2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Muzeu i stolive të dinastisë shqiptare në Aleksandri

Më të lexuarat

Në përfundimin e vitit të kaluar në Aleksandri të Egjiptit u rihap muzeu i stolive të familjes mbretërore të dinastisë shqiptare të Mehmet Ali pashës, e cila sundoi Egjiptin në periudhën 1805 -1952.

Ndërtesa e muzeut në fjalë ishte një pallat mbretëror me një model të veçantë në pamjen e tij të jashtme, kurse në brendi secila pjesë paraqet një pikturë magjepsëse, qofshin ato muret, dyshemeja, ballkonet të rrethuara me xhama me ngjyra e në secilin prej tyre nga një pikturë e vizatuar, ku paraqitet një stinë e një tregimi të një dashurie romantike.

Restaurimi i muzeut të stolive të familjes mbretërore, sipas deklaratës së Dr. Ibrahim Dervishit, drejtor i Monumenteve të Muzeve të Aleksandrisë, ishte bërë për shkak të vjetërsisë së objektit dhe dëmtimeve që ishin shkaktuar nga vizitorët e shumtë. Muzeu i stolive të familjes mbretërore dhe Muzeu greko-romak, janë pjesë e hartës turistike të Aleksandrisë, një faktor me rëndësi për zhvillimin e turizmit në përgjithësi. Për historikun e Muzeut të stolive flet Dr. Zahi Havas, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Lartë të Monumenteve, i cili thotë: “ Ndërtesa e muzeut ishte pallati i fisnikes Fatime Ali Hajdar Fadili, që njihej me emrin Fatimetu Ezzehra, njëra prej fisnikeve të familjes mbretërore të Egjiptit. Ajo ishte e bija e princit Ahmed Ruzhdi beu, i biri i princit Mustafa Behxhet Fadil pasha, i biri i Ibrahim pashës, i biri i Mehmet Ali pashës, themeluesit të familjes mbretërore të Egjiptit. Nëna e saj ishte Zejnepe Fehmi, motra e arkitektit Ali Fehmi, i cili mori pjesë në përgatitjen e planit të pallatit së bashku me arkitektin italian Antovan Lashijak.

Pallati u ndërtua sipas stilit evropian, në një sipërfaqe 185 m2, përfshirë edhe kopshtet

Zejnepe Fehmiu vdiq pasi ndërtoi kompleksin perëndimor të pallatit veror në rajonin e quajtur Zizinija, ndërkohë që fisnikja Fatime vazhdoi ndërtimin e tij, që zgjati katër vjet (1919-1923). Në vitin 1930 ajo u martua me Muhamed Faik Jekun dhe vazhdoi ta shfrytëzonte pallatin për banim gjatë verës deri në vitin 1952. Pas nacionalizimit, Fatimja qëndronte në pallat gjatë tërë vitit, por pa të drejtë të bënte çfarëdo ndryshimi në orenditë e tij. Në vitin 1964 ajo e lëshoi pallatin dhe u vendos në Kajro, ndërkohë që pallati u kthye në një vend pushimi në dispozicion të shtetit, deri në vitin 1986, kur me një vendim u kthye në muze të stolive të familjes mbretërore. Aty u ekspozuan stolitë e dinastisë së familjes mbretërore, ndërkohë që pronarja e pallatit, fisnikja Fatime vazhdoi të qëndronte në Kajro deri në vitin 1983, kur vdiq.

Pallati u ndërtua sipas stilit evropian, në një sipërfaqe 185 m2, përfshirë edhe kopshtet. Ai përbën dy anekse, që janë të lidhura me korridor të brendshëm, rrethuar me dhjetë dyer prej qelqi me ngjyra: nga pesë dyer në çdo anë, të cilat ishin importuar prej Italisë, kurse vizatimin e pikturave e kishte bërë një artist nga Florenca në vitin 1923. Secila derë kishte një portret të një tregimi romantik të dashurisë dhe martesës, që kishin vizatuar artistët italianë në shekullin tetëmbëdhjetë, kurse tavani i sallonit kishte panorama nga legjendat romake. Shtyllat e sallonit ishin të ndërtuara në atë mënyrë që ndërtesës t’i jepnin madhështi, ashtu siç ishte vepruar me ndërtesat e kohës së Rilindjes evropiane. Ndikimi i Rilindjes shihet në aspektin arkitektonik në pallat, në portretet e vizatuara në tavan si dhe në pikturat e mureve. Disa prej tyre paraqesin jetën në qytete dhe fisnikët, kurse disa të tjera paraqesin jetën e thjeshtë në fshatrat evropiane; këto shihen në pikturat e vizatuara nëpër muret e korridoreve anësore në afërsi të banjave.

Banja kryesore ndodhet në katin e dytë, muret e së cilës janë të mbuluara me piktura të importuara nga Italia, që ishin porositur enkas për pallatin dhe ishin

vizatuar me dorë. Dyshemetë janë të shtruara me pjesë mozaikësh graniti në forma të ndryshme të pikturave. Zbukurimet e përhapura në anët ndryshme të pallatit ishin inspiruar nga arti barok, i cili u shfaq në shekullin shtatëmbëdhjetë dhe dallohet nga zbukurime të shumta, përdorimi i pamjeve në forma buqetash të luleve dhe portretesh të njerëzve. Sallonet e pallatit janë të tilla që dallon nga tjetri për nga pamja.

Salloni në katin e parë është projektuar sipas stilit anglez . Muret janë të veshura me dru, po ashtu edhe dyshemeja, kurse tavani është i zbukuruar me pllakëza gjipsi të lyera me ngjyrë druri, për t’i përngjarë modelit të vjetër anglez. Në katin e parë, po ashtu është një sallon tjetër i stilit të vjetër grek për sa u përket zbukurimeve dhe pikturave. Kurse në pjesën më të lartë të murit janë vizatuar piktura legjendash të vjetra greke nga veprat e Homerit. Pas restaurimit të muzeut, u bënë risi në ekspozimin e stolive, ndryshe nga ç’ishin më parë. Në të kaluarën ekspozimi ishte bërë në bazë të personave, secili sallon ishte caktuar për një personalitet të familjes mbretërore, siç ishin salloni i mbretit Faruk, salloni i mbretëreshës Feride, kurse, sipas renditjes së re, secili sallon ishte caktuar për një rast të veçantë, ku ekspozoheshin stolitë e të gjithë anëtarëve të familjes mbretërore, siç ishte salloni i vënies së kurorës mbretërore, salloni i ekspozimit të stolive që kishin të bënin me mjetet e sofrës, e kështu me radhë. Po ashtu u bë riorganizimi i të gjitha pjesëve të sigurimit të pallatit me kamera përgjimi gjatë 24 orëve.

Vlen të theksohet se, pas restaurimit, stolive të mëparshme iu shtuan edhe stoli të reja, të cilat në muze duken për herë të parë. Prej këtyre po përmendim dy gota prej ari të thjeshtë të stolisura me gurë të çmueshëm, që i ishin dhuruar mbretit Faruk, si dhe disa stoli të veçanta, që kishin të bënin me familjen mbretërore.

Stolitë më të çmueshme

Muzeu përmban 896 pjesë të stolive, të ndara në 406 grupe, të gjitha pronë e familjes mbretërore prej kohës së Mehmet Ali pashës e deri tek mbreti Faruk (1805-1952). Prej gjërave më të rëndësishme është një komplet çaji prej ari, që përbëhet prej 13 pjesësh stolisur me zbukurime bimore dhe në secilën pjesë dy janë shkronjat e para të mbretit Faruk dhe mbretëreshës Feride e mbi të qëndron kurora mbretërore. Ky komplet u ishte dhuruar mbretit Faruk dhe mbretëreshës Feride për të pirë çajin e mëngjesit.

Aty gjendet kurora e princeshës Shuvejkar, gruaja e parë e mbretit Fuad, prej platini, që është e zbukuruar me 2159 diamante dhe disa margaritarë. Aty gjendet një kuti prej ari si dhe mjete zbukurimesh, ku gjendet fotografia e mbretëreshës Feride në Munja, e rrethuar me kornizë zbukurimesh me diamante. Po ashtu një kuti e bardhë e zbukuruar me gurë të çmueshëm, në mes të së cilës është i shkruar emri i Mehmet Ali pashës. Gjithashtu nga gjërat e çmueshme është modeli i urës së Kasru-Nilit prej arit, që i është dhuruar mbretit Fuad i Parë me rastin e hapjes, pas zgjerimit dhe restaurimi të saj në vitin 1933. Aty gjendet dhe një komplet shahu prej ari me 32 figura në forma njerëzish e kafshësh, që ishte pronë e mbretit Faruk. Në mesin e stolive është një komplet ari i mbretëreshës Nariman, që përbëhet prej 9 pjesësh, dhe përbëhet prej qaforesh, hallkash, byzylykësh dhe unazash. Kompleti është i stilit indian , i zbukuruar me diamante dhe margaritarë. Po ashtu aty gjendet një komplet i mbretëreshës Feride, prej platini dhe ari, stolisur me diamante në formë lulesh. Aty gjendet një elefant prej fildishi me disa stoli prej ari, të zbukuruara me margaritarë, si dhe një komplet i rrojës prej ari, që ishte pronë e princit Kemal Jusuf.

Aty gjendet një numër qirinjsh tortash prej ari, ku është shkronja F, që kishte të bënte me mbretin Faruk, si dhe disa gjëra, mjete për zyrë, gjithashtu pronë

e mbretit Faruk. Aty gjenden edhe një numër orësh, që ishin pronë e disave prej anëtarëve të familjes mbretërore, si dhe një laps prej ari dhe fildishi, që ishte pronë e mbretit Faruk. Po ashtu aty janë të ekspozuara mjete për zbukurime, brusha dhëmbësh, të gjitha prej ari, gurë të çmueshëm si dhe gjëra të tjera, vlera e të cilave është shumë e madhe.

Mr. Qemajl Morina

Dituria Islame 238

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit