Expo Halal është panairi hallall që tashmë e ka krijuar traditën e vet që prej disa vitesh dhe që po rikthehet edhe një herë tashmë pas pandemisë për t’i mbledhur së bashku të gjitha bizneset hallall muslimane në këtë prag Ramazani.
Mbi 50 biznese nga fusha të ndryshme ishin të pranishme në këtë panair, ku ishin ekspozuar produkte ku dominonte logoja bio si te parfumet, frutet e thata dhe produkte të tjera. Ekspozuesit kishin rastin kështu jo vetëm t’i tregtonin produktet e tyre në kushte shumë të mira të krijuara nga organizatori, por edhe diskutuan mundësitë e bashkëpunimit me biznese kosovare.
Një nga befasitë e këndshme të këtij panairi hallall ishte edhe “Thertore VID”, e cila së bashku me produktet e veta u paraqit nën logon hallall të çertifikuar nga trupa e AlbInspekt, e cila bashkëpunon ngushtësisht me LHSH për të aplikuar standardin hallall. Një nga zhvillimet pozitive nga organizatori Fabian Dajca ishte edhe Forumi i Expo Halalit, ku synimi kryesor ishte marketimi i logos Halal dhe rrjetëzimi i bizneseve të ndryshme.
Mysafir i rëndësishëm i këtij paneli ishte CEO i UBA-s Amel Kovaçeviç, i cili paraqiti perspektivën islame rreth produkteve të bankimit hallall, si dhe të paketave të ndryshme që ofron kjo bankë. Z. Kovaçeviç iu përgjigj pyetjeve të biznesmenëve të pranishëm, ku ndër të tjera i njoftoi ata se ka pasur takime të rregullta me përfaqësues të LHSH-së për të diskutuar rreth produkteve hallall që ofron kjo bankë.
Kjo gjë u konfirmua edhe nga hoxhë Justinian Topulli i pranishëm në këtë forum. Z. Kovaçeviç solli në vëmendjen e të pranishmëve edhe botimin e librit “Hyrje në Financat Islame” të dijetarit Muhamed Teki Usmani përkthyer mjeshtërisht në shqip nga dr. Ardian Muhaj, si një kontribut shoqëror të UBA-s për shoqërinë shqiptare.
Moderatori i këtij forumi Fabian Dajca ia dha fjalën hoxhë Justinian Topullit, i cili shpjegoi për të pranishmit mirësitë dhe dobitë sheriatike të aplikimit të standardit hallall në punën e përditshme të bizneseve muslimane, sidomos tashmë që jemi në pragun e muajit të Ramazanit. Përfaqësuesi i firmës AlbInspekt Klajdi Çeka shpjegoi procedurat e aplikimit te kjo firmë për të arritur që bizneset muslimane të marrin çertifikimin me logon hallall sipas standardeve të vendosura nga LHSH.
Fjalën e mori më pas redaktori përgjegjës i revistës KIBLA Roald A. HYSA, që trajtoi rëndësinë parësore përse bizneset muslimane duhet ta kenë të dukshme logon hallall. Ai tha, se rëndësia e vendosjes së kësaj logoje qëndron në dy fakte, se LHSH ka qenë e para që e ka patentuar këtë logo dhe e dyta është se një trupë hoxhallarësh të ndershëm kanë qenë të pranishëm vazhdimisht gjatë punës së AlbInspektit për të çertifikuar këto biznese.
Biznesmenët muslimane që punojnë me ndershmëri nga mëngjesi e deri në darkë e meritojnë t’ju vendoset logoja hallall. Fabian Dajca gjatë diskutimit të tij vërejti, se vendosja e logos hallall merr një rëndësi të veçantë, sepse edhe tek uji, i cili po eksportohet me sukses këto ditë po kërkohet nga ky lloj biznesi, që ta ketë të vendosur këtë logo.
Një tjetër befasi e këndshme ishte edhe agjencia këshillimore për zbatimin e standardeve të Cilësisë dhe Sigurisë në sektorin ushqimor, përfshi Çertifikimet Organike, ISO, Hallall etj.– Tirana Food Consulting e ngritur nën kujdesin e tre specialistëve të mirënjohur Elton Seferi, Gentian Muça dhe Endrit Kullaj. Kjo agjenci është e gatshme t’i udhëzojë bizneset muslimane përdrejt arritjes së marrjes së këtyre logove.
Lidhja e Hoxhallarëve e Shqipërisë gjen rastin t’i falënderojë të gjithë bizneset pjesëmarrëse, organizatorin e Halal Expo Albania 2022, UBA dhe ceon z. Amel Kovaçeviç për bashkëpunimin dhe interesimin e treguar në dobi të bizneseve muslimane, duke e konsideruar një sukses dhe arritje të të madhe.
Burimi : lidhjahoxhallareve