-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Sixhilatet e kadiut osman si burim i dorës së parë për historishkrimin e qyteteve shqiptare

Më të lexuarat


(Shembulli i Manastirit)

Hyrje

Kushtetuta me të cilën udhëhiqej Perandoria Osmane, për bazë kishte dy komponentë kryesorë: legjislacionin (Sheriatin) islam dhe traditën e popullit, ndërsa administrata e Perandorisë Osmane ishte e ndërtuar nën sloganin e “Drejtësisë”1 dhe përgjegjësia kryesore respektivisht, mbikëqyrësi i drejtësisë ishte vetë padishahu, i cili përfaqësonte autoritetin e të drejtit. Ndarja e kësaj drejtësie bëhej përmes institucionit të gjykatës, e që përfaqësoheshin nga eminentët që në literaturë njihen si kadinjë.

Kadiu, i cili përzgjidhej për ta ndarë drejtësinë në qytetin e Perandorisë dekretohej me Berat nga ana e padishahut osman.2 Kadiu osman drejtonte të gjitha çështjet e juridiksionit islam në kaza, që nënkupton se mbikëqyrte dhe merrte vendime për të gjitha mosmarrëveshjet e mundshme ndërmjet qytetarëve, sikur bie fjala: ai mbikëqyrte kontratat e shitblerjes, me kërkesën e qytetarëve bënte kurorëzime dhe shkurorëzime, ruante pasurinë e fëmijëve që mbeteshin pa prindër në moshë të re dhe kur ata arrinin moshën e pjekurisë (bulûg), ua ndante pasurinë në pjesë të barabarta, përkujdesej për çmimet e artikujve në tregje, si dhe kumtonte të gjitha urdhrat dhe kërkesat që vinin nga qendra e Perandorisë drejtuar popullatës se qytetit ku ai ishte nëpunës, që nënkupton se ai kishte autoritetin e kryetarit të komunës së sotme.3



Faksimil nga sixhili i Manastirit

Te gjitha lëndët e përpunuara nga kadiu osman ruheshin në deftere të veçanta të cilat njihen si ?er’iyye Sicilleri, e që edhe në literaturën e historisë shqiptare njihen si sixhile apo sixhilate, ndërsa gjuha në të cilën janë të shkruara sixhilet është osmanishtja, me llojin e shkrimit Ta l i k i thyer, Divani dhe Siyakat, 4 shkrime të cilat gjatë leximit sjellin shumë telashe.5

Sixhilet e kadiut veq rëndësisë juridike të kohës që kanë, ato në vete përmbajnë edhe informacion të dorës së parë për sa i përket administratës osmane të kohës, jetës sociale, ekonomike dhe kulturore dhe si të tilla janë burimi i parë për historinë e qytetit të kohës osmane. Këto dokumente të hartuara nga ana e kadiut, karakterizohen me të dhëna të detajuara për lagjet, shkëmbimin e shkresave/urdhëresave mes qytetit dhe qendrës se Perandorisë, kërkesat dhe ankesat e ndryshme të banorëve vendas. Me një fjalë, përmes këtyre shkresave mund të krijojmë një pikëpamje të saktë të jetës së një qytetari osman në atë kohë. Në anën tjetër, në këto regjistra të kadilerëve gjejmë edhe të dhëna të detajuara të sistemit komunal, tatimorë (vergi), prodhimtarisë bujqësore, sëmundjet e kohës dhe jetën e familjes shqiptare në përgjithësi,6 pa përjashtuar edhe dekretet e lëshuara nga qendra e Perandorisë osmane drejtuar qytetarëve të zonës në fjalë, sikur janë Fermanet, Beratet, etj.

Vendimet e kadiut lëshoheshin sipas kërkesës së qytetarit, andaj edhe në terminologjinë e juridiksionit osman janë të njohura me terme të veçanta. Në kuadër të këtyre vendimeve më së shumti hasen vendimet që njihen si Hyxhxhet (Hüccet), të cilat për nga struktura janë vendime të lëshuara nga ana e kadiut osman dhe kryesisht kanë një tekst të shkurtër, ku është përshkruar kërkesa e palëve dhe në fund janë emrat e dëshmitarëve prezent gjatë aktit të regjistrimit të ngjarjes në

fjalë.7 Zakonisht tematika e këtyre vendimeve prej hyxheti ka lidhje me shitblerjet, kurorëzimet, shkurorëzimet, mehrin (dhurata martesore), donacionet, marrëveshje bashkëpunimi, marrëveshje paqeje etj.. Si lëndë tjetër, e të cilat nuk janë të pakta janë Ilamet (I’lamlar), në të cilat gjejmë të ruajtur lëndën e akuzuesit, gjegjësisht ankuesit, më pas shohim se është dëgjuar pala e akuzuar karshi akuzës dhe krejt në fund kemi vendimin e gjykatësit, i cili shoqërohet me emrat e dëshmitarëve apo shahidëve.8 Ndërsa në numër më të vogël gjejmë edhe Myraselet (Müraseleler), të cilat janë dokumente zyrtare që i drejtoheshin punonjësve të cilët ishin nën urdhrat e kadiut.9 Po ashtu Fermanet, të cilat ishin dekrete që lëshoheshin nga ana e padishahut për qëllime të caktuara; sikur marrja e kompetencave të ndonjë punonjësi apo ndërrimin e vendit të shërbimit, si dhe në raste kur merrej ndonjë vendim që kishte përmasa lokale të qytetit dhe qytetarëve.10 Ndërsa Bujuruldut (Buyuruldu), janë vendime dhe urdhëresa të lëshuara nga ana e kryeministrit (sadriazamit) drejtuar ministrit (vezirit), Bejlerbejit, komandantit detarë (Kaptan-i Derya), kadiut apo ushtarëve.11 Temessuket (Temessük), janë dokumente të cilat më vonë u emërtuan si tapi të cilat dëshmonin pronësinë e pasurive.12

Ajo që ia shton edhe më shumë vlerën hulumtimit të sixhileve të kadiut, pa dyshim që janë edhe emrat e njerëzve, qyteteve, fshatrave, lagjeve, fiseve dhe xhemateve, të cilat kanë një vlerë të veçantë për historinë e gjuhës shqipe, dhe njëkohësisht japin mundësi të nxirren përfundime me shumë interes mbi anën etnike, veçanërisht mbi gjendjen e elementit shqiptar në këto qytete gjatë periudhës së sundimit osman.

Gjykata e Manastirit dhe sixhilatet

Më 1385, atëherë kur edhe themelohet Bejlerbejliku apo Ejaleti i Rumelisë i cili më vonë do të njihet me emrin Vilajet, hapësira e Maqedonisë Veriore të sotme bëhet pjesë e kësaj administrate të zgjeruar dhe sipas kësaj Manastiri ishte pjesë administrative e Pasha Sangjakut deri në shek. XIX.13 Sipas të dhënave që na ofron seyahatnameja e Evlija Çelebiut, në gjysmën e dytë të shek. XIX, Gjykata e Manastirit kishte në administrim Sanxhakun e Kërçovës, Elbasanit, Gostivarit, Dibrës, Resnes, Florinës, Prilepit, Ohrit dhe 360 fshatra.

Numri i sixhileve të identifikuara të qytetit të Manastirit është 185, të cilat përfshinë një interval kohor të regjistrimeve prej 306 vjetësh, respektivisht sixhili i parë mbanë datën 1621 dhe i fundit 1927. Mikrofilmet e sixhileve të Manastirit gjenden në Arkivin Shtetëror të Maqedonisë dhe në Bibliotekën Qendra për Hulumtime Islame në Stamboll (Islam Arastirmalari Merkezi- ISAM). Ne në këtë prezantim kemi marrë për bazë disa vendime nga defteri i sixhileve të Manastirit me nr. 07., defter i cili është punuar si temë masteri nga ana e Nexhati Çayirli ne Universitetin Ege në ?zmir të Turqisë në vitin.14 Ky defter i takon vitit 1031-1032 hixhri dhe 1621-1623 sipas kalendarit miladi. Ka 1182 lëndë të ndryshme, të cilat janë trajtuar në gjykatën e Manastirit dhe për tematikë kanë problemet ditore të qytetarëve të Manastirit dhe fshatrave përreth.

Për sa i përket larmisë së tematikave të lëndëve, apo vendimeve që janë marrë nga kadiu i Manastirit gjatë kësaj kohe, shohim se ato janë të natyrave ekonomike, fondacioneve/vakëfet, problemeve familjare, ushtrisë, rrahje, plagosje, veprave penale-krime, pa u anashkaluar edhe lëndët e shumta të trashëgimisë. Nga 675 vendime të kadiut sa janë në këtë defter, 140 kanë të bëjnë me shitblerje, 407 huamarrje dhe borxhe, 73 me tatime shtetërore dhe 265 me çështje vakëfnore.

Siç edhe dihet, hapësira shqiptare e periudhës osmane karakterizohej me multikulturalizëm. Respektivisht duke qenë se në këto zona nënshtetasit osman i takonin besimeve të ndryshme, edhe bashkëpunimi i tyre ne jetën e përditshme ishte i patejkalueshëm. Kjo vjen edhe si rezultat i qytetërimit osman, i cili është ngritur mbi themele të juridiksionit islam, ku e drejta e jetës dhe e besimit është e garantuar me ligj. Ky bashkëpunim dhe kjo bashkëjetesë shpërfaqet mjaft mirë edhe në dekadën e dytë të shekullit XVII. P.sh. në lëndën me nr. 749: të sixhilit të Manastirit thuhet se është bërë Muhamedi ia ka kërkuar 3 akça (grosh) Salamonit nga hebrenjtë (Jahudi)

dhe Salamoni po ashtu ka premtuar se do t’ia dhuroj 3 akçet (groshët) Muhamedit. Madje, huadhënia nganjëherë tejkalonte edhe kufijtë e Manastirit, sikur bie fjala me lëndën me nr. 796, i cili flet mbi një huadhënie të një nënshtetasi osman me emrin Ridvan, i biri i Osmanit me banim Stamboll. Ky, para zyrtarit të gjykatës dëshmon se 80 000 akça (grosh) i ka dhënë pastorit, i cili më herët kishte qenë patrik i Ohrit me emrin Barkilos. Ndërsa për garantues të borxhit janë regjistruar dy pastorët, Danieli dhe Xhozefi.

Në këto regjistrime zyrtare nuk mungon as elementi gjinor, ku zonjat shfrytëzonin të drejtën e trashëgimisë dhe të drejtën e menaxhimit me pasuritë e tyre dhe të familjeve të tyre, sikur bie fjala me zonjë Aijshe, banuese në lagjen Nexhip Bej. Ajo ka shkuar te zyra e kadiut dhe ka deklaruar për shitjen e pjesës (hises) së saj, e cila ishte pjesë e çitftlikut të cilin e kishin trashëguar bashkë me vëllain, i cili para pak kohësh kishte ndërruar jetë. Në fund të kësaj lënde kemi edhe dëshminë e blerësit të çiftlikut, Hasan beut, i cili ishte edhe Sipahi. Kështu, nga kjo formë e lëndës me nr. 8383, shohim se kemi të bëjmë me një lloj noterizimi, i cili legalizon shitblerjen.

Siç u citua edhe më lartë, kadiu ishte i thirrur për të ndarë drejtësi dhe si i tillë edhe dera e tij duhej të ishte e hapur për çdo qytetarë të kazasë ku ai shërbente. Ai duhej t’i zgjidhte edhe çështjet e dhunës në familje. Një lëndë e karakterit të dhunës në familje është regjistruar pas ankesës së një zonje të besimit të krishterë me emrin Elina. Në këtë lëndë me shumë pak detaje thuhet se, “i është tërhequr vërejtja Stojkos, që mos të ushtroj dhunë (presion) ndaj rejës së tij, Elina”. Një rast dhune është regjistruar edhe në lëndën me nr. 250. Sipas kësaj, haxhi Ahmedi ushtron ankesë ndaj gjyshit të tij, Hasanit me pretekstin se është rrahur nga ky i fundit. Për të verifikuar pretendimin në fjalë gjykata kishte dërguar një zyrtar dhe pas kësaj Hasani, i ishte nënshtruar kërkesave të zyrtarit.

Fakti që për këto dy raste të dhunës në familje gjykata nuk kishte shqiptuar ndonjë dënim, mund të vijmë në përfundim se, zyrtarët e drejtësisë i kishin dhënë përparësi zgjidhjes së problemeve nëpërmjet marrëveshjeve në mes familjarëve konfliktuoze.

Në kuadër të kompetencës së kadiut ishte edhe ruajtja e të drejtave të grave të shkurorëzuara. Një rasti i tillë shpërfaqet me rastin e zonjës Ummi, e cila në prani të dëshmitarëve kishte lidhur kurorën me Ahmed Çaushin dhe për shkaqe të panjohura (pasi që nuk është e cekur në këtë lëndë) ishte shkurorëzuar nga ky i fundit. Mirëpo ish-bashkëshorti i saj nuk ia kishte dhënë dhuratën e martesës (mehr-i muexhxhel).

Me këtë rast, kadiu nxjerr vendimin e prerë për pagesën e dhuratës martesore prej 600 groshësh.

Konkluzion

Historishkrimi i jetës sociale, ekonomike dhe politike i qyteteve shqiptare gjatë periudhës së sundimit osman është i varur nga dokumentacioni zyrtar i hartuar nëpër këto qytete, dhe njëri ndër fondet më të besueshme për historishkruesit e qyteteve është fondi i defterëve të kadinjëve të njohura si

sixhilate. Informacioni që përbënë këta defterë është i larmishëm dhe si i tillë jep mundësi të trajtohen edhe problemet më të vogla familjare, siç është rasti me dhunën në familje, shitblerjen, huamarrjen dhe copëza tjera të përditshmërisë së një qytetari shqiptar dhe jo vetëm të kohës.

Historiografia shqiptare si dhe institucionet kërkimore shkencore të hapësirës shqiptare, akoma nuk ia kanë dalë të kenë një plan për ndriçimin e jetës socio-ekonomike të qyteteve dhe fshatrave shqiptare gjatë periudhës së sundimit osman. Për rezultat, studiuesit që trajtojnë historinë e qytetit shqiptar dhe që nuk janë njohës të gjuhës osmane, obligohen që të përdorin referenca të dorës së dytë, apo edhe legjenda.

___________________________

1. Halil Inalcik, The Ottoman Empire: The Classical Age, 1300-1600, London: Weidenfeld and Nicolson 1973, f. 89-93.

2. lber Ortayli, Hukuk ve idare Adami Olarak Osmanli Devleti’nde Kadi, Ankara 1994. ,f.12-13.

3. Halil Inalcik, – Joseph Schacht, “ Mahkeme “, Islam Ansiklopedisi, Volumi. VII., Milli Egitim Basimevi, Istanbul 1993.

4. Në osmanisht kemi 6 lloje shkrimesh të cilat janë të stileve të ndryshme dhe që janë përdorur në periudha të caktuara.

5. Ahmet Akgunduz, ?er’iyye Sicilleri, Istanbul 1988, f. 18

6. Zulfiye Kocak, Jurnal of the Human and Social Science Researches ”Introduction and the list of 1017 (AD 1608) Serizze Records of Azntab City” f. 172.

7. Po aty, f. 21.

8. Po aty, f. 12.

9. Abdulaziz Bayindir, Islam Mahkeme Hukuku, Istanbul 1986, f. 30.

10. Agron Islami, “1579 Numarali Rodosçuk ?er’iyye sicilinin Transkripsiyonu ve Degerlendirmesi’’,Sakarya Turkiye, 2010, f.269.

11. A. Akgunduz, po aty, f. 44.

12. A. Akgunduz, po aty, f. 48.

13. Gokbilgin M. Tayyip “Kanuni Sultan Suleyman Devri Ba?larinda Rumeli Eyaleti, Livalar, ?ehir ve Kasabalar”, Belleten, C. 20, Ankara, 1956.

14. Necati Çayirli, Manastir’in 2 numarali ?er’iyye Sicili (1621-1623), Ege Universitesi, Sosyal Bilimler Enstitusu Turk Tarihi Ana Bilim Dali, Izmir.

Prof. ass. dr. Agron Islami

Dituria Islame 382

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit