“Shtatë ëndrrat e Shqipërisë” e patriotit Hafiz Ali Korça. Aty Korça paralajmëron politikanët e viteve ’20-’30 për pasojat që do t’i vinin vendit nga vendimet e tyre.
Si njeri i kënduar, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit dhe drejtues i institucioneve arsimore, nuk e kishte problem të qëndiste një deklaratë ku të shtronte gjerë e gjatë problemet që e shqetësonin atë dhe gjithë shqiptarët. Zgjodhi një tjetër rrugë, atë të shëmbëlltyrave. Janë 7 ëndrra dhe 7 shpjegime që Hafiz Ali Korça iu drejton politikanëve shqiptarë gjatë viteve ’20, që nuk po ndërgjegjësoheshin për rrezikun që i kanosej Shqipërisë nga pushtuesit dhe copëtimi. “Si një atdhetar idealist për t’ua sjellë ndërmend asamblistëve se rruga që kanë kapur nuk po i shpie në Kabe (Qabe) por në shkretëtirë, shkruajta këto Shtatë Ëndrrat dhe pasi i shtypa vetëm njëqind copë ua dhashë nga një duke iu thënë: Sot fati i Shqipërisë është në duart tuaja. Në qoftë se shtetit do t’i hidhni një themel të mirë duke zgjedhur burra të mirë e të drejtë, nëse do të çelni një Bankë Kombëtare me të hollat e kapitalistëve shqiptarë dhe nëse fëmijët do t’i rritni me ndjenja kombëtare e fetare, atëherë do të jeni të lumtur e të lavdëruar, përndryshe pas 15 ose 20 vitesh, kur të realizohen këto shtatë ëndrrat e tmerrshme do të bëheni pishman por nuk do t’ju bëjë dobi”. Këto ëndrra në formë poezish Korça i shkroi në vitin 1923 në prag të Kongresit të Lushnjës dhe i ribotoi sërish në qershor të vitit 1944, në prag të çlirimit nga nazifashizmi dhe në vigjilje të një tjetër periudhe të errët. Në fund të vitit 2006 këto poezi apokaliptike vijnë për lexuesin shqiptar në ribotimin e tyre të tretë nga orientalisti Ermal Bega nën titullin “Shtatë ëndrrat e Shqipërisë”. Libri prej pak më shumë se 100 faqesh sjell edhe njëherë poezitë dhe disa kujtime të Hafiz Ali Korçës. Ato më interesantet duket të jenë ëndrrat me të cilat përçon edhe mesazhe. Një kuçedër i shfaqet në ëndrrën e parë. Një krijesë e tmerrshme që kërkon të djegë çdo gjë me zjarr e flakë. Në ëndrrën e dytë, nga një kasafortë e madhe del një nepërkë e tmerrshme që duket se do përpijë gjithë vendin. Një ari me një gojë të stërmadhe i shfaqet në ëndrrën e tretë. Ndërsa në të katërtën disa krijesa të tjera të frikshme që shkaktojnë rrëmujë e panik. Në ëndrrën e pestë i shfaqet një perri, e veshur me rroba të rënda, por që e copëtojnë me thika, duke i marrë shpirtin. Ëndrra e gjashtë e hedh në një pallat madhështor, ku njerëz të pushtetshëm kanë vendosur të lënë mënjanë grindjet e të thërresin njerëz nga jashtë për të drejtuar vendin. Në të shtatën ndodhet në një tjetër pallat ku të pushtetshmit hanë kryet me njëri-tjetrin për metodën që do përdorin në drejtimin e vendit. Disa thonë të ndiqet metoda angleze, një tjetër italiane, ruse, greke… Pasi ofron këto shëmbëlltyra, për t’i shpjeguar ato, Hafiz Aliu krijon një tjetër personazh, Hamzadenë, një grua plakë të mençur që lexon ëndrrat e burrit. Kuçedra në ëndrrën e parë nuk është gjë tjetër veçse kreu i vendit që rrezikon të kthehet në një diktator. “Kryeplaku si kuçedra një nga një i ha të ditçmit/ I vret i ther, i mbyt të tërë nuk do t’i shohë të ndritçmit”. Nepërka përfaqëson bankat e huaja që po përpijnë kapitalin shqiptar. “Sa për ari gojëmadhin është mbreti që do sillni/ në paçi shumë të holla flakini në zallt i mbillni”. Kështu e shpjegon ëndrrën e tretë Hamzadeja. Në të katërtën krijesat janë drejtuesit e vendit që nuk mendojnë gjë tjetër veçse të pasurohen. “Dhe bukuroshe perija është vetë Shqipërija/ Pjesë pjesë bijtë e ndanë, mos e ndaftë perëndia”. Në të gjashtën edhe pse duket se shqiptarët po lënë mënjanë grindjet, po i sjellin një tjetër tragjedi vendit, atë të drejtimit nga një i huaj, siç ndodhi në rastin e Princ Vidit. Edhe në të shtatën janë krerët shqiptarë që nuk gjejnë gjuhën e përbashkët për qeverisjen e vendit. Pasi ka përfunduar shpjegimin e ëndrrave, përmes një tjetër poezie, Korça bën thirrje për bashkim “Bij mos grindi, mos përçahi shëndoshni mëmën e smurë/ se një gjak, një racë, jini ngatërrim mos qitni kurrë”. Pas këtyre shtatë ëndrrave e shpjegimeve autori ofron ngjarjet e kohës përmes kujtimeve të tij. E nis me vitin 1893, kur në moshën 20-vjeçare e internojnë në Sinop, ngaqë kur udhëtonte me trenin Sofie-Stamboll iu kapën libra shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës ia shkatërruan shtëpinë, sepse guxoi të ngrinte çështjen e gjuhës shqipe, gjë që çuditi shumë njerëz, duke qenë se ai ishte anëtar i Këshillit të Lartë të Sheriatit. Më pas, Kabineti i Telat Pashës e dënoi me vdekje si “propagandist e anëtar i shkronjave latine”, por me ndërhyrje u fal. Më 1924 u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Hafiz Ali Korça qe ndër mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e mësonjëtoresshqipe të Korçës. Pas shpalljes së Pavarësisë iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm i po i kësaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj. Gjatë jetës së tij Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë.
Hafiz Ali Korça kërkon në Kongresin e Dibrës, në vitin 1909 mësimin e gjuhës shqipe zyrtarisht në shkollë. Si një përfaqësues i Këshillit të Lartë të Sherihatit kjo ngjalli shumë diskutime. Një vit më vonë do të nxirrte librin “Abetare shqip” e më pas “Gramatika, Syntaksa shqip-arabisht edhe fjalime”. Numëron një sërë përkthimesh ndër të cilat më të rëndësishmet “Gjylistani” i Saadiut dhe “Rubairat” e Omer Khajjamit, të cilat i bëri të flisnin shqip.
Reformë për medresetë
Si një shërbëtor i Zotit, një nga detyrat e tij ishte shëndoshja e besimit, por kjo nuk mund të bëhej pa një sistem të fortë arsimor. Hafiz Ali Korça ishte për reformimin e medreseve, reduktimin e viteve të gjuhës arabe dhe mësimin e saj me një metodikë të efektshme dhe krijimin e një medreseje të ciklit të mesëm. “Sikur të ishte ndjekur ky program sot në Shqipëri do të kishim shumë të ditur si Hoxha Tahsini e shokët e tij. Në Shqipëri, 30 vjet më parë patëm mëtepër se 200 hoxhallarë të ditur, por sot s’kanë mbetur as 20”, – shkruan Korça.