Pak para se qytetarët e Kosovës të nisin të lëvizin lirshëm nga janari 2024 në zonën e Bashkimit Evropian ka ardhur një propozim i ri nga Komisioni Evropian më 16 nëntor të këtij muaji.
Propozimi parasheh që në këtë proces të liberalizimit të vizave të jenë edhe bartësit e pasaportave të Republikës së Serbisë që jetojnë në Kosovë.
“Rregullorja (EC) Nr. 1244/2009 e datës 30 nëntor 2009 1 amendoi Rregulloren (EC) Nr. 539/2001 që rendit vendet e treta, shtetasit e të cilëve duhet të kenë viza kur kalojnë kufijtë e jashtëm dhe ato shtetasit e të cilëve përjashtohen nga kjo kërkesë 2 . Ndryshimi konsistonte në transferimin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (aktualisht Maqedonia e Veriut), Malit të Zi dhe Serbisë nga Aneksi I (shtetasit e të cilëve u kërkohet të kenë vizë) në Aneksin II (vendet shtetasit e të cilëve janë të përjashtuar nga ajo kërkesa për vizë për qëndrime jo më shumë se 90 ditë në një periudhë 180-ditore sipas Rregullores (EC) Nr. 539/2001. Përjashtimi nga kërkesa për vizë zbatohej (dhe ende vlen) vetëm për mbajtësit e pasaportave biometrike”, thuhet në propozim shkruan Telegrafi.
Sipas këtij dokumenti që ka Telegrafi thuhet se duke pasur parasysh shqetësimet në atë kohë për rreziqet e lëvizjeve të parregullta të migrimit me origjinë nga Kosova dhe faktit se në atë kohë nuk kishte dialog për liberalizimin e vizave me Kosovën, një kategori e mbajtësve të pasaportave serbe u përjashtua nga kërkesa për vizë, përkatësisht mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe në Beograd. Kjo drejtori përpunon të gjitha kërkesat për pasaporta të pranuara nga serbët e Kosovës me banim në Kosovë dhe nga diaspora serbe e Kosovës që jeton jashtë Kosovës.
“Drejtoria Koordinuese Serbe është themeluar gjatë dialogut për liberalizimin e vizave me Serbinë. Qëllimi ishte zëvendësimi i shtatë drejtorive rajonale të policisë të shpërndara në territorin serb, të cilat deri atëherë ishin përgjegjëse për lëshimin e pasaportave për serbët e Kosovës. Pasaportat e lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe janë biometrike dhe janë përdorur nga mbajtësit e tyre si dokumente udhëtimi për të udhëtuar në BE që nga themelimi i Drejtorisë”, thuhet në propozimin e ri të Komisionit Evropian.
Sipas këtij propozimi në vitin 2009, Kosova ishte përfshirë në pjesën 2 të Aneksit I të Rregullores (KE) Nr. 539/2001, që nënkupton që mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova duhej të kishin vizë kur kalonin kufijtë e jashtëm të shteteve anëtare.
“Që atëherë, situata ka evoluar. Komisioni filloi dialogun për liberalizimin e vizave me Kosovën më 19 janar 2012. Më 14 qershor 2012, ai i prezantoi Kosovës një udhërrëfyes, i cili identifikonte të gjithë legjislacionin dhe masat e tjera që Kosova duhej të miratonte dhe zbatonte për të avancuar drejt liberalizimit të vizave. Ky dialog u përmbyll me sukses dhe mbi këtë bazë, më 4 maj 2016, Komisioni paraqiti propozimin 4 për transferimin e Kosovës në Aneksin II të Rregullores (KE) Nr. 539/2001.
Ky propozim u miratua përfundimisht dhe u miratua më 19 prill 2023. Rregullorja (BE) 2023/850 5 ndryshoi Rregulloren (BE) 2018/1806 6 (që në ndërkohë kishte zëvendësuar Rregulloren (KE) Nr. 539/2001), duke e transferuar Kosovën nga Pjesa 2 e aneksit I deri në pjesën 4 të aneksit II të asaj rregulloreje. Ashtu si në rastin e të gjithë dialogëve të mëparshëm të përfunduar me sukses për liberalizimin e vizave, u vendos që përjashtimi nga kërkesa për vizë të zbatohet vetëm për mbajtësit e pasaportave biometrike. Për më tepër, u vendos që përjashtimi të mos zbatohet deri në datën nga e cila fillon funksionimin Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i krijuar me Rregulloren (BE) 2018/1240 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit 7, ose deri në 1 janar 2024, cilado qoftë data që të vijë e para. Për shkak të faktit se ETIAS nuk do të hyjë në veprim para datës 1 janar 2024, përjashtimi i vizave për mbajtësit e pasaportës së Kosovës do të zbatohet nga 1 janari 2024.
“Pas miratimit të Rregullores (BE) 2023/850, mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe do të mbeten të vetmit shtetas në rajonin e Ballkanit Perëndimor që kërkohet të kenë vizë kur udhëtojnë në BE për qëndrime të shkurtra. Me hyrjen në fuqi të lirimit të vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës, Komisioni konsideron se arsyet e përjashtimit të poseduesve të pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe nga ai lirim nga viza nuk ekzistojnë më dhe se të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor, rajoni duhet të përfitojë nga udhëtimi pa viza në zonën Shengen. Për këtë arsye, Komisioni propozon ndryshimin e Rregullores (BE) 2018/1806 për të përjashtuar mbajtësit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese Serbe nga kërkesa për të pasur vizë kur kalojnë kufijtë e jashtëm të Shteteve Anëtare për qëndrime jo më shumë se 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore”, thuhet në propozimin.
Pse Qeveria e Kosovës dhe OJQ-të shqiptare dolën kundër këtij propozimi?
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë dhe që është përgjegjës për fushën e integrimit evropian ka deklaruar dje mes tjerash si i janë drejtuar Bashkimit Evropian që të rishqyrtojë këtë propozim për shtetasit e Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë.
Madje Qeveria e Kosovës e ka quajtur këtë shkelje të sovranitetit.
“Pasaportat ilegale të lëshuara nga Qendra Koordinuese e Serbisë, i konsideron komunat brenda Kosovës si pjesë të juridiksionit të Serbisë, shkelje kjo e sovranitetit tonë dhe e papranueshme”, ka shkruar mes tjerash Bislimi në Facebook.
Bislimi ka shtuar se Qeveria e Kosovës nuk është konsultuar për këtë.
Në anën tjetër, mbi 20 organizata të shoqërisë civile në Kosovë i janë drejtuar me një letër Komisioni Evropian ku i kërkohet të tërhiqet propozimi që i lejon udhëtim pa viza serbëve të Kosovës me pasaporta të lëshuara nga Serbia.
Në një letër drejtuar Ylva Johansson, Komisionere Evropiane për Çështje të Brendshme, organizatat e shoqërisë civile theksojnë se propozimi i Komisionit Evropian vjen në një kohë ku ka shumëfishim të numrit të qytetarëve serbë që kërkojnë të pajisen me dokumente të Kosovës, përfshirë pasaportat dhe targa të veturave dhe kjo sipas tyre është një zhvillim tejet pozitiv dhe jashtëzakonisht premtues për kthim të normalitetit në veri të vendit.
OJQ-të serbe mbështesin heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta serbe
Por, ndryshe nga ato shqiptare OJQ-të serbe mbështesin heqjen e vizave për shtetasit e Kosovës me pasaporta serbe.
Pesëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile të komunitetit serb në Kosovë kanë kundërshtuar thirrjet nga shoqëria civile në Kosovë, që Komisioni Evropian të tërheqë një propozim i cili kërkon që shtetasve të Kosovës që kanë pasaporta të Serbisë, t’iu hiqen vizat.
“Nuk do të integrohen më shumë serb të Kosovës nëse pajisen me pasaporta të Kosovës sesa numri i atyre që tashmë kanë nënshtetësi të Kosovës. Kjo rrjedh nga fakti se pasaporta nuk mund të merret pa letërnjoftim dhe vërtetim të shtetësisë. Me fjalë të tjera, një person që merr një pasaportë të re tashmë ka shtetësinë dhe kështu është tashmë i integruar”, thuhet në reagimin e tyre transmeton Telegrafi.
Në kohën kur është ofruar lëvizja e lirë me pasaporta biometrike të Kosovës në Bashkimin Evropian shumë serbë në vend e sidomos ata në pjesën veriore të vendit kanë filluar të pajisen me pasaporta të shtetit të Kosovës dhe kjo është parë si shumë pozitive nga shumë analistë vendas e ndërkombëtar.
Ky propozim duhet të kalojë instancat e Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian në mënyrë që të funksionalizohet. /Telegrafi/