Konsideroj se nuk ka legjitimitet të pakontestueshëm për të qenë model, përveç për ata që Zoti i gjithësisë ua ka dhënë, e ata janë të dërguarit dhe të zgjedhurit e Tij. Të tjerët (vdekatarët e rëndomtë) janë pjesëmarrës në garë. Dikush arrin më shumë e dikush më pak. E arritura e secilit, referencë kryesore e ke nivelin dhe intensitetin e devotshmërisë. Asaj devotshmërie të mirëkuptuar që rregullon relacionet në dy drejtime, sikur kanë thënë të diturit. Relacioni me Krijuesin rregullohet me respekt për Të që kryesisht manifestohet nëpërmjet ibadetit dhe relacioni me krijesat që kryekëput rregullohet me (mirë)sjellje.
Nëse këtë parim bazë e kuptojmë si duhet, atëherë secili prej neve do të përballet me dy situata: atë të të qenit model dhe atë të të kërkuarit (dhe shikuarit) modelin. E para ndodh natyrshëm, ndërsa për të dytën kemi nevojë pa kurrfarë mëdyshje.
Kur lypim dhe e gjejmë modelin, shfaqen edhe pritshmëritë të cilat, sipas lartësisë, rrezikojnë edhe të shkaktojnë dëshpërim. Për këtë arsye, në pritjet tona duhet të jemi sa më të arsyeshëm dhe modestë. Në anën tjetër, nëse jeta, si rrjedhojë e rrethanave të ndryshme na vë në podium, duhet vënë mendjen se dikush mund të na shohë si model, andaj përveç të mirave të kësaj gjendjeje, duhet të jemi të vetëdijshëm edhe për përgjegjësitë që rrjedhin prej saj.
Për të qenë njeri, besimtar, shembull, model duhet respektuar një parim themelor: që çdo gjë të synohet të bëhet perfekt (lexo: sa më mirë që është e mundur). Fetarisht, kjo ka dy binarë të jetësimit:
– të insistohet në ngritjen maksimale të cilësisë së veprës dhe
– t’u mundësohet edhe të tjerëve të përfitojnë nga mirësitë që ne i përjetojmë.
Për fund, kam një këshillë:
Ke nevojë për model, është e pamohueshme, por, për të mos u zhgënjyer, menaxhoji pritshmëritë.
Je model dhe shembull, edhe kjo është e pamohueshme, andaj kujdes mos e shfrytëzo vetëm komoditetin që të ofron kjo gjendje. Merru edhe me përgjegjësitë.
Qofsh i bekuar!
Hoxhë Ekrem Avdiu