11.1 C
Pristina
Monday, September 30, 2024

Ura e Tabakëve, e vetmja funksionale në Tiranë nga periudha osmane

Më të lexuarat

Ura ka statusin e monumentit të kulturës që mbrohet nga shteti dhe ndodhet pranë zonës së qendrës së Tiranës.

Nga periudha osmane në Shqipëri gjenden disa ura të veçanta prej guri, ku një ndër më karakteristiket e kësaj periudhe është Ura e Tabakëve në Tiranë, e cila është ndër monumentet e veçanta të kryeqytetit të Shqipërisë.

Ura ka statusin e monumentit të kulturës që mbrohet nga shteti dhe ndodhet pranë zonës së qendrës së Tiranës, ndërkohë konsiderohet një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të kryeqytetit, për nga arkitektura dhe interesi i turistëve.

Historiku dhe karakteristikat e Urës së Tabakëve

Gjatë shekujve 17-19 në Tiranë filluan të zgjeroheshin hapësirat e qytetit, si dhe zejtaritë dhe ndërtimet, duke e bërë të domosdoshme edhe ndërtimin e urave, edhe si mënyra për të lehtësuar komunikimin dhe ndërveprimin mes banorëve të Tiranës dhe më gjerë.

Historiani i arkitekturës dhe ish-drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës të Shqipërisë, prof. dr. Valter Shtylla, për Anadolu tregon se të vetmet ura prej guri që ruhen në këmbë në Shqipëri janë të periudhës osmane. Ai thekson se Ura e Tabakëve afërsisht nominohet si urë e gjysmës së parë të shekullit të 19-të.

Ura e Tabakëve është një urë guri këmbësoresh dhe spikat për arkitekturën e saj, si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementeve që e përbëjnë.

Kjo urë është ndërtuar me kontributin e esnafit të tabakëve, që në atë periudhë ishin të përhapur në Tiranë dhe ushtronin zejen e tyre të përpunimit të lëkurave të bagëtive në lagjen me të njëjtin emër.

Shtylla thekson se kjo urë është e veçantë dhe duke folur mbi rëndësinë e përdorimit të saj në të kaluarën, ai shton se ura lidhte qendrën e Tiranës me Lagjen e Tabakëve dhe lagje të tjera të Tiranës.

Ura ka një gjatësi të kalldrëmit mbi 20 metra dhe lartësi mbi 7 metër dhe përbëhet nga një hark kryesor, mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi dhe harqe të tjera më të vegjël.

Kalldrëmi i urës me një gjerësi rreth 2,5 metra është i ndërtuar me gurë lumi dhe ura në ditët e sotme është funksionale dhe përdoret vetëm nga këmbësorët.

Shtylla, i cili ka kryer edhe studime mbi rrugët dhe urat e Shqipërisë tregon se Ura e Tabakëve është e restauruar, ndërkohë rrjedha e Lumit të Lanës nuk kalon më nga ura, duke sjellë që ajo të mbetet në gjendje të mirë.

Ura e Tabakëve, e vetmja në qytetin e Tiranës që ka mbetur funksionale nga periudha osmane

Studiuesi Shtylla tregon se Ura e Tabakëve është e veçantë dhe e vetmja urë që ka mbetur nga shekulli i 19-të në qytetin e Tiranës.

“Ura e Tabakëve, (tregon) se dora dhe vula e ndërtuesit shqiptar njihet në vetë emërtimin e këtyre urave”, shprehet Shtylla.

Shtylla thekson se nga periudha osmane kjo është e vetmja urë prej guri që ka mbetur funksionale dhe që ruhet në gjendje të mirë në qytetin e Tiranës.

“Është ura e vetme e gurit e mbetur shëndoshë në qytetin e Tiranës nga periudha osmane dhe që ka hyrë tashmë në mënyrë organike në itinerarin turistik dhe kulturor të vizitave që bëhen në qytetin e Tiranës”, tregon ai.

Edhe pse është e rrethuar nga ndërtesat e reja, Ura e Tabakëve spikat me arkitekturën, duke u ruajtur identiteti i saj.

Vizitorët vendas, por edhe turistët e huaj në turin e tyre në kryeqytet vizitojnë edhe këtë monument të veçantë historik të Tiranës, i cili “bashkëjeton” me ndërtesat moderne përreth kryeqytetit të Shqipërisë.

/trt/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit