Nga pickimi i rriqrave në Kosovë sivjet kanë vdekur 3 persona, ndërsa janë trajtuar 1.600 veta, bëjnë të ditur zyrtarë të shëndetësisë.
Vetëm në Malishevë, si zonën më endemike e rriqrave, sipas drejtorit të QKMF-së, Besim Zogaj, gjatë periudhës 21 mars, kur është paraqitur pacienti i parë i pickuar, deri të shtunën, më 23 qershor, janë regjistruar 1060 të pickuar. Por, edhe pse duket të jetë një numër i madh i të pickuarëve, drejtori Zogaj ka thënë se ditëve të fundit, prej kur është bërë dezinsektimi i disa zonave më endemike, është vërejtur një rënie e dukshme e pickimeve. Dezinsektimi i hapësirave që konsiderohen më të prekura është bërë edhe në Rahavec, ku sipas zyrtarëve të shëndetësisë, deri të dielën në qendrat e mjekësisë familjare janë trajtuar si të pickuar mbi 250 persona. Këtë e kanë konfirmuar nga Rahoveci drejtori i QKMF-së, Agim Kadiri, dhe përgjegjësi i informacionit për çështje shëndetësore në këtë komunë, Xhevdet Avdullahu. Numër i madh i të pickuarve nga rriqrat është shënuar edhe në Komunën e Klinës. Sipas infektologut Haxhi Ibishi, në këtë komunë deri në fund të javës që po ikën janë paraqitur si të pickuar rreth 300 veta. Madje, nga kjo komunë është raportuar se një fëmijë 4-vjeçar kishte marrë ndihmën e mjekëve pasi ishte pickuar nga 74 rriqra, por që i ka shpëtuar më të keqes, për shkak të çuarjes së shpejtë tek mjeku.
Pavarësisht kësaj, zyrtarët shëndetësorë të këtyre komunave e kanë pranuar se numri të jetë deri në 5 fish më i madh i të pickuarve, por që i heqin vetë rriqrat dhe nuk paraqiten fare për trajtim mjekësor.
“Numri është 5-fish më i madh, por qytetarët nuk lajmërohen te mjeku, duke i hequr ato vetë nga trupi”, ka thënë përgjegjësi i informacionit për çështje shëndetësore në Rahavec, Xhevdet Avdullahu.
“I kemi spërkatur kryesisht hapësirat publike nga ka pasur mundësi të depërtonte traktori, aty ku është shprehur vullneti nga pronarët edhe oborret e tyre, kemi dhënë material për ata që kanë dashur të spërkasin dhe çdo gjë ka ecur mirë”, i ka thënë ditë më parë gazetës Skënder Hoti, drejtor i Shëndetësisë në Malishevë. Sipas tij, për spërkatje kanë qenë të planifikuara 39 zona endemike. Spërkatja është bërë edhe në Komunën e Rahavecit, por zyrtarët e shëndetësisë në këtë komunë kanë thënë se qytetarët duhet të kenë kujdes, sepse Komuna është një territor i madh dhe nuk mund të preket çdo vend.
Dezinsektimin e hapësirave e ka konfirmuar të dielën edhe drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani. Ai ka thënë se edhe pse nuk është obligim i tyre për ta bërë një gjë të tillë, janë angazhuar kudo me ekipe për dezinsektim dhe deratizim të terrenit. Sipas tij, aktualisht në QKUK janë 5 pacientë të shtruar, për shkak se janë pickuar nga rriqrat. Ramadani ka theksuar se gjendja nuk është alarmante, porse, sipas tij, vëmendja e të gjithëve duhet të jetë shumë më e përqendruar në rrezikun që mund të sjellin ato. “Rriqra ka gjithkund, por në disa pjesë të Kosovës ato paraqesin më shumë rrezik, për shkak të bartjes së infeksioneve të ndryshme”, ka thënë Ramadani./koha/kohaislame