1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Kontributet e teknologjisë islame

Më të lexuarat

Përveç ndikimit pozitiv si fe, Islami arriti një ndikim të pashoq në historinë njerëzore. Ai bashkoi qytetërimet dhe popujt e një territori të gjerë, që shtrihet nga kufijtë e Kinës dhe deri në Oqeanin Atlantik. Kjo zonë përfshinte vendet e atyre qytetërimeve të lashta, të cilat u bënë djepi i qytetërimeve të mëvonshme në Lindjen e Afërme, si për shembull qytetërimi helen.

I gjithë ky territor, gjatë shekujve të parë të Islamit, mbeti nën një qeverisje. Për më tepër, madje dhe pas lindjes së dinastive të ndryshme, kjo zonë përfitoi nga njësimi kulturor që solli Islami. Islami hoqi pengesat që i kishin veçuar këto vende nga njëri tjetri, kështu që i gjithë vendi kishte një traditë fetare dhe një gjuhë letrare e shkencore.

Njësimi kulturor siguroi gjithashtu tregti dhe lëvizje të lirë nga Kina në Lindje e deri në Spanjë në Perëndim. Shkencëtarë dhe shkrimtarë ishin të lirë të udhëtonin nga një vend në tjetrin, duke përshkruar largësi të mëdha, për të komunikuar me dijetarë të tjerë. Për më tepër, sado që Umejadët në Spanjë nuk e njihnin Kalifatin Abasid të Bagdadit, ekzistonin lidhje të vazhdueshme ndërmjet Spanjës dhe territoreve të tjera të Lindjes që ishin nën qeverisjen islame.

Gjatë shekullit të 6-të sipas Hixhrit (shek. XII i erës sonë) shkrimet e dijetarëve të tillë si Farabiu, Gazali, Fargani (Afragamus), Ibn Sina (Avicena) dhe Ibn Rushdi (Averoes), u përkthyen në latinisht dhe u bënë të njohura e u çmuan në Perëndim.

Punimet e Aristotelit, që shpejt patën një ndikim parësor në mendimin evropian, u përkthyen nga arabishtja së bashku me komentimet e Ibn Sinës dhe Ibn Rushdiut për evropianët e kohës së mesjetës. Këto komente ishin po aq të rëndësishme, sa dhe vetë veprat e Aristotelit, për formimin e mendimit shkencor dhe filozofik evropian. Shumë punime të tjera shkencore, që fillimisht ishin përkthyer nga greqishtja në arabisht në shekujt e mëparshëm tani u përkthyen në latinisht.

Megjithatë, shumica prej tyre qenë të periudhës helene dhe, sado që ishin shkruar greqisht, autorët e tyre patën ardhur nga të gjitha vendet e Lindjes së Afërme dhe ato të Mesdheut Lindor.

Çarls Singer ka trajtuar disa nga çështjet që tashmë i kemi prekur. Trashëgimia greko-romake qe ndërtuar mbi qytetërimet e mëdha të Lindjes së Afërme dhe, për më tepër, arritjet kryesore të shkencës dhe teknologjisë, të cilat janë quajtur helenike dhe romake, qenë kryesisht arritje të Lindjes së Afërme, rrjedhojë e punës së dijetarëve e artizanëve të Egjiptit dhe Sirisë.

Edhe qytetërimet para-islame, që nga Spanja e deri në Azinë Qendrore dhe Indinë Veriore, u trashëguan nga Islami. Nën ndikimin e tij dhe të gjuhës arabe, shkenca dhe teknologjia e këtyre zonave u zhvillua e u përmirësua. Duke iu referuar evrocentrizmit të historianëve perëndimorë, Singer shkroi: “Megjithatë, Evropa nuk është veçse një gadishull i vogël, që zgjatet nga territoret e gjera të Afroazisë. Ky është vërtet statusi gjeografik i saj dhe, të paktën, deri në shekullin e 13-të të erës së re ka qenë përgjithësisht dhe statusi i saj teknologjik.”

Për sa i përket talentit dhe aftësive për shpikje, në pjesën më të madhe të periudhës nga viti 500 deri në vitin 1500 të e.s. Singer vazhdon: “Lindja e Afërt ishte superiore ndaj Perëndimit…Pothuajse për të gjitha degët e teknologjisë, produktet më të mira që përdoreshin në Perëndim ishin ato që prodhoheshin në Lindjen e Afërt…teknologjikisht.

Perëndimi kishte pak gjëra për të çuar në Lindje. Lëvizja e teknologjisë ishte në drejtim të kundërt.” Marrja e teknikëve të Botës Islame nga Evropa pasqyrohet nga shumë fjalë që kanë prejardhje arabe dhe që janë futur në fjalorët e gjuhëve evropiane. Ja disa shembuj: sarsanet, damask, tafta, tabi; në detari: arsenal, admiral, në teknologjinë kimike: alembik, alkool, alkali; në teknologjinë e letrës: ream; në ushqim: alfalfa, sheqer, shurup, sherbet; ngjyrosje: safron, kermes; në punimin e lëkurëve: kardovan dhe maroko.

Spanjishtja është veçanërisht e pasur me fjalët me origjinë arabe, sidomos në fushën e bujqësisë dhe ujitjes. Përdoret tahona për mulli, acena mulli ose rrotë uji; aceqnia për kanal ujitës.

Në mesjetën e vonë, shumë punime arabe mbi çështje shkencore u përkthyen në latinisht, është një shembull i qartë i kësaj veprimtarie. Rreth vitit 1277 e.s. në oborrin mbretëror të Alfonsit të X të Kastijës nën drejtimin e vetë mbretit, me objektivin e qartë për t’i bërë të ditura dijenitë arabe për lexuesit spanjollë u hartua në spanjisht një vepër e titulluar Libros del Saber de Astronomia. Vepra përmbante një kapitull për matjen e kohës, që tregonte për një lloj ore me peshë, me një aparat me zinxhirë që rregullon lëvizjen. Nga burime të tjera, dimë se orë të tilla janë ndërtuar nga myslimanët në shekullin 11-të të e.s., domethënë 250 vjet përpara sesa orë të tilla të shfaqeshin në Evropë. Rreth vitit 1277 të erës sonë, sekretet e metodës siriane të përgatitjes së xhamit iu dhanë Venedikut, sipas një marrëveshjeje të bërë ndërmjet Bohemundit të VII, princi titullar i Antiokës dhe Dogës së Venedikut. Shembuj të tillë, të kalimit të drejtpërdrejt të teknologjisë, janë akoma relativisht të rralla, por padyshim që me kërkime të mëtejshme do të dalin në dritë me shembuj të tjerë.

Drejtuesit myslimanë kanë qenë njerëz të ditur dhe tolerantë ndaj shtetasve të tyre kristianë, qëndrim ky i edukuar tek ata në saje të mësimeve të Kuranit. Arsyet tregtare bënë të mundur krijimin e bashkësive të tregtarëve evropianë të vendosur në Bizant, ku ata hynin në lidhje me tregtarë shëtitës suedezë, që bënin rrugën përgjatë lumit Dniepër.

Lidhje të ngushta tregtare pati veçanërisht ndërmjet Egjiptit të Fatimitëve dhe qytetit italian Amalfi në shekujt e katërt dhe të pestë sipas hixhrit (shek. 10 e 11 të e.s.). Kështu, harku i mprehtë gotik, element thelbësor i arkitekturës gotike, u fut në Evropë nëpërmjet Amalfit. Kisha e parë që aplikoi këto harqe u ndërtua në Monte Kazino në vitin 1071 të erës sonë. Veprimtaria e myslimanëve në bujqësi, ujitje, inxhinieri hidraulike dhe manifakturë ishin pjesë përbërëse e jetës së përditshme në pjesën jugore të këtij gadishulli dhe kjo përvojë kaloi nga Spanja në Itali dhe më tej në Evropë. Sistemet myslimane të ujitjes me punimet e tyre shoqëruese hidraulike dhe makinat e ngritjes së ujit, mbetën baza e bujqësisë spanjolle dhe më vonë iu kaluan edhe botës së re. Instalime të tjera dhe pajisje industriale, si fabrika e letrës në Jativa afër Valencias, kaluan në duart e kristianëve. Dy orë uji të mëdha me brigjet e Tagos në Toledo, u gjetën nga kristianët dhe vazhduan të punojnë, të paktën edhe për 50 vjet të tjerë. Këto pak shembuj duhet të mjaftojnë si tregues të kalimit të ideve myslimane në Evropë.

Rifat Çopa

Drita Islame 202

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit