8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

LUFTA E PAMBARUAR E KOSOVËS- Sokol Ademi

Më të lexuarat

 

     Fundshekulli i përgjakur i Kosovës po shënonte një fillim të ri për këtë kështjellë të madhe të Shqiptarisë, një rrugëtim historik drejt pavarësisë dhe sovranitetit të plotë, duke shpresuar bashkimin me trungun amë, pa kuptuar se së shpejti, lufta çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës do të përbaltej në mënyrën më të paskrupullt nga akuzat e shëmtuara për “krime lufte”, të cilat u gatuan në kazanët e zinj të Beogradit. Por luftën e çlirimtarëve, luftën e atyre kollosëve dardanë që morën guximin t’i thonë NDAL makinës luftarake jugosllave dhe derdhën gjakun për lirinë e një copëze të Shqipërisë, në mbrojtje të së drejtës dhe së vërtetës, nuk mund ta njollosin dot kurrë hienat e kollarisura që bredhin sa në Beograd e në Bruksel për të ngopur të pangopurit e shekujve. E vërteta dërrmon hekur!

 

Asgjë nuk ka mbaruar . . .

     Konflikti midis shqiptarëve dhe serbëve nuk fillon me luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, apo me ndarjen e kufinjve në vitin 1913. Gjithçka është shumë më e vjetër se kaq dhe për më tepër, kjo gjakderdhje shekullore nuk mund të përmblidhet brenda kornizave të nacionalizmit të të dy kombeve, pasi kjo do të ishte haptazi një cungim i historisë, në dëm të së vërtetës. Ky konflikt që ka tundur Ballkanin nga themelet është skicuar në bazë të koniukturave politike ndërkombëtare, në interes të superfuqive botërore që e kanë të pamundur të heqin dorë nga dëshira e errët për ta sunduar botën e ndarë në kampe, një sinonim ky i “komunizmit modern”, në të cilin kombet e vegjël janë të destinuar të pranojnë vasalitetin e dhimbshëm ose zhdukjen e plotë. Kjo është ajo që e kërcënon jo vetëm Kosovën, por të gjithë popullin shqiptar, gjë e cila u parashikua nga babai i kombit, Ismail Qemali këtu e njëqind vjet më parë: “Fatet e kombeve të vegjël dalin nga dyert e tragjedive të mëdha”. Ne ndodhemi në vorbullën apokaliptike të kulmit të historisë.

     Qeveria jugosllave ka mbajtur përherë një qëndrim të ftohtë ndaj shqiptarëve, për ta kthyer më pas atë në një ofensivë gjithëpërfshirëse me synim “sllavizimin e plotë të Kosovës”, dhe e gjitha kjo nuk mund të ndodhte thjesht e vetëm nga urrejtja e saj për shqiptarët. Deshqiptarizimi i kësaj zone do t’i shërbente gjeopolitikës sllave, e cila mbeti konstante midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik gjatë shek.XX, vazhdon të mbetet e njëjtë midis Serbisë e Rusisë edhe tani në shek.XXI. E përbashkëta sllave, e cila mbulon interesin e Rusisë për një dalje në Mesdhe, është themeli i megalomanisë ruse në Ballkan, përballë së cilës Europa dhe Amerika nuk do të rrijnë duarkryq. Por, perëndimi nuk mund të njollosë të vërtetën me anë të propagandës anti-ruse. Kërcënimi i një sulmi bërthamor nga ana e Rusisë (fatalitet historik për të gjithë botën), është një frikë e përbashkët, ashtu si “ndarja e botës në kampe politike”, e cila është një pikësynim i përbashkët. Pikërisht këtu, perëndimi dhe lindja ndryshojnë maskat dhe nxjerrin në teatrin botëror Kosovën.

     Rënia e Bashkimit Sovjetik do të ndikonte edhe në rajonin ballkanik. Jugosllavia, ky shtet komunist, jo vetëm që duhej të shkëputej krejtësisht nga komunizmi, por duhej të copëtohej për t’u bashkuar më pas ashtu siç do të kërkonte Europa, për t’i shërbyer asaj dhe për të kënaqur edhe “Rusinë e re”, e cila tashmë mbante një maskë të re, një karikaturë të shëmtuar të Carit të saj. Ç’do të thoshte populli në këtë rast; “tërhiq e mos e këput”, kjo do të ishte shprehja tipike për balancën e diplomacisë midis dy anëve të Evropës. Kështu, në vitin 1989, kur ndikimi i perëndimit po shtrihej drejt vendeve të ish-bllokut socialist, në Jugosllavi erdhi në pushtet me pikëpyetje të shumta një ultranacionalist si Sllobodan Millosheviçi, i cili parashtroi ideologjinë e tij për një “Serbi të pastër”, për realizimin e së cilës organizoi një luftë të madhe, e cila çoi në spastrimin etnik të Kosovës e Bosnjes, në copëtimin e Jugosllavisë dhe shpërbërjen e plotë të saj. Vijimësia e historisë politike të Ballkanit do të ishte një ngatërresë shumë herë më e madhe se luftërat e fundshekullit, për të cilën palët vazhdojnë t’ja hedhin fajin njëra-tjetrës, sigurisht, në kurriz të shqiptarëve të përçarë e të harruar.

     Por kjo luftë nuk do të njihte fund edhe gjatë shekullit të ri. Pavarësisht nënshkrimit të marrëveshjes së Kumanovës e cila e detyronte Serbinë të tërhiqej nga Kosova me të gjithë forcat e saj ushtarake dhe policore, shtetit serb, në kundërshtim të plotë me ligjet ndërkombëtare, jo vetëm që nuk iu imponua reduktimi i kapacitetit ushtarak, por iu lejua të vazhdonte prodhimin e armëve në vend dhe furnizimin me armë nga jashtë. Fuqitë e Mëdha e distancuan qëllimisht Serbinë nga drejtësia ndërkombëtare dhe për ta mbuluar këtë, nxorën përpara tribunalit të Hagës një pjesë të udhëheqjes jugosllave, të cilët u dënuan për krime lufte. Unë do të pyesja: çfarë u bë me pjesën tjetër të kriminelëve serbë që përveç operacioneve në terren, u bënë zëri dhe syri i makinës propagandistike serbe, robotë të pansllavizmit dhe truri i politikës genocidiale të Beogradit? Çfarë ndodhi me arkitektët e luftës shfarosëse dhe mbështetësit politikë kryesorë të Millosheviçit? Çfarë ndodhi me piramidën ushtarake ish-jugosllave, e cila është përgjegjëse për dhjetëra mijëra krime monstruoze? Patjetër që të gjithë këta nuk u vranë gjatë bombardimeve të NATO-s, një përgjigje tjetër duhet të kërkohet: shumica e kriminelëve serbë, fill pas mbarimit të luftës në Kosovë iu rikthyen jetës së mëparshme, madje në shumë raste edhe rrugëtimit politik. Pavarësisht tragjedive që shkaktuan, sot shumë prej ithtarëve të Naçertanias drejtojnë jetën politike të Serbisë mbi të njëjtat shovinizma dhe perëndimi, “aleati strategjik i shqiptarëve” që i sheh këto ngjarje më mirë se ne, hesht. Hesht sikur të mos ketë ndodhur asgjë. 

     Krahas marrëveshjes së Kumanovës u nënshkrua edhe rezoluta 12-44 e Këshillit të Sigurimit, e cila, edhepse i jep Kosovës statusin e një protektorati të OKB-së, nuk e njeh Kosovën si një republikë të pavarur, por si pjesë të ish-Jugosllavisë dhe për më tepër, kjo rezolutë lë në fuqi marrëveshjen e Rambujesë të vitit 1999 që e njeh Kosovën si krahinë autonome të RFJ-së, shqiptarët si një element kombëtar i Kosovës multi-etnike dhe UÇK-në e barazon me njësitë paramilitare serbe. Ndërkohë që Kosova vazhdon me të drejtë luftën e saj për njohjen e plotë si një shtet i pavarur dhe vetëqeverisës, ndërkombëtarët nuk pranojnë rishqyrtimin e kësaj rezolute dhe të marrëveshjeve të tjera për të ligjëruar pavarësinë e Kosovës dhe shkëputjen ligjore të saj nga Serbia.

     Që nga viti 2005, ish-kupola drejtuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohet për krime lufte dhe thirret në gjykatën ndërkombëtare të Hagës, ku çështja e saj zvarritet mjerisht, pa iu dhënë ndonjë zgjidhje konkrete. Sipas aktakuzave të ngritura, “krerët e UÇK-së barazohen me çetnikët serbë dhe lufta e Kosovës merr imazhin e turpshëm të një lufte terroristësh, e cila meriton të ndëshkohet”. Këtë po na thotë bota. Luftëtarët e lirisë po i gjykon si kriminelë, ndërkohë që naçertanistët serbë bredhin rrugëve të Serbisë, të Zveçanit, Leposaviçit e Zubin-Potokut të lirë, pa iu hyrë gjemb në këmbë. Shteti serb, si kontribut në goditjen e imazhit të UÇK-së ka përgatitur 63 dosje me rreth 48.000 faqe në total, kundër luftëtarëve të Kosovës, të cilat i janë dërguar gjykatës së Hagës. Por këtu unë do të doja të pyesja sërish: si ka mundësi që të akuzohet për krime lufte një armatë e keqarmatosur kundër një makinacioni gjigand ushtarak serb, i cili funksiononte në bazë të projektit për shfarosjen totale të shqiptarëve? Si mund të akuzohet për krime lufte një ushtar që luftoi kundër vrasësve të fëmijëve, hajdutëve, banditëve, përdhunuesëve e pedofilëve? Si mund të akuzohet për krime lufte ai që mbrojti nderin e familjes së tij? Si mund të akuzohet për krime lufte një i persekutuar, një i diskriminuar, një familje e terrorizuar, e rrahur, e plaçkitur dhe e përzënë me dhunë nga barbarët e fundshekullit? Këtë po i thotë Kosovës bota: kërko falje që u there, kërko falje që u vrave, kërko falje që u çnderove! Puthi dorën vrasësit!

     Gjykimi i luftëtarëve të UÇK-së në Hagë, së bashku me lënien jashtë vëmendjes të marrëveshjeve të nënshkruara, midis tyre edhe të rezolutës 12-44, kanë si qëllim shpalljen e luftës së Kosovës si një luftë terroriste, gjë që do ta përmbysë situatën në favor të Serbisë. Nëse kjo çështje do të gjykohet në favor të serbëve, duke e shpallur UÇK-në si organizatë terroriste shqiptare, Beogradit zyrtar do t’i jepet e drejta të kërkojë hapjen e një gjyqi tjetër ndërkombëtar, ku do të pretendojë se ka luftuar kundër terrorizmit brenda kufinjve shtetërorë dhe për rrjedhojë, do të kërkojë marrjen e Kosovës. E sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, nxitja e tensioneve në mënyrë direkte dhe indirekte nga shteti serb në zonat e minoritetit serb në veri të Kosovës, duke llogaritur edhe ndërhyrjen ushtarake serbe në vitin 2023 në një manastir ortodoks në atë zonë, tregon qartë synimin që kanë serbët për formimin e një republike autonome brenda Kosovës shtet, ashtu siç ndodhi në Bosnje. Agresioni rus, -i cili tashmë i përket karakterit nuklear dhe bën që të afrohet më pranë se kurrë imazhi i një lufte botërore-, ka patur gjithmonë si prapavijë të tij Kosovën, kundër së cilës nxit Serbinë me idiotizmat e saj ultranacionaliste. Tani që Shqipëria ka një rol kyç në OKB, gjë që bie ndesh me interesat gjeopolitike të Rusisë, rryma të posaçme anti-shqiptare skicojnë konflikte të tilla në zonën e minoritetit serb, për të krijuar idenë përpara opinionit politik ndërkombëtar se pakica serbe po shtypet nga shqiptarët dhe është e detyruar të reagojë me anën e forcës (një mashtrim i madh, pasi minoriteti serb në Kosovë gëzon çdo të drejtë të parashikuar nga legjislacioni ndërkombëtar për pakicat etnike, ndërkohë që tjetër gjë ndodh me shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut në Serbi, të cilët vazhdojnë të persekutohen dhe të keqtrajtohen nga regjimi fashist serb). Synimi për të krijuar de facto një republikë serbe brenda Kosovës, ashtu sikurse në Bosnje (pa harruar këtu edhe ndihmën e kishës serbe), duket fare qartë. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes naçertaniste. Ana tjetër e saj është gdhendur bukur nga perëndimi, i cili, së bashku me qeverinë e Tiranës në krah, që “si Frosina e Ali Pashës dikur hidhet sa nga njëri saraj te tjetri”, i ofron Kosovës një ide për realizimin e të ashtuquajturit “asosacion të komunave serbe”. Çfarë është konkretisht asosacioni? Një vetëqeverisje e serbëve brenda kufinjve të shtetit të Kosovës, pa marrë parasysh ndikimin e Serbisë në ato zona dhe veprimtarinë intensive të qarqeve shoviniste serbe për të themeluar një Serbi të vogël brenda një copëze të Shqipërisë, një enklavë e politikës shovene të Beogradit dhe një provë më shumë për të vërtetuar qëndrimet pro-serbe të shumicës së shteteve perëndimore. Me këtë asosacion që ofrojnë, pa përmendur këtu kuadrin e balancës diplomatike lindje-perëndim, Evropa kërkon t’i japë Kosovës tiparet e një shteti multi-etnik, ku serbët, pavarësisht krimeve të tyre do të ngrihen sërish në nivele të larta dhe do të kenë një rol vendimtar në ecurinë politike të Kosovës, paçka se kjo do të thotë paralizim i procesit progresiv për Prishtinën zyrtare dhe favorizim i Serbisë, i cili ka si sinonim të tij togfjalëshin “influencim politik i Rusisë në Ballkan”. Realizimi i këtij asosacioni, i cili duhet ndaluar me çdo kusht, do të na bëjë ta ndjejmë rrezikun rus më afër se kurrë ndonjëherë.

     Dhe pavarësisht se sa flasim, në thelb të gjithë kësaj vorbulle, qëndrojmë ne që vuajmë, e që në fakt jemi ne ata që e hedhim në erë me duart tona të ardhmen e vendit, ashtu si rasti në fjalë, ku dy shtete shqiptare nuk i qëndrojnë krah njëri-tjetrit për kauzën e shenjtë kombëtare, por kthejnë shpinën dhe vrapojnë si hienat drejt thasëve me parà. Shqiptarët duhet ta kuptojnë fare mirë se janë vënë në thep të pushkës nga ata që i quajnë miq, por që duan t’i vënë flakën e ta bëjnë shkrumb e hi Shqipërinë. Këta “miq me maska” ndihmohen si askush tjetër nga borgjezët e nderuar të Arbrit, që në vena u kullon djersa e Frosinës dhe jo gjaku i shqiptarit. POPULLI NUK E FAL TRADHTINË! Ajo nuk mund të përgënjeshtrohet. Shqiptarët duhet të zgjohen nga gjumi letargjik i 30 viteve pluralizëm dhe ta kuptojnë se pa krijuar një klasë politike të dekomunistizuar, një qeverisje të hekurt të shtetit ligjor dhe pa patur një vizion të karakterit kombëtar, me anë të së cilave do të dijë t’u përgjigjet të gjithë atyre që guxojnë të cënojnë popullin tonë dhe tokën tonë, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet në rolin e vasalit besnik të atyre që kërkojnë ta zhdukin. Detyra e shenjtë e secilit nga ne është që të japë sadopak kontribut në çështjen kombëtare, duke ruajtur dinjitetin nacional në shpirtin e tij, në familjen e tij dhe më gjerë. Kjo është shenjë e unitetit, bashkëveprimit dhe përparimit. Kosova dhe Shqipëria e kanë treguar kurdoherë se janë simbol i luftës së madhe për qytetërim, dhe ne si brezi i ri i këtij populli, duhet t’i marrim vetë në dorë fatet tona. Shqipëria, cep më cep e anë më anë është dhurata e shenjtë që Zoti ua bëri shqiptarëve dhe na takon ta ruajmë e ta trashëgojmë. Në këtë rrugë duhet të mbijë fara e qytetarisë, ndershmërisë dhe fisnikërisë sonë.

Nga Sokol Ademi

                                                                                                                                                                  

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit