Kryeministri holandez në largim, Mark Rutte, ka fituar garën për t’u bërë kreu i ardhshëm i NATO-s në një moment të rrezikshëm për aleancën perëndimore, pasi rivali i tij i vetëm u largua nga gara.
Udhëheqësi holandez pritet të konfirmohet zyrtarisht si sekretar i përgjithshëm i NATO-s ditëve në vijim, dhe të marrë detyrën kur kreu aktual, Jens Stoltenberg, të largohet më 1 tetor, pas gati një dekade në krye.
Rutte, 57 vjeç, është një mbështetës i fortë i Ukrainës dhe fitoi shpejt mbështetjen e vendeve kyçe të NATO-s, duke përfshirë SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Gjermaninë.
Por, për të siguruar pozitën e cila kërkon marrëveshje unanime të 32 anëtarëve të NATO-s, atij i është dashur të fitojë miratim nga Turqia, e më pas të kapërcejë kundërshtimin e Hungarisë.
E pengesa e fundit për emërimin e tij është larguar së fundmi, kur presidenti rumun, Klaus Iohannis, njoftoi se do të tërhiqet nga gara.
Bëhet e ditur se Rumania do të mbështesë Rutte dhe do t’i dhurojë Ukrainës një nga dy sistemet e saj Patriot, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, Rutte e bindi edhe Viktor Orbanin e Hungarisë të mbështesë kandidaturën e tij, duke lënë pas kështu vite tensione midis dy liderëve më jetëgjatë të BE-së.
Siç raportohet, Rutte tani do ta drejtojë aleancën pas gati 14 vitesh si kryeministër holandez dhe 18 të tjera si udhëheqës i Partisë Popullore liberale për Liri dhe Demokraci.
Ai thuhet t’i ketë mbijetuar politikës holandeze me aftësinë e tij për t’iu shmangur skandaleve.
Për vite me radhë, personaliteti i tij e bëri atë të dashur për votuesit holandezë dhe e shtyu të drejtojë katër qeveri të ndryshme radhazi.
Nën Rutte, qeveria holandeze i ka dhënë Ukrainës 2.63 miliardë euro mbështetje ushtarake dhe i ka premtuar 2 miliardë të tjera për vitin 2024.
“Ukraina duhet ta fitojë këtë betejë. Për sigurinë e tyre dhe tonën”, tha Rutte.
Ndryshe, holandezët kanë luajtuar edhe një rol të rëndësishëm në politikën e BE-së, me Rutte që nuk ka pasur kurrë frikë të thotë mendimin e tij. /Telegrafi/