-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Elbasani, qyteti i 100 minareve

Më të lexuarat

Historia shekullore e xhamive, ku dhe sot falen me mijëra besimtarë

Dikur, pa frikë Elbasani mund të quhej qyteti i poetëve dhe minareve. Rreth 100 minare lartonin në këtë qytet. Vetëm pak prej tyre i kanë mbijetuar shekujve.
Xhamitë janë objekte kulti të besimit mysliman, të ndërtuara në Elbasan në fazën e parë të prezencës turke. Nisur nga koha dhe vendi ku janë ndërtuar disa prej tyre, kanë vlera të veçanta fetare dhe historike, dhe për këtë arsye janë shpallur monumente të kulturës.
Pas dyndjes së turqve në trojet shqiptare, për shkak të pozitës së favorshme gjeografike, Porta e Lartë e ka konsideruar gjithmonë si pikë strategjike Elbasanin, qytet nga i cili merrnin zanafillën të gjitha ekspeditat luftarake.
Për të siguruar ushtrinë, fillimisht turqit rindërtuan kalanë, një kala e tipit fushor më e madhja e këtij lloji në Ballkan. Më pas nisi ndërtimi i xhamive, që ishin objekte simbol të kultit fetar islam.

Ndërtimet mesjetare

Sipas traditës islame, xhamia duhej të ishte ndërtesa kryesore, rreth së cilës formohej bërthama e qytetit, apo e fshatit e përbërë nga objekte publike dhe private me rëndësi për komunitetin.
Xhamitë e trashëguara në Elbasan janë dy llojesh.
Faltore të vogla të ndërtuara me tavan e çati druri, që përbëjnë numrin më të madh të xhamive, dhe xhamitë sulltanore me kupolë, me vlera arkitekturore, ku salla e lutjeve mbulohet nga një, ose disa kupola masive me bazë të rrumbullakët, ose shumëkëndëshe.
Në thelb, të dy tipet kanë të njëjtën skemë kompozimi të përbërë nga salla e lutjeve, hajati dhe minareja.
Në xhamitë e zakonshme salla e lutjeve është një hapësirë katërkëndëshe me çati në formë piramide dhe me tavan që mbështetet rigorozisht në katër mure.
Në xhamitë sulltanore salla gjithmonë ka qenë një imitim i xhamisë së Shën Sofisë së Stambollit. Kupola vishesh me fletë plumbi që të dallohej larg e të ngjallte një interes të veçantë ndër besimtarë.
Në Elbasan janë ndërtuar vetëm 3 xhami të tipit sulltanor me kupolë. Ato janë Xhamia e Nazireshës e ndërtuar para vitit 1599, Xhamia e Ballies e ndërtuar në vitet 1605-1606 dhe xhamia e Aga Biçakçi Zadesë. Dy të fundit nuk ekzistojnë më, ndërsa xhamia e Nazireshës është shpallur monument kulture përfaqësuese e historisë së arkitekturës mesjetare shqiptare.
Në vitet 1822-1823, një xhami e tillë u ndërtua në qendër të qytetit të Peqinit dhe ruhet në gjendje shumë të mirë dhe në ditët e sotme.

Xhamitë e famshme

Disa prej tyre lidhen me emrin e familjes së madhe çifligare shqiptare të Biçakçinjëve që zë fill që në shekullin e XV. Biçakçinjtë kanë dhënë një kontribut madhor në Perandorinë Osmane dhe qytetin e lindjes duke fituar tituj, ofiqe e grada të larta për kohën.
Sedefqar Mehmet Aga Biçakçiu (1570-1622) ishte kryearkitekti më i shquar i Perandorisë Osmane, ndërtues i xhamisë Blu në Stamboll, njërës prej kryeveprave të kulturës botërore.
Sipas Evlija Çelebiut, Sedefqar Mehmet Aga ishte autor i disa veprave të bamirësisë në Elbasan, ku nuk përjashtohet edhe ndërtimi i xhamive, objekte që kishin një rëndësi të jashtëzakonshme për kohën.
Sipas të dhënave të dokumentuara në shekullin XVI, në qytetin Elbasan numëroheshin 46 xhami. Xhamitë qëndronin pranë njëra-tjetrës në qendër të qytetit, duke formuar një ansambël të vërtetë minaresh.
Në vitet 1600-1650, Elbasani rezulton të jetë një ndër qytetet më të zhvilluara dhe të qytetëruara të kohës. Për shkak të zhvillimit kulturor në këtë kohë autorët e huaj e cilësojnë qytetin si “nusja e Shqipërisë”, “shtëpia e poetëve” etj.

Xhami të tjera

Ndër xhamitë monumentale të Elbasanit përmenden edhe Xhamia e vjetër e Fatihut. Ndodhej diku afër portës së Kalasë. Sot nuk gjenden gjurmë të saj.
Xhamia e Gazit të Sinanit. Njihej ndryshe edhe si “xhamia e poetëve” për shkak se në të gjithë muret e saj ishin shkruar vjersha, lëvdata e fjalë profetike nga poetët dhe udhëtarët që vinin nga të katër anët e Perandorisë.
Sipas Çelebiut, në muret e saj kishte aq shumë mbishkrime sa mund të formohej një vëllim me 1500 faqe. Mendohet se ka lidhje me Sinan Pashë Biçakçiun, i cili jetoi në vitet 1506-1596. Sinan Pasha ishte ushtarak dhe pushtetar i lartë. Ka qenë oficer pallati në kohën e Sulltan Sulejmanit, guvernator në Gaza e Tripoli. Merr titullin Gazi (hero) më 1564 me pushtimin e Jemenit, më pas komandant flote, kryekomandant i ushtrisë në luftën kundër Persisë, 1580. Kryevezir më 1582 dhe guvernator i Damaskut më 1568. Ka drejtuar ekspedita kundër Hungarisë dhe Serbisë. Mendohet se ka financuar ndërtimin e xhamisë, që njihet me emrin xhamia e Gazit.
Pas kësaj periudhe, përmenden edhe xhamia e Lepurit, xhamia e Sinan Beut, xhamia e Tabakëve, xhamia e Beqarëve dhe 20 medrese. Sipas kronikanëve, xhamitë e Elbasanit zotëronin një cilësi të tillë ku të gjitha minaret ishin në harmoni mes tyre në të njëjtën lartësi.
Xhamitë kanë qenë ndërtuar në qendër të qytetit. Edhe në fshatra si në Fushë Buall dhe Godolesh ekzistojnë gjurmë të xhamive shekullore. /myftinia-elbasan/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit