3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

DEXHALLI – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Në epokën moderne shumë njerëz besuan se e vërteta përfundimtare, mes tyre edhe ajo e Zotit, do të njihej përmes shkencës dhe arsyes, dhe të gjithë njerëzit do ta pranonin këtë të vërtetë, si 1+1=2. Por kjo nuk ndodhi, edhe pse ka akoma të tillë që e besojnë këtë gjë, dhe kjo e mban akoma gjallë frymën e modernitetit dhe ëndrrën e tij utopike.

Përparimi i shkencës tregoi se bota ishte shumë herë më e madhe, komplekse dhe e panjohur sa mendohej më parë dhe se të vërtetat e saj finale janë një cak i paarritshëm për qenien njerëzore, sado që ajo të evoluojë dhe përparojë. Kështu që me kalimin e kohës shkencëtarët e natyrës hoqën dorë për të dhënë përgjigjen përfundimtare për botën, duke bërë kështu që shumë prej tyre dhe të tjerë njerëz të kalojnë nga ateizmi i ashtuquajtur shkencor në agnosticizëm. Pra në një gjendje ku pranohet përfundimisht pamundësia njerëzore për të njohur të vërtetën finale, qoftë kjo edhe në të ardhmen.

Në anën tjetër pamundësia e arsyes njerëzore për të arritur të vërtetat finale mbi jetën dhe botën qe një konstatim shumë më i lehtë dhe zhgënjyes, dhe ëndërrimtarët e saj sot janë shumë më të pakët, krahasuar me të parët.

I gjithë ky zhgënjim, për lumturinë dhe parajsën tokësore që do të vinte nga të vërtetat finale të zbuluara nga arsyeja njerëzore dhe shkenca, shto këtu edhe shkaqe të tjera, prodhoi postmodernitetin.

Përderisa nuk ka një të vërtetë finale, apo ajo nuk mund të arrihet kurrë, atëherë çdo gjë është relative. Dhe nëse çdo qasje mbi botën është relative, atëherë ‘e vërteta’ është individuale, ku secili ka të vërtetën e vetë, pavarësisht faktit nëse kjo ‘e vërtetë’ pajton me ‘të vërtetat’ e të tjerëve ose jo. Dhe të vërteta relative nuk mund të jenë vetëm se shijet, tekat, dëshirat, pasionet dhe epshet njerëzore.

Njeriu postmodern duke qenë se nuk e kënaq dot shpirtin e tij me të vërteta përfundimtare racionale, siç besonte njeriu modern, atëherë ai është i prirë vetvetiu drejt përjetimit emocional më së shumti, sesa atij intelektual. Përjetimi emocional dihet tashmë që është një ‘vrimë e zezë’ që nuk ngop asnjë, çfarëdo që të thithë në të, madje uria e tij sa vjen edhe shtohet.

Të zhgënjyer dhe mosbesues tek intelekti dhe arsyeja, madje përbuzës të tij deri në cinizëm, njerëzit postmodernë janë në kërkim vetëm të emocioneve sa më të fuqishme: dashurive të forta, urrejtjeve të forta, aventurave të forta dhe çdo përjetimi tjetër që u shkund dhe u trondit atyre emocionet sa më fortë të jetë e mundur.

Pikërisht për këtë njerëzit e sotëm jepen më shumë pas konsumit material, spektaklit, muzikës, sportit, seksit, drogës, famës dhe çdo gjëje tjetër që mund të ngopi deri diku grykësinë e uritur njerëzore për emocione të forta.

Në këtë linjë dhe ‘nevojë’ emocionale janë edhe dëshirat për përjetim shpirtëror sa më të fuqishëm, dhe nuk ka rëndësi feja, apo besimi dhe vërtetësia e tyre, mjaft që këto përjetime t’i ngopin njeriut postmodern nevojën e tij për përjetim emocional. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz në Perëndim ndjekin sot budizmin, hinduzimin dhe gjithfarë praktikash shpirtërore, si joga, tantra, etj. Madje ka edhe prej atyre që e kërkojnë këtë tek paganizmat antikë, siç janë lëvizjet NEW AGE. Ashtu siç ka edhe lëvizje të tjera apo individë që bëjnë bashkë mes besimeve të ndryshme fetare, duke përzier bashkë, si në një çorbë, Islamin, Krishterimin, Judaizimin etj.

Ndaj dhe njerëzit postmodern më shumë se çdo kush tjetër, duan përvoja personale me të shenjtën, me mistiken, duan ta prekin, shijojnë dhe ndjejnë atë edhe fizikisht e materialisht. Ata duan ta shohin Zotin dhe prekin atë, si paganët, ndaj ata duan një Zot tokësor që iu bën mrekulli dhe mbush emocionet e tyre për spektakël dhe shfaqje mbresëlënëse. Shpirtin dhe mendjen e tyre të sëmurë nuk e kënaqë një Zot transcendent, një Zot që rroket përmes arsyes, ndjenjës dhe besimit, një Zot që ka krijuar botën…
Ata duan një Zot imanent tokësor, që përmbush pritshmërinë e tyre emocionale, përmes shfaqjeve spektakolare.

Dexhali është pikërisht ai njeri mashtrues i vetëshpallur Zot që do t’iu ofrojë këtë shfaqje atyre. Por që ai të shfaqet duhet të mbizotërojë pikërisht kjo klimë dhe kjo dëshirë. Postmoderniteti dhe gjithë pasojat e tij negative në drejtim të besimit, nuk janë veçse klima që i përshtatet më së mirë shfaqjes së Dexhalit.

[Hoxhë Justinian Topulli]

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit