1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Hixhreti, hapi që shënoi fillimin e epokës islame

Më të lexuarat

Ç’do të thotë Hixhri dhe cili është vendi i tij në Islam?

Viti Hixhri fillon me emigrimin e Muhamedit (a.s.) nga Meka në Medine. Shumë të dërguar të Allahut (xh.sh.) kanë pasur hixhretin e tyre, si Ibrahimi, Musai, Jusufi, Isai (a.s.), etj. Hixhreti i ka rrënjët që tek Ademi (a.s.) me zbritjen e tij në tokë dhe vazhdon gjithashtu tek vetë jeta e njeriut, e cila është një lloj hixhreti (emigrimi). Hixhreti i myslimanëve nga Meka në Medine shënohet si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë islame.

Pejgamberi (a.s.) u detyrua të braktisë vendlindjen, të cilën e kishte kapluar injoranca, pabesimi, dhuna dhe errësira. Kështu duhej të gjendej një vend më i përshtatshëm për të shtrirë rrënjët Islami. Bashkë me Pejgamberin emigruan të gjithë myslimanët, duke lënë pas shtëpitë dhe pasurinë e tyre, për një qëllim të vetëm, besimin islam. Ja kjo ishte sakrifica e tyre, që nuk ndërronin as mallin e pasurinë me Islamin. Kështu që emigrimi, hixhreti, paraqet kulmin e sprovës dhe sakrificës materiale. Hz. Muhamedi (a.s.) e zgjeroi edhe më shumë nocionin e hixhretit edhe nga ana shpirtërore, duke thënë: “Muhaxhir (emigrant) është kushdo që braktis çdo gjë që e ka ndaluar Allahu.” Emigrimi nga jeta me mëkate drejt asaj të pastër morale, etike dhe fetare, ky ishte Hixhreti, emigrim tek bota e pastër materialo-shpirtërore e Islamit.

Gjurmët që la Hixhreti tek brezat e myslimanëve janë të pashlyeshme. Sepse pikërisht me hixhretin nis epoka e lavdishme e themelimit të bashkësisë islame, e cila ishte e zhveshur nga paganizmi, idhujtaria, primitivizmi dhe injoranca. Me hixhretin bota hyri në kontakt me valën e re të Islamit, i përfaqësuar me madhështinë e tij të vërtetë, i çliruar nga të githa forcat e diskriminimit racor e klasor dhe me besimin në të Vetmin Zot, Allahun (xh.sh.) me të Cilin askush nuk është i barabartë. Kultura islame me hixhretin u bë e veçantë dhe e kompletuar, ndërsa ngjarjet e lidhura me këtë rast, do të jenë burim frymëzimi për myslimanët, për harmoni reciproke dhe vëllazërim islam. Pikërisht me hixhretin u ngrit dhe u zhvillua shteti islam i bazuar në Kuran dhe Sunet, i cili për një kohë të shkurtër e shpërndau drejtësinë islame në tre kontinente duke e bërë Islamin fuqinë kryesore shkencore e kulturore në botë.

Ishte pikërisht hixhreti që Islamin e bëri faktor botëror, ishte fillimi i një epoke të re dhe pikërisht për këtë arsye u vendos që kalendari islam të fillonte me këtë epokë, në të cilën fillon edhe mëvetësia e myslimanëve në vendimmarrje dhe zbatim të ligjeve hyjnore në parametra shtetëror dhe zyrtar, duke bërë të mundur bashkëjetesën midis kombeve të ndryshëm madje edhe të feve të ndryshme në zemër të shtetit, në Medine. Historiani francez Lamartin do të thoshte kështu: “…Muhamedi lëvizi nga vendi jo vetëm ushtritë, ligjet, perandoritë, popullatat, dinastitë, por edhe miliona njerëz të një të tretës së botës të njohur në atë kohë; për më tepër, ai lëvizi nga altarët idhujt, idetë dhe shpirtrat… ” Hixhreti është shenjë e jetës së gjallë, asaj krijuese dhe që shkon përpara, duke futur në lëvizje çdo mekanizëm të progresit dhe zhvillimit, duke lënë gjurmë të thella në histori. Prandaj për çdo mysliman kalimi dhe hixhreti nga viti i kaluar në vitin e ri hixhri, duhet të jetë një ripërtëritje e forcave dhe mendjes për të shkuar drejt së ardhmes të sigurtë nën gjurmët e Profetit Muhamed (a.s.) dhe me zemrat e mbushura me dashurinë Hyjnore.

Hixhreti nuk është vetëm material, por edhe shpirtëror. Duke qenë i tillë edhe ne duhet të bëjmë hixhret me veprat tona, nga ajo me gabime dhe gjynahe, drejt ideales, drejt botës së pastër morale, duke lënë pas vitet që na shkuan si gjurmë mësimdhënëse. Hixhreti ka lindur shtetin e parë të lirisë, të ligjeve dhe të kushtetutës, ka lindur burra shteti të cilët pasuan denjësisht Profetin (a.s.), si Ebu Bekri, Umeri, Osmani dhe Aliu (r.a.).

Viti i Ri Hixhri duhet të jetë një ripërtëritje e besimit në zemrat tona, e aspiratave mbarëbotërore dhe të atyre kombëtare shqiptare, për të arritur më të mirën, më të bukurën dhe më të dashurën për Allahun (xh.sh.), për të arritur kështu premtimin që i kemi dhënë Zotit, duke përmbushur aspiratat tona si besimtarë myslimanë, për të dhënë kështu shembullin e njeriut ideal në shoqërinë e shek. XXI./DI/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit