Seanca e djeshme e Derek Chollet, këshilltar Special i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretar i ngarkuar për Ballkanin në Komisionin e Punëve të Jashtme të Senatit tregoi se senatorët e pranishëm dinë vërtetë diçka për Ballkanin.
Pyetjet ishin të rëndësishme dhe ndonjëherë të mprehta, ndërsa përgjigjet ishin të shkurtra, tha Daniel Serwer, profesor në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins.
Natyrisht, të dy u shprehën se janë pro anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial. Ata folën kundër keqpërdorimeve ruse, financimit kinez, korrupsionit dhe etno-nacionalizmit.
Por, ajo që ata nuk thonë është vërtetë e rëndësishme, duke u nisur nga premisa, “Evropa e plotë dhe e lirë”. Ky slogan i politikës së jashtme amerikane nga vitet 1990 është i pazbatueshëm sot dhe për të ardhmen e parashikueshme, thotë Server në analizën e tij të publikuar në peacefare.net.
Evropa nuk do të jetë e plotë dhe e lirë së shpejti, beson Serwer. “Ne do të duhet të tërheqim vijën diku. Kjo është ajo që ka të bëjë me luftën në Ukrainë: a do të jetë Kievi në anën perëndimore të vijës, apo e gjithë ose një pjesë e Ukrainës do të detyrohet t’i nënshtrohet Rusisë”?
Në lidhje me dialogun Beograd/Prishtinë, Escobar pretendoi se marrëveshjet për normalizim të arritura në shkurt dhe mars janë juridikisht të detyrueshme dhe po zbatohen, por kur u përball me shembuj të refuzimit të presidentit Vuçiq për të zbatuar dispozita specifike, ai dhe Chollet u tërhoqën në një qasje ekuivalente. Kjo ishte përgjigja e tyre ndaj korrupsionit në Beograd, “Atë e gjejmë kudo në Ballkan”.
Kohët e fundit nuk mund të përmend asnjë zyrtar amerikan që ka vënë në dukje në mënyrë eksplicite manifestimet e shumta dhe të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Serbi, thekson Serwer.
Cholet dhe Escobar ishin entuziastë për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, duke argumentuar se kjo do t’i lejonte serbët të integroheshin më shumë në Kosovë dhe se do të duhej të ishte në përputhje me kushtetutën e Kosovës.
Ata e injoruan propozimin serb për Asociacionin, e cila synon qartë të krijojë një entitet autonom serb me fuqi ekzekutive brenda Kosovës, si ‘Republika Srpska’ e Bosnjës-Hercegovinës.
Ata ishin gjithashtu entuziastë për nismën e Serbisë për Ballkanin e Hapur, me kusht që ajo t’i trajtojë të gjitha vendet pjesëmarrëse në mënyrë të barabartë. Ata harruan të përmendin se Kosova nuk ishte ftuar as në Ballkanin e Hapur, sepse Beogradi nuk dëshiron që ftesa t’i bëhet si shtet. /Telegrafi/