Eksperti: Vrasja e udhëheqësve të huaj, ka sjellë shpesh efekte negative
Nga Douglas London, Foreign Policy
Kur presidenti iranian Ebrahim Raisi gjeti vdekjen në maj të këtij viti, pasi helikopteri i tij u rrëzua në një zonë malore në verilindje të vendit gjatë kthimit nga Azerbajxhani, pyetja e parë që pashë të ngrihej në media, ishte nëse në këtë ngjarje kishin gisht Shtetet e Bashkuara.
Edhe gjatë udhëtimit të fundit të presidentit rus Vladimir Putin në Phenian të Koresë së Veriut, u fol për mundësinë e mirë të eleminimit të tij në momentin që ndodhej larg Kremlinit. Por a duhet që SHBA-ja dhe aleatët e tyre të synojnë ta rrëzojnë Putinin, duke mundësuar një grusht shteti kur ai nuk ndodhet në Rusi, apo ta vrasin gjatë udhëtimeve të tilla jashtë vendit?
Përgjigja varet nga vlerësimi i rrezikut përkundrejt fitimit. Çfarë do të përfitohej nga vrasja e Putinit? A do të përshkallëzohej kërcënimi i Rusisë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj? A do të tërhiqeshin trupat ruse nga Ukraina, dhe nuk do të ishin më një kërcënim për aleatët e NATO-s në Baltik dhe Evropën Lindore? Apo synimet e rusëve mund të bëhen edhe më armiqësore dhe më pak të parashikueshme?
Pavarësisht fiksimit të Putinit me intrigat, mohimin dhe mashtrimet, ai mbetet ende shumë i parashikueshëm. Në fakt, Shtetet e Bashkuara, së bashku me Britaninë ishin të vetmit midis aleatëve të NATO-s, për të mos përmendur vetë Ukrainën, në parashikimin e saktë të planeve të Putinit për të sulmuar Kievin.
A do të ndërhyjnë Shtetet e Bashkuara në këtë formë? Të dhënat historike, tregojnë se Amerika mbështeti përmbysjen e regjimeve të zgjedhura në mënyrë demokratike në Iran në vitin 1953 dhe Kili në vitin 1973, ndërsa një komision hetimor i Kongresit, dokumentoi dhjetëra përpjekje të CIA-s për të vrarë udhëheqësin e Kubës, Fidel Castro.
Kohët e fundit, SHBA-ja nuk bëri asnjë përpjekje për të fshehur autorësinë e vrasjes së komandantit të Forcave Quds të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike iraniane Qassem Suleimani në janar 2020, një veprim që precedentët historikë do të sugjeronin se ishte një akt lufte.
Që nga sulmet e 11 shtatorit 2001, strategjia e SHBA-së kundër terrorizmit ka qenë e bazuar praktikisht tek atentatet. Pra vrasjen e terroristëve jashtë vendit, përpara se ata të mund të godasin territorin e SHBA-së. Ndërsa këto episode tregojnë gatishmërinë e qeverisë amerikane për të ndërmarrë veprime të njëpasnjëshme dhe vdekjeprurëse në emër të sigurisë kombëtare, goditja kundër Suleimanit ndodhi kur ai ishte jashtë vendit.
Nga ana tjetër, operacionet për rrëzimin e Mohammad Mosaddegh në Iran, Salvador Allendes në Kili dhe Castros në Kubë, vareshin më tepër nga elementë të brendshëm për të lehtësuar komplotet. Përveç këtyre episodeve, qeveritë amerikane kanë favorizuar pa dyshim status quo-në e një kundërshtari të parashikueshëm.
Megjithatë ndryshimi i regjimit nuk ka qenë gjithmonë pozitiv për interesat e SHBA-së. Kështu, rrëzimi i Saddam Huseinit në Irak nuk ishte një faktor i vogël në ndodhjen e Pranverës Arabe, me efekte që vazhdojnë të kenë jehonë ende sot në të gjithë Lindjen e Mesme.
Kjo shihet tek luftërat civile në Libi, Siri dhe Jemen, si dhe tek paqëndrueshmëria e vazhdueshme politike në Egjipt dhe Tunizi. Po ashtu, pushtimi i Irakut nga SHBA-ja lehtësoi ngritjen e Shtetit Islamik. Dhe talebanët ia dolën të riktheheshin në pushtet në Afganistan pavarësisht 20 viteve luftë, mijëra amerikanëve të vrarë dhe miliardarve dollarëve të harxhuar, teksa tani u japin strehë grupeve kryengritëse që kërcënojnë Pakistanin, Iranin, fqinjët e tij të Azisë Qendrore dhe Kinën.
Prirja për të pranuar status quo-në e njohur, forcohet më tej kur një vend është i armatosur me armë bërthamore. Sa i përket Rusisë, edhe në rrethanat më ideale në të cilat qeveria amerikane mund të eleminonte Putinin dhe të fshihte dorën, sa i sigurt është Uashingtoni se atë do ta pasonte një udhëheqje e qëndrueshme dhe më pak armiqësore ndaj Perëndimit?
Në Rusi, si në shumicën e autokracive, pushteti u takon atyre që kontrollojnë instrumentet e pushtetit. Kryesisht armët, por edhe paratë, infrastrukturën, burimet natyrore, lidhjet dhe njohuritë. Aktualisht, ky pushtet është i përqendruar brenda një rrethi të vogël burrash tek të 70-at, gati që të gjithë me lidhje shumë të vjetra me Putinin, që nga koha e KGB-së së kohës së Luftës së Ftohtë dhe Shën Petersburgut.
Forcat e Armatosura Ruse, mund të kenë numrat sa i përket trupave dhe mjeteve, por nën sundimin e Putinit, ashtu në epokën sovjetike, ato mbahen në një kontroll të fortë dhe monitorohen nga afër. Tre organizatat më të afta për të vepruar kundër Putinit dhe Kremlinit janë Shërbimi Federal i Sigurisë, ose FSB; Rosgvardia, ose Garda Kombëtare; dhe Shërbimi i Sigurisë Presidenciale brenda Shërbimit Federal të Mbrojtjes, FSO.
FSB-ja është krahu i sigurisë dhe inteligjencës së brendshme të Rusisë, përmes të cilit Putin qeveris duke pasur parasysh praninë e saj relativisht të madhe dhe të kudondodhur në të gjitha institucionet e vendit. FSB garanton sundimin e Putinit, monitoron disidentët, frikëson popullatën, ndëshkon dhe mban lidhje me krimin e organizuar.
Rosgvardia është forca brutale e Putinit. Ajo u krijua në vitin 2016 nga radhët e milicive të ministrisë së brendshme, dhe është vigjilente ndaj protestave, kryengritjeve dhe përpjekjeve të armatosura për grusht shteti. Alexander Bortnikov drejton FSB-në, duke pasuar në detyrë Nikolai Patrushev.
Deri kohët e fundit, Patrushev shërbeu si shef i Këshillit të Sigurimit dhe ka shumë të ngjarë të ishte nr.2 i Kremlinit. Ai mund të jetë ende, pavarësisht se është bërë këshilltar presidencial për transportin. Bortnikov, ashtu si Patrushev, ndan botëkuptimin, paranojën e Putinit për Perëndimin, filozofinë e tij politike dhe glorifikimin e perandorisë së vjetër sovjetike.
Rosgvardia me rreth 300.000 trupa komandohet nga ish-truproja e Putinit, Viktor Zolotov. Me lidhje të gjera me krimin e organizuar, Zolotov u bë më i famshëm pas revoltës së qershorit 2023 të udhëheqësit të atëhershëm të Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin. Zolotov pretendoi meritën për mbrojtjen e Moskës.
Ai mund të mos jetë aq i arsimuar apo i sofistikuar sa bashkëpunëtorët tradicionalë të Putinit, por duke ardhur nga rrugët e Shën Petersburgut, ai nuk është kundër përdorimit të forcës për të arritur atë të synon. Përveç besnikërisë ndaj shefit të tij, dihet pak publikisht mbi qasjen politike të Zolotov.
Por s’ka asnjë provë se ai mund të ofrojë një alternativë më pak armiqësore ndaj Perëndimit. Siç ka vepruar me gjithë të tjerët në rrethin e tij të brendshëm për të siguruar besnikërinë e tyre,, anëtarëve të familjes Zolotov u janë dhënë toka, dhurata dhe poste të rëndësishme.
Nëse Putin do të vritej jashtë vendit, pavarësisht provave, garda e vjetër ka të ngjarë të akuzonte Shtetet e Bashkuara, dhe ta përdorte atë si një argument për të konsoliduar pushtetin dhe për të tubuar rusët rreth tyre. Dhe duke ndarë paranojën e Putinit mbi kërcënimin ekzistencial që i kanoset Rusisë nga Perëndimi, ekziston rreziku që ata të hakmerren ushtarakisht, drejtpërdrejt dhe me pa ndonjë kufizim të madh.
Kur diskutohet mbi vrasjen e mundshme të Putinit apo të ndonjë kundërshtari tjetër të shquar të SHBA-së, sfida më e madhe nuk është domosdoshmërisht nëse mund të bëhet, por nëse duhet bërë. Vrasja e Suleimanit katër vite më parë paraqiste rreziqe, por në fund të fundit, Irani nuk është një kërcënim ekzistencial për SHBA-në.
Hakmarrja mund të kishte qenë më e kushtueshme, nëse Teherani do të kishte zgjedhur përshkallëzimin, por gjithsesi do të ishte i menaxhueshëm. Nga ana tjetër Rusia, siç ia kujton shpesh Putini Perëndimit me fjalimet e tij kërcënuese për luftë bërthamore, është një çështje tjetër. Çfarë ndodh nëse dështon? Siç e tha dikur Ralph Waldo Emerson “Kur nisesh të vrasësh mbretin, është mirë që të mos dalësh huq!”.
Shënim: Douglas London, profesor i studimeve të inteligjencës në Universitetin Xhorxhtaun, dhe bashkëpunëtor i Institutit të Lindjes së Mesme. Ai ka shërbyer 34 vite në CIA si shef i operacioneve sekrete.