2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

PROTESTA E NXËNËSVE TË MEDRESESË NË TETOVË | Ministri Shaqiri: BFI nuk ka dorëzuar akoma elaborat

Më të lexuarat

E drejta për shkollim si e drejtë njerëzore garantohet në të gjitha konventat ndërkombëtare, duke filluar që nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut. Por kjo e drejtë po shkilet vazhdimisht në Maqedonine e Veriut, sepse u pamundësohet nxënësve të medresesë që të vazhdojnë studimet e larta në universitetet publike dhe privato-publike në RMV – kështu u shprehën në protestën e djeshme nxënësit e medresesë “Isa Beu” në Tetovë, shkruan Nistori.

Sipas tyre, ky nuk është një problem i ri dhe panjohur për opinionin publik i nxënësve të medresesë, madje nxënësit e shkollave fetare ballafaqohen me këtë problem që nga themelimi i shkollës “Isa Beu”.

“Kjo nuk është protesta e parë e organizuar për këtë çështje. Por, kësaj rradhe me zë më të lartë, kërkojmë që kjo çështje të mos zvarritet akoma më shumë, sepse studentët po humbin durimin, ndërsa shoqëria dhe shteti po humbin një kapital të madh njerëzor dhe profesional. Prandaj, sot kërkojmë nga Ministria e Arsimit, Bashkësia Fetare Islame e RMV-së, partitë politike parlamentare dhe të gjithë qytetarët të na përkrahin në këtë kërkesë fisnike për shkollim.” – deklaroi Asja Ljazimi.

Medresantët janë të bindur se zgjidhja ekziston, e gjitha që duhet është vullneti për zgjidhje. Ata kerkuan të drejtën për shkollim dhe barazi, si të gjithë nxënësit e shkollave tjera të mesme.

Në takimin e mbrëmshëm përmbyllës të BDI-së me qytetarët e Tetovës në Pallatin e Kulturës, Nistori pyeti ministrin e arsimit Jeton Shaqiri edhe sa kohë do të privohen nxënësit e medresesë nga e drejta për të studiuar në universitetet publike dhe kur do të kalojë ai projekt ligj për shkollat fetare të RMV-së. Ai tha se projekti ligji është në procedurë parlamentare, por problemi tjetër është se Bashkësia Fetare Islame (BFI) nuk ka dorëzuar elaborat deri te MASh.

Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës
“Ka qenë një propozim ligj, i cili nga ana e MASh është dhënë mendim pozitiv dhe është në procedurë parlamentare. Por, jo vetëm kjo. Disa takime kam realizuar me Bashkësinë Fetare Islame (BFI) dhe në të njëjtën kohë kan qenë përfaqësuesit e Byrosë për Zhvillim të Arsimi, kam thirrur edhe subjektet politike në parlament të cilëve u ka interesuar më shumë kjo çështje. Bashkërisht me Byronë e Arsimit, unë si ministër e kam ngritur këtë iniciativë për të parë mundësinë si është zgjidhur kjo problematikë në shtetet për rreth. Për shembull në Kroaci apo në Shqipëri. Një ndër mënyrat se si atje është zgjidhur është me marrjen e lejes ose me akreditimin e programeve të cilat i bën Byroja dhe mandej jep leje ministria për të pasur programet e akredituara. Kemi rënë dakortë me BFI-në që të sjellin elaboratin me qëllim që të fillojë procedura, por ende deri në këtë kohë nuk kanë arritur përpunimin e elaboratit. Nuk ndalojmë, sepse e dijmë që kjo çështje është shqetësim. Shpresoj brenda kësaj kohe, në qoftë se dorëzohet elaborati për nismën të cilën e kanë ose nga ana tjetër dhe projekt-ligjin, jemi në gatishmëri për të realizuar qëllimin.” – u përgjigj Shaqiri për Nistorin.

I pyetur nëse kjo çështje do të zgjidhet në vitin e ardhshëm që maturantët e vitit të ardhshëm do të mund të kenë mundësinë që të studiojnë në universitetet ku ata dëshirojnë, Shaqiri tha se kjo nuk varet vetëm nga ana e ministrisë.

Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit dhe Shkencës
“Nuk varet vetëm nga ana ministrisë. Në qoftë se vendoset mënyra e dytë e rrugës, në kohën që do të sjellin (BFI, elaboratin), atëherë programet mësimore marrin leje nga Byroja, do të jetë periudha më e shpejtë kohore. Nga ana tjetër për propozim ligjin i cili është në procedurë, ka edhe aty debat. Unë dua më shumë që të zgjidhet sa më shpejtë se sa vitin e ardhshëm” – shtoi Shaqiri

Çka është problemi?

Nxënësit të cilët mbarojnë shkollat e mesme fetare, si medreseja apo aj teologjike ortodokse, nuk mund të regjistrohen nëpër universitetet e vendit, pasi nuk u pranohen diplomat, thënë shkurt nuk njihen nga shteti, ndërsa të njëjtit mund të regjistrohen në universitete në rajon apo në Turqi.

Kur ky problem bëhet temë diskutimi për përfshirjen e mësimeve fetare në sistemin arsimor të vendit, paralelisht me të ngritet edhe çështja e sekularizmit të shtetit.

Qëndrimi i institucioneve qendrore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut për Portalb thotë se nga ana e grupit të deputetëve është dorëzuar Propozim për Ligjin për Institucionet e Arsimit të Mesëm të Bashkësive Fetare, i cili duhet të rregullojë ligjërisht punën e shkollave fetare.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka dhënë mendim pozitiv për propozim-amandamentet e Ligjit dhe ato janë në procedurë parlamentare”, thanë nga Qeveria.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) edhe pse na thanë se do të përgjigjen në lidhe me këtë problem, deri tani nuk u përgjigjën. Madje, kjo nuk është hera e parë që ky institucion vepron kështu.

Sot në mbrëmje, në një tubim partiak ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se ka ndjekur protestën e sotme të nxënësve dhe foli për propozim-ligjin i cili nga Qeveria ka marrë mendim pozitiv dhe është në procedurë parlamentare.

“Por, jo vetëm kjo, disa takime kam realizuar me Bashkësine Fetare Islame në të njëjtën kohë kanë qenë përfaqësuesit e Byrosë të Arsimit, kam thirrur edhe subjektet politike që në parlament u ka interesuar më shumë kjo çështje. Bashkërisht me Byronë e Zhvillimit të Arsimit, unë si minisër e kam inicuar, e kam ngritur këtë iniciativë për të parë mundësinë se si është e zgjidhur kjo problematikë në shtetet përreth”, tha Shaqiri.

Ndërsa përmenndi shembullin se si kjo është e rregulluar në Kroaci apo Shqipëri.

“Një nga mënyrat si është zgjidhur atje është me marrjen e lejes ose akreditimin e programeve të cilat i bën Byroja dhe mandej jep leje Ministria për të pasur programet e akredituara. Kemi rënë dakord me BFI-në që të sjellin elaboratin që duhet të fillojë procedura, por ende nuk e kanë arritur përpunimin e elaboratit. Nëse dorëzohet elaborati për nismën që e kanë ose projekt-ligji jemi në gadishmëri për ta realizuar”, tha Shaqiri.

Ai tha se nëse shkohet me versionin përmes elaboratit dhe të bëhet përmes Byrosë do të jetë më shpejtë se sa ajo përmes projekt-ligjit.

Ndërkaq nga Kuvendi heshtën ndaj pyetjeve gazetareske.

Nismë për zgjidhje të problemit

Për të zgjidhur këtë problem, grupi parlamentar i Bashkimit Demokratik për Integrim korrikun e kaluar në Kuvend dorëzoi propozim-ligj për institucionet e arsimit të mesëm të bashkësive fetare. Ndërsa në muajin shtator të vitit të kaluar në Komisionin për Arsim në Kuvend u fut ky projekt-ligj, i cili parashikon që shkollat e mesme islame dhe ata të mesme teologjike ortodokse të jenë pjesë e sistemit shtetëror, të financohen nga buxheti si dhe programi i tyre të jetë nën kontroll të institucioneve.

Ky projektligj parashikon që plani mësimor në këto shkolla të ketë 55 përqind të gjimnazin dhe 45 përqind të lëndëve për arsimin fetar.

Ky ligj, nëse miratohet, do t’u lejojë këtyre nxënësve që të regjistrohen si në fakultetet fetare, si dhe në ato ku studiohen shkencat shoqërore dhe humaniste.

Mirëpo, në muajin shtator seanca e Komisionit për Arsim në Kuvend nuk u mbajt, dhe sot e kësaj dite kjo nuk është bërë ende.

/nistori.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit