4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Pse kaq i rëndësishëm 10 ditëshi i Dhul Hixhes?

Më të lexuarat

Pyetja:

Kemi dëgjuar se veprat e mira që bëhen në dhjetëditëshin e parë të muajit Dhul Hixhe kanë një vlerë shumë të madhe, madje edhe më të madhe se veprat e mira që kryen në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. A mund të na përmendi konkretisht, mbështetur me argumentat përkatëse, realitetin e vlerës apo mirësisë së veprës së mirë që bëhet gjatë këtyre ditëve?

***

Përgjigjja:

Vlera e 10 ditëve të para të Dhul Hixhes

Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ.

Dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe, mbarojnë me ditën e Festës së Kurban Bajramit dhe paraprijnë me nëntë ditët para kësaj dite.

Fillimisht na duhet të hedhim dritë mbi faktin se juristët muslimanë me termin “vepër e mirë” nënkuptojnë çdo gjë që është urdhëruar nga Allahu i Madhëruar në formë detyrimi ose pëlqyeshmërie.

Vepër e mirë konsiderohet çdo vepër përmes së cilës synohet afrimi tek Allahu, me kushtin që (së pari) kryerësi i saj të jetë musliman, (së dyti) kjo vepër të jetë sheriatikisht e ligjëruar (urdhëruar ose e pëlqyer), pra t’i përmbahet normave juridike islame dhe (së treti) të jetë me nijet / qëllim të saktë, pra të synohet me të fitimi i kënaqësisë së Allahut të Madhëruar (në rastin e adhurimeve, synimi i kryerjes së tyre duhet të jetë tërësisht për kënaësi të Allahut). Madje juristët muslimanë kanë theksuar se në termin “vepër e mirë” hyjnë edhe veprat mubah (veprim i lejuar sheriatikisht), por që falë pasurimit me qëllimin e mirë e të saktë, bëhet vepër e shpërblyeshme, si p.sh.: gjumi dhe ushqimi me qëllimin e forcimit për kryerjen e adhurimeve, apo marrëdhëniet seksuale bashkëshortore me qëllimin e ruajtjes së nderit etj.

Ndërsa mirësia madhështore e këtij dhjetëditëshi dhe veprave të mira në të, spikatet qartë në dy burimet kryesore ligjore islame, si vijon :

Burimi i parë: Kurani dhe vlera e 10-ditëshit të parë të Dhul Hixhes

Së pari: Allahu i Lartësuar është betuar në këto dhjetë ditë në Kuranin fisnik, e Allahu betohet vetëm në çfarë është e madhërishme, duke thënë: “Betohem për muzgun e agimit dhe për dhjetë netët (dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixhe)! Betohem për çiftin dhe tekun!” (Fexhr: 1-3).

Shumica e komentuesve të Kuranit janë të mendimit se me dhjetë netët e këtushme bëhet fjalë për 10 ditë-netët e para të Dhul Hixhes (përfshirë dijetarin e shquar Ibn Kethirin, i cili thotë se ky është mendimi i saktë). [1]

Kurse në lidhje me transmetimin që përcaktohet tek Profeti ﷺ se ai ka thënë: “Dhjetëshja (e përmendur në ajetet e para të sures Fexhër) janë dhjetëshja e (parë e) Kurbanit (muajit Dhul Hixhe), teku është Dita e Arafatit dhe çifti është Dita e Kurbanit.” [2]

Së dyti: Këto ditë, falë mirësisë së madhe dhe pozitës së lartë të tyre, janë emërtuar si Ditët e Caktuara, në të cilat ligjërohet bërja e dhikrit (përmendjes së Allahut), bazuar në thënien e Allahut të Lartësuar: “Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta, që të dëshmojnë dobitë e tyre dhe të përmendin Emrin e Allahut në Ditët e Caktuara…” (Haxh: 27-28); shumica e dijetarëve (përfshirë Ibn Umerin dhe Ibn Abasin) thonë se ditët e caktuara në fjalë, janë 10 ditët e para të Dhul Hixhes. [3]

Po kështu shumica e komentuesve të Kuranit janë të mendimit se janë pikërisht këto ditë të caktuara, ato që përmenden në thënien kuranore: “Ne i premtuam Musait se do t’i flisnim pas tridhjetë netësh, të cilat ia shtuam edhe me dhjetë të tjera…” (Araf: 142) ashtu që Musai (paqja qoftë mbi të) e priste takimin ku do të fliste me Zotin gjatë gjithë muajit Dhul Ki’ade dhe më pas kësaj kohe iu shtua nga Allahu i Madhëruar edhe një dhjetëditësh tjetër, për t’iu realizuar kështu takimi me Zotin e tij në ditën e Kurbanit, pas dyzetë ditësh, gjatë të cilave ai (paqja qoftë mbi të) e adhuroi Allahun në pritje të zbritjes së Shpalljes.

Burimi i dytë: Tradita Profetike dhe vlera e 10-ditëshit të parë të Dhul Hixhes

Së pari: Këto ditë kanë marr dëshminë profetike se janë ditët më të mira të dynjasë dhe vepra e mirë në to është më e dashura, më e dëlira, më e shpërbyeshmja dhe më e vlerësuara tek Allahu i Madhëruar;

Sa në fjalë bazohet në thëniet profetike në vijim:

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ditët me të mira të dynjasë janë Dhjetë Ditët (domethënë dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes).” I thanë: “A nuk janë sikurse ato, (ditët që shkohen) në rrugë të Allahut (në xhihad)?” Tha: “Nuk janë si ato në Rrugë të Allahut, përveç (rastit të) një burri që e zhgërryen fytyrën në dhe (lufton me përulësi dhe nënshtrim të plotë ndaj Allahut).” [4]

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka ditë më të mira tek Allahu sesa dhjetë ditët e (para të) Dhul Hixhes.” Një burrë i tha: “O i Dërguar i Allahut, ato janë më të mira, apo barasvlera e tyre xhihad (përpjekje e armatosur) në Rrugë të Allahut?” Ai ﷺ tha: “Ato janë më të mira se barasvlera e tyre xhihad në Rrugë të Allahut, përveç (rastit të) një zhgërryesi që e zhgërryen fytyrën e tij në dhe (lufton me përulësi dhe nënshtrim të plotë ndaj Allahut).” [5]

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka ditë ku vepra e mirë të jetë më e dashur tek Allahu i Lartmadhëruar sesa në këto ditë (dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes).” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, as edhe xhihadi (përpjekja e armatosur) në Rugë të Allahut?!” Ai ﷺ tha: “As edhe xhihadi në Rrugë të Allahut, përveç një personi që del (në Rrugë të Allahut) me veten e tij dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me diç prej kësaj (bie dëshmor në Rrugë të Allahut dhe pasuria e tij shpenzohet e gjitha në Rrugë të Allahut).” [6]

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka vepër më të dëlirë tek Allahu dhe me më shumë shpërblim sesa një e mirë që (muslimani) e bën në Dhjetëshen e Kurbanit (Dhul Hixhes).” I thanë: “As edhe xhihadi (përpjekja e armatosur) në Rugë të Allahut?!” Ai ﷺ tha: “As edhe xhihadi në Rrugë të Allahut, përveç një personi që del (në Rrugë të Allahut) me veten e tij dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me diç prej kësaj (bie dëshmor në Rrugë të Allahut dhe pasuria e tij shpenzohet e gjitha në Rrugë të Allahut).” Said Ibn Xhubejri (tabi’ini kategorikisht më i ditur, që i përket gjeneratës pas sahabëve / shokëve të Profetit ﷺ) kur hynte Dhjetëditëshi (i parë i Dhul Hixhes) përpiqej aq fortë sa thuajse nuk mund të përballohej. [7]

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka ditë në të cilat vepra të jetë më e vlerësuar (e mirë) sesa në Dhjetëditëshin (e parë të Dhul Hixhes).” I thanë: As edhe xhihadi (përpjekja e armatosur) në Rugë të Allahut?!” Ai ﷺ tha: “As edhe xhihadi në Rrugë të Allahut.” [8]

Pra vepra e mirë që bëhet në këto ditë, është më e mirë se po kjo vepër nëse bëhet jashtë këtyre ditëve. Madje vepra më pak e mirë që bëhet në to, është më me vlerë edhe se një vepër më e mirë se kjo e para, por që bëhet jashtë këtyre ditëve. Kjo sepse këto ditë përbëjnë një prej sezoneve më madhështore të adhurimit. Prandaj shumë dijetarë muslimanë janë shprehur se këto ditë dhe veprat që bëhen në to, janë më të mira edhe se ato të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit pa netët e tyre (pasi në këto netë të Ramazanit gjendet Nata e Kadrit, ku vepra e mirë e bërë është më mirë se vepra e mirë e 1000 muajve në të cilët nuk gjendet Nata e Kadrit). [9]

Vepër më e mirë se ajo që bëhet në këto dhjetë ditë, mund të jetë vetëm ajo e një personi që del në xhihad (përpjekje të armatosur) në Rrugë të Allahut dhe aty ai humb edhe jetën edhe pasurinë e tij (vritet dhe i merret pasuria ose e shpenzon atë në Rrugë të Allahut para se të jetë vrarë). Vetëm kjo trajtë e përpjekjes së armatosur e tejkalon veprën e mirë të bërë në dhjetëditëshin e parë të Dhul Hixhes, ndërsa format e tjera të xhihadit (përpjekjes së armatosur) qëndrojnë më poshtë se vepra e mirë e bërë në dhjetëditëshin e parë të Dhul Hixhes. [10].

Së dyti: Këto ditë kanë këtë vlerë madhështore sepse: ato i përkasin muajve të shenjtë në to ndodhet dita e Arafatit dhe Kurbanit, bashkëngjitur me to janë ditët e Teshrikut, ato përbëjnë shansin vjetor ku bashkohen adhurimet mëmë islame dhe në to kryhet obligimi madhështor hyjnor i haxhit.

a. Këto ditë i përkasin njërit prej katër muajve të shenjtë (Dhul Hixhe), që siç dihet janë muajt: Muharrem, Rexheb, Dhul Ka’de, Dhul Hixhe (të kalendarit hënor), të cilët janë quajtur kësisoj duke qenë se ato gëzojnë dispozita sheriatike (ligjore islame) të veçanta pacenueshmërie.

b. Dita e Madhe e Arafatit (9 Dhul Hixhe) që përbën shtyllën madhështore të haxhit dhe agjërimi i kësaj dite rekomandohet fuqishëm (për ata që nuk janë haxhilerë) pasi agjëruesit të kësaj dite i falen mëkatet e vogla të një viti para dhe një viti pas saj;

Mirësi të ditë së Arafatit

Vlera e agjërimit të ditë së Arafatit

c. Dita e Kurbanit (10 Dhul Hixhe) që është dita më e madhe dhe më e mirë e vitit tek Allahu i Madhëruar dhe festa më e madhe e muslimanëve;

Dispozita lidhur me dy Bajramet

Kur janë dy Bajramet; sa ditë kanë secili?

d. Ditët e Teshrikut (11, 12 dhe 13 Dhul Hixhe, të quajtura kështu sepse në to bëhej përpunimi dhe terrja e mishit të kurbanëve), ku dita e parë e tyre (e quajtur Dita e Vendosjes) përbën ditën më të mirë (të vitit) pas asaj të Kurbanit dhe së bashku me dy ditët e tjera pas saj (12 edhe 13 Dhul Hixhe) i bashkëngjiten ditës së Kurbanit në qenien e tyre ditë feste agjërimi i të cilave është rreptësisht i ndaluar;

e. Vlera e madhe e këtij dhejtëditëshi qëndron gjithashtu në faktin se në këtë shans vjetor bashkohen adhurimet mëmë (më kryesore) islame: namazi, agjërimi, sadakaja (lëmosha) dhe haxhi, gjë që nuk mund të bëhen e mundur jashtë këtij dhejt ditëshi. [11]

f. Madhështia e këtyre ditëvë qëndron gjithashtu në faktin madhështor se në to kryhet detyrimi hyjnor i haxhit në Qaben e Madhërueshme, që shpërblehet me shpërblime të mëdha si: falja e gjynaheve dhe hyrja në Xhenet, si dhe kryhet umra (nga njëra kryerje e umras në tjetrën falen gjynahet dhe siç dihet umra së bashku me haxhin janë gjëja më e mirë që bëhet në dhjetëditëshin e parë të Dhul Hixhes).

Allahu e di më mirë.

—————————–

[1] Ibn Kethir v. 4, f. 535 dhe Et-Tabari v. 7, f. 514.

[2] Ahmedi 14551; Albani ka thënë se ky hadith është i dobët.

[3] Ibn Kethir v. 3, f. 239.

[4] El-Bezar, Ibn Hiban dhe El-Hajthemi (v. 4, f. 17); Albani thotë se hadithi është i vërtetë falë dëshmive jashtë tij (sahih li gajrihi).

[5] Ibn Hibani (3853); Albani (në Sahihu Et-Tergib nr. 1150 ka thënë se ky hadith është i vërtetë falë dëshmive jashtë tij (sahih li gajrihi).

[6] Buhariu 969 (2, f. 457), Tirmidhiu (757), Ebu Daudi (2438) dhe Ibn Maxhe; Albani ka thënë se hadithi është i vërtetë (sahih).

[7] Bejhakiu (Shuabu El-Iman 3752); Albani ka thënë se hadithi është i besueshëm (hasen).

[8] Tabarani (el-Muaxhemu El-Kebir 10455); Albani ka thënë se hadithi i vërtetë (sahih).

[9] Shih: Tefsir Ibn Kethir, v. 5, f. 412 dhe Lataif El-Mearif, Ibn Rexheb El-Hanbeli 458-464.

[10] Shih: almunajjid.

[11] Shih: Fethu El-Baari – me autor Ibn Haxher El-Askalani v. 2, f. 460. ↩

https://www.facebook.com/plugins/like.php?href=https://pergjigje.net/10-ditet-e-para-te-dhul-hixhes-vlera/&layout=button_count&show_faces=false&width=105&action=like&colorscheme=light&height=21

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit