2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Komentimi i Kuranit dhe ideologjitë e shekullit njëzet (I)

Më të lexuarat

Hyrje

Vallë! A nuk mund të bashkohen myslimanët për t’u bërë më të shkathët dhe më të guximshëm, siç janë bashkuar për këtë popujt tjerë, e me atë bashkim të vendosin edhe ata një mur mbrojtës, i cili do t’i pengonte këto vërshime shkatërruese, të cilat janë drejtuar ndaj tyre nga të gjitha anët. Me këtë qëndrim timin unë nuk kërkoj që ai që merr vendime për të gjitha punët të jetë një person, sepse kjo mund të jetë vështirë të arrihet, por deshiroj që sunduesi i të gjithë myslimanëve të jetë Kur’ani, kurse feja të jetë shembull – model i bashkimit të tyre. (Xhemaludin Afgani).(1)

Ana perëndimore e botës u bë Perëndim

Periudha e shekullit trembëdhjetë dhe katërmbëdhjetë, sipas Hixhretit – llogaritjes Islame të kohës (shekulli XIX dhe XX sipas kalendarit gregorian) në komentimet e Kur’anit si dhe në shkencat tjera Islame ka sjellë ndryshime të mëdha deri më atëherë të papara. Ato ndryshime, gjithsesi kanë qenë pasojë e provokimeve dhe tronditjeve të thella politike, ekonomike, ushtarake etj., në kohën e depërtimit të Përendimit në botën tradicionale Islame në epokën e njohur me emrin e përgjithshëm: “Asrul – Istimar” (Periudha e Kolonializmit).

Në periudhat e ndryshme historike, të para shekullit XIX dhe XX, bota Islame shpeshherë ka pritur dhe përcjellë tallaze filozofike dhe ushtarake nga ana e botës përendimore (p.sh. dallga filozofike në formë të helenizmit grek dhe latin ose ushtarake në formë të fushatës së kryqëzatave). Megjithatë, ato dallgë kanë qenë të përkohshme, karakteristikë e të cilave ka qenë se ato kanë ardhur nga ana perëndimore siç kemi thënë në relacion të vendit Islam (Darul-Islam). Mirëpo, nga shekulli XIX dhe XX, në skenën botërore është Përendimi, dhe se bota Islamike do të ketë punë me Perëndimin, jo më perëndimin si botë, por me Përendimin si ideologji, doktrinë, strategji, kolonialistë dhe sunduesi ushtarako-ekonomik.(2)

Ky fakt ka sendërtuar ndikim të fuqishëm në komentimin e Kur’anit. Për herë të parë komentuesve myslimanë të Kur’anit dikush tjetër, dikush që është jashtë tyre dhe botës tradicionale të tyre, u diktoi në mënyrë të rreptë, tema të panjohura deri me atëherë në komentimin e Kur’anit.

Nëse tefsiri i periudhës klasike, si Tefsir i personifikuar me emrat: et-Taberij-(vd.923) ez. Zamahsheri (v.1144) er.Razi (vd.1209) Ibn Arabi (v.1240) Ibn Kethir (vd.1373)etj, është marrë me tematizimin e përmbajtjeve dhe planeve të shenjta dhe religjioze të fjalëve Kur’anore, qoftë kur ka të bëjë mbi tematizmin e Porosive Kur’anore përmes transmetimit të fjalëve të shenjta dhe veprave të Muhamedit a.s., shokëve të tij dhe gjeneratave të mëvonëshme ose që ka të bëjë me ndriçimin, komentimin dhe eksterialrizimin e teksteve të shënjta Kur’anore lidhur me gramatikën, sintaksën, semantikën, dogmatikën jurisprondencën, filozofinë etj. Tefsiri i shek. XIX dhe XX, gjithnjë e më tepër merret me ardhjen e Përendimit si sundues në botën tradicionale Islame, dhe ardhjen e ideologjisë perëndimore në vendet myslimane, si dhe me krizën ekonomike, politike, ushtarake, administrative, institucionale myslimane etj. Komentuesit klasikë të Kur’anit (p.sh. Taberiu Zemahsheri, er-Razi, Ibni Arabi, Ibni Kethir) në komentimet e tyre të Kur’anit kanë shpjeguar Fjalën e Zotit parimisht në përputhje me provokimet shpirtërore interne dhe personale të cilat i ka shtruar para komentatorëve në fjalë bota tradicionale Islame dhe jeta në të. Në shek. XIX e XX, me ardhjen e Perëndimit si sundimtar, ndryshmi i theksimit në tefsir është i dukshëm: Duke u marrë me përmbajtjet e shenjta Kur’anore dhe themelet e fesë Islame në Kur’an, tash, do të thotë gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe në shek. XX ai ngadalë, por sigurt, lëviz në ato lëmi dhe ato plane fetare të cilat në rend të parë merren me rregullimin e kësaj bote. Komentimi i tillë i Kur’anit është pasojë e faktit se intelektualët myslimanë në shek. XVIII e XIX, kanë përjetuar shok duke u bërë të vetëdijshëm se myslimanët e kanë humbur këtë botë. Tani është dashur të shpjegohet bota në një kontekst të ri, kontekst që nuk ishte primar i yni. Ndryshimin që këtu po e nënvizojmë mes komentimit klasik dhe bashkëkohor të Kur’anit, disa e quajnë komentim modern të Kur’anit, dhe vërehet që nga paraqitja e teksteve që merren me krizën shoqërore, politike, shtetërore, ekonomike, ushtarake, institucionale, dhe ekzistenciale të myslimanëve. Thënë shkurt, tefsiri i periudhës klasike myslimane, ka pasur kryesisht të dy botët stabile, këtë botë dhe botën e ardhshme. Tefsiri i periudhës klasike myslimane nuk është marrë, sidomos në plan të parë me shtetin dhe shoqërinë, ngase komentuesi klasik i Kur’anit, ka jetuar gjatë asaj kohe kryesisht në shtet dhe shoqëri stabile. Për dallim nga klasiku, komentuesi bashkëkohor i Kur’anit nuk e kishte stabil këtë botë, ajo për komentuesin modern të Kur’anit ishte lëkundur nga themeli. Komentuesi bashkëkohor i Kur’anit në rend të parë ishte i detyruar të merret me shtetin dhe shoqërinë, drejtësinë sociale, me çështjen e sovrantetit me marrëdhëniet e sovranitetit hyjnor dhe njërëzor, me çështjen e pushtetit dhe organizimin politik me anët ideologjike të botës (Përendimi përballë Lindjes) me pozitën e gruas në shoqëri, emancipimin e saj, me çështje e shekullarizmit, me problemet e prapambeturisë dhe të përparimit, me krizën e instucioneve etj. Derisa komentuesit klasikë të Kur’anit më tepër insistonin në moral dhe shpjegonin botën shpirtërore dhe shoqërinë e botës së ardhshme, në këtë mënyrë që për të zgjuar, ruajtur dhe shpëtuar fenë e muslimanëve, të cilët jetonin në shoqëritë stabile të Islamit tradicional dhe të kësaj bote, komentuesit bashkëkohorë e shpjegonin këtë botë, dhe angazhoheshin për të shpëtuar nga të gjitha krizat, kështu që në rend të parë për ta shpëtuar besimin dhe fenë e myslimanëve e me atë edhe identitetin kulturor e fetar dhe dinjitetin e tyre në këtë botë. Thënë shkurtimisht nga fundi i shekullit XIX zënë fill:

a) Tefsiri politik (et-Tefsirus-Siyasijj)

b) Tefsiri shoqëror (et-Tefsirul-ixhtimaijj)

c) Tefsiri tematik (et-Tefsirul-Mevduijj)

d) Tefsiri ideologjik (et-Tefsirul-Medhhebijj) Kurse me kalimin e kohës këtyre tefsireve do t’u bashkangjitet edhe:

e) Tefsiri shkencor (et-Tefsirul-ilmijj) përkatësisht komentimi shkencor i Kur’anit.

Natyrisht këto pesë lloje tefsiresh bashkohorë janë kryesore, e kurrsesi nuk janë llojet e vetme të cilat i ka lindur takimi i Përendimit dhe botës tradicionale Islame. Tefsiri bashkëkohor, në realitet mund të na shërbejë si literaturë e shkëlqyeshme për të kuptuar deri në çfarë mase Përendimi dhe botëkuptimi i tij “kanë ndryshuar fotografinë e gjakut” të komentuesve myslimanë të Kur’anit.

Si të definohet e kaluara kreative

Kur Përendimini në fund të shek. XIX dhe në fillim shek. XX politikisht dhe ekonomikisht e mundi botën tradicionale Islame, mendimtarët myslimanë, duke pyetur se ç’ka ndodhur në realitet, u përpoqën së pari të përgjigjen në pyetjet vijuese:

Cila është veprimtaria jonë e kaluar? Si shpjegohet ajo e kaluar në mënyrë efikase? Cili është kuptimi praktik në studimin e të ashtuquajturës “e kaluara e lavdishme dhe triumfale” e Islamit dhe myslimanëve?

Këto pyetje dëshmojnë së paku, për dy gjëra:

E para, depërtimi i Përendimit i ka detyruar myslimanët për t’u marrë me të kaluarën e tyre dhe të pyesin: ”Nëse e kaluara e jonë ka qenë e drejtë e besojmë se po, atëherë qysh Përendimi e mbizotëroi botën Islame, të kultivuar në të kaluarën e tillë të lavdishme”.

E dyta, marrja me të kaluarën i ka bindur myslimanët se tradita Islame në mënyrë kulturore dhe shpirtërore ka mbetur e gjallë përkundër humbjeve ekonomike dhe politike që ua ka shkaktuar Përendimi shoqërive myslimane. Pra, rezistenca intensive e myslimanëve, megjithatë gjatë shekullit XIX e XX përballë paraqitjes së përgjithshme të Përendimit, i ka pasur rrënjët e veta, në rend të parë, në fenë myslimane si kulturë dhe frymëzim i gjallë. Shumë mendimtarë myslimanë, duke shtruar pyetje në formë: “Çka duhet bërë, kanë shkruar vepra të çmueshme, të cilat sot i konsiderojmë materiale dhe teori të Islamit bashkëkohor (madje në shumë raste edhe moderne) dhe të komentimit bashkëkohor të Kur’anit. Ato vepra njëkohësisht janë tregues të çmueshëm se në çfarë mënyre intelektualët myslimanë janë përballuar me ideologjitë e shekullit XX. Një numër i mendimtarëve islamë me mendimet e tyre teorike kanë sendërtuar shëtitje të çmueshme ideore dhe interpretuese në të kaluarën myslimane. Kështu që kanë zënë fill vepra të shumta të shkruara në përputhje me “metodologjinë” (al-Awdah) – “e kthimit në të kaluarën e lavdishme të myslimanëve”, me qëllim për të ardhur deri te teoria dhe mësimet shpëtimtare për të tanishmen e mjerë myslimane dhe të ardhmën e pasigurt të tyre.(3)

Krahas “metodologjisë së kthimit”, e cila shkonte prapa në të kaluarën, ekzistonte edhe një numër i madh i mendimtarëve të cilët e konsideronin se myslimanët para së gjithash duhet të orientohen me fytyrë kah e tashmja dhe e ardhshmja dhe aty të kërkojnë material dhe mjete të përtëritjës së tyre (Texhdid). Përtëritja civilizuese dhe institucionale e myslimanëve, mund të jetë edhe nëpërmjet Europës dhe fryteve të saj në arsim, shkencë dhe kulturë, konsiderojnë shumë autorë myslimanë. Kështu ka lindur një literaturë e çmueshme përtrirëse, e orientuar kah ardhmëria.

”Reformë” (Islah) i unifikon si veprat e shkruara sipas metodës së “kthimit” ashtu veprat e shkuara sipas metodës së përtëritjes. Ata që i përmbahen metodës së “kthimit” e reformonin shoqërinë me material dhe zgjidhje nga e kaluara (triumfale e myslimanëve). Ata komentues të Kur’anit të cilët i janë përmbajtur metodologjisë së “përtëritjes” dhe reformës përpiqeshin të reformojnë dhe të përtërijnë civilizimin e shoqërisë Islame nga e tanishmja madje edhe nëse ajo pjesërisht është evropiane, përëndimore e që kjo do të thotë jomyslimane.

Në këtë trajtesë do të përmendim emrat dhe qëndrimet teorike të disa mendimtarëve myslimanë nga shekulli XIX e XX, të cilët janë marrë me çështjet e teorive shpëtimtare dhe çlirmtare. Shumica e këtyre mendimtarëve janë marrë me traditën (at-Turath) e të parëve shembullorë dhe protagonistëve klasikë të tyre (as-salef). Ndonëse në materialin Islam hasim deri te përgjigjet tejet elastike se çka është assalef, megjithatë të gjitha përgjigjet mund të sillen në mendimin e përgjithshëm të pranuar se katër shekujt e parë të Islamit e kanë dhënë korpusin kryesor të at-Turathit ose lëndën kryesor të traditës Islame, pas të cilave qëndron vula e të parëve shembullorë. (as-salafus-salihi) Gjenerata e shokëve të Pejgamberit (as-sahabe), pastaj gjenerata që pason ata (at-Tabiun) dhe gjenerata që e pason drejtpërdrejt këtë gjeneratë (tebeit-tabiin), andaj këto tri gjenerata përmbajnë vetë thelbin e “Selefus-salihëve”. Megjithatë, për selefus-salihun ka shumë probleme. Mund të themi nuk është e kontestueshme se shumica e myslimanëve i respektojnë gjeneratat e para shembullore të myslimanëve, por çështja është në atë se në çfarë mënyre do të mund të na ndihmojë praktika e atëhershme, neve myslimanëve të sotmë. Natyrisht, nuk duhet posaçërisht të nënvizohet se gjeneratat nga katër shekujt e parë të Islamit, nuk kanë qenë të vetëdijshëm për një status të tillë të quajtur “Es-selefus-salih” (të parët shembullorë). Një status të tillë ata do ta fitojnë veç pas shekullit të gjashtë, shtatë, madje pas edhe një mijë vjet. Për shembull në veprat e Ahmed Ibni Hanbelit (vd.855), të cilin sot e rradhitin në personalitetet qendrore të Selefit, është e pamundur të gjendet argument tekstual që ai është udhëhequr nga drejtimi ose është mbështetur në drejtimin ideor, të cilin ai do ta kishte emëruar me termin (Es-Selef).(4)

As Ibni Tejmijje (vd.1328) nxënësi i mevonshëm i Ahmed ibni Hambelit nuk e ka definuar në mënyrën gjithpërfshirëse termin “Selef” edhe pse shpesh e ka përmendur, madje nganjëherë në kuptimin e një drejtimit të vetëm të të menduarit sipas të cilit, gjeneratat e mëvonshme duhet t’i përshtatin të gjitha mendimet e tyre. Bashkëkohësi i ynë Ebu Zehre, në një libër të tij, vërteton se vetë Ibni Tejmijje në një vend e definon “ulemaus-selef” në mënyrën vijuese: “Dijetarët që i takojnë “selefit” janë ata që besojnë në Kur’an dhe për Kur’anin kanë mendim të tyre, mirëpo ata i kundërshtojnë të gjitha sektet Islame (më parë të përmendura).(5)

Me fjalë tjera sipas Ibni Tejmijje “selef” është metodë e të menduarit, përkatësisht të menduarit antisektar në Islam, e jo një grup njerëzish, i cili ka menduar me atë metodë, aq më tepër ai nuk ka qenë një medhheb i themeluar. Si do që të ketë qenë në shek. XIX e XX refor matorët, revivalistët, fondamentalistët, tradicionalistët, modernistët myslimanë të gjithë me rend, shumë shpesh kanë përmendur termin “selef” pak a shumë ngjashëm me kuptimet që janë sjellë nga ajo që “selef” shënon katër ose pesë gjenerata të myslimanëve, fjalëve, veprave dhe shembullit, të cilave duhet t’u përmbahemi. Pastaj se “selef” është një kohë dinamike, do të themi ajo kohë apo ajo periudhë e cila i ka mundësuar Islamit dalje të fuqishme në skenën botërore e deri të mendimi se termi “selef” dhe “selefijj” tregon në metodë specifike, e cila rreptësisht i përmbahet komentimit besnik të Kur’anit dhe Hadithit (sunetit) në mënyrë siç i kanë komentuar ato tekste dhe praktikën e cila kërkohet me ato tekste, gjeneratat e para myslimane. Për mendimtarin bashkëkohor sirian El-Butij. “es-Selefus-salih” si ndonjë medhheb i definuar nuk ka qenë asnjëherë. Ajo ka qenë vetëm një periudhë e bekuar në mendimin formativ Islam, siç thotë el-Buti, e kurrsesi medhheb (drejtim ose shkollë) “Es-Selefijjetu” merhaletun zemenijjeh mubarekeh la medhhebun islamijj.(6)

– vijon-

_______________________________

1. Xhemaludin el-Afgani “el-A’malul-kamileh”, përgatiti Muhamed Immareh, Kajro 1968.

2 Mbi ngritjën e Përendimit në krahasim me botën tradicionale Islamike kanë shkruar shumë autorë. Me këtë rast po e theksoj veprën e shkëlqyeshme të Marshallit G.S Hodgston: Rethinking World History, Cambridge University Press 1993, pastaj vepra: Muslims and the West, të cilat i redaktuan Zafar Is-hak Ansary dhe John L. Esposito,në botim të Islamik Research Institute, Islamabad dhe enter for Muslim-Christian Understanding, Georgetown University, Washington D.C, 2001. Po e veçojmë edhe orientalistin Benard Lewis i cili në librat e shumta të tij e ka përshkruar në mënyrën e vet ngritjen e Përendimit shif. p.sh. veprën e tij “Islam and the west” bot. Oxford University Press, New York 1993, si dhe veprën e tij “Muslim Discovering of Europe” Kaptinën e kësaj vepre Contact and impact e kemi përkthyer në gjuhën Boshnjake në publikimin me titull: ”Ljudska prava u konstekstu islamske – zapadne debate” (Të Drejtat njërëzore në kontekst të debateve Islame-Përendimore) bot. Pravni Centar Sarajevë 1996.

3 Veprat e Sejjid Kutbit, shpesh janë të shkruara në perputhje me metodologjinë e “Kthimit” në të kaluarën. Muhamed Reshid Rida, gjithashtu në fazën e fundit të jetës së tij intelektuale ka shkruar në përputhje me metodologjinë e “kthimit”.

4 Muhamed Salih el-Marakayshi1898-1935 Tefkir Muhamed Reshid Rida min hilal Mexhel-letil-Menar.

5 Cituar sipas Ebu Zehrës: Ibni Tejmiijeh: hajatuhu ve asruhu, arauhu ve fikhuhu bot. Darul-Fikril-arabijj Kajro.

6 Ky është nëntitull i librit: “Es-Selefijjetu” merhaletun zemenijjeh mubarekeh la medhhebun islamijj, i aut. Seid Ramadan el-Butij Damask, 1988.

Enes Kariq

Përktheu nga boshnjakishtja: Hajrullah Hoxha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit