8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

ALLAHU I LARTËMADHËRUAR

Më të lexuarat

ALLAHU I LARTËMADHËRUAR

Allah by_fasolia-690x517

Dije se vërtetë të njohurit e Allahut xhel-le shanuhu, besimi në Të, adhurimi ndaj Tij dhe vërtetimi i gjithë asaj që vjen nga Ai është nga gjërat më të rëndësishme me të cilën obligohet muslimani që ta mësojë, ta njeh dhe kuptojë.

E ai, i cili nuk e njohu Allahun, Krijuesin, Sunduesin dhe Udhëheqësin e tij, ai vërtetë ka jetuar në jetën e kësaj bote si shtazë: han dhe pinë, fle dhe zgjohet, e kështu me radhë derisa të përfundojë jeta e tij në këtë gjendje, e ai nuk e di as për çka është krijuar dhe si ka jetuar.

Allahu i Lartësuar thotë: ” … e ata që nuk besuan, përjetojnë kënaqësi (në këtë jetë) dhe hanë ashtu si hanë kafshët, e vendi i tyre është zjarri.” (Muhammed, 12).

E kështu ata do të bëjnë çrregullime në tokë, do të bëjnë keq me punët e tyre, ngase ata nuk i njohin punët e mira dhe nuk dinë se cilat janë punët e këqija, nuk dinë se çka e hidhëron Allahun dhe nuk mendojnë për atë që e bënë Atë të kënaqur.

Do të thotë asnjë njeri nuk mund t’i njeh rrugët e mira për t’i shërbyer ndonjë sendi vetëm se me udhëzimin e atij që është më i ditur se ai, e si mundet pra njeriu në jetën e kësaj bote që ta luajë rolin e tij të kërkuar duke mos i përfillur urdhrat dhe obligimet e Allahut të Madhëruar, e Ai është Krijues i njeriut dhe Krijues i gjithë botëve. Allahu xhel-le shanuhu thotë: “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur dihet se Ai depërton në thellësitë sekreteve, i njeh hollësitë.” (Mulk, 14).

Ai, i cili nuk e njeh Allahun si Krijues të tij, i shkatërron veprat e tij, ngase ai nuk e ka kuptuar fuqinë e Atij, i cili udhëzon në rrugën e të vërtetës, fitores dhe shpëtimit, e Ai është Allahu xhel-le shanuhu.

Këto sëmundje të cilat janë përhapur në tokë, ky çrregullim i madh, i cili është prezent mes njerëzve ndodh vetëm nga shkaku i largimit të njerëzve nga udhëzimet e Krijuesit të Madhëruar dhe refuzimi për zbatimin e urdhrave të Tij.

E pastaj përfundon jeta e atyre, të cilët nuk e njohën Zotin si Krijues të tyre, duke mos ditur as pse ka filluar? Dalin prej saj duke mos ditur as pse kanë hyrë në të?

Por, ai i cili e njohu Zotin e tij, besoi në Të dhe vërtetoi gjithë atë që i erdhi prej Tij, ky është ai të cilin do ta ndihmojë Allahu i Madhëruar. Allahu i Lartësuar në Kur’anin Fisnik thotë: “E Allahu patjetër do ta ndihmojë atë që ndihmon rrugën e Tij.” (Haxhxh, 40).

Njeriu, kjo krijesë që posedon gjymtyrë si dora, këmba, koka e të tjera, obligohet që t’i njeh detyrat e kërkuar nga ai për t’i lëvizur këto gjymtyrë.

Kjo bëhet vetëm duke i njohur urdhrat me të cilat e obligoi Allahu xhel-le shanuhu këtë njeri. Çdo njeri ka mendje, e detyrë e mendjes është të logjikuarit, e kur të mos funksionojë kjo detyrë shkatërrohet puna e mendjes, ndërpritet nga puna e saj kryesore e pikërisht kjo bëhet shkak që të largohet nga e mira dhe të afrohet kah e keqja.

Allahu xh. sh. na ka thirrur në Kur’anin Fisnik të logjikojmë në atë që jemi dhe ka thënë: “Thuaj: A është i barabartë i verbëri me atë që sheh? A nuk mendoni?” (En’amë, 50). Dhe gjithashtu thotë: “Dhe a nuk menduan ata në veten e tyre…?” (Rrumë, ).

Allahu xhel-le shanuhu kur i ka thirrur krijesat e Tij në të logjikuar e ka bërë këtë brenda fuqisë dhe mundësisë së mendjes së tyre.

Gjithashtu i Madhëruari na ka ftuar në shikimin e asaj që ka krijuar në qiej dhe në tokë, në veten tonë dhe në të gjitha krijesat. Na ka thirrur që të logjikojmë në krijimin e kësaj gjithësie ta gjerë, e cila e tëra është prej krijaturës së Allahut, i Cili është larg çdo të mete.

Pasi që njeriu të logjikojë e të meditojë do të përfundojë se për këtë gjithësi të gjerë e të madhe ka një Krijues Madhështor, Sajues të Urtë, e Ai është Allahu, i Madhëruar qoftë Zoti jonë.

Krijues i njeriut, bimëve dhe kafshëve.

Krijues i qiejve, tokës dhe deteve.

Krijues i çdo sendi që e shohim në kë këtë gjithësi të madhe.

Allahu xhel-le shanuhu është cilësuar me cilësi të qarta (të pastra e të plota) me të cilat e ka cilësuar qenien e Tij Madhështore në Kur’anin Fisnik, e gjithashtu e ka cilësuar krijesa më e ditur për Te, e ai është i Dërguari i fundit, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

E prej këtyre cilësive janë: Mëshira; Krenaria; Falja; Poshtërimi.

E shumë të tjera, të cilat gjinden në Kur’anin Fisnik dhe në hadithet e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. E qëllimi ynë kryesor në njohjen e këtyre cilësive është që të ndalemi para dobësisë sonë dhe nevojës sonë për këtë Hyjni Madhështore që është larg çdo të mete dhe mangësie.

Allahu xhel-le shanuhu na ka treguar për qëllimin, për të cilin i ka krijuar të gjitha krijesat dhe ua ka sqaruar shkakun për të cilin e ka krijuar këtë botë dhe çka në të. Allahu i Madhëruar thotë: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të adhurojnë.” (Dharijatë, 56)

Prandaj adhurimi (ibadeti) është qëllim, të cilin duhet ta kryejmë me përpikëri, duke iu nënshtruar Allahut të Madhëruar dhe duke e falënderuar për atë që na ka dhënë prej begative e dhuntive të shumta.

Allahu i Lartësuar thotë: “Po edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të mund të arrini t’i përcaktoni ato.” (Nahl, 18).

Pasi që na u bë e qartë ajo çka kemi sqaruar më parë, obligohemi që ta adhurojmë Allahun me adhurim të vërtetë dhe që ky adhurim të jetë vetëm për Të duke mos i shoqëruar askënd Atij.

Lutja t’i bëhet vetëm Atij.

Të kemi frikë vetëm prej Tij.

Të kërkojmë ndihmë vetëm prej Tij.

E kështu, të gjitha llojet e ibadetit të jenë vetëm për këtë Hyjni Madhështore, Krijues dhe Furnizues, i Fuqishëm dhe i Fortë, i Cilësuar me cilësi të larta e madhështore.

 

Marrë nga: Libri “Islami i lehtësuar” – Ali Hasen Abdul Hamid

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit