13.3 C
Pristina
Friday, October 18, 2024

Islami ne Shqipëri – Islam Gjakova.net

Më të lexuarat

Islami fillesat e veta në tokat shqiptare i shënon nëpërmjet marrëdhënieve tregtare me Siçilinë myslimane, pjesë e kalifatit të Puljes, Andaluzinë (Spanja myslimane), etj., vende të cilat kishin shkëmbime me brigjet e Adriatikut që në shekullin e VIII–të.

Kështu sipas studiuesve të ndryshëm, islamizimi i shqiptarëve ka filluar para sundimit të plotë të tokave shqiptare nga Perandoria Osmane. Për këtë shembulli më i madh është xhamia e kuqe në Kalanë e Beratit, e ndërtuar para sundimit osman.

Me ardhjen e Osmanëve në Shqipëri u krijuan mundësi dhe kushte më te mira për përhapjen dhe lulëzimin e fesë Islame në këto troje. Por konvertimi masiv i shqiptarëve në myslimanë gjatë sundimit osman është bërë pas dy shekujsh të këtij sundimi, kryesisht gjatë shekullit XVII dhe ka vazhduar, me ritme më të ngadalësuara, edhe në shekujt e mëvonshëm, deri në fund të shekullit XIX. Arsyet e konvertimit ishin sociale, ekonomike, bindje shpirtërore dhe interesa ekonomike.

Në shekullin XVII-XVIII kultura islame u bë pjesë e rëndësishme e jetës shpirtërore dhe materiale e popullit tonë, filluan të ndërtohen qytete që shquhen për origjinalitetin dhe bukurinë e tyre si Shkodra, Elbasani, Berati, Tirana, Gjirokastra, Prizreni, Peja, Gjakova, Ohri, Janina, etj. Ata u zbukuruan me ndërtesa monumentale, me xhami të bukura, me teqe, medrese, ura, etj.

Kleri mysliman në Shqipëri, si një vend multifetar me shumicë myslimane, që ndodhej nën pushtetin osman, ishte një faktor esencial për popullin në pozicionimin e tij pro pavarësisë.

Në pararojë të kësaj lëvizjeje u vu Haxhi Zeka që ishte imam xhamie në Pejë. Ai krijoi shoqërinë “Besa”, që synonte bashkimin e 4 vilajeteve.

Hafiz Maliq Tanusha, ishte gjithashtu ndër të parët që dha kontributin e vet për çështjen e idealit kombëtar[1]. Një tjetër atdhetar mysliman, Haxhi Vildani, u vu në krye të lëvizjes për gjuhën shqipe, madje u shpreh për përdorimin e alfabetit latin, për çka sipas tij nuk kishte asnjë pengesë nga pikëpamja fetare, por lehtësonte mësimin e gjuhës[2].

Lëvizja kombëtare Shqiptare e viteve të mëvonshme pati me qindra e mijëra aktorë në krye të së cilës jo rrallë ishin klerikë myslimanë si: Hafiz Hysen Zemblaku, Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ibrahim Dalliu, Haxhi Hysni Dalliu, Hafiz Sherif Langu, Gani Frashëri, Hafiz Hasan Mezja, Ferid Vokopola, Alush Frashëri, Sheh Ahmet Pazari, etj, që kontribuan për shkollën shqipe dhe për shtetin shqiptar.

Kleriku rilindas, Hafiz Ali Korça thotë:

Zot, të na rrojë Atdheu, Kombësija,

Aqë sa të na rrojë edhe gjithësia. [3]

Lidhja e Prizrenit apo Kuvendi i Lidhjes është mbajtur gjithashtu në xhaminë e Flamurit (Bajrakli). Kjo xhami ndodhet në kompleksin e medresesë Gazi Mehmet Pasha, tashmë i njohur si kompleksi i Lidhjes së Prizrenit.

Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 si një akt politiko-historik për shqiptarët, do ta përshëndeste në cilësinë e kryetarit të senatit të parë shqiptar dhe të kryemyftiut të vendit, H. Vehbi Dibra (Agolli)[4], firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, i cili, sipas Sheriatit, dha fetvanë*[5] e njohur për Shpalljen e Pavarësisë dhe për Flamurin. Ai e quajti aktin “Një dhuratë të Perëndisë”.[6] Me këtë fetva, ai legjitimoi fetarisht pavarësinë dhe i mbylli rrugën deformimeve e ligësive antikombëtare.

Se sa rëndësi pati qëndrimi i klerit në lëvizjen për pavarësi dhe ç’respekt gëzonte ai, e tregon fakti se Ismail Qemali, kur u largua nga Shqipëria më 30 mars 1913, për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve nëpër kancelaritë evropiane, la zëvendës të tij H. Vehbi Dibrën.[7]

I zgjedhur në krye të Pleqësisë (senatit të parë shqiptar) më 1912, me propozim të Luigj Gurakuqit, H. Vehbi Dibra u ngarkua nga kuvendi me detyrën e Kryemyftiut të Shqipërisë për organizimin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë në maj 1913.

Nga ana tjetër, klerikët myslimanë u aktivizuan fuqishëm në jetën administrative të vendit në të gjitha nivelet. Në historinë e kryeqytetit, Zyber Hallulli njihet jo vetëm si myfti por dhe si kryetari i parë i Bashkisë së Tiranës i emëruar nga pleqësia në vitin 1912[8].

Në tetor 1916, si strukturë organizative islame, formohet në Shkodër (Këshilli)-Gjyqi i Naltë i Sheriatit, i drejtuar nga Kryemyftiu H. Vehbi Dibra dhe dy anëtarë. Parashkresa organizative e tij përbëhej prej 43 nenesh, të cilat kishin funksionin e statutit, i cili u formësua plotësisht në Kongresin e vitit 1923. Sipas saj, në krye të Bashkësisë Islame të Shqipërisë dhe të Sherisë, ishte Myftiu i Përgjithshëm, i cili merrej me çështjet islame, arsimit, kulturës, bamirësisë, vakëfet….etj. Nën varësinë e tij ishin hoxhallarët, gjyqtarët e nëpunësit e sherisë.[9] Si pjesë e konsolidimit të identitetit kombëtar, është për t’u theksuar fakti se organizimi i kësaj strukture, mbështetej në elementin shqiptar dhe vendimet gjyqësore përmblidheshin në gjuhën shqipe.

Shenjat e para të kryengritjes së Vlorës u dhanë më 20 nëntor 1919, kur pas faljes së të premtes në xhaminë e pazarit gjatë së cilës imami predikoi për vlerën e flamurit dhe pavarësinë e vendit, populli marshoi drejt bashkisë me flamur në dorë si shenjë proteste ndaj pushtuesit italian. Pas përdhosjes së flamurit nga karabinierët, zemërimi i popullit kish arritur kulmin dhe kryengritja në Vlorë ishte çështje kohe dhe rasti, shprehet Eqrem Bej Vlora në kujtimet e tij.[10]

Kleri mysliman nxiti vetëdijen kombëtare në mbrojtje të trojeve etnike edhe jashtë mjediseve të kultit. Në një miting madhështor organizuar në sheshin e Tiranës, në vitin 1919, kryemyftiu i vendit Haxhi Vehbi Dibra i drejtohet popullit me këto fjalë:

“Jemi mbledhë këtu, që Kosova e Çamëria t’i ngjitet Shqipërisë plotësisht indipendente,… jemi të gjithë bij të një gjaku e të një trualli”[11]

Më 1921, për arsye të pushtimit të Stambollit, ku ishte edhe kalifati dhe si rrjedhojë e humbjes së lidhjeve në varësi institucionale, “Aleanca Kombëtare Myslimane Shqiptare”, shpalli shkëputjen prej Shejhul Islamit të Perandorisë Osmane. [12] Zyrtarisht e kreu këtë shkëputje me rastin e kongresit të parë të myslimanëve më 1923.

Kongresi i parë mysliman, mbajti mbledhjen e tij të parë në Tiranë, më 24 shkurt 1923 në ndërtesën e shoqërisë “Djelmënia Dibrane” në rrugën e Dibrës, ku morën pjesë 36 delegatë, të cilët vinin nga të gjitha viset shqiptare, shtatë nga të cilët ishin deputetë: Ibrahim Xhindi-Vlorë, Mehmet Pelingu-Krumë, Sali Vuçiterni-Zerqan, Halim Gostivari-Kolonjë, Qamil Bala-Kosovë, Banush Hamidi-Pogradec, Halit Rroji-Shkodër[13], kurse H. Vehbi Dibra përfaqësonte Dibrën e Madhe. Për këtë arsye logjikisht mund të thuhet se kongresi kishte përfaqësi mbarëkombëtare. Përfaqësues i qeverisë në këtë kongres ishte Qerim Çelo.

Kongresi i përfundoi punimet më 12 mars 1923. Kryemyftiu i Shqipërisë i emëruar nga qeveria e Vlorës dhe i zgjedhur në krye të Komunitetit Mysliman më 1923, H. Vehbi Dibra, u drejtohet delegatëve të kongresit të parë mysliman me këto fjalë:

“… Popullsia e shtetit tonë përbahet prej tre elementësh, d.m.th, mysliman, katolik dhe ortodoks, po në pikpamje të kombësisë në mes kemi një vllazni të plotë e të patundëshme….. Çashtja e fesë ashtë nji çashtje e posaçme e sejcili asht i lirë për me e sigurue forcimin e fesë së vet. Kristianë e myslimanë janë vëllezër shqiptarë të pandarë… të kapemi dorë për dore e të ndjekim një rrugë të përbashkët. T’i tregojmë botës mbarë se shqiptarët pa dallim feje janë vëllezër, bijë të së dashurës sonë Shqipëri”.[14]

Forumi më i lartë vendimmarrës i Komunitetit Mysliman ishte Këshilli i Naltë i Sheriatit, anëtarët e parë të zgjedhur të të cilit ishin: Haxhi Vehbi Dibra, Hafiz Ali Korça, Vesel Naili, Haxhi Adem Vata, Sheh Ibrahim Karbunara, Qamil Bala, Reshat Kokalari dhe Salih Vuçiterni si drejtor i përgjithshëm i vakëfeve.[15]

H. Vehbi Dibra, u dekretua gjithashtu nga kryetari i Republikës (Këshilli i Regjencës) si Kryemyfti i Shqipërisë. Organizimi i bashkësisë islame mbi baza kombëtare, në fakt ishte një proces i nisur që me qeverinë e Vlorës, e cila caktoi H. Vehbi Dibrën kryemyfti dhe Vesejl Nailin si kryekadi të Shqipërisë”.[16] Turqia, e cila ishte qendra e Khalifatit, nuk bëri asnjë protestë dhe asnjë ndërhyrje kundër mëvehtësisë së KMSH-së.[17]

Ky kongres gjithashtu hyri në histori për vendimet e rëndësishme teologjike islame me kahje kombëtare.

Myslimanët e vazhduan të vendosur rrugën drejt reformimit edhe në Kongresin e tretë të tyre, të mbajtur më 6 korrik të vitit 1929, në Tiranë. Kongresi u hap me fjalën e H. Vehbi Dibrës[18]. Agjah Libohova , i dërguari i qeverisë dhe Ferid Vokopola shpjeguan më pas reformat që duhej të kryheshin dhe rëndësinë e tyre.

Podiumi i kulturës islame ishte revista periodike “Zani i Naltë”, e cila qe rrjedhojë e organizimit mysliman në kongresin e parë në mars 1923, ku u la si detyrë nxjerrja e një reviste si organ zyrtar i Komunitetit Mysliman Shqiptar. Ajo filloi botimin në tetor të vitit 1923 dhe vazhdoi deri në vitin 1939. Kurse gjatë luftës së dytë botërore, Komuniteti Mysliman ka pasur si organ zyrtar revistën “Kultura Islame” (1939-1946). E parë në kuadrin e përmbajtjes, “Kultura Islame” ishte vazhdim i revistës “Zani i Naltë”, por me një vizion më të gjerë se e para.

Revista “Zani i naltë” propozonte në faqet saj shkollimin me edukatë fetare dhe kombëtare të nxënësve nga i gjithë vendi. Duke dërguar në medrese një djalë për çdo 50 familje, shkollohej një pjesë e mirë e popullit. Pas përfundimit të shkollimit ata caktoheshin imamë në fshatin e tyre kundrejt një page që gjysma paguhej nga shteti dhe gjysma tjetër nga banorët e fshatit[19].

Një nga vendimet e rëndësishme të Kryesisë së KMSH-së ishte arsimi. Kështu më 1924 u krijua institucioni i parë i kulturës kombëtare islame, Medreseja e Naltë në Tiranë me në krye Sali Gashin, ish Drejtor i Gjimnazit të Jeruzalemit, i cili i dha medresesë vlerat më të larta të një shkolle të kohës. Ajo nxori një varg kuadrosh që luajtën rol të rëndësishëm në kulturën dhe jetën shoqërore të vendit tonë.

Idetë komuniste, si në të gjithë Botën, po përhapeshin dhe në Shqipëri me shpejtësi në formë imitative. Është i qartë shkaku pse ideologjia komuniste ishte në armiqësi me fetë. Fetarët shqiptarë e konsideronin komunizmin si shkatërrim për kombet, fetë, qytetërimet dhe moralin njerëzor.[20] Hafiz Ali Korça, në vitin 1925, shkroi librin “Bolshevizma a ç’katërrimi i njerëzimit”. Me këtë libër modest ai është i pari person me të parin libër që denoncon publikisht komunizmin në vendin tonë, madje duke i shpallur luftë dhe në emër të fesë:

“Bolshevizma s’pajtohet kurrë

Me dinin e Muhamedit

Çelët do ta kenë luftën

Gjer ditën e Kijametit”.

Në atë kohë kleri mysliman, i vetëdijshëm për rrezikun e komunizmit, qëmton në një koordinim ndërfetar antikomunist: “ … Të gjithë elementët shqiptaro-fetar, si vëllezër të një gjaku e si besues të një Zoti të Amshueshëm, duhet me u bashkue e me u organizue në nji front të përbashkët për ta luftuar ateizmin, që do me shkatërrue “Fe e Atdhe”. Kjo është lufta e shenjtë që duhet të bëjnë të gjitha fetë në Shqipëri”.[21]

Pasi erdhën në pushtet, komunistët e ashpërsuan armiqësinë e tyre ndaj fesë, deri sa, në vitin 1967, nxorën vendimin për ndalimin e fesë, kur filloi dhe reprezalja finale kundër fesë. Numri i xhamive që u prishën ishte 1667. Këto sinjale ata i dhanë që para se të merrnin pushtetin në 1944. Disa javë para se të ndodhte kjo, një grup terrorist partizano-komunist kreu në Tiranë atë që në librat e historisë quhet masakra e Tiranës ku u ekzekutuan afro 100 intelektualë e patriotë me emër. I pari që u ekzekutua ishte Selim Brahja i njohur ndryshe si hoxha i Saukut.

Institucionet arsimore islame

Ndër institucionet kryesore arsimore, që u ngritën në periudhën Osmane në Shqipëri, ishin shkolla, që ishin në shërbim të komuniteteve fetare. Për myslimanët ishin medresetë, me mësim në gjuhën osmane dhe arabe.

Që në fillim të shekullit të XVI-të më të ardhurat që mblidheshin nga pasuritë e vakëfuara të njerëzve të ndryshëm, u hapen në disa qendra të Shqipërisë, kryesisht pranë xhamive, shkolla fillore ose mejtepe. Këto ishin shkolla kur’anore dhe mësuesit u mësonin nxënësve kryesisht mësimin e Kur’anit.

Në Shqipëri në shekullin e XVIII-të u ngrit një rrjet i gjerë institucionesh arsimore e kulturore islame – mejtepet e medresetë, ku jepej si lëndë feja, letërsia orientale në gjuhën osmane e arabe, por edhe lëndë të kulturës së përgjithshme.

Në vitet e qeverisjes së Mbretit Zog në medrese jepeshin gjuhët e huaja, arabisht, turqisht, persisht dhe me pas deri në vitin 1945 jepeshin edhe anglishtja, italishtja, dhe pas vitit 1945 deri ne vitin 1964 kur u mbyll medreseja, si gjuhë e huaj jepej arabishtja dhe pastaj rusishtja (në këtë kohë gjuhët e tjera u hoqën).

Gjatë viteve 30-të të shek. XX në Shqipëri ka patur 12 medrese të shtrira në qytetet kryesore të Shqipërisë me gjithsej 324 nxënës.[22]

Drejtuesit e KMSH-së ndër vite

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë që nga themelimi i tij është drejtuar e kryesuar nga këta personalitete të fesë islame:

1) Haxhi Vehbi Dibra (1867-1937)-Kryetari i parë i Parlamentit (Pleqënisë) më 1912, si dhe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë (1923-1929).

2) Behexhet Shapati (kreu i KMSH-së në vitet 1929-1942).

3) Hafiz Sherif Lëngu (kreu i KMSH-së në vitet 1942-1945).

4) Hafiz Musa H. Ali Basha (kreu i KMSH-së në vitet 1945-1954).

5) Hafiz Sulejman Myrta (kreu i KMSH-së në vitet 1954-1966).

6) Esat Myftija (kreu i KMSH-së në vitet 1966-1967).

7) Haxhi Hafiz Sabri Koçi (kreu i parë i KMSH-së pas komunizmit, 1990-2003).

8) Nga Marsi 2004 e në vazhdim kreu i KMSH-së është Haxhi Selim Muça.

_________________________________________

[1] Zani i naltë, nëntor 1937, N. 11, f. 336.

[2] Po aty, f. 338.

[3] Korça, H.Ali, Mevludi, Korça : 1909, fq 26.

[4] Shih- Xhelili, Qazim, Vehbi Dibra – Personalitet dhe veprimtar i shquar i lëvizjes kombëtare, Tiranë: albin, 1998.

[5] Dizdari, Tahir, Fjalori i Orientalizmave në gjuhën shqipe, Tiranë: Mileniumi i Ri, AIITC, 2005, fq. 273.

[6] A.Q Sh, Fondi : Qeveria e përkohshme e Vlorës, F. 145, D.III 5|2, fl. 632,633, kopja e fetfasë , viti 1912.

*Gjykimi që jepet për një çështje të caktuar pas një konsultimi juridik në bazë të dispozitave të sheriatit.

[7] Kadiu, Arian, & Xhelili, Qazim, revista Perla, nr.3-4, V.Dibra- figurë komplekse e personalitetit të shquar mysliman dhe lëvizjes kombëtare, Tiranë: 2003, fq.47.

[8] Gazeta Tirana Observer, Tiranë: dt.16. shkurt 2007.

[9] Arkivi i Instritutit të Historisë, dosja nr.116,dok nr. 2186, fq 735, viti 1916.

[10] Vlora , Eqrem Bej, Kujtime 1885-1925, Tiranë: SH.L&K, 2003, fq. 444.

[11] Xhelili, Qazim, Toleranca në marrëdhëniet midis komuniteteve fetare në Shqipëri dhe ndikimi i tyre në jetën shoqërore në periudhën midis du luftrave botërore, sim. Ndërkombëtar- “Krishterimi ndër shqiptarë”, Shkodër: 2000, fq. 349.

[12] Dela Roka, Roberto, Kombi dhe feja në Shqipëri 1920-1944, Tiranë: Eleni Gjika, 1994, fq.25.

[13] Xhelili, Qazim, Vehbi Dibra- personalitet i shquar i lëvizjes kombëtare, Tiranë: albin, 1998, fq. 211-218.

[14] Basha, Ali, Islami në Shqipëri gjatë shekujve, Tiranë: 2000, fq. 124-125.

[15] Hysi, Shyqyri, Historia… vepër e përmendur, fq.187.

[16] Po aty, fq. 113.

[17] Delvina, Sherif, Pa pavarësi fetare nuk ka pavarësi kombëtare, Tiranë: Eurorilindja, 1998, fq.34.

[18] Demokratia, 13 korrik, 1929, f. 2.

[19] Zani i naltë, maj 1930, N. 3, f. 462.

[20] Po aty, nr.1, viti II, mars 1925, fq. 406-408.

[21] Po aty, nr.8-9,viti XI, gusht-shtator 1936, fq. 288.

[22] Shih Zani i Naltë Prill 1927 Nr.9 fq. 275.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit