.

Të arrestuarit dyshohen edhe për lidhje dhe nxitje të sulmeve të fundit në veri të vendit gjatë kësaj jave, si sulmi me granata dore në stacionin policor dhe në ndërtesën e Komunës në Zveçan, tha Sveçla.

Autoritetet e sigurisë së Kosovës, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kanë kryer një operacion të gjerë të shtunën në 10 lokacione, tha Sveçla.

“Kontrolli ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake. Këto do të shërbejnë si dëshmi për këto akte kriminale”, tha Sveçla.

Sveçla tha se shumica dërrmuese e armatimit dhe pajisjeve të tjera të konfiskuara janë “prodhim serb” dhe se një pjesë e madhe e tyre janë “pajisje ekskluzivisht ushtarake” që nuk mund të gjendet lehtë në tregun e zi.

Eksplozivi i përdorur në sulmin ndaj kanalit “është e pamundur të gjendet, nëse nuk furnizohet drejtpërdrejt nga depot e ushtrisë”, u përgjigj Sveçla pasi u pyet se si ka mundur të futet një sasi kaq e madhe eksplozivi në atë pjesë të vendit.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke folur në konferencën e përbashkët me ministrin e Sveçla, tha se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, për ta kryer këtë sulm terrorist dyshohet se janë përdorur një sasi e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë. Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha Hoxha.

Hoxha tha se të arrestuarit dyshohen për përfshirje në sulmin ndaj kanalit të ujit të premten dhe se ata janë pjesë të “Mbrojtjes Civile”, e cila ka vepruar ilegalisht në veri të Kosovës nga viti 2011.

Qeveria e Kosovës qershorin e vitit të kaluar e shpalli “Mbrojtjen Civile” organizatë terroriste.

“Ne kemi arsye të besojmë se në një formë apo tjetër, këta kanë qenë të lidhur me rastin e sulmit terrorist të mbrëmshëm dhe me aktivitete ilegale dhe shume të mëhershëm dhe shumica janë pjesë të Mbrojtjes Civile”, tha Hoxha.

Gjatë aksionit policor janë sekuestruar mbi 200 uniforma ushtarake, gjashtë raketahedhës dore, tri granata dore, dy pushkë të llojit AK47, një revole, municion të kalibrave të ndryshme, pjesë të armeve, fitila ndezës për inicim të lëndëve plasëse, helmeta ushtarake, maska, thika, të holla në valuta si euro dhe dinar dhe pajisje të tjera, tha Hoxha.

Në një bastisje të ndarë në Zveçan, ai tha se sot policia ka konfiskuar sasi të konsiderueshme armatimi të fshehur si, dy pushkë AK47, tri revole, një armë gjuetie, dy armë rekreative, gjashtë karikator të AK47, municion dhe uniforma ushtarake.

Ai tha se armatimi i konfiskuar mund të lidhet me sulmet e kësaj jave dhe me raste të tjera që autoritetet janë duke i trajtuar.

Hoxha nuk deshi të japë më shumë hollësi, duke thënë se mund të dëmtohen hetimet për këtë rast.

“Duhet të kuptoni që po flasim për një rast shumë të rëndë. Nëse ne japim shumë informacione, dëmtojmë procesin tonë. Janë materiale e dëshmi që janë gjetur në bastisjet e sotme, e që dyshohen të lidhen me sulmin e mbrëmshëm”, tha ai.

Hoxha tha se shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha, duke bërë që furnizimi me ujë të pijshëm të ndërpritet në shumë zona dhe lokalitete.

Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Autoritetet kosovare njoftuan të shtunën pasdite se uji i Ibër-Lepencit është i papijshëm, ndërsa furnizimi me rrymë është i qëndrueshëm.

Më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Serbia i ka mohuar akuzat e autoriteteve kosovare.

Sulmi është dënuar nga bashkësia ndëkombëtare, e cila ka kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Bashkimi Evropian e cilësoi si sulm “terrorist” si dhe akt “sabotues” shpërthimin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.

/REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit