Kalendari islam lidhet ngushtë me Kalifin e njohur Umer Ibnul-Hattab. Ai ishte i pari që vendosi të ecet me kalendar të rregullt. Një ditë Umerit i sollën një dokument ku shënohej: “Deri në muajin Sha’ban”, dhe ai tha: “Për cilin Sha’ban po bëhet fjalë, për muajin Sha’ban që kaloi, apo për muajin Sha’ban në të cilin ndodhemi?” Atëherë Umeri (radijallahu anhu) urdhëroi që të përdoret një kalendar i rregullt, mirëpo në prani të tij nisi diskutimi se prej cilit vit do të fillonin dhe cili do të ishte muaji i parë i kalendarit. Disa thonin të fillohet prej vitit që lindi Profeti (alejhissalatu uesselam), disa mendonin të fillohej nga viti kur Muhamedi (alejhi salatu ue selam) u shpall si Profet, ndërsa pjesa tjetër e sahabëve, të cilët ishin shumicë, thanë që të merret për bazë viti ku filloi hixhreti nga Meka në Medinë. Me këtë mendim u pajtua dhe vetë Umeri (radijallahu anhu) dhe ashtu u vendos përfundimisht. Ndërsa për sa i përket se cili muaj duhet të jetë i pari, pas shumë mendimesh Umeri vendosi të fillohet me muajin Muharrem, pasi ai është muaji që pason Dhul-Hixhen ku haxhinjtë kryejnë ritet e Haxhit dhe shumë prej tyre kthehen në shtëpi në muajin Muharrem. (Bëhet fjalë për udhëtimin e hershëm nëpërmjet karvanëve)[1] Me këtë mendim ishin që në fillim Uthmani dhe Aliu.
Kalendari Hënor, ose siç quhet ndryshe, kalendari Lunar bazohet në ciklin mujor të Hënës, d.m.th në numërimin e ditëve të Hënës sipas pamjes së saj nga Toka. Kalendari Hënor Islam ka 12 muaj, të cilat fillojnë me Muajin Muharrem dhe mbarojnë me muajin Dhul-Hixhe. Hëna e cila lëviz rreth Tokës i duhet të kalojë 29.5 ditë për të gjitha fazat e saj. Kjo bën që muajt hënorë herë qëllojnë 29 ditë dhe herë 30 ditë. Po ashtu duhet të dimë se nata në kalendarin islam llogaritet para ditës. Dhe fillimi i datës së re fillon me futjen e akshamit menjëherë pas perëndimit të Diellit. Pra akshami si kohë, në kalendarin islam shënon fillimin e natës dhe në të njëjtën kohë fillimin e datës së re.