Shumë persona dëshironin të largoheshin nga Mbretëria e Bashkuar pas rezultatit të referendumit. Një raport i ri ka zbuluar arsyet e atyre që dëshironin ta bënin këtë, dhe gjithashtu ndikimin që ajo pati në familjet e tyre.
Ulur në një shtëpi të mbushur me paketa në vendbanimin e tyre në Londër, vetëm disa ditë përpara se të barteshin për në Holandë, Nicole për vendimin e saj për t’u larguar nga Mbretëria e Bashkuar thotë se “duket si një funeral”.
Nicole, me origjinë nga Gjermania, partneri i saj, Hemmo nga Holanda dhe fëmijët e tyre ishin në mesin e shtetasve të Bashkimit Evropian që u larguan nga Mbretëria e Bashkuar pas votimit të BREXIT, transmeton Telegrafi.
Familja ishte një nga shembujt nën hijen e BREXIT, në një seri videosh dhe portretesh të familjeve të BE-së në Londër, e bazuar në punën e projektit të Familjeve të BE-së dhe fëmijëve në Britaninë e BREXIT, i financuar nga Këshilli i Kërkimeve Ekonomike dhe Shoqërore i Mbretërisë së Bashkuar.
Të tjerë folën për ndjenjën e refuzimit, të trajtimit të keq ose të diskriminimit.
Duke folur për Euronews, profesori Nando Sigona, hetues dhe hulumtues kryesor për iniciativën Mbretëria e Bashkuar në një Evropë në Ndryshim, vuri në dukje se vendi kishte qenë në BE për 40 vjet.
Ai tha se gjatë kësaj kohe kishte pasur një “ndërthurje të njerëzve dhe institucioneve të cilat mund të shihen qartazi në numrin në rritje të familjeve të BE-së me dy shtetësi ose shtetësi të përziera në Mbretërinë e Bashkuar dhe të fëmijëve të tyre, shumica e të cilëve kishin lindur në Britani dhe që mbajnë një pasaportë britanike”.
“Këto familje përbëjnë një segment të madh të shoqërisë britanike dhe kanë përjetuar kaosin dhe përçarjen e BREXIT”, shtoi ai.
Pas vendimit të Mbretërisë së Bashkuar për largimin nga Bashkimi Evropian nëpërmjet një referendumi, një studim i kryer me familjet e BE-së me qëndrim në Britani, tregoi se shumë prej tyre shprehen gatishmëri për t’u larguar nga vendi, megjithatë shumë prej tyre qëndruan.
Profesor Sigona vuri në pah se “zhvendosja në ndonjë vend tjetër të Evropës, veçanërisht për familjet me fëmijë ishte një sfidë sociale dhe financiare”, duke shtuar se “ata të cilët u larguan eventualisht, risistemimin e patën më të vështirë se sa që e kishin pritur”.
Përvojat e këqija
Studimi shfaq se, në mesin e atyre që u larguan, shumica prej tyre u ndjenë të refuzuar ose ishin keqtrajtuar.
“Në ditën e rezultateve të referendumit, burri im dhe unë shikuam jashtë dritares dhe kuptuam se të paktën gjysma e atyre njerëzve kishin votuar kundër nesh”, tha një e intervistuar polake.
Një tjetër i intervistuar polak, i cili kishte jetuar në vend për shumë vite tha se polakët në Mbretërinë e Bashkuar ishin “ngacmuar” dhe keqtrajtuar.
Britanikët që nuk ishin as në poste shumë të larta, por edhe ata me përfitime sociale vazhdonin duke thënë se “Ooooh, një tjetër polak që po na vjedh punën”, deklaroi ai.
Të tjerë përmendën diskriminimin e drejtpërdrejtë që përjetojnë pas votimit si arsye për t’u larguar.
Një franceze madje tha se mbështetja e pamjaftueshme nga burri i saj britanik teksa ajo protestoi kundër BREXIT, ishte arsyeja se pse ajo u largua nga ai, duke u kthyer në Francë.
“Vota e tij ishte mbetja e vendit në BE, por si shumë të tjerë, ata thjesht mendojnë, ‘Unë e kam bërë punën time, kam dhënë votën e duhur dhe më pas ata u tërhoqën nga ajo që ndodhi pas kësaj’”, tha ajo.
“Ata thjesht nuk bëjnë asgjë dhe nuk duan të dëgjojnë për këtë”, shtoi tutje francezja. /Telegrafi/