-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Fjala dhe bota orientale në poezinë popullore shqiptar

Më të lexuarat

Është e njohur se në gjuhën shqipe, ashtu si edhe në gjuhët e tjera të Ballkanit kanë hyrë një numër i konsiderueshëm fjalësh me burim nga gjuhët orientale të fesë islame; arabishtja, turqishtja, persishtja.

Depërtimi i tyre lidhet në radhë të parë me shtrirjen e Perandorisë Osmane në Ballkan, me përhapjen e qytetërimit të saj dhe të fesë e të kulturës islame. Për këtë shtresë fjalësh, të quajtura herë turqizma e herë orientalizma, ka shumë studime e botime. Për shqipen vepra themelore është ajo e orientalistit të shquar Tahir N. Dizdari (1900-1972) “Fjalor i orientalizmave në gjuhën shqipe”, e botuar pikërisht nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam më 2005. Botimi i këtij fjalori solli një gjallërim të vërtetë të studimeve rreth orientalizmave në gjuhësinë shqiptare. Studiues të ndryshëm që janë marrë me ndikimin gjuhësor të Perandorisë Osmane në Ballkan, kanë vërejtur se ai shtrihet sidomos në lëmin e urbanizmit oriental, d.m.th. në ekonominë qytetare dhe shtëpiake, në ndërtimin e qytetit e të shtëpisë, në jetën sociale, përfshirë fenë islame, në organizimin administrativ etj.

Ky ndikim është bërë pjesë e kulturës kombëtare shqiptare që u zhvillua gjatë shekujve të përfshirjes së Shqipërisë në Perandorinë Osmane.

Por, orientalizmat, që kanë hyrë përgjithësisht si emërtime të nevojshme për sende e dukuri të këtyre sferave të jetës, kanë kaluar pak e nga pak edhe në sferën e letërsisë gojore popullore, janë bërë pjesë e leksikut të saj, duke marrë dhe vlera stilistike. Është e njohur se ndër shqiptarët në shek. XVII-XIX u zhvillua një letërsi e tërë e shkruar me alfabetin arab. Për karakterin dhe vlerat e saj vijon të shkruhet. Ajo ende nuk mund të vlerësohet në tërësinë e saj dhe me të gjitha vlerat e karakteristikat, sepse botimi kritik i veprave kësaj letërsie, ashtu siç ka bërë p.sh. studiuesja Genciana Abazi-Egro me botimin shembullor të veprës së Nezim Beratit, është ende në fillim. Megjithatë disa studiues kanë folur për gjuhën e autorëve të kësaj letërsie dhe për orientalizmat që kanë përdorur ata.

Këta autorë, si njerëz të shkolluar dhe njohës të mirë jo vetëm të turqishtes së kohës, po edhe të arabishtes e të persishtes, si dhe të poetëve të këtyre gjuhëve, krahas orientalizmave që i kishte ligjërimi popullor, kanë përdorur edhe shumë fjalë të tjera, që i njihte një rreth deri diku i kufizuar njerëzish të shkolluar.

Është e njohur se gjatë Rilindjes Kombëtare shqiptare, kur politika gjuhësore e kësaj lëvizjeje ishte pjesë me rëndësi e përpjekjeve për një shtet shqiptar të mëvetësishëm, u kërkua të mënjanoheshin orientalizmat nga gjuha shqipe, sidomos nga gjuha e shkruar.

Naim Frashëri i ka lavdëruar poetët që kanë shkruar me alfabetin arab për talentin e tyre poetik, por i ka qortuar ashpër se kanë përdorur shumë fjalë të huaja (orientalizma) në vend të fjalëve shqipe. Puna e rilindësve për pastërtinë e gjuhës solli një përtëritje rrënjësore të fjalorit të gjuhës shqipe dhe të vlerave të fjalës shqipe. Pas krijimit të shtetit të pavarur shqiptar në qëndrimin ndaj orientalizmave gjuhëtarët ndoqën në përgjithësi vijën e Rilindjes Kombëtare, por përdorimi i tyre në letërsi erdhi duke u shtuar. Kjo lidhet edhe me kalimin e letërsisë shqipe nga rryma letrare e romantizmit në rrymën e realizmit, që kërkon edhe një realizëm gjuhësor. Por orientalizmat fituan ndërkohë edhe vlera stilistike. Kjo lidhet me luftën që u bë kundër tyre gjatë Rilindjes. Si pasojë, një pjesë e mirë e tyre pak e nga pak dolën nga gjuha letrare dhe mbetën në gjuhën e folur bisedore, pra rrafshi i tyre stilistik u ul. Për këtë arsye ato u përdorën për të karakterizuar mjedise të kohëve të kaluara ose persona me mendësi të prapambetur, duke u bërë një mjet i parapëlqyer për gjininë e veprave satirike. Por në raste të veçanta, sidomos në disa poezi të Fan Nolit, orientalizmat u përdorën edhe si fjalë të stilit të lartë e solemn.

Në këtë shkrim unë kam zgjedhur të trajtoj fjalët me burim oriental që janë përdorur e përdoren në poezinë popullore shqiptare, d.m.th. atë shtresë orientalizmash që ka pasur shtrirje në shtresat e gjera të popullsisë qoftë qytetare, qoftë fshatare në të gjitha krahinat e vendit. Gjuha shqipe ka një rrethanë të veçantë për të hulumtuar si kanë hyrë orientalizmat në poezinë tonë popullore pas takimeve me këto qytetërimeve sidomos në kuadrin e Perandorisë Osmane dhe të shtrirjes së Islamit në Ballkan në përgjithësi e në trojet shqiptare në veçanti. Kjo rrethanë është krahasimi me poezinë popullore arbëreshe të Italisë, pasi dihet se kjo, në fushën e fjalorit, ruan në përgjithësi gjendjen gjuhësore të kohës së mërgimit të Arbëreshëve, d.m.th. orientalizmat në të numërohen me gishtat e dorës.

Krijimtaria poetike popullore, siç dihet ndahet në dy gjini kryesore: këngë historike e legjendare dhe këngë lirike. Te këngët historike e legjendare orientalizmat janë emërtime të sendeve e të dukurive të kohëve të kaluara, pra shfaqen si historizma ose arkaizma. Këto përbëjnë një shtresë kryesisht pasive në leksikun e sotëm të shqipes. Të tilla janë p.sh.: allajbeg “komandant xhandarmërie” arzuhall “lutje”, asqer “ushtar”, baxhë “taksë për shitje bagëtish”, baxhaxhi “ai që mblidhte baxhën”, bidat “zakon a ligj i ri”, bimbash “major”, bylyk “një e katërta e taborit”, bitevi “krejt, gjithmbarë”, çipçi (çifshi) “bujk pa tokë”, danam (bej danam) “festë e madhe publike”, devrije “patrullë”, dylbi/turbi, eliherz “njeri i ndershëm”, ferman “urdhër me shkrim i sulltanit”, fesat “ngatërresë, grindje”, hallk-u “populli, njerëzia”, haps “i burgosur”, hapsane “burg”, haraç, hasm, hazine “thesar”, hordhi “ushtri”, hyqymet “qeveria, administrata shtetërore”, hyxhym “sulm”, iqindi “lutja e myslimanëve midis drekës dhe darkës, irade “urdhër i lartë, urdhër perandorak”, (ja)tagan, javer “adjutant”, kaftan “xhybe e stolisur që mbanin funksionarët e lartë”, kaftanaz “ai që mbante kaftan”, kahreman “rojë, postëkomandë”, kaza “një ndarje administrative”, kishlla “kazermë”, koxhlli “rojë i financës”, kura-ja “mosha e shërbimit ushtarak”, mazap “ushtar i rregullt në shërbim”, mehqeme “gjykatë”, meit “kufomë”, mejdan “shesh lufte”, mejtep “shkollë”, meteriz “llogore”, milazim “nëntoger”, miralla-i “kolonel”, miri “mall i shtetit”, mustafez “ushtar rezervë”, myhlet “afat”, myhyrdar “sekretar i vezirit, mbajtës i vulës (myhyrit)”, mymleqet “krahinë, vendlindje”, mytesarif “prefekt”, myshir “mareshall”, niza-ja “luftë”, nizam “ushtar”, nobet “shërbim roje”, qafir “i pabesë, i pafe, armik”, qatip “sekretar”, qefil “dorëzanë”, redif “ushtar rezervist”, reis “kryetar”, resmi “me veshje zyrtare”, rixha “lutje”, sadrazem “kryeministër”, sanxhak “nëndarje e vilajetit”, saraj “pallat”, sefer “luftë”, sejmen “ai që shkonte pas një njeriu të fuqishëm”, selam “të fala” sene “vit”, serasqer “komandant i përgjithshëm i një ushtrie”, spahi “kalorës në ushtrinë turke”, surdis “internoj, mërgoj”, suvari “kalorës”, sharapoll “lloj fortifikimi”, shehit “dëshmor”, shishane “lloj pushke e vjetër”, tabe “fortifikatë e vogël”, jatagan taborr “formacion ushtarak me 1000 ushtarë”, taim “racion ushqimi i ushtarit”, talim “stërvitje”, tapanxhë “lloj kobureje me strall”, dopojë/tebojë “depo armësh”, teftis “shkreh papandehur”, tevabi-të “ata i shkonin mbrapa një personi të pushtetshëm”, tyxhar “tregtar i madh”, vezir, vilajet, xhelep, xhelepçi, xhemat “grumbull njerëzish, bashkësi”, xhephane “municion, depo municioni”, ylefe “rrogë”, yrysh “sulm”, yzbash “kapiten”, zabit “oficer”, zeman “kohë” etj.

Orientalizmat e këngëve lirike kanë të bëjnë me botën afektive, me shprehjen e ndjenjave, me ndërtimin e metaforave e të krahasimeve. Poeti popullor shqiptar i ka përzgjedhur ato nga leksiku i fushave semantike që e kanë në vetvete mundësinë për t’u shndërruar në fjalë të poezisë. Të tilla janë:

– emërtime nga bota bimore e shtazore, si: bajame, gonxhe, filzigen, nerënxë, razaki/rezeki, selvi, shimshir, xhenxhefil, zerdeli, zymbyl; asllan, bilbil, shahin etj.;

– emërtime të veshjeve të ndryshme (sidomos të femrave): avlli, binish, bohçë, çitjane, dallfes, degërmi, dibat, dimi, dizgje, dolloma, duvak, ferexhe, setër, fermele, kumash, mafes, mitan, peshtamall, sallman, salltanet,

tumane, xhumlek, xhurdi etj.;

– emërtime të sferës mendore e afektive: dadë, dalldi, dalldis, derman, dert, dertem, fiqir, firak, jaran, jaraneshë, kasavet, kimet, kimetli, mahi, mazi, myzhde, nafakë, ogradisem, qeder, qejf, qeram/qerem “bujari, zemërbardhësi”, rehat, rehatoj, selamet, sevda, sihariq, shybe/shibe, shyret, terezi, xhan, zindan, zor etj.;

– emërtime tiparesh fizike e morale: azgan, bandill, bandille, dai, deli, erz, fodull, kahar “i paqetë”, kadënxhikë “vajzë në moshë, që ka marrë pamjen e një zonje”, mexhnun “i çmendur”, nur, paha-ja, turfanda, zaif etj.;

– emërtime sendesh zbukurimi: çapraze, gjerdan, ibërshim, jelek, këna, kllapedan, laxhyher, mazi, oja-t, tel, temin, zile, zylyfe etj.;

-emërtime gurësh, metalesh e sendesh të çmuara: bilur/bylyr, farfuri, filxhan (si send prej farfurie), qelibar, serma etj.;

– emërtime të sferës së muzikës: avaz, çallgi, kajde, karadyzen, kavall, sharki, tambura, zamare etj.;

– emërtime dokesh e zakonesh: bohçallëqe, dolli, nazar, nigjah, sini, sinitar etj.;

– emërtime pjesësh të shtëpisë e orendish të ndryshme: bahçe, çardak, gjergjef, oda, penxhere, qemer, saksi etj.;

– fjalë nga sfera fetare e të tjera: exhel, rahmet, xhenet; evlat, karvan, karvanar, (bën) lazëm, sehir, serjan, tugë/tuje etj.

Kënga popullore lirike këndohet në raste të shumta, ka të bëjë me botën e brendshme e me ndjenjat e njeriut. Ajo jeton gjatë dhe bashkë me të qytetërimi dhe mendësia e kohës kur është krijuar kënga si dhe fjalët e asaj kohe. Prandaj dhe fjalët e burimit oriental që përmbajnë këngët lirike janë edhe sot më të njohura. Ato i përkasin mbarë popullit shqiptar, pa dallime nga përkatësia fetare. Me gjithë modernizimin e jetës e të kulturës, ajo që quhet taban popullor, mbetet si strukturë e thellë e vetëdijes artistike popullore shqiptare. Në këtë taban pasqyrohen më fort marrëdhëniet e shqiptarëve me popujt e tjerë të rajonit dhe qytetërimet e tyre në periudhën historike. Ndikimi i qytetërimeve që përfshinte Perandoria Osmane i ka dhënë Ballkanit një peizazh të veçantë etnokulturor në shumë

vështrime. Një nga këto vështrime është edhe përbashkësia e një shtrese fjalësh orientale, që dëshmojnë edhe një përbashkësi idesh e objektesh të jetës së përditshme. Kjo është një pasuri kulturore e përbashkët dhe na afron me njëri-tjetrin.

Emil Lafe

DritaIslame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit