1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Islami është fe autoktone në trojet shqiptare

Më të lexuarat

Islami është ballafaquar dhe ka absorbuar kultura dhe qytetërime të ndryshme në hapësirat prej Atlantikut deri në Indokinën e largët dhe prej Afrikës Qendrore deri në Verilindje në Buharë e Uzbekistan si dhe në juglindje të Evropës në Ballkan, që nga koha e mesme dhe pjesërisht e re, dhe ka sjellë pikëpamje krejtësisht të reja, veçanërisht në sferën e fesë apo ka riprodhuar në cilësi të re të mirat materiale dhe shpirtërore të popujve dhe qytetërimeve me të cilët ka kontaktuar, bashkëjetuar dhe fqinjësuar.

Është vështirë të përcaktohet kontributi dhe merita e popujve muslimanë në formimin, sajimin dhe zhvi­­llimin e kulturës dhe qytetërimit islam në botë dhe ndër ne, por, pa dyshim, arabëve, si nismëtarë të bartjes së Shpalljes së Zotit u takon vendi kryesor. Kontribut të jashtëzakonshëm në këtë pikëpamje kanë dhënë edhe popujt tjerë.

Për nënqiellin ballkanik rëndësi të veçantë kanë fiset turke e pastaj osmanlinjtë, që njëherësh paraqesin nyjën e fundit në zinxhirin e traditave islame deri te popujt tanë.

Megjithatë, është gabim shkencor që kultura dhe qytetërimi islam në Ballkan të cilësohen si “turke” dhe tërësisht t’u përshkruhen turqve. Sepse, tërë ky zhvillim dhe kjo ngritje kulturore dhe materiale u arrit me anë të Islamit si fe, program e sistem jete, bashkë me popujt tjerë ballkanikë, veçanërisht me shqiptarët dhe boshnjakët.

Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se ndërmjet popujve tanë ballkanikë dhe popujve muslimanë në botë kanë ekzistuar kontakte e lidhje të drejtpërdrejta dhe intensive në fushë të tregtisë, detarisë, diplomacisë, lëvizjeve ushtarake, shkencës, migrimeve individuale, grupore e masive të ndërsjella e të ngjashme me këto.

Përkundër të dhënës se lidhjet e popujve ballkanikë (veçanërisht ato iliro-shqiptare) me arabët rrënjët i kanë qysh para erës së re, dhe përkundër rëndësisë që ka bota arabe për shqiptarët, kjo fushë e gjerë dhe e pasur mbeti pak e studiuar deri sot. Problemi është i natyrës komplekse sociologjike, etno­kulturore, politike e religjioze-ideologjike si dhe kërkon qasje interdisiplinare, duke u liruar nga paragjykimet dhe pasaktësitë e ndryshme, të cilat gjatë kohës u rritën në “të vërteta shkencore-historike” dhe u bënë pjesë e historiografive dhe publicistikës nacionale.

I. Rrethanat shoqërore-historike në trojet iliro-shqiptare e ballkanike

Periudha e aktualizuar shtrihet prej fillimit të kristianizimit të popujve në viset ballkanike deri në depër­timin e osmanlinjve në Ballkan, në fund të shekullit XIV. Arsyeja për një shtrirje të këtillë kohore mbështe­tet në faktin që është me rëndësi të madhe për ndodhitë që do të pasojnë pas shekullit XIV-XV e më vonë, kurse ai është fenomeni i përhapjes së shpejtë të Islamit në trevat iliro-shqiptare e më gjerë. Prandaj, paraqitja e drejtë e raporteve shoqërore-historike, sociale e religjioze të popullatës vendase, ilirëve, e më vonë sllavëve e të tjerëve, do të ndihmojë në të kuptuarit e fenomenit të përhapjes së shpejtë të Islamit në Ballkan dhe përgjithësisht në botë.

Ilirët, që në kohën e depërtimeve dhe vendosjes në Ballkan të romakëve, shtriheshin në Shqipërinë e sotme, në Kosovë, Serbinë Jugore, në krahinat perëndimore të Maqedonisë së sotme, ishin politeistë. Mirëpo, politeizmi filloi t’ia lëshojë vendin Kristianizmit, që me Ediktin e Milanos në vitin 313 u bë fe institucionale, shtetërore, sepse presionet ishin të llojllojshme e të rënda.

Lëvizjet e mëdha të popujve në shekullin IV deri në shekullin VI (vizigotët, ostrogotët, gepidët, langobardët, hunët e të tjerë) në vitin 476 e shkatërruan Perandorinë perëndimore dhe krijuan disa shtete kalimtare.

Fundi i shekullit V dhe fillimi i shekullit VI ishin karakteristikë për sulmet e fiseve turaniko-bullgare dhe aty­re sllave, të cilat duke vërejtur se Perandoria Bizantine ishte dobësuar, filluan ta atakojnë dhe ta plaçkisin.

Dyndjet e sllavëve të Jugut në aleancë me avarët nga fundi i shekullit VI deri në fillim të shekullit VII, rezultuan me vendosjen e tyre të përhershme prej Danubit deri në Detin Egje, ndërsa gjatë dyndjeve të tyre në Ballkan, ata atakuan dhe plaçkitën pa u penguar.

Kjo periudhë kohore karakterizohet me institucionalizimin e besimit kristian dhe lidhjen e tyre të ngushtë me klasën sunduese, që rezultoi me dominimin e tyre në të gjitha sferat e jetës. Kushtet e rënda sociale-ekonomike, ato fisnore, patën si rrjedhim protestat e vazhdueshme dhe gjithnjë më të mëdha.

Ndërrimi i pushtuesve, mospajtimet ideologjike ndërmjet të krishterëve dhe të tjerëve, pastaj konfliktet dhe përçarjet ndërkrishtere në katolikë, ortodoksë e të tjerë, bënin përshtypje për një gjendje të rëndë politike, fetare, ekonomike, e kështu me radhë.

Me invadimin e sllavëve nga Veriu drejt viseve jugore, gjendja e iliro-shqiptarëve u vështirësua edhe më shumë. Për t’iu shmangur zhdukjes, apo konflikteve të vazhdueshme, një pjesë e iliro-shqiptarëve u tërhoqën drejt Jugut, kurse ata që mbetën u bënë ballë presioneve e torturave sllave. E tillë ishte jeta edhe në vazhdim, me ndryshime të vogla gjatë sundimit të Stefan Nemanjës, Millutinit, Stefan Deçanit etj.

II. Faktorët që ndikuan në depërtimin e Islamit në trojet shqiptare

Gjurmët e para të islamit në Ballkan, sidomos në trojet iliro-shqiptare, i hasim që në mesjetë me intensitet më të fuqishëm dhe në pjesën e parë të kohës së re me intensitet maksimal. Përkatësisht, she­njat dhe gjurmët e muslimanëve të parë në Ballkan shpien në periudhën kur popujt e sllavëve të jugut ende i përkitnin religjionit të tyre sllav, apo në kohën kur filluan të kryqëzohen.

Shkencëtari boshnjak M. Haxhijahiq pohon se “nëse kjo është e saktë, e mendojmë se për këtë ek­zistojnë dëshmi, atëherë shfaqja e Kristianizmit te sllavët e jugut, ose te pjesa më e madhe e tyre, nuk është më e vjetër nga shfaqja e Islamit. Për më tepër, disa grupe te sllavëve të jugut, që me ardhjen në Ballkan ende nuk kanë qenë të kryqëzuar – nuk kanë qenë larg nga ajo që eventualisht ta pranojnë edhe Islamin”.

Këtyre kontakteve u kanë paraprirë ato të mëhershmet. Në mbështetje të shumë fakteve historike, gjuhë­sore e arkeologjike, shkencëtarët kanë përfunduar se kanë ekzistuar këmbime intensive të vlerave kulturore ndërmjet viseve jugore ilire dhe pellgut të Egjeut të Lindjes së Afërme. Në kontaktet e hershme të popujve tanë në Ballkan me popujt muslimanë kanë determinuar kushtet natyrore – gjeografike që i posedonin viset iliro-shqiptare dhe viset tjera ballkanike, që me mijëvjeçare kanë pasur lidhje me vendet mesdhetare, posaçërisht me Lindjen e Afërme. Rrugët tokësore të ashtuquajtura transballkanike çonin drejt Lindjes. Rruga e njohur e mëndafshit, që lidhte Evropën – Ballkanin – dhe Persinë e Kinën, por edhe rrugët detare, kanë mundësuar që ushtarakisht, politikisht, ekonomikisht, si edhe në lëmin e kulturës të kenë kontakte reciproke me Lindjen e Afërme e të Mesme. Këto lidhje bëheshin përmes Detit Mesdhe, atij Adriatik dhe Detit Egje me luginën e Vardarit.

Faktorët kryesorë që ndikuan që kultura e qytetërimi islam të depërtojnë, të mishërohen dhe të krijojnë traditë shumëshekullore në këto vise janë të llojllojshëm dhe çdonjëri, pak a shumë, ka luajtur rol të caktuar në suksesin e depërtimit të Islamit në këto troje.

1. Faktori fetar

Në historiografinë shqiptare, por edhe ballkanike, faktori fetar është shpërfillur në shqyrtimin dhe analizat rreth përhapjes së fesë islame te ne dhe në botë. Si rezultat të kësaj gjendjeje, kemi injorimin e këtij faktori, ndonëse ky, tërthorazi, mund të vërehet në raportet e relatorëve kristianë, kronistëve apo udhëpërshkruesve të ndryshëm.

Para së gjithash ky faktor konsiston në atë se Islami për herë të parë në histori i solli gjinisë njerëzore koncept të plotë mbi Krijuesin dhe mbi krijesën. Ai nuk e ndan jetën, por e kupton si të vlefshme e të bashkuar, që e rregullon jetën në tërësi.

Islami, nëpërmjet Kur’anit dhe Sunnetit, ofron shtegdalje cilësore si për nevojat shpirtërore ashtu edhe për ato materiale, sidomos në pikëpamjen gjithëpërfshirëse mbi botën, duke ofruar monoteizëm të pastër, legjislacion gjithëhapësinor dhe gjithëkohor (sheri’atin),etj. Këtë po e ilustrojmë me fjalët e një udhëtari nga shkencëtarët anglezë:

“Islami, vërtet, është feja që pastron tokën prej idhujve. E ndalon flijimin e njeriut dhe ngrënien e mishit të tij. U garanton të drejta femrave, e kufizon poligaminë… i forcon lidhjet familjare. Robi dhe i robëruari bëhen një prej anëtarëve të familjes, u hapin atyre shumë rrugë e dyer për shpëtim dhe liri. Moralin e përgjithshëm e pastron me forcën e themeleve të tij, si namazi, zekati, nderimi i mysafirit dhe siguria e udhëtarit… Parinë e mëson se kanë detyra sikurse populli … Këto janë një pjesë nga begatitë e shumta që gjithmonë e përcjellin Islamin me rastin e pushtimit të popujve të paqytetëruar.”

Gjatë historisë, e sidomos deri në kohën e Muhammedit a.s., koncepti i monoteizmit qe degraduar thellë. Kjo gjendje mbretëronte edhe në trevat ballkanike, sidomos në ato iliro-shqiptare.

2. Faktori moralo-etik

Ideali i edukimit dhe mirësjelljes ka qenë dhe ka mbetur fort i shprehur në të perceptuarit islam të shoqë­risë, që ka lënë gjurmë të thella edhe në kulturën e tij shpirtërore e materiale.

Morali i individit sendërtohet dhe dëshmohet në bashkësi, ku individi e pohon dhe manifeston lojalitetin e vet All-llahut dhe amanetin e pranuar (el-Ahzab, 72) ta zbatojë në vete, në familje, në rreth më të ngushtë (xhemat) dhe bashkësi më të gjerë, heterogjene sipas prejardhjes dhe bindjeve.

Motoja që për muslimanët paraqet simbol “Jepi përparësi vëllait tënd para vetvetes”, hap një kapitull të ri në raportet njerëzore, që konsiston se muslimanët çdo gjë e mbështesin në dashuri, harmoni, drejtësi, barabarësi dhe solidarizim reciprok. Kur’ani refuzon kriteret tjera jostabile dhe paganiste si racën, ngjyrën ose gjuhën dhe vendos një kriter jashtë barrierave hapësinore e kohore – kriterin e takvallëkut (devotshmërisë), (el-Huxhurat, 13).

Islami vë në veprim një postulat shumë me rëndësi, Urdhëresa për të mirë dhe ndalesa e së keqes. Ky element i ri muslimanin e ka bërë fuqi kreative, që nuk është ndalë vetëm në pyetjet e besimit, moralit ri­tual dhe personal, sepse aksioni është pjesë e fesë, dhe se Zotit nuk i intereson vetëm në çka beson dikush, por edhe çka vepron.

Në anën tjetër, për shkak të refuzimit të Jezusit nga hebrenjtë, Kristianizmi ka humbur legjislacionin hyjnor, që do të administronte me çështjet jetësore të botës. Ungjilli u nda nga Tora, dhe kështu Kristianizmi mbeti vetëm pikëpamje shpirtërore, emocionale. Ndeshja e këtyre dy mësimeve normalisht që ndikoi aq sa gjendja të zbutet në favor të Islamit.

3. Faktori kulturor-shkencor

Islami është fe që nuk e njeh mitologjinë dhe besëtytnitë. Mësimet e tij janë të rëndomta dhe racionale. Islami i drejtohet arsyes dhe vetëdijes njerëzore.

All-llahu ia bëri njeriut obligim të parë mësimin dhe përdorimin e lapsit, kurse për kriter vendosi devot­­shmërinë. Dijetarët lartësohen në nivele të larta. Në themel të këtyre parimeve, kultura dhe qytetërimi islam me sukses veprojnë plot 14 shekuj. Ata nuk kanë rrënuar, siç vepruan mongolët në Bagdad dhe të krishterët në Spanjë, kryqtarët në Lindjen e Afërt, romakët në trojet e Mbretërisë ilire e në Greqinë antike, por kanë absorbuar shumë të arritura pozitive të kulturave e qytetërimeve më të hershme, i kanë mbrojtur nga harresa e zhdukja ato si filozofinë greke.

Ndarjen në dituri fetare dhe jofetare Islami nuk e njeh. Muhammedi a.s. thotë: “Kush del nga shtëpia për shkak të kërkimit të diturisë, konsiderohet se është në rrugën e All-llahut, derisa nuk kthehet nga rruga.” (Tirmidhiu).

4. Faktori politiko-ekonomik

Qarqe të ndryshme (profane e sakrale) janë përpjekur që Islamin ta reduktojnë në fe emocionesh e çësht­jesh private, duke e zhveshur nga çdo element politiko-ekonomik. Prezantimi i këtyre elementeve dhe implikimi i tyre në përditshmëri, është etiketuar me shprehje nga më ekstremet. Është dëshiruar të arrihet njëfarë baraspeshe ndërmjet Kristianizmit dhe shumë religjioneve të tjera që në doktrinën e vet nuk e posedojnë këtë segment si në Islam.

Faktori politiko-ekonomik zë fill në katër parime kryesore:

1. Parimi i parë i sistemit politik islam është që pushteti suprem i shtetit i përket Zotit, kështu që Islami e siguron drejtësinë unike dhe është kundër marrjes së vendimeve tendencioze arbitrare e të ngjashme. (Ali Imran, 26).

2. Parimi i dytë i sistemit politik islam është që të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit, sikur edhe para Zotit. Kësaj i nënshtrohet edhe personaliteti më i lartë në shtetin islam – halifi. Rasti i Aliut r.a. është tipik, pastaj i emirit Amr ibn Asit me hebreun para Umerit r.a. etj., etj.

3. Parimi i tretë i sistemit politik islam është që të gjitha punët me rëndësi të përgjithshme i janë besuar All-llahut, kurse sunduesi sundon në suaza të urdhrave të Zotit dhe udhëzimeve të Të Dërguarit a.s., e për të mirën e përgjithshme.

4. Parimi i katërt i sistemit politik islam është që të gjitha punët shtetërore të vendosen me marrëveshje, madje duke e dëgjuar edhe mendimin e qytetarëve. (… esh-Shura, 38).

Me këtë rast nuk do të flasim për liritë veç e veç si, liria e të shprehurit, e mendimit, e lëvizjes, e drejta për punë, e drejta aktive e pasive në zgjedhje, e drejta për shkollim etj.) sepse larg do të na çonte kjo

5. Faktori shoqëror

Kontaktet e muslimanëve me popujt ballkanikë, kristianë e paganë, gjetën një situatë tejet të rëndë shoqërore. Kritere të vetme ishin forca, shtypja e eksploatimi, si individual ashtu edhe ai institucional. Sundimi i vazhdueshëm i fuqive të ndryshme kishte krijuar kaos shoqëror: romakët, bizantinët, bullgarët, sllavët, serbët. Në anën tjetër, muslimanët e parë në Ballkan sollën një botëkuptim tjetër për shoqërinë.

All-llahu xh.sh. së pari krijoi një shpirt (vete), pastaj ia krijoi çiftin, e prej tyre e shumëzoi njerëzinë (En-Nisa, 1). …

… Islami refuzon kriteret artificiale, jo të drejta dhe e nxjerr njerëzinë nga mituria në madhori.

Në anën tjetër, nëpërmjet namazit, agjërimit, zekatit, haxhit e shtyllave të tjera në vazhdimësi krijon ndje­njën e barazisë shoqërore.

Islami ka vënë rregulla edhe në aspekt të lidhjeve të mira farefisnore dhe fqinjësore, por ndalon nepotizmin, kurse ndihmesën pa vend të të afërmit e konsideron injorancë.

III. Mënyrat dhe rrugët e depërtimit të kulturës dhe qytetërimit islam

I. Fenomeni i Islamit, posaçërisht mënyrat e depërtimit të tij në viset iliro-shqiptare ka qenë dhe është problem mjaft i vështirë e kompleks, që kërkon trajtim shumëdimensional. Në këtë, problem i veçantë është, siç cekëm edhe më herët, moszbulimi dhe mosinteresimi për zbulim të fakteve dhe gjurmëve të asaj kohe. Në këtë, jam thellë i bindur, ka ndikuar ngarkesa e shtresuar shekullore e synimeve të kryqëzatave dhe ndikimi i historiografisë evropiane e sllave.

Këtu ka vend edhe për të meta subjektive brenda shkencëtarëve muslimanë, të cilët, herë-herë, Islamin dhe përhapjen e tij e vështronin vetëm nëpërmjet Kur’anit dhe burimeve të tjera të tij, duke i lënë anash rezultatet e realizuara në të gjitha aspektet e jetës së popujve të cilët në tërësi apo pjesërisht e kanë pranuar. …

Nëse thellohemi në burimet dhe literaturën ekzistuese historike, përhapja e Islamit është, kryesisht, dy llojesh:

1. Rezultat i ekspeditave ushtarake që i kanë zgjeruar kufijtë e shtetit islam në llogari të trojeve fqinje jo­muslimane. Por, kur është fjala për trevat ballkanike, iliro-shqiptare, para osmanlinjve, atëherë ky faktor pothuajse fare nuk ka kontribut, përveç në raste të vogla në shtrirje hapësinore dhe kohore. Këtë më së miri do ta shohim në kaptinën vijuese.

2. Rezultat i fuqisë së mësimit islam, parimeve të thjeshta e të pranueshme të besimit, moralit, mirësjell­jes, në frymën e ajetit kur’anor: “E vërteta është nga Zoti juaj: Kush do le të besojë, e kush do le të mohojë.” (el-Kehf, 29); dhe: “Nuk ka detyrim në fe, sepse e drejta dallon qartë nga e shtrem­bëruara.” (el-Bekare, 283).

Sami-bej Frashëri këtë e thotë kështu: “Pos përhapjes së Islamit me pushtime, ekziston edhe rruga tjetër, e papërmendur nga historianët, e ajo është përhapja e fesë vetvetiu pa pushtim, pa shpatë dhe pa ushtri. Kjo edhe nëse nuk është më masive se mënyra e parë, pothuajse është e barabartë.” (S. Frashëri, Përhapja e islamizmit, Prizren, 1989, fq. 17.) Për këtë flet edhe Th. Arnoldi në veprën e vet të famshme.

Por, duhet vërejtur edhe këtë se nëse problemi kundrohet në esencë, do të shohim se ekspeditat ushtarake askund nuk e kanë përhapur Islamin, në mënyrën siç e bënë të krishterët në Spanjë ndaj muslimanëve apo kryqtarët në Lindjen e Afërme ndaj muslimanëve. Ushtria muslimane, me fjalë të tjera, vetëm ka hequr pengesat në atë rrugë, ka çelur derën, ashtu që mësimi, kultura e qytetërimi islam të shtrihet në viset e pushtuara.

II. Kultura dhe qytetërimi islam në Evropë, e sidomos në Ballkan, ka depërtuar kryesisht nga Perëndimi nëpërmjet Andaluzisë (Spanjës), nga Jugu nëpërmjet Mesdheut dhe Sicilisë dhe nga Verilindja nëpërmjet Hungarisë. Mirëpo, ne nuk do t’u qasemi këtyre depërtimeve islame në këtë aspekt. Qasja jonë më tepër do të mbështetet në mënyrën e depërtimit të Islamit në këto troje. Edhe në këtë aspekt, të dhënat janë të mangëta, e disa ende shkencërisht të papërpunuara, por pas një analize serioze, këto depërtime mund të kualifikohen si:

– lidhje tregtare e detare

– lidhje ushtarake e diplomatiko-politike

– lëvizje misionarësh të ndryshëm (ushtarake, udhëpërshkruese, tregtare, fetare mistike etj.).

– migrime dhe shpërngulje individuale, grupore e masive, me karaktere e motive të llojllojta, por, që në njëfarë mënyre kanë lënë gjurmë në përhapjen e Islamit si fe, kulturë, mendim e qytetërim.

A. Lidhjet e ndërsjella tregtare dhe detare

Zhvillimi i gjithanshëm i Islamit dhe muslimanëve, veç tjerash, kushtëzoi edhe nevojën për zhvillimin e tregtisë, në mënyrë që populli të mund t’i tregtojë në mënyrë të ndërsjellë të mirat materiale ekonomike me popujt tjerë fqinj e më larg, për shitblerjen e mallrave. Këto kontakte janë të hershme.

Në këtë pikëpamje, qysh në shekullin XI gjejmë lidhjet e rregullta detare nëpërmjet Mesdheut ndërmjet Evropës dhe Lindjes së Afërme.

Lidhje intensive tregtare, sidomos me popujt arabë dhe fiset turkmene, kanë mbajtur edhe qytetet breg­detare të Adriatikut, ato të Shqipërisë, por edhe pjesët kontinentale të trojeve iliro-shqiptare dhe më gjerë ato ballkanike. Sipas disa të dhënave, këto lidhje datojnë nga kohët e lashta për të vazhduar në periudhën paraosmane, osmane dhe pasosmane….

Kartografi Idrisi dhe udhëpërshkruesi Ibn Havkali flasin për bujqësinë e zhvilluar dhe tregjet e vërshuara me zejtarët dhe artistët muslimanë, për lagjet muslimane në Palermo dhe qytetet tjera plot shkolla, biblioteka, dijetarë etj. …

Lidhjet detare dhe tregtare të muslimanëve me trojet iliro-shqiptare dhe më gjerë, që nga kohët më të lashta përveç funksionit parësor, shitblerjes së mallrave tregtare, kanë kryer edhe funksione të tjera siç janë: ndikimi në llojin dhe stilin e veshjes, planifikimin e kohës, në llojllojshmërinë dhe në mënyrën e përgatitjes së ushqimit e pijes. Pasi kanë poseduar pikëpamje ideore shumë më të zhvilluara, kanë ndikuar që Islami individualisht të pranohet si besim i ardhmërisë.

Në anën tjetër, disa tregtarë, të cilët kanë gjetur kushte në qytetet bregdetare, nëpër lugina pjellore dhe nëpër qytete udhëkryqe apo të fortifikuara, janë vendosur dhe kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre. Kjo ka ndihmuar në formimin e banishteve të para muslimane, në fillim të vogla, e më vonë gjithnjë e më të mëdha e më të zhvilluara.

B. Lidhjet e ndërsjella ushtarake dhe politiko-diplomatike

Zhvillimi i hovshëm i bashkësisë islame (ummetit) rezultoi me zgjerimin e shpejtë të saj në të katër anët. Kështu, që në vitin 634 filluan depërtimet e muslimanëve në Perandorinë Bizantine. Në këtë kohë janë bërë përpjekjet për pushtimin e Konstantinopolit të cilin e mbanin bizantinët. Disa dekada më vonë, në vitet 717-718, nën udhëheqjen e komandantit Mesleme, u rrethua Konstantinopoli, por për shkak të murit rrethues dështoi pushtimi. Në këtë përpjekje u pushtua Gallata, ku muslimanët ndërtuan një xhami të quajtur “Arap Camisi” (Xhamia e Arabit), që pas tërheqjes së muslimanëve u shndërrua në kishë. Mehmeti II Fatihu me rastin e pushtimit të Konstantinopolit më 1453 këtë objekt sërish e ktheu në formën e mëparshme, në xhami.

Sipas burimeve arabe, Meslemeja me ekspeditën e tij ushtarake depërtoi deri në Edirne (Edrene apo Adrianopojë) dhe Selanik dhe pikërisht ky depërtim i Meslemesë konsiderohet si kontakt i parë i ushtrisë muslimane me popujt ballkanikë dhe mundësia e parë që Islami të ushtrojë ndikim në viset ballkanike.

Nuk janë irelevante as depërtimet e muslimanëve në brigjet e Detit Adriatik, ku jetonin edhe shqiptarët, në vitet 840-841, sepse edhe këtu është bërë ndikimi i muslimanëve mbi popullsinë autoktone iliro-shqiptare.

Me rëndësi është edhe paraqitja e peçenegëve në shekullin VIII, përkatësisht nga fundi i shekullit IX dhe atë në shekullin XI.

Me pushtimin e Spanjës nga ana e muslimanëve, kemi një kaptinë të re ndërmjet raporteve të muslima­nëve dhe popujve ballkanikë. …

Llojllojshmërinë e kontakteve e shohim edhe nga rasti vijues, kur i nxitur nga motivet religjioze kristiane, Qirilo Konstantini, i dërguar personal i mbretit Mihajlo III, në vitin 856, kishte shkuar te halifi abbasit el-Mu­tevekkil b. Rashid, për polemikë mbi çështjet fetare.

C. Lëvizjet e misionarëve të ndryshëm dhe shpërnguljet e ndërsjella

Rol të rëndësishëm në kontaktimin, e pastaj edhe në përhapjen e Islamit në trojet iliro-shqiptare e më gjerë, kanë pasur misionarët e ndryshëm dhe lëvizjet-migrimet e njerëzve apo grupeve nga vendi në vend.

Ka indikacione se tregtarët, pastaj udhëpërshkruesit, mullat (teologët) e mistikët, që njëherësh kanë luajtur rolin e misionarit, predikuesit të besimit islam, shumë herët i kanë vizituar viset tona bregdetare, pastaj luginat e lumenjve dhe qendrat tregtare-qytetet, madje edhe disa shekuj para ardhjes së osmanlinjve në trojet e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, përkatësisht në viset ballkanike. Këtyre sidomos u ndihmoi depërtimi i ushtrisë muslimane dhe i disa fiseve turkmene të besimit islam në Ballkan ose në viset përreth Ballkanit.

Për muslimanët e parë në Bullgari është ruajtur dëshmi e vlefshme në kreun CIII të letrës së njohur të pa­pës Nikolla I (858-867) me titullin “Response Nicollai I Papae ad consulata Bulgarorum”, ku thuhet:

“Ju pyetni ç’duhet bërë me librat heretikë, të cilët, pohoni, gjenden te ju, kurse i keni marrë nga saracenët. Ato, natyrisht, nuk duhet ruajtur, sepse sikur që është e shkruar (në enciklikën mbi korinasit), kuvendimet e këqija prishin moralin e shëndoshë, e për këtë si të dëmshme dhe heretike dorëzoni zjarrit”. …

Kryqtarët në Lindjen e Afërme kanë hasur në kulturë e qytetërim shumë më të zhvilluar në fushën e rapor­teve shoqërore dhe politike nga ato që i kanë njohur vetë në Evropë. Me rastin e kthimit këtë njohuri e mësim e kanë shprehur në forma të ndryshme. Kryqtarët në fushatën e tyre kanë takuar forma më të larta të jetës shoqërore-organizative, e cila shpjegon se madje edhe atëherë kur forcat militante depërtojnë ushtarakisht në ndonjë territor, edhe atëherë ndikon, apo ngadhënjen ai që posedon kulturë më të lartë dhe më cilësore. Burimi i ndikimit të Islamit nuk ka qenë fuqia ushtarake, madje as pasuria ekonomike, por superioriteti i raporteve shoqërore, fetaro-morale, diturore, siç ka ndodhur me rastin e pushtimit të Greqisë së vjetër nga ana e romakëve, përkatësisht pushtimit të Bagdadit nga ana e mongolëve, dhe përvetësimit të ideologjisë së të pushtuarve.

Përfundim

Mund të përfundojmë se hulumtimi ynë, përkatësisht të dhënat e ofruara, tërheqin vërejtjen që gjatë shqyrtimit të çështjes së Kristianizimit të popujve në trojet iliro-shqiptare dhe në Ballkan, të kihet parasysh prania e Islamit dhe muslimanëve në këto troje, pra, edhe para depërtimit dhe pushtimit të Siujdhesës Ballkanike nga osmanlinjtë.

Mbetet që në të ardhmen, individët, posaçërisht institucionet tona shkencore t’i qasen kësaj teme seriozisht, në mënyrë që të ndriçohet e vërteta historike mbi shtrirjen e Islamit në trojet shqiptare. Ardhja e osmanlinjve dhe pranimi masiv e vullnetar, sidomos i popullit shqiptar e boshnjak në Islam, ndryshe edhe nuk mund të kuptohet. (fusnotat janë hequr)

Nexhat Ibrahimi

zeriislam.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit