1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Çka është MSA-ja?

Më të lexuarat

Procesi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA) me BE-në është një proces përgjatë të cilit vendi që ka dëshirë të marrëdhënie më të afërta me BE-në – sidomos në fushën e tregtisë së lirë – dhe kalon nëpër reforma krijojë legjislative dhe administrative për tu përgatitur për një gjë të tillë.
BE-ja dërgon ekspertë teknikë në fusha të ndryshme që e udhëzojnë qeverinë e vendit se si ta kuptojë drejtë legjislacionin e BE-së, si ta aplikojë atë në legjislacionin vendor dhe si t’i krijojnë institucionet që duhet t’i zbatojnë ato ligje në praktikë.

MSA-ja dallon prej procesit të anëtarësimit në BE. Është proces tjetër, që rezulton në marrëdhënie më të mira tregtare, por që fokusohet në reformimin jo vetëm të fushave që do mundësojnë tregtinë e lirë me BE-në dhe rajonin, por edhe fushat që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal, dialogun politik rajonal, drejtësinë dhe punët e brendshme.

Natyrisht, reformat e arritura përmes MSA-së kontribuojnë në lehtësimin e procesit të anëtarësimit. Por duhet të kuptohet që këto procese nuk janë të lidhura me njëra tjetrën.

Asistenca financiare që vjen nga BE-ja gjatë këtij procesi fokusohet në implementimin e reformave kryesore që identifikohen përgjatë fushave kryesore të MSA-së, që kanë të bëjnë me tregun e lirë dhe çështjet e drejtësisë/rendit dhe ligjit.

Nëse, për shembull, Kosova nuk ka ligj të mirë për sigurinë e ushqimit dhe standardet fitosanitare, që do ta kontrollonin produktin e prodhuar në Kosovë para se të eksportohet në BE në mënyrë që të mbrohet konsumatori Europian prej helmimeve ushqimore, atëherë asistenca do të fokusohet në krijimin e këtij ligji dhe institucionit që e implementon atë.

Për vendet që eksportojnë në BE, MSA-ja ka qenë mjaft e rëndësishme. U ka mundësuar kompanive vendore qasje në tregun e BE-së, me kushte shumë të mira. Për Kosovën, rëndësia e kësaj marrëveshje është më e madhe në aspektin e vendosjes së marrëdhënies kontraktuale me BE-në, që (shpresimisht) do ta qartësojë ligjërisht relacionin Kosovë-BE.

Pjesa e negociatave, edhe pse sfiduese, nuk do të jetë e pamundur për institucionet e Kosovës që ta bëjnë.

Krijimi i grupeve ndërministrore dhe bashkëbisedimi me BE-në është diçka që këtu bëhet tash e disa vjet. Dhe është diçka që mësohet.

Studimi i fizibilitetit e konfirmon këtë, kur thotë se Kosova në masë të madhe është e gatshme të fillojë negociatat për MSA.

Konkludimi i MSA-së do të jetë i rëndësishëm për Kosovën sepse do ta definojë marrëdhënien kontraktuale me BE-në.

(Autore e shkrimit është Besa Shahini, shkrim i publikuar në gazeta JNK)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit