4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Letra e kancelarit gjerman dhe presidentit francez për Kurtin dhe Vuçiqin, patrullimet e Policisë në Ujman dhe deklarata e Pahorit në Prishtinë – top lajmet e javës

Më të lexuarat

Javën që po lëmë pas tema e dialogut Kosovë-Serbi ishte në qendër të aktiviteteve, pasi kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez, Emmanuel Macron u kanë dërguar letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Madje, Scholz dhe Macron kanë ngarkuar edhe dy këshilltarët e tyre me çështjen e dialogut, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune.

Po javën që po lëmë pas Policia e Kosovës ka filluar me patrullimin ujor në Liqenin e Ujmanit dhe këtë e njoftoi ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq, të mërkurën për vizitë në Kosovë, ishte presidenti slloven, Borut Pahor i cili duke komentuar deklaratën e Vuçiqit se Sllovenia sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë tha se është tendencioze dhe e papranueshme.

Letra e Scholz dhe Macron për Kurtin dhe Vuçiqin

Muajt në vijim pritet të jenë të rëndësishëm për dialogun Kosovë-Serbi, pasi sërish është kthyer në agjendë të shteteve mike dhe janë intensifikuar takimet e akterëve të përfshirë në të.

E përparim në dialog kanë kërkuar BE-ja, ShBA-ja, Britania e Madhe e së fundi edhe dy udhëheqësit kryesor të Evropës, kancelari gjerman Olaf Scholz e presidenti francez Emmanuel Macron, raporton Telegrafi.

Dy liderët e dy shteteve më të fuqishme evropiane kanë kërkuar lëvizje para dhe përgjegjësi të liderëve në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian përmes një letre drejtuar Kurtit dhe Vuçiqit.

Çfarë kërkuan Scholz dhe Macron nga Kurti dhe Vuçiqi?

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz thanë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor.

Ata thanë se kanë ngarkuar këshilltarët e tyre për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emmanuel Beaune, për t’i ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë përfaqësuesit special të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

E gjithë kjo u bë e ditur përmes letrave që Macron dhe Scholz i dërguan kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Macron dhe Scholz i kanë bërë thirrje Kurtit dhe Vuçiqit që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira, të cilat çojnë në përparim në dialogun ndërmjet mes dy vendeve.

“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale. Po u adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’u bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpijnë drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën drejtuar Kurtit.

Të njëjtën gjë ia kanë thënë edhe presidentit serb, Vuçiq.

Tensionet e fundit kanë treguar se hapa konstruktivë përpara nevojiten urgjentisht, si në nivel praktik ashtu edhe në atë politik, është shtuar në letër.

“Prandaj, ne caktuam këshilltarët tanë për politikën e jashtme dhe të sigurisë, Jens Plötner dhe Emmanuel Beaune, që t’i ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë Miroslav Lajçakut në përpjekjet e tij. Ne sugjerojmë që këshilltarët tanë, së bashku me Miroslav Lajçak, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të shqyrtojnë mundësitë për ta çuar procesin përpara shpejt”, është thënë ndër tjerash në letrën drejtuar Vuçiqit.

Për herë të parë nga paslufta, Policia e Kosovës filloi patrullimin ujor në kufi me Serbinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi të enjten se Policia e Kosovës ka filluar sot patrullimin e rregullt të vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, si dhe gjithë hapësirës së Liqenit të Ujmanit.

Në një postim në Facebook, Sveçla shkoi se kjo po ndodh për herë të parë që nga paslufta, pas krijimit të njësitit për patrullim ujor.

“Tashmë, kontrolli i kufirit shtetëror është më i plotë. Përgëzoj Policinë e Kosovës për suksesin e radhës!”, kishte shkruar ministri.

Policia e Kosovës gjatë patrullimit në Ujman

Ndryshe, Liqeni i Ujmanit është artificial dhe shtrihet në veriperëndim të Kosovës, ndërsa një pjesë e vogël e liqenit kalon në territorin e Serbisë.

Për rëndësinë e këtij liqeni në vitin 2018 ka folur në një intervistë për Telegrafin, Arbëror Prekazi, ish drejtor i Njësisë Afariste Uji dhe Centrali Elektrik në Ibër Lepenc, tashmë pensionist.

Pahor për deklaratën e Vuçiqit për Kosovën: Tendencioze dhe e papranueshme

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor në një konferencë të përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili tha se Sllovenia sikurse edhe shtetet e tjera që e njohin Kosovën, ka shkelur integritetin territorial të Serbisë.

Pahor tha se kjo ishte një deklaratë tendencioze dhe e papranueshme.

“Unë të dy shteteve ju them se Sllovenia dhe Serbia sa i përket çështjes së Kosovës kanë qëndrime të ndryshme. Sllovenia e ka njohur Kosovën si shtet, ndërkaq Serbia nuk e njeh. Deklarata e presidentit Vuçiq ishte e papranueshme dhe tendencioze”, u shpreh Pahor.

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë prites shtetërore në Prishtinë

Presidenti slloven ka përmendur edhe çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën duke thënë se BE-ja duhet të mbajë premtimin.

“Siç thashë gjatë bisedës edhe me Vuçiqin, për atë që shtetet që kanë statusin e vendeve kandidate t’iu mundësohen sa më shpejtë negociatat. Bosnjës t’i ofrohet statusi i kandidates. Në lidhje me heqjen e vizave, që të plotësohen premtimet. Mendoj që tema është edhe kriza energjetike që na pret. Mendoj që qëllimi është që të mos harrohen shtetet e Ballkanit Perëndimor. Të them se në vitet e fundit si problem kryesor është përmendur ngecja në negociata. Por unë jam i gëzuar për një rezultat të pjesshëm të dialogut në Bruksel. Këtu në Prishtinë, dhe kudo të vijë në takime, do t’iu them tani, gjendja e besueshmërisë po dëmtohet, besueshmëria po bie”, tha Pahor.

Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Pahor ka deklaruar se kjo marrëveshje duhet të implementohet.

“Edhe në Beograd kam thënë, edhe herën e kaluar këtu, unë e shoh si rrugëtim për përforcimin e besimit që të implementohen marrëveshjet e arritura, marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit ishte po ashtu për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Unë i kam thënë edhe Osmanit që të gjendet një zgjidhje që të arrihet kjo marrëveshje, unë nuk e di nëse ka alternativa, por derisa nuk ka propozime nga palët, vlen marrëveshja e arritur më parë”, ka thënë ai. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit