Emra arabë për dhurata arabe
Më lejoni t’ju ftoj të pini diçka në këtë kafene, e dashur zonjë! Hiqeni xhaketën. Uluni në sofanë e bërë me stof ngjyrë karmini. Kamerieri do t’ju sjellë një filxhan kafe me dy copa të vogla sheqer, apo doni një limonadë të ftohtë. Jo? Atëherë do pranoni një copë tortë me reçel dhe banane.
Mik i dashur, sot jeni i ftuari im! A mund t’ju ofroj një sherbet me portokall. Po sikur të hanit pak oriz me spinaq? Dhe në fund do t’ju rekomandoja këtë ëmbëlsirë me arrak dhe për ta mbyllur darkën: një gotë bozë… Por, ju lutem, rehatohuni mbi divan.
A do ndjeheshit rehat kur gjithçka që ju rrethon, si dhe gjithçka që ju ofroj gjendet në listën e artikujve që kanë qenë qëkur pjesë të inventarit dhe që janë pjesë e ekzistencës sonë, ndërkohë që gjithë këtë ne e kemi huazuar nga një botë e huaj, e konkretisht nga bota arabe? Kafeja pa të cilën nuk mund të bëni në jetën e përditshme, filxhani ku e hidhni këtë pije të zezë, sheqeri pa të cilin nuk do mund ta përfytyronit ushqimin, limonada, xhaketa dhe shalli, të gjithë këto i njohim falë arabëve. Dhe nuk përfundon këtu! Pothuajse në të gjithë botën e civilizuar, këto gjëra ende mbajnë emrin e tyre arab!
Asgjë për t’u habitur do thoni ju, duke patur parasysh se disa fruta që rriten në vendet e nxehta (si dhe shumë ushqime e pije) na vijnë nga Lindja; atëherë, kur është kështu, përse të mos e mbajnë emrin e tyre origjinal?
Dhe, kur ju e pranoni që, të rraskapitur nga lodhja shtriheni mbi sofa, divan apo minder, ju më siguroni se edhe një fëmijë do dinte t’ua njihte prejardhjen e huaj këtyre fjalëve kaq ekstravagante. Por a e dini, se padashur, keni përdorur një tjetër fjalë arabe, një fjalë që vjen nga fjala shah (lojë arabe, e sjellë në Evropë nga i dërguari i Harun el-Rashidit në Oborrin e Karlit të Madh), ndërkohë që fjala shah do të thotë mbret dhe fjala mat do të thotë: “Vdiq!” Pra, siç e shihni: Shah dhe mat!
E dinit që thasët prej marokini (saftjan, lëkurë dhie) që shihni në këtë magazinë mbajnë ende stampën e arabëve? Ndërsa, përsa i përket stofrave të ekspozuara në këtë vitrinë, përveç, pambukut, byrynxhykut, mohar-it (akrilikut) të përkulshëm dhe me push, mund të zgjidhni mes satenit elegant, taftasë së famshme, stofit prej leshi farfuritës dhe damaskut mahnitës (nga qyteti i Damaskut), të cilët shpalosin para syve tuaj një larmi ngjyrimesh, që prej shafranit të verdhë e deri tek lejlaja, duke kaluar nga portokallia. Këto mrekulli na ftojnë të sjellim ndër mend ata, të cilëve ua detyrojmë këto stofra sa të dobishme aq dhe të çmueshme me ngjyrat e tyre shkëlqyese, domethënë arabët.
A e dini se kur hyni në një farmaci, apo një dyqan, do të gjeni shumë nga “shpikjet” arabe? Një vështrim i shpejtë i arkave dhe flakoneve të farmacistit do mjaftonte për të na bindur për këtë; aty do shihnit arrë moskat, shafran, kamfor, benzinë, alkale, sodë, boraks, zaharinë, qelibar si dhe shumë “xhingla-mingla” arabe, që ju i përdorni çdo ditë. E dini që ne ende e quajmë me emrin e vet arab: llak manikyrin, me të çilin lyejmë thonjtë; që anilina, garza, talku, pambuku janë po ashtu emra arabë?
Dhe nuk do ta mohonit që numri kaq i madh i emrave arabë, që zbukurojnë gjuhën tonë emërtojnë shumë artikuj të përdorimit të përditshëm, ekzistencën e të cilëve na e kanë zbuluar arabët. Dhe as nuk e mohoni dot faktin që këta artikuj kanë sjellë në jetën tonë të përditshme, e cila dikur ka qenë e varfër dhe pa shije, madje edhe ca e pisët, shumë kënaqësi që i kanë dhënë lezet dhe e kanë zbukuruar me ngjyrën dhe aromën e tyre. Dhe është fakt i pamohueshëm që, falë këtyre “dhuratave” jeta jonë është bërë më e shëndetshme, më higjenike e njëkohësisht më e pasur, më e rehatshme dhe elegante…
DIELLI I ALLAHUT SHKËLQEN MBI PERËNDEMIN – Sigrid Hunke,
Trashëgimia jonë arabe. Shqipëroi nga frëngjishtja: Ornela Ademovi