6.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Raportuesit e OKB-së u bëjnë thirrje të gjitha vendeve “të njohin shtetin e Palestinës”

Më të lexuarat

“Të gjitha vendet duhet të ndjekin shembullin e 146 shteteve anëtare të OKB-së, të njohin shtetin e Palestinës”, thuhet mes tjerash në deklaratën e përbashët me shkrim të raportuesve të OKB-së

Raportuesit e Kombeve të Bashkuara (OKB) u bënë thirrje të gjitha vendeve që “të njohin shtetin e Palestinës” ashtu sikur kanë vepruar 146 shtete anëtare të OKB-së, transmeton Anadolu.

Raportuesit e OKB-së bënë një deklaratë të përbashët me shkrim lidhur me njohjen e Palestinës.

“Të gjitha vendet duhet të ndjekin shembullin e 146 shteteve anëtare të OKB-së, të njohin shtetin e Palestinës dhe të përdorin të gjitha burimet politike dhe diplomatike që posedojnë për të siguruar armëpushim të menjëhershëm në Gaza”, thuhet në deklaratën në të cilën shtohet se kjo njohje është një njohje e të drejtave të popullit të Palestinës, i luftës së tij për liri dhe pavarësi dhe pranim i vuajtjeve që ata kanë përjetuar.

Palestina ka të drejtën për vetëvendosje për të caktuar vetë fatin e saj duke përfshirë edhe aftësinë për të ekzistuar dhe për tu zhvilluar si një popull i lirë nën siguri, thuhet në deklaratë, në të cilën shtohet: “Ky është një parakusht për paqen e përhershme në Palestinë dhe në të gjithë Lindjen e Mesme duke filluar me shpalljen e armëpushimit të menjëhershëm në Gaza dhe duke mos kryer sulme të mëtejshme ushtarake në Rafah”.

Në deklaratë shtohet se janë mirëpritur njohjet e fundit nga Norvegjia, Irlanda dhe Spanja, duke shtuar se që nga 28 maji, Palestina është njohur nga shumica e madhe e vendeve anëtare të OKB-së.

“Zgjidhja me dy shtete vazhdon të jetë rruga e vetme e pranuar në nivel ndërkombëtar që shkon drejt paqes dhe sigurisë edhe për Palestinën edhe për Izraelin. Kjo vazhdon të jetë një rrugëdalje nga ciklet e dhunës dhe urrejtjes që vazhdojnë ndër breza”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

– Raportuesit special të OKB-së

Raportuesit special të OKB-së njihen si pjesë e procesit të njohur si “Mekanizmat specialë të Këshillit të të Drejtave të Njeriut”.

Mekanizmat e pavarur special në sistemin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, paraqiten si mekanizma të pavarura të Këshillit për mbledhjen e informacionit dhe monitorimit që trajtojnë situatën e një vendi të caktuar ose problemet tematike në ndonjë vend të botës.

Ekspertët e mekanizmave specialë që nuk ndodhen brenda institucionit, e kryejnë punën e tyre në bazë vullnetare dhe të pavarur.

/AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit