-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Lufta evropiano-ruse e gazit: kush fituesit e kush humbësit?

Më të lexuarat

Si Evropa ashtu edhe Rusia do të ishin në një humbje të madhe nëse kjo e fundit përmbush kërcënimin e ndërprerjes së furnizimit me gaz për vendet që i konsideron “armiqësore” nëse nuk paguajnë në rubla, shkruan Reuters.

Edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, Moska nuk reduktoi eksportet e gazit në Evropë, por të enjten Putin nënshkroi një dekret që urdhëronte blerësit e huaj të paguajnë në rubla në vend të eurove nga 1 prilli ose të përballen me mungesë të furnizimeve ruse.

Kryeqytetet evropiane e kanë refuzuar ultimatumin dhe zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të premten se ai nuk do të ndikojë në dërgesat sipas marrëveshjeve të bëra më parë.

Edhe pse kërcënimi i mungesës vjen pas pikut të kërkesës në sezonin e dimrit, sipas Reuters, Evropa ka ende shumë për të humbur, në një situatë ku bizneset dhe familjet e saj tashmë janë rraskapitur nga çmimet e larta të energjisë, ndërsa Moska mund të lihet pa një nga burimet kryesore të të ardhurave të saj.

Rusia eksportoi rreth 155 miliardë metra kub gaz në Evropë vitin e kaluar, duke siguruar më shumë se një të tretën e furnizimit të kontinentit të vjetër. Pa gazin rus, Evropa duhet të blejë më shumë gaz në një treg ku çmimet janë tashmë rreth pesë herë më të larta se vitin e kaluar.

Gjermania dhe Austria, të dyja shumë të varura nga gazi rus, kanë aktivizuar plane emergjente që përfshijnë racionalizimin, dhe vende të tjera evropiane kanë plane të ngjashme.

“Mosgatishmëria e klientëve për t’iu përmbajtur urdhrave (të Putinit) rrezikon një ndërprerje të furnizimit. Si blerësit ashtu edhe Gazprom do të përballen me humbje për shkak të kësaj”, tha analisti i shtëpisë së ndërmjetësimit të Moskës Locko-Invest, Dmitrij Polevoj.

Ethet e gazit

Në mungesë të gazit rus, vendet evropiane do të duhet të konkurrojnë me Azinë për të marrë gazin natyror të lëngshëm (LNG) nga Katari ose Shtetet e Bashkuara, madje edhe mes tyre për tubacione alternative nga Norvegjia ose Algjeria.

Eksportuesit e LNG-së në SHBA janë tashmë fitues të mëdhenj të krizës evropiane të furnizimit dhe Norvegjia gjithashtu ka përfituar, sipas Reuters.

Greqia, ndërkohë, tha se mund të shmangë problemet e furnizimit me gaz nëse furnizimet nga Rusia ndërpriten, me kusht që të ketë mjaft gaz në tregun botëror.

Javën e kaluar, Shtetet e Bashkuara thanë se do të punonin për dërgimin e LNG në Bashkimin Evropian këtë vit, por kjo nuk do të zëvendësojë plotësisht gazin që Rusia dërgon në Evropë përmes tubacioneve.

Përveç përpjekjes për të marrë sa më shumë gaz për një çmim të mirë në një treg tashmë të rënduar global të gazit, disa vende evropiane thanë gjithashtu se do të duhej të përdorin më shumë qymyr, të zgjasin potencialisht jetën e termocentraleve bërthamore dhe të rrisin prodhimin nga burimet e rinovueshme.

Ndërprerja e rrjedhës së gazit natyror rus në Evropë mbetet një rrezik i madh. Evropa ka më shumë opsione për furnizim alternativ dhe duke pasur parasysh kërkesën e ulët sezonale në muajt e ardhshëm, nuk ka rrezik të mbarojë 

stoku këtë vit. Por ky rrezik do të rritet në rast të ndalimit të importeve nga Rusia drejt muajve të dimrit, kur kërkesa për gaz zakonisht rritet.

Për të tërhequr më shumë LNG, çmimet evropiane të shitjes me shumicë duhet të mbeten më të larta se ato aziatike. Kompanitë që kanë nënshkruar kontrata afatgjata me Gazprom marrin gaz me çmime dukshëm më të ulëta se në tregun e LNG-së, tha komisioneri i BE-së për Energjinë Kadri Simson.

Rreziku rus nuk është më pak se ai evropian

Në rast të ndërprerjes së eksporteve në Evropë, Rusia përballet me humbjen e një burimi të rëndësishëm të ardhurash për financat e saj të brendshme.

Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme, të ardhurat e Gazprom nga shitjet në Evropë në Turqi dhe Kinë në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar arritën në 31 miliardë dollarë dhe u eksportuan 176 miliardë metra kub gaz.

Prandaj, për Rusinë, vendimi për të kufizuar eksportet do të ishte si të qëlloni veten në këmbë, thonë analistët.

Nëse, nga ana tjetër, mekanizmi i pagesës sipas dekretit të Putinit është krijuar për të mbështetur rublën, ai gjithashtu mund të jetë jetëshkurtër. Përpara pushtimit të Ukrainës, banka qendrore e Rusisë kërkoi që 80 për qind e valutës së huaj të fituar nga shitja e gazit të konvertohej në rubla dhe tani gjithçka do të duhej të zhvendosej.

Një ndalim i eksporteve të gazit në Evropë do ta shkëputte Rusinë nga një burim jetik i këmbimit valutor në një kohë kur sanksionet tashmë kanë kufizuar ashpër aksesin e bankës qendrore të Rusisë në rezervat e saj valutore, thonë analistët e Fitch.

Blerësit evropianë kanë vlerësuar vazhdimisht se masa e fundit ruse përfaqëson një shkelje të kontratës dhe Gazprom rrezikon të përfshihet në padi arbitrazhi në të cilat mund të detyrohet të paguajë gjoba të mëdha në të ardhmen.

Një pyetje tjetër është se çfarë mund të bëjë Rusia me gazin që normalisht e furnizon Evropën. Presidentja e dhomës së lartë të parlamentit rus, Valentina Matviyenko, tha se Moska mund të ridrejtojë eksportet në tregjet aziatike.

Megjithatë, nuk ka asnjë tubacion që lejon Rusinë të dërgojë gazin e dërguar në Evropë, në Azi. Tubacioni nga Rusia në Kinë dërgon gaz nga fusha të tjera, të cilat nuk e furnizojnë Evropën dhe nuk ka asnjë ndërlidhës për të devijuar ato flukse.

Analistët paralajmërojnë gjithashtu se tregjet aziatike mund të hezitojnë të rrisin importet nga Rusia, nga frika se Rusia mund të përdorë gazin si një armë gjeopolitike. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit