0.9 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Islami dhe ndikimi i tij në Ballkan

Më të lexuarat

Në Ballkan sot e kësaj dite ekzistojnë monumente të ndryshme orientale-islame.

Në kohët më të hershme Civilizimi islam më shumë ka depërtuar në mesin e popujve të Ballkanit, si te muslimanit, ashtu edhe te jomuslimanit. Civilizimi oriental Islam buroi nga rrethanat të cilat sollën në një standard më të lart jetësor. Kjo hetohet në vendbanimet, orenditë shtëpiake, veshmbathjet, ushqimi etj. Civilizim ky i cili plotësonte nevojat e njeriut dhe i cili zhvilloi shijen estetike, posaçërisht në relacionin pozitiv ndaj natyrës, duke u bazuar në fjalët e Pejgamberit s.a.v.s. i cili na urdhëron të kultivojmë e jo të shkatërrojmë edhe po qe se Kiameti ndodh nesër.

Muslimani urdhërohet të dojë të bukurën, të dojë estetikën. Ai në mes tjerash duhet të kultivojë lulet, pemët, kullosat, të ndërtojë ujësjellës dhe shatërvanë etj. Atraksioni i këtij civilizimi buroi nga fakti se bartësit e saj ishin turqit, e më vonë edhe popujt e tjerë të Ballkanit që pranuan Islamin. Perandoria Turke mundohej që sa më tepër të marrë masa administrative më të cilat do të pengoheshin tendencat e të krishterëve dhe të hebrenjve që me veshmbathjen e tyre të barazohen me muslimanët, dukshëm shihet ndikimi i civilizimit oriental-Islam te popujt e Ballkanit si që është përdorimi i turqizmave të cilat janë përdorur në disa vende më shumë e në disa më pak. Sipas turqizmave, mund të konkludojmë se prej cilit civilizim rrjedh ajo fjalë. Është interesante të përmendim se në mesin e turqizmave shumica e fjalëve janë me origjinë arabe.

Më herët veshja e popujve tanë ka qenë krejtësisht veshje orientale Islame. Kjo më së miri shihej atëherë kur Vuk Karaxhiqi (vdiq në vitin 1864) e shpalli fesin veshje kombëtare.

Ndikimi oriental ka qenë aq intensiv sa që këtë e hasim edhe në arkitekturën kishtare, orenditë kishtare të brendshme, orenditë e ikonave, qëndisjet, stolisjet e librave kishtare dhe në të gjitha poret e jetesës fetaro-krishtere.

Këto të dhëna historike më detajisht i studio Andrija Andrijeviqi. Gjithashtu edhe Zagorka Janac ka disa dorëshkrime në lidhje me arkitekturën kishtare. Duke e vërejtur gjendjen në botë Andrijeviqi erdhi në përfundim se gati të gjitha ndërtesat kishtare të manastireve ortodokse, përmbajnë në vete arkitekturë karakteristike nga ndërtimtaria turke.

Andrijeviqi duke u mbështetur në suksesin e gjurmimeve të Gjoka Maleziqit gjeti elemente Islame në dekorimet klasike në pllakat e gurëve të vjetër ku vendohen kandilat (qirinjtë), pllaka e gurit të vjetër për ritualin e kryqëzimit, pllaka e gurit të vjetër të koritës dhe pjesa perëndimore e fasadës së kishës në Sarajevë. Sipas Andrijeviqit shembulli më i qartë është fuqia e ndikimit Islam duke vërejtur manastirin e shekullit XVI të kishës të Moshtanicës në juglindje të Bosanska Dudicës. Aty shihet se kapitali i portalit kryesor është i ngjashëm me mihrabet e xhamive tona.

Gjithashtu llambat nëpër kisha janë të dekoruara në stilin Islam. Është interesant se te të krishterët ballkanik më herët kishin marrë terminologji të pastër Islame për nevojat e tyre fetare. Në Islam është i njohur institucioni i kurbanit që në përkthim do të thotë flijim, sakrificë, e kanë përdorur për atë kafshë e cila është pre me rastin e vendosjes së gurëthemelit të ndonjë objekti dhe për hir të të vdekurve të tyre. Gjithashtu edhe shumë fjalë e shprehje tjera me origjinë orientale-Islame kanë hyrë në fjalorin e gjuhës kishtare, si p.sh. vizituesi i varrit të Krishtit (Isaut a.s.) sipas dogmës kishtare mban emrin haxhi. Term ki i cili përdoret për vizituesin e Qabesë së shenjtë te muslimanët. Vizituesit e Jerusalemit (Kudsit) i kopjuan muslimanët, kështu që gjatë rrugës përveç qëllimit final të vizitës së tyre të vizitojnë edhe disa manastire tjera, siç veprojnë muslimanët para se të arrijnë në Qabe. Edhe kandilat e ndezur mbi varrin e Krishtit i quanin nur ose nur i shenjtë, gjë që shihet qartë se është me origjinë arabo-Islame.

Sipas kësaj mund të përfundojmë se Islami me ardhjen e tij në Ballkan, depërtoi në të gjitha poret e jetës së njeriut, jo vetëm në jetën e atij që e pranoi Islamin, por edhe në poret e jetës së jomuslimanit, posaçërisht të asaj praktike. Për këtë na dëshmojnë shumë fakte historike, posaçërisht të asaj Osmane, e sidomos udhëpërshkrimet e Evlija Çelebiut, i cili në “Sejahatnamen” e tij para 300 vjetësh na shkruan se në Valevë ka pasur 10 xhami e një hamam. Në Smederevë ka pasur 24 xhamia, dy medrese, një teqe dhe një hamam (krahas kësaj në çdo shtëpi ka pasur nga një hamam). Në Mitrovicën e Sremit ka pasur 12 xhamia, 6 mesxhide e pesë medrese. Në Çaçak ka pasur 7 xhami, tri medrese, tri mesxhide, 10 teqe, dy hamame dhe një karvansaray, në të cilën kalonin natën pa pagesë. Ai gjithashtu shënon se në Beograd ka pasur 270 xhami, 12 mesxhide, 7 hane, 3 tyrbe, 160 saraje, 6 karvansaraje, 7 dhoma për të pamartuarit dhe një han imareti (dhe sikur të kalonte një muaj ditë përsëri nuk paguante asgjë por vetëm se lutej për shpirtin e bamirësit). Sipas të dhënave të njëjta në kohën e Evlija Çelebiut në Krushevc ka pasur 9 xhamia, në Zemun një xhami dhe 6 mesxhide, në Pozhegën e Uzhicës 10 xhamia, në Cërnik (sot është vetëm një fshat afër Nova Gradinskës) 21 xhami, një teqe dhe një hamam. Në Vukovar 5 faltore (mesxhide) një xhami tërheqëse, në Osijek 66 xhami, 14 xhami lagjesh, 4 teqe, një hamam të bukur dhe një karvansaraj. Në Hrceg Novi 46 xhami, 44 mesxhide dhe dy medrese.

Të gjitha këto objekte që i përmendëm sipas udhëpërshkrimeve të Evlija Çelebiut nuk ekzistojnë më, si që nuk ekzistojnë edhe shumë objekte tjera fetare Islame që janë ngritur gjatë Perandorisë Osmane në qytete të ndryshme të Ballkanit. Gjithashtu vlen të përmendet se Evlija Çelebiut hasi në një fshat muslimanësh në afërsi të Soko Banjës me 40-50 shtëpi, ndërsa dr. Hazim Shabanoviqi sipas disa burimeve, has në shumë fshatra muslimanësh në rrethinën e Beogradit. (shiko: Turski izvori za istoriju Beograda, dr. Hazim Shabanoviq).

Për sa u përket monumenteve kulturore-Islame në të gjitha ato qytete kanë mbetur vetëm një numër i vogël i objekteve të lartpërmendura si: në Beograd një xhami, në Nish një xhami dhe aty këtu nga diçka prej arkitekturës Islame.

Nuredin Ahmedi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit