Alija Izetbegoviç, askush si ai, si politikan e si mendimtar
Mbushen 21 vjet nga vdekja e ish-liderit boshnjak, Alija Izetbegoviç, figura më unike e Ballkanit në kohërat modern, me një dimension intelektual të pashoq. Çdo emër tjetër përballë tij, në kohën që jetoi, ngjante me një hiç. I pari Millosheviçi, me të cilin u sprovua në vitet e një lufte të tmerrshme, për ta patur armik politik. Mund t’i afrohej Rugova deri diku, prej një profili intelektual të ish-liderit kosovar, por vetëm deri te maja e thonjve.
Urtësia, mençuria, kurajoja, intelekti, finesa e mendimit dhe fisnikëria njerëzore, veprat që ka lënë pas dhe thëniet lapidare, e shpalosnin Alija Izetbegoviçin si personalitet shumëdimension, të pakrahasueshëm me asnjë në Ballkan.
Ai ishte njëherësh dhe një mendimtar i thellë musliman, njeriu që e zbërthente dhe e shpaloste Islamin me një origjinalitet të pashoq mendimi, dimension që e bën të jetë referencë edhe krenaria për muslimanët në Ballkan.
Ai u shua më 19 tetor 2003 nga një goditje në zemër. Sipas vlerësimeve, në lamtumirën e fundit të Alija Izetbegoviqit kanë marrë pjesë më shumë se 100 mijë persona. Vlerësohet se ky ishte numri më i madh i njerëzve që kanë marrë pjesë ndonjëherë në një funeral në Sarajevë.
Alija Izetbegoviç lindi më 8 gusht 1925 në Bosanski Shamac. Ai i përkiste një familjeje të respektuar bejlere që jetonte në Beograd dhe u shpërngul në Bosanski Shamac në 1868. Në vitin e dytë të jetës së Izetbegoviçit, babai i tij Mustafa, i cili merrej me tregti dhe bankim, vendosi të shpërngulet në Sarajevë, aty ku Alija ku mbaroi shkollën fillore dhe të mesmen.
Izetbegoviç u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me tre vjet burg për anëtarësim në organizatën “Mladi Muslimi”. Ai doli nga burgu në vitin 1949.
Pasi la agronominë pas tre vitesh studime, Izetbegoviç hyri në Fakultetin Juridik në Sarajevë, të cilin e përfundoi me sukses brenda dy viteve. Nga viti 1950 deri në vitin 1960, ai punoi si menaxher i kantierit, dhe nga viti 1960 deri në 1982, si këshilltar ligjor në kompani të shumta të Sarajevës.
Në pranverën e vitit 1983 arrestohet dhe në verën e po atij viti në “gjyqin e inskenuar të Sarajevës” dënohet me 14 vjet burg, ku kreu gjashtë vjet.
Pas lirimit të tij nga burgu, Izetbegoviç themeloi Partinë e Veprimit Demokratik (SDA) në vitin 1990 me një grup njerëzish të të njëjtit mendim, i cili fitoi shumicën e votave në zgjedhjet e lira dhe më vonë do të luante një rol kyç në mbrojtjen e Bosnjës kundër agresionit serb.
Izetbegoviç është autor i një numri të madh veprash dhe studimesh publicistike dhe librash: “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, “Problemet e Rilindjes Islame” dhe “Deklarata Islame”. Këto libra janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë botuar në disa vende. Në vitin 1999 boton librin “Arratisja ime drejt lirisë”, dhe në vitin 2000 librin “Kujtime” (rekord autobiografik). Veprat e mbledhura të Alija Izetbegoviçit në dhjetë vëllime u botuan në vitin 2004.
Ai ishte fitues i një sërë mirënjohjesh dhe çmimesh, si çmimi “King Faisal”, morri medaljen e Qendrës së Uashingtonit për Demokraci, si dhe nga gazeta spanjolle më me ndikim, “El Mundo” e Madridit, zgjodhi si “Personi i vitit” në bota në 1995.
Në vitin 1997, Universiteti Marmara i Stambollit i dha titullin “Doktor Nderi i Shkencave Juridike” për kontributin e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vendosjen e paqes dhe si jurist i dalluar. Në forumin në Krans Montana në vitin 1998, ai mori një çmim prestigjioz për avancimin e të drejtave të njeriut.
Një deklaratë e Richard Holbrooke, krijuesi i Marrëveshjes së Dejtonit, do të mbahet mend:
“Po të mos ishte Alija Izetbegoviç, nuk do të kishte as Bosnje-Hercegovinë sot”. /tesheshi.com/