2.2 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kriza e demokracisë dhe problemet e përfaqësimit në pasqyrën e demosit – Lulzim Hoxha

Më të lexuarat

Kriza e demokracisë dhe problemet e përfaqësimit në pasqyrën e demosit

Lulzim Hoxha

Fushata elektorale që i parapriu zgjedhjeve lokale të 14 majit, për herë të parë qysh nga rënia e regjimit komunist në vendin tonë, u karakterizua nga një paqartësi se cila nga dy partitë demokratike do të përfaqësonte elektoratin opozitar në zgjedhje. Nga njëra anë ishte Partia Demokratike, e cila ligjërisht përfaqësonte traditën 30-vjeçare të partisë më të madhe opozitare në vend, teksa nga ana tjetër ishte Partia Demokratike që përfaqësohej nga lideri historik i së djathtës, por që de jure nuk mund të përdorte siglën e këtij formacioni politik.

Në këtë kuptim, më tepër se kurrë më parë, në këto zgjedhje, përveç debateve të zakonshme mes qeverisë dhe opozitës, kishim edhe një përplasje të ashpër mes dy organizatave të ndryshme politike në përpjekjet për t’u përfaqësuar si Parti Demokratike. Argumenti i Partisë Demokratike të kryetarit Alibeaj mbështetej kryesisht te vendimet e gjykatës dhe përfaqësimit de jure të elektoratit të së djathtës, kurse partia e Berishës mbështetej kryesisht në figurën e liderit karizmatik të së djathtës dhe aftësive të tij politike në mobilizimin e masave.

Siç u pa në rezultatet e zgjedhjeve, argumenti ligjor nuk pati një rol të rëndësishëm në votime dhe demosi preferoi më tepër të votojë kandidatët për kryetar bashkie të një udhëheqësi karizmatik dhe simbolit të së djathtës për mbi njëzet vjet pavarësisht se në terma ligjorë nuk përfaqësonte më Partinë Demokratike, sesa të votonte kandidatët e një partie që zyrtarisht u përfaqësua me siglën dhe emërtimin e partisë, por de facto duket se nuk arriti të japë ofertën politike që elektorati e percepton si të mjaftueshme për t’u votuar.

Përveç rivalitetit dhe përçarjeve brenda së djathtës, risia simbolikisht paraqitet edhe në mospërputhjen dhe antagonizmin e de jure me de facto, por mbi të gjitha na vendos përballë një problematike nga më shqetësueset e demokracisë (jo vetëm në Shqipëri): kriza e përfaqësimit. Më konkretisht: a vazhdojnë të jenë partitë politike institucione të përfaqësimit politik dhe zërit të qytetarëve, apo këta të fundit priren më tepër të votojnë udhëheqësit karizmatikë që janë më të aftë t’u bëjnë apel emocioneve të votuesve, sesa të përfaqësojnë politikisht interesat e tyre? Së dyti, sa demokratik është procesi i përfaqësimit politik teksa liderë të ndryshëm kanë më shumë se dy dekada në krye të një partie dhe të rinjtë që tentojnë të bëhen pjesë e partisë mund të “mbijetojnë” politikisht vetëm nëse qëndrojnë nën hijen e liderëve të vjetër dhe zbatojnë çdo direktivë që u jepet prej tyre?

1.1 Zhgënjimi ndaj politikanëve

Përgjatë viteve të fundit, pyetja “A është demokracia bashkëkohore në krizë?” është kthyer në qendër të debateve politike kryesisht ndër universitete, qendra studimore, konferenca apo projekte kërkimore. Simon Tormey (lektor i teorive politike në Universitetin e Bristol-it) na kujton se në të vërtetë demokracia përfaqësuese ka qenë përherë në krizë. Sipas tij “përgjatë zhvillimit të demokracisë përfaqësuese nuk ka pasur asnjë periudhë ku nuk thuhej se demokracia është në krizë.

Ajo çka është e pazakontë në periudhën bashkëkohore mund të konsiderohet shkalla e gjerë e konsensusit që mbart një pohim i tillë.” Në fakt, përgjithësisht politologët janë të fundit që do të deklaronin me shqetësim një pohim të tillë. Madje edhe nëse do ta pranonin krizën e demokracisë, sikurse shkruan Tormey, ata “nuk do ta shihnin aspak si një alarm, por përkundrazi do të preferonin të bënin një prezantim në një konferencë shkencore mbi ‘Problemet e përfaqësimit’, ‘Fundin e partive politike’, ‘Rrezikun e populizmit’ apo të tjera çështje që gjithsesi vështirë se do të binin në veshin e masave të votuesve”.

Ndërkaq, sa u takon këtyre të fundit, sipas sondazheve të ndryshme që janë zhvilluar në Angli përgjatë 10 viteve të fundit, pjesa dërrmuese e personave që mendojnë se “Demokracia është në krizë” kur janë pyetur për shkakun, në përgjigjet e tyre kanë konsideruar politikanët dhe përfaqësuesit politik si shkaktarët kryesorë të kësaj krize dhe jo sistemit demokratik në tërësi.

Sipas një sondazhi të përpara 2 vjetëve në Australi, besimi te politikanët ishte në të njëjtin nivel me profesione të tilla si: shitësit e makinave të përdorura, avokatët apo agjentët imobiliarë. Gjithashtu, në një test asocimi fjalësh të zhvilluar në Universitetin e Nantes në vitin 2022, për 88% të pjesëmarrësve, fjala “politikan” mund të asociohet me një person “mashtrues”, “narcist” dhe “të paaftë”. Nëse deri një shekull më parë – ku demokracia përfaqësuese ishte një koncept ende i ri në demokracitë perëndimore – politikanët konsideroheshin si elitë e zgjedhur dhe bënin pjesë në shtresat kulturalisht më të larta të shoqërisë apo përfaqësonin një mision të rëndësishëm progresist për jetën e njerëzve që i mbështesnin, sot ata konsiderohen si shkaktarët kryesorë për krizën e demokracisë, papunësinë e lartë, përhapjen e organizatave kriminale, rritjen e numrit të emigrantëve (në disa vende të perëndimit), largimin e të rinjve në emigracion (në të gjitha vendet e Ballkanit), rritjen e moshës së pensionit, mosrritjen e rrogave, rritjen e korrupsionit etj. Në fakt, mbase për më shumë se çdo gjë tjetër, demokracia bashkëkohore me gjasë do të mbahet mend si periudha ku politikanët kanë shkallën më të lartë të përbuzjes.

Por mbi të gjitha, emëruesi i përbashkët i shumicës së etiketimeve të mësipërme, ndoshta shkelja më e pafalshme që bëjnë politikanët në sytë e opinionit publik është shkelja e ligjit, për të cilin qytetarët do të dënoheshin, keqbërësit të shumtën e rasteve do të kapeshin, kurse politikanët përherë do të shpëtonin.

1.2 Varfëria e ideologjive: një krizë idealesh

Si mund t’i kombinojmë së bashku gjendjen e iniciativës individuale, të domosdoshme për progresin, me gjendjen e kohezionit shoqëror, të domosdoshëm për mbijetesën? Kjo është pyetja më e vështirë që mund t’u drejtohet demokracive bashkëkohore.
(Bertrand Russell)

Ndër fjalët më të përdorura në shoqërinë tonë është fjala “krizë”. Ajo mund të përdoret për të përshkruar aspekte të ndryshme të jetës dhe shtrirja e këtij termi po bëhet gjithnjë e më e larmishme: kemi krizë të demokracisë, krizë demografike, ekonomike, ekologjike, krizë burimesh, krizë përfaqësimi, krizë politike e shumë të tjera me radhë. Mirëpo të gjitha këto “kriza” të shoqërisë bashkëkohore mund të përmblidhen në atë formë disfate të cilën vetë shoqëria e përshkruan si “krizë idealesh” apo kriza e besimit te një autoritet më i lartë se të gjitha sferat apo aspektet e shoqërisë të marra veçmas.

Ky lloj autoriteti në të shkuarën ka mbartur emra të ndryshëm: feja, kombi, ideologjia dhe çdo formë tjetër mekanizmi identitar që krijonte një sens përkatësie te një grup shoqëror dhe mbi të gjitha ndikonte në dallimin e këtij grupi nga të tjera grupe shoqërore. Politologu Giovanni Sartori shkruan se “Patjetër që shkaqet objektive ekzistojnë, por për të kuptuar se cilat janë këto shkaqe dhe se sa objektive janë, më parë duhen marrë parasysh shkaqet subjektive”. Po të riformulonim metaforën e Platonit mbi lidershipin si “timonier të anijes”, mund të shtonim se në çdo rast, deti është ai që është, por nëse anija mbytet për shkak të një gabimi të timonierit, atëherë problemi nuk qëndron te deti.

Në këtë kuptim, sipas Sartorit, kriza(t) e shoqërisë tonë janë më së pari kriza idesh dhe idealesh. Ideali i demokracisë duket se nuk është më në gjendje t’i japë një përgjigje sfidave të njeriut bashkëkohor. E në mungesë të këtij ideali, sistemet demokratike reduktohen thjesht në praktika institucionale, procedura vendimmarrjeje dhe teknika qeverisjeje që përdoren nga liderët politikë për t’i dhënë një formë legjitimiteti qeverisjes së tyre. Mirëpo demokracia – ashtu sikundër edhe ideologjitë politike të shekullit XX – është produkt i një ideokracie dhe prej më shumë se një shekulli, pavarësisht se ideokracitë në ditët tona janë bërë të shumta, të larmishme dhe shpeshherë kontradiktore duke e humbur kësodore kuptimin e tyre. Në shekullin e kaluar, ligjërimi politik mbi idetë politike u transformua në ligjërime të natyrës ideologjike, derisa më në fund gjithçka u shndërrua në ideologji.

Botëkuptimi universalist i “ideologjisë” depërtoi në çdo ide politike, ndërsa në hermeneutikën marksiste ideologjia u kthye në një fjalë-akuzë. Te Marksi dhe Engelsi, ideologjia merr formën e një “ndërgjegjeje të rreme”, domethënë një ideje të shtrembëruar mbi realitetin. Por ajo çka e kthen këtë “ndërgjegje të rreme” në pjesë përbërëse të mënyrës së të menduarit të gjithsecilit është fakti se karakteri i rremë i ideologjisë, nuk është thjesht një gënjeshtër që njerëzit ja thonë vetes, përkundrazi ideologjia, sipas kuptimit marksist, bëhet pjesë e pandërgjegjshme e mënyrës së të menduarit të gjithkujt. E vetmja mënyrë për “t’i shpëtuar” kësaj ndërgjegjeje të rreme ishte që ta kritikoje atë. Por për ta kritikuar, lipset që fillimisht të dyshosh tek ajo e të vëzhgosh interesat klasore që fshihen përtej saj.

1.3 Demokracia normative përballë realitetit shoqëror

Pas rënies së komunizmit dhe zhbërjes graduale së kësaj përspektive universaliste të të kuptuarit të shoqërisë, në epokën tonë “dyshimi ideologjik” ka vijuar të jetë pjesë e mënyrës se si shoqëria e vëzhgon realitetin përreth vetes. “Dyshimi ideologjik” i jep prioritet mënyrës instrumentale të të menduarit, nën dritën e së cilës, ideokraci të tilla si demokracia paraqiten si një instrumentalizim për ruajtjen e marrëdhënieve të pushtetit mes qeverisësve dhe të qeverisurve. Pyetjet më të shpeshta që karakterizojnë këtë mënyrë të menduari janë: “Kujt i shërben kjo gjë?”, “Çfarë interesash fshihen pas kësaj?” apo “Kush qëndron pas këtij politikani që po shprehet në këtë mënyrë?” Siç vërente ekonomisti Friedrich Hayek pak vite pas fundit të Luftës së Dytë Botërore: “Për shkak të kësaj mënyre të menduari, në të ardhmen, shoqëria perëndimore do të arrijë në një superracionalizëm dhe një iracionalizëm radikal”. Në aspektin e parë, “do të mëtohet një mbimendje e privilegjuar, e cila zotëron një dije të pakushtëzuar dhe që mbetet e përjashtuar prej realitetit të kushtëzuar të dijes së të tjerëve.” Kurse në aspektin e dytë “Nëse e vërteta nuk kërkohet më me anë të vëzhgimeve, arsyetimit dhe diskutimit, por te shkaqet e errëta, të cilat duke mbetur të panjohura për atë që mendon, përcaktojnë aty për aty përfundimet e tij, rezultati është që arsyeja përjashtohet.”

Të gjitha këto shkaqe kanë sjellë që demokracia të kthehet në një dogmë që duhet besuar me çdo kusht si “sistemi më i mirë i mundshëm” pa u marrë fare me çështjet teknike të qeverisjes, të cilat kanë një ndikim më të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve, madje edhe më tepër sesa demokracia si sistem politik.

Madje edhe kur mendohet se demokracia është në krizë, si e vetmja zgjidhje e mundshme shihen kërkesat për më shumë demokraci. Kjo perspektivë të menduari dogmatik mbi demokracinë duket se priret ta trajtojë sistemin demokratik si krejtësisht të shkëputur nga shoqëria ku ajo bën pjesë. Po njësoj si në të shkuarën ku “parajsa komuniste” qëndronte diku në një botë ideale tërësisht e zhvendosur nga jeta e përditshme dhe përpjekjet e njerëzve të thjeshtë, edhe sot demokracia vijon të luajë të njëjtin rol.

Ajo qëndron diku pezull në një realitet imagjinar e të paarritshëm së bashku me ëndrrat e integrimit evropian që në thelb nuk dallojnë shumë nga ëndrrat e dikurshme për t’u bërë pjesë e bllokut lindor. Demokracia sot është fjala më e përdorur në ligjërimet e politikanëve, paçka se nuk ndërlidhet aspak me problemet reale të shoqërisë.

Për këto arsye, vetë koncepti i demokracisë jo vetëm që priret të bjerë në kurthin midis asaj që ajo është dhe asaj që duhet të jetë, por çka është më e rëndësishme, përqendrohet aq shumë te përfytyrimi i demokracisë që duhet të jetë duke e eklipsuar atë që është. Pët të kuptuar zhvillimin e demokracisë në një shoqëri të caktuar, do të na mjaftonte një analizë sistemike e shkallës së zhvillimit të institucioneve në këtë shoqëri, partive politike, parlamentit dhe institucionet e tjera të përfaqësimit, mirëpo nëse duam të kuptojmë realitetin e kësaj shoqërie, botëkuptimin kulturor, mënyrën se si përhapen opinionet dhe kodet e ndryshme kuptimore apo në tërësi të vërtetat që kjo shoqëri i thotë vetes dhe të tjerat që priret t’i fshehë, do mund të vërehej se koncepti i demokracisë nuk do të na mjaftonte për t’i dhënë sadopak përgjigje çështjeve të tilla. Në këtë kuptim, realiteti shoqëror dhe sistemi politik janë dy aspekte të ndryshme të cilat funksionojnë në mënyrë krejtësisht të ndryshme.

1.4 Teledemokracia dhe individi i atomizuar

Kriza e sotme e demokracisë nuk është veçse rrjedhojë e transformimeve që ka pësuar shoqëria perëndimore gjatë dekadave të fundit. Ashtu sikurse njeriu, edhe shoqëritë njerëzore janë përherë në transformim e sipër, e bashkë me këto transformime, ndryshon edhe mënyra e funksionimit të sistemeve politike ku ata bëjnë pjesë. Por nëse demokracia ka në epiqendër të qeverisjes një demos të atomizuar nga shoqëria dhe në kushtet ku revolucioni dixhital e ka dobësuar më tej lidhjen dhe përkatësinë e individit bashkëkohor me grupin i tij shoqëror, është e kuptueshme se njësia politike ‘popull’ ka më pak pushtet se në të shkuarën, paçka se nga ana tjetër, individi sot ka më tepër të drejta se në të shkuarën. Mirëpo për sa kohë demokracia i referohet një pushteti të popullit dhe ky i fundit në ditët tona gjendet i copëzuar në një shumëllojshmëri individësh me bindje, shqetësime, shpresa, botëkuptime, shije dhe qëndrime nga më të ndryshmet, tanimë me gjithë përgjegjësitë që vijnë nga ky pushtet duhet të përballen një shumësi individësh të veçuar, gjithsecili respektivisht në ekranin e vet të personalizuar, gjithkush me versionin e vet të demokracisë, gjithkush me interpretimin e vet të pushtetit të popullit.

 

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit