-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Çfarë na rrëfen një vakëfname

Më të lexuarat


Burimet arkivore janë lënda e parë e historianit, i cili përmes regjistrimeve të tilla që gjenden në fondet e ruajtura prej arkivave të ndryshme, arrin të ndërtojë një panoramë të shoqërisë, ekonomisë, politikës, kulturës, fesë dhe elementëve të ndryshme për periudhën që po studion.

Ndonjëherë mjafton vetëm një dokument i vetëm për t’i mbledhur së bashku të gjitha këto fusha të ndryshme.

Për ta ilustruar këtë aspekt po analizojmë një vakëfname të përpiluar në qytetin e Beratit në fillim të shek. XVIII.

E përmendur në burime dhe literaturë si vakëfname (vakufname) ose vakfije, termat në fjalë i referohen një dokumenti zyrtar e me karakter juridik që përpilohej prej kadiut në rastin kur themelohej një vakëf. Teksti në fjalë hartohej me kërkesë të personit që po ngrinte një institucion bamirësie, aprovohej përmes dëshmisë që jepnin individët e pranishëm gjatë ndërmarrjes së kësaj nisme, dhe siglohej prej kadiut, i cili e shënonte ngjarjen edhe në regjistrat zyrtare duke e bërë të ligjshëm themelimin e institucionit të bamirësisë në fjalë. Ndonëse vakëfi ishte një nismë private, statusi ligjor i tij njihej prej shtetit dhe ishte i paprekshëm për sa kohë që ky institucion vepronte konform kushteve të përcaktuara prej vakëflënësit në dokumentin themelues, pra në vakfije.

Me qëllimin për të ilustruar se çfarë ishte një vakfije, por edhe të dhënat që i përcjell studiuesit si dokument arkivor, këtu do të paraqesim vakëfnamenë e zonjës Aishe nga qyteti i Beratit, e cila, në vitin 1669 linte vakëf shumën e 100 000 akçeve për shpenzimet e medresesë dhe daru’l-kurrasë që ajo kishte ndërtuar së bashku me të shoqin, Sali Beun. Dhënia e plotë e tekstit këtu, do të ishte jashtë përmasave të këtij shkrimi, prandaj po paraqesim shkurtimisht të dhënat bazike që paraqet dokumenti. Kështu, Aisheja figuron si e bija e Mahmud Pashës dhe ishte martuar me Sali Beun, edhe ky djalë i Hasan Pashës. Të dy bashkëshortët kishin ndërtuar një medrese me nëntë dhoma dhe një klasë mësimi si dhe një shkollë të mësimit të Kuranit (Daru’l-kurra) në afërsi të xhamisë së Hysen Pashës në qytetin e Beratit. Në vakëfnamenë e përgatitur pranë kadiut të Beratit, përfaqësuesi i zonjës Aishe deklaronte përpara dëshmitarëve se bamirësja në fjalë dhuronte shumën e mësipërme si vakëf monetar, një pjesë e së cilës do përpunohej për të sjellë të ardhura për vakëfin në fjalë, ndërsa pjesa tjetër do të përdorej për pagesat dhe nevojat e objektit arsimor që ajo kishte ngritur me të shoqin.

Duke hapur një parantezë, duhet të theksohet fakti se bashkëshortët në fjalë kanë përpiluar edhe dy vakfije të tjera (njëra sërish prej zonjës Aishe në shumën e 75 000 akçeve, ndërsa tjetra prej Sali Beut në vlerën e 80 000 akçeve) për të njëjtin institucion arsimor, por ne do të ndalemi vetëm në vakfijen e parë.

Pa u futur në detajet më teknike të dokumentit, këtu është me vlerë të përmenden informacionet që ai përmban për studiuesin, aspekte të cilat po i përmbledhim shkurtimisht më poshtë:

Së pari, vakëfnameja e mësipërme na tregon se cilat ishin kategoritë shoqërore që ngrinin edhe vakëfet e mëdha, të cilat përballonin nevojat kryesore të shoqërisë por edhe transformonin mjedisin urban. Nga studimet e kryera në lidhje me këtë temë, vërehet se ishin familjet e pashallarëve, të tregtarëve, të ushtarakëve e dijetarëve ata që ngrinin vakëfe. Domethënë shtresat drejtuese dhe paria e qyteteve. Edhe në rastin e mësipërm, si Aisheja ashtu edhe i shoqi, Saliu, mësojmë se janë fëmijë pashallarësh, pra pjesë e elitës së qytetit. Në rastin konkret, duket se martesat midis familjeve të mëdha kanë siguruar edhe mbrojtjen e pozitave të tyre politike e ekonomike.

Elementi i dytë që nxjerr në pah dokumenti ka të bëjë me fushëveprimin e vakëfeve. Kështu, objektet e rëndësishme që formësonin peizazhin urbanistik të qyteteve dhe fshatrave ndërtoheshin prej këtyre institucioneve të bamirësisë. Vetë fakti se objektet e kultit, institucionet arsimore por edhe urat, hanet, çezmat e rrugët kryesisht përmenden me emrat e njerëzve ose të grupeve që i kanë ndërtuar, e dëshmon qartë faktin se ato u ndërtuan prej këtyre institucioneve të bamirësisë. Parë nga ky këndvështrim, vakëfet na dalin përpara si faktorët kryesorë të zhvillimit urban gjatë periudhës së sundimit osman. Kështu, në rastin e bashkëshortëve, duket se kontributi i tyre i bamirësisë ka konsistuar në sistemin arsimor, ku medresetë ishin institucionet më të larta arsimore të kohës dhe kishin programe të gjera studimi që varionin nga fushat e teologjisë në ato të shkencës, logjikës dhe elokuencës.

Së treti, dokumenti i mësipërm na tregon potencialin ekonomik që kishte shoqëria e kohës në përgjithësi dhe familjet e pasura në veçanti. Kështu, një familje e rangut të lartë siç ishin dy bashkëshortët e mësipërm, kishin potencial ekonomik sa për të lënë vakëf një shumë të konsiderueshme që arrinte në vlerën e 250 000 akçeve. Ekzistenca e familjeve të tilla të pasura gjallëronte edhe jetën ekonomike të zonave urbane ku ata jetonin. Në rastin konkret, Berati ishte njëra prej qendrave më të rëndësishme ekonomike e kulturore shqiptare gjatë shek. XVII-XVIII.

Përveç elementëve politikë, ekonomikë dhe urbanistikë që na rrëfen dokumenti, në vakëfname na tërheqin vëmendjen edhe disa aspekte të karakterit shoqëror, kulturor e juridik. Ndonëse në periudhën në fjalë jeta e gruas ishte tejet e limituar në kontekstin shoqëror, gjë e cila del në pah edhe prej faktit se bamirësja Aishe nuk paraqitej vetë në gjykatë, por përfaqësohej prej një të afërmi të saj, nga ana tjetër është shumë domethënës fakti se brenda jetës bashkëshortore ajo kishte të drejtën e administrimit të pasurisë që kishte. Kjo vërtetohet prej faktit se dhurimet që kanë bërë bashkëshortët, nuk janë të përbashkëta, por secili ka dhuruar në emër të tij. Ky element është tejet i rëndësishëm dhe na bën të kuptojmë se gratë e kohës gëzonin njëfarë autonomie ekonomike ku mund ta administronin dhe përdornin sipas dëshirës pasurinë që kishin fituar ose trashëguar.

Rasti i mësipërm e ilustron më së miri se si jeta politike, ekonomike, kulturore, urbanistike e shoqërore e një qyteti, gjendet e pasqyruar në një dokument të vetëm. Ky aspekt e vërteton qartësisht rëndësinë që kanë burimet arkivore në zbulimin e të shkuarës historike të vendit tonë, por edhe nevojën e madhe që këto burime të shfletohen sa më shpejt prej studiuesve të periudhës.

Literatura:

1. Arkivi Qendror Shtetëror i Republikës së Shqipërisë (AQSH), Fondi 128 (Koleksion i sherieve të vilajetit të Janinës), Dosja 10.

2. Osmanl? Dönemi Rumeli Para Vak?flar?, C. IV, Ed. Mehmet Bulut, Istanbul: Erkam Yay., 2019, f. 30-35.

3. Eduart Caka, Vakëfet dhe ndikimi i tyre social në Shqipërinë e periudhës osmane, Tiranë: Akademia e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, 2021, f. 442-445.

Dr. Eduart Caka

Dituria Islame 382

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit