Cilado shkencë apo grumbull sistematik shkencash humane, shoqërore apo edhe natyrore e teknike, sado që pretendon të tregojë të vërteta universale dhe të përjetshme, deri tani nuk ka mundur t’u shpëtojë kufizimeve dhe arritjeve interpretuese të çdo brezi njerëzish. Shpeshherë, konceptimet e një kohe për faktet e vërteta nisin e zënë rrënjë, transmetohen nga brezi në brez nëpërmjet shkollimit, përsëriten nga brezi në brez prej shtresave intelektuale apo studiuesve, elitave ideologjike në pushtet dhe me pushtet, që i marrin si të padiskutueshme dhe pastaj mbeten si postulate të palëvizshme, u transmetohen brezave të mëvonshëm si aksioma, të cilat nuk kanë nevojë të vërtetohen. Kush i prek këto tabu konsiderohet se është jashtë normës që pranon bashkësia e studiuesve lokalë apo edhe jo fort i përshtatshëm për ta lejuar atë që mbi bazën e kundërshtive apo mendimeve alternative të konceptojë tekste për shkollarët. Këta të fundit, deri në fund të arsimit të përgjithshëm ndodh që përkunden në konsiderata, të cilat duken si të vetëkuptueshme, por që në të vërtetë kanë nevojë të diskutohen.
E kam fjalën konkretisht këtu hëpërhë vetëm për njërën prej tyre, atë që shpreh se shqiptarët apo paraardhësit e tyre kanë pasur si specifikë të tyre krejt të veçantë se nuk kanë qenë besnikë ndaj feve të tyre të para, pra në histori e kanë ndryshuar besimin fetar. Është fjala kur mbahet parasysh kalimi i një pjese të konsiderueshme të popullsisë shqiptare nga besimi i krishterë drejt besimit mysliman. Fakti historik sigurisht që nuk mund të vihet në diskutim, por interpretimi i tij ndodh që përbën problem.
Cili është ky interpretim që është kthyer gati në një zakon, në një gjë që kuptohet vetiu, që merret si pa vërtetim? Ndryshimi i besimit fetar konsiderohet si një specifikë e veçantë shqiptarëve, që i dallon ata nga popujt e tjerë. Nga njëra anë kjo duket si një instrument për t’u dalluar nga të tjerët, nga kombet e tjera. Më në fund u gjet se nga dallojmë nga popujt e tjerë! Nëse ata i kanë qëndruar besnikë përgjithësisht një feje të caktuar, shqiptari, thuhet, nuk e kanë bërë këtë, por i ka ndryshuar fetë përgjatë historisë së tij.
E vërteta është se bashkësia e studiuesve të çdo vendi rreket me çdo kusht të gjejë se çfarë e dallon kombin, të cilit i përket, nga kombet e tjera. Duket se këtu është kulmi i dijes kombëtare. Në fakt, këtu është edhe kurthi. U gjet një specifikë që na dallon: Të parët tanë nuk paskan qenë të ngujuar në besimet që lidhen me një fe, sepse ata kaluan nga format e paganizmit në ato të feve politeiste, pastaj monoteiste, u ndanë në katolikë dhe të krishterë kur Kishat u përçanë me njëra-tjetrën, e më në fund pasi u shndërruan në myslimanë, përgjatë disa dekadave ateizëm, e humbën në një masë të madhe sensin e fesë!
Duket se nxjerrja në pah e kësaj historie që shitet si krejt specifike, është përdorur edhe për të treguar njëfarë gjallërie të botës shqiptare në marrëdhëniet e saj me dogmat fetare. Para besimeve konservatore, na paraqitet edhe nga disa udhëtarë të huaj, kujtimet e të cilëve merren si flori safi nga pikëpamja e vërtetësisë, një shqiptar çapërxhi, i shkathët, pragmatist, që nuk pyet fort për besim dhe fe, por sheh veçse ku të përmirësojë jetesën e vet materiale, të bëjë pare dhe pasuri, vret e vjedh dhe rend pas diskurit më të parë që ai që ka pushtet dhe burime pasurish materiale i nxjerr përpara syve dhe mendjes, por pa i besuar asnjëherë seriozisht.
Në njëfarë mënyre, kjo ide, pra se shqiptari nuk pyet fort për fenë dhe besimet fetare, u përdor me të drejtë, nga pikëpamja e aksionit politik të Rilindjes sonë, mendjendritur, për të themeluar ndërgjegjen kolektive kombëtare. Me anë të fesë ishte e pamundur që shqiptarët të unifikoheshin si grupim më vete. Mbetej gjuha si instrument i përbashkët njësues. Feja përfaqësonte një realitet të fragmentuar ndër shqiptarët, kurse gjuha, duke braktisur dialektet, përfaqësonte një element më të besueshëm dhe të kollajshëm për t’u konsideruar si kriter unifikimi. Në njëfarë mënyre pati edhe poetë apo njerëz të tjerë të penës që për hir të krijimit dhe ndërgjegjësimit të shpirtit të përbashkët të kombit, hodhën edhe shigjeta ndaj feve të ndryshme që besonin shqiptarët. Me të drejtë ata ngulmonin që feja të mos konsiderohej karakteristika e shqiptarëve, asnjë fe, meqë kjo ndante dhe nuk bashkonte si njësi vlerësuese e identitetit kombëtar.
Ndante si kriter abstrakt, teorik, nuk vlente për krijimin e njësisë, por nuk ishte fare e vërtetë se fetë përçanin si natyrë e tyre vetë shqiptarët, të cilët edhe jetonin brenda komuniteteve të veçanta fetare, por edhe dinin të bashkëjetonin. Rilindja e nënvleftëson rolin e besimit te shqiptarët dhe ka arsyet e veta për këtë. Çdo argument nganjëherë është i mirë kur është i dobishëm. Por duke qenë i dobishëm nuk do të thotë se është i vërtetë. E dobishmja dhe e vërteta shpesh bashkëjetojnë, por jo çdo herë mbivendosen, aq më pak janë e njëjta gjë.
U gjet edhe argumenti se përse feja ndër shqiptarët nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe. U tha jo pak herë se ndryshe nga popujt e tjerë përreth apo larg nesh, të parët tanë kishin ndryshuar fe sipas interesave të tyre. U gjet specifika shqiptare më në fund! Kjo ide u zhvillua fort edhe përgjatë kohës së shoqërisë ateiste, sepse edhe asaj i interesonte tanimë të tregonte se ndalimi i fesë me anë të dhunës nuk kishte se përse të konsiderohej tjetër, as më shumë dhe as më pak, porse vetëm në vazhdimësi të natyrës specifike të shqiptarit. Përderisa shqiptarët e kishin ndryshuar fenë disa herë, përderisa edhe rilindasit u kishin bërë thirrje, ndonjëherë edhe hapur, që ta braktisnin fenë për shqiptarinë, atëherë mund të pranohej që shqiptarët mund të ishin edhe afetarë, pra t’u ndalohej feja në përgjithësi.
Në këtë mënyrë, brenda dy shekujsh, vazhdon edhe tani, një pjesë e konsiderueshme e albanologjisë konsideron se nëse duam të dallojmë specifikat e shpirtit shqiptar, ndryshe nga ai i kombeve të tjera, kemi mundësinë ta bëjmë lidhur me fenë duke u mbështetur në tri postulate, që në fakt plotësojnë njëri-tjetrin dhe të tre së bashku shkojnë te parimi themeltar, tabuja e palëvizshme, sipas së cilës, është një karakteristikë specifike shqiptare fakti që:
a) shqiptarët e ndryshojnë fenë kollaj,
b) shqiptarët kanë pasur një besim shumë të cekët fetar,
c) shqiptarët kanë ditur të bashkëjetojnë në një shoqëri me shumë besime fetare dhe ta tolerojnë njëri-tjetrin pavarësisht besimeve të tyre fetare.
E theksoj edhe një herë se këtu nuk është fjala te çështja nëse secili nga këto vlerësime është i vërtetë ose jo, por fillimisht vetëm te çështja nëse këto janë karakteristika apo jo specifike, pra që na dallojnë ne nga popujt e tjerë?
Sepse, duke dashur të theksojmë këto anë, sot nuk duket se del ndonjë gjë pozitive. Ideja se shqiptari e ka ndryshuar fenë, çka e karakterizon specifikisht, ndryshe nga popujt e tjerë, në njëfarë mënyre nxjerr atë një individ që disi është i pabesë. Në çfarë kuptimi mund të konsiderohet i pabesë? Jo në kuptimin thjesht të mbajtjes së fjalës, por në atë të respektimit të besimit të të parëve. Se këtu krijohet edhe një amulli e paparë: Nga njëra anë thuhet se shqiptari është i besës, pastaj nga ana tjetër thuhet se ai nuk ka ditur të mbajë besën themelore, që është besimi fetar! Hyjmë kështu në një rrugë pa krye!
Por, nëse e shohim pak më me kujdes çështjen tonë, do të vëmë re se nuk është vetëm popullsia shqiptare që ka ndryshuar besimin dhe fenë përgjatë shekujve. Nuk ka asnjëfarë karakteristike të veçantë shqiptare në këtë mes. Përgjithësisht popujt e kanë ndryshuar besimin fetar përgjatë historive të tyre në funksion të kushteve dhe rrethanave historike. Ka edhe përjashtime, por ato janë shumë të rralla dhe karakterizojnë shoqëritë e mbrojtura disi nga ndikimet e jashtme, madje shumë konservatore. Madje, mund të thuhet se ka popuj që e kanë ndryshuar formën e besimit fetar, që kanë ndjekur në mënyrë shumë më radikale dhe shumë më të shpejtë e revolucionare sesa shqiptarët.
Nuk ka kuptim atëherë të pyesim se përse shqiptarët specifikisht, në mënyrë të pangjashme me popuj të tjerë, janë konvertuar nga njëra fe te tjetra. Përgjigjja këtu nuk do të ishte duke rrekur të gjendet kjo specifikë. Pyetja që bëhet ndonjëherë edhe në media, kur ka emisione për këtë temë, kërkon të manipulojë përgjigjen. Pyetja në fakt ka kështu mospërgjigjen e vet. Është e pamundur t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje për të vetmen arsye themelore se nuk është e vërtetë që vetëm shqiptarët kanë pasur në histori të tillë sjellje të lëvizshme në raport me besimet e tyre fetare. Jezusi ishte lindur brenda besimit hebre, por kjo nuk e pengoi birin e Zotit ta ndryshonte fenë e tij dhe të bënte kalimin epokal nga Testamenti i Vjetër te ai i Riu. Të krishterët e parë ishin paraprakisht në përgjithësi të besimit hebre. Në kohën kur besimi i krishterë kaloi në Romë nëpërmjet skllevërve apo i migruar nëpërmjet trupave të ushtrisë romake që ktheheshin në vendlindje, ai solli një ndikim të ri fetar. Romakët paganë, pasi e persekutuan fenë e re që po trokiste në portat e qytetërimit të tyre, u kthyen në të krishterë dhe e kthyen këtë besim në fe të perandorisë. Po se mos ka siguri për të thënë se feja në detaje e shpallur nga Jezusi i Nazaretit është e njëjtë në hollësitë e veta me atë besim që pranuan romakët dhe e shndërruan më pas në ideologji sunduese të Perandorisë! Pale pastaj po të shohim ndryshimet në brendësi të çdo besimi! Kush mund të thotë se Inkuizicioni u përket të njëjtave praktika fetare dhe besimi sikurse edhe feja e sotme e krishterë në hapjen e saj ndaj shkencës dhe modernitetit! Mjafton të lexosh Maks Veberin për të kuptuar se edhe vetë Krishtërimi brenda vetes së vet ka kaluar nga fe rurale në fe si tërësi besimesh të popullsive urbane. Por, kjo është një çështje tjetër.
Nuk ka vend për t’u zgjatur edhe për të parët helenë në Athinën antike apo qytetet e tjera shtet përreth saj. Paganë, politeistë, deistë e më pas të kthyer gradualisht në të krishterë qysh herët, atëherë kur Shën Pali predikonte në krahinat tona e më pas, të ngujuar pas një besimi ortodoks lindor, në dallim nga katolicizmi perëndimor. Brenda 20 a 30 shekujsh konstatohen ndryshime thelbësore, rrënjësore në besimet fetare.
Nuk ka asnjë dyshim kur kthejmë sytë drejt Evropës Qendrore dhe Lindore se popujt kanë ndryshuar fenë. Është pothuajse një karakteristikë e përgjithshme, një gjendje natyrore e identiteteve kombëtare, e sjelljes kolektive të popujve. Princërit barbarë të Evropës Qendrore u kthyen shumë vonë, nën presionin dhe ndikimin e Vatikanit, në katolikë. Një pjesë e tyre, sidomos në botën gjermanike, nuk qëndruan më shumë se katër a pesë shekuj brenda këtij ndikimi, sepse gradualisht u shndërruan në protestantë. Ndikimi i reformës luteriane dhe kalviniste u bë kaq i madh saqë shënoi lindjen e një universi të ri kulturor dhe fetar mu brenda zemrës së kontinentit evropian. Kudo ku të hedhësh sytë, do të shohësh si vazhdimësi besimesh të vjetra, ashtu edhe ndryshime në bindjet dhe besimet fetare.
Çfarë kuptimi ka të pyesësh atëherë se çfarë gjëje të çuditshme ka në shpirtin e shqiptarit që ai nuk qenka kaq i lidhur me besimet fetare dhe, në ndryshim nga popujt e tjerë, i ndryshuaka lehtë ato? Pyetja është pa kuptim dhe e gabuar, sikurse e bën ndonjë gazetar, ashtu edhe kur e bën ndonjë person publik që nuk dëshmon në këtë rast veçse faktin që është ende shumë i ngarkuar me stereotipa që albanologjia fatkeqësisht ka mbrujtur dhe konservuar brenda saj. Kur pyetja është pa kuptim, edhe përgjigjet nuk mund të jenë veçse të gabuara dhe asnjëherë nuk mund të gjejnë një konsensus. Pyetje e kotë, përgjigje me argumente të kota. Përgjigjja e vërtetë do të ishte: Pyetja është e gabuar, sepse nuk është e vërtetë që ndryshimi i besimeve fetare u ka ndodhur vetëm shqiptarëve.
Specifikat vazhdojnë të gjenden atje ku, në fakt, nuk janë aspak. Lihet të kuptohet se feja e shqiptarit është shqiptaria. Mirë, po shqiptaria çfarë është? A nuk është e ngjizur ajo me kulturën, etikën, moralin e fesë? Nëse shqiptaria do të ishte diçka që nuk do të kishte të bënte me asnjë vlerë fetare, atëherë këtu do të ndodheshim para një paradoksi, shpëtim nga i cili do të kishte vetëm po ta konsideronim veten tonë si element popujsh barbarë. Në fakt, feja ka qenë në kontinentin tonë mekanizmi ngjizës i etikës humane, pra edhe i karakteristikave etike të popujve. Por, se mos vetëm në Evropë…! Feja e shqiptarit është shqiptaria, po shqiptaria me vlerat e veta si u krijua? A nuk është edhe ajo e ndikuar në konstitucionin e vet shpirtëror nga vlera fetare? Përndryshe, po të pranonim të kundërtën, do të duhej të përgjigjeshim se si këto vlera etike që i ndajmë me kombet e tjera, ku i kemi gjetur, nga na kanë ardhur.
Nuk duket të ketë asgjë specifike për shpirtin e shqiptarit, kur është fjala për faktin e ndryshimit të fesë. Nuk është çështje shpirti, është çështje institucionesh. Përgjatë Mesjetës, më parë a më pas, sa herë që institucionet e një feje dobësohen, sa herë që feja humbet jo vetëm terrenin e vet institucional, por edhe mbështetjen e pushteteve laike, sa herë elitat ndryshojnë besim për t’u rreshtuar brenda aleancave të reja brenda një shoqërie globale, të paktën kontinentale, aq herë krijohen kushtet që edhe masat popullore të ndryshojnë besim fetar. Nuk është çështje karakteristikash të veçanta shpirtërore, por problem prirjesh historike universale. Nuk kemi asgjë as për t’u dalluar, as për t’u krenuar, as për t’u sharë për sa më sipër, jemi dhe kemi qenë si të gjithë të tjerët. As më të pabesë dhe as më të besës se të tjerët kur është fjala për besim fetar.
Natyra e shqiptarit në specifikën e tij shpirtërore nuk mund të përmblidhet aspak edhe te fakti se shqiptarët kanë ditur të jenë tolerantë, sepse kanë bashkëjetuar pa luftëra fetare mes tyre. Popujt përgjithësisht kanë jetuar në një pluralizëm fetar për arsye koniunkturale të çdo vendi. Si vështirë të gjesh sot shoqëri të pastra etnikisht, por edhe për sa i përket konstitucionit të tyre shpirtëror dhe fetar. Luftëra kanë bërë princërit me njëri-tjetrin, presion dhe shtypje bazuar mbi luftëra fetare kanë bërë mbretërit, princërit, shtypja fetare ka qenë në fakt një shtypje politike e prejardhur nga faktorë jashtëfetarë, por shumë të rralla janë rastet që të ketë pasur luftëra të vërteta fetare në rrafshin horizontal mes grupeve të të njëjtit komb. Këtu duhet dalluar nëse tensionet fetare në rrafshin e lëvizjeve dhe konflikteve janë të mirëfillta fetare apo veshja fetare mbulon në fakt konflikte pronësore, etnike e të tjera. Sa kohë që nuk është dhënë kjo përgjigje, nuk ka asnjë arsye të thuhet se popujt e tjerë kanë bërë luftëra fetare mes tyre. I kanë bërë njerëzit e pushtetshëm duke manipuluar turma besimtarësh të thjeshtë, por jo këta të fundit në vetvete.
Ku nuk ka përzierje të popullsisë edhe brenda një fshati mes individësh dhe rrethesh fisnore që u përkasin fiseve të njëjtë? – që të mund të themi pastaj se është e çuditshme që në Shqipëri vetëm ka hibride specifike familjesh ku babai ka qenë i krishterë, kurse i biri ka qenë mysliman?! Po kjo është gjëja më normale që karakterizon të gjitha shoqëritë në tranzicion përgjatë historisë kur ndryshimet sociale, shpirtërore apo zakonore janë të shpeshta. A nuk ishte e rrjedhur nga paraardhës hebre nëna e Jesuzit, themeluesit të Krishtërimit? Mjafton të shkosh nëpër Evropën e sotme Qendrore, të vizitosh fshatra dhe zona urbane dhe sheh krahpërkrah kishën ortodokse, kishën katolike, sinagogën dhe ndruajtur, ende në forma arkitekturore të ndaluara, edhe fillesat e xhamive. A nuk kanë jetuar prej shekujsh protestantë, anglikanë, hebre, katolikë etj. në Mbretërinë e Bashkuar? A nuk shohim në vendet sllave identitete fetare të ndryshme, myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe përkatësisht të identifikuar me popujt të tjerë? Kanë jetuar ngjitur me njëri-tjetrin, pranë njëri-tjetrit, me fetë të ndryshme gjithnjë e më shpesh edhe brenda familjeve, as më pak dhe as më shumë se shqiptarët.
Përse na duhet, me çfarë e masim atëherë faktin statistikor se brenda familjes shqiptare ka pasur besime fetare të ndryshme, çka përdoret për të gjendur një rast unikal, të papërsëritshëm në strukturën shpirtërore të popujve të tjerë? Edhe në kultura të tjera kështu ka qenë. Nuk jemi as më pak të përçartur as më shumë të ngurtë në identitetet familjare dhe fetare krahasuar me ato të popujve të tjerë. As më shumë tolerantë dhe as më pak tolerantë.
Kushdo që do të thoshte se ka raste kur katolikët, për shembull, në Mesjetën e hershme apo më pas në Europën Qendrore masakrojnë hebrenjtë, përsëri do të ndodhej brenda një qerthulli pasigurie dhe amalgamash të faktorëve fetarë, etnikë, ekonomikë, do të ngatërronte keqazi fenë dhe besimet fetare në kësi rastesh si mbulesa dogmatike konfliktesh jashtëfetare me konfliktet fetare mes të njëjtit popull dhe etni.
Shqiptari ka ndryshuar fe, sepse ndër të tjera, thuhet se ka pasur një ndërgjegje të ulët fetare, ka pasur një kulturë të cekët fetare, ka pasur një ndjenjë të dobët fetare…! Çfarë do të thotë kjo në mos qoftë një tautologji e thjeshtë? Një shprehje që as mund të rrëzohet dhe as mund të vërtetohet. Pra, asnjëherë një të vërtetë shkencore.
Nga dallohet një ndjenjë besimi e thellë nga një ndjenjë besimi e dobët? Askush nuk mund ta masë. Po t’iu referohemi dokumenteve mesjetare që rrëfejnë për jetën e përditshme mesjetare në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, besimtari në fakt atje është një analfabet. Ai nuk mund ta lexojë tekstin e shenjtë dhe nuk merr informacion për të, veçse nëpërmjet komunikimit kolektiv në institucionin e kultit të dielave. Se shqiptari nuk e ka marrë predikimin fetar, për një kohë të gjatë në gjuhën e vet amtare, thuhet duke kujtuar sikur gjendet aty ndonjë specifikë që na tregon se ne jemi më të pabesë së popujt e tjerë, e trishtueshëm këtë pabesi të paqenë e brohorasin pa kuptuar sa dëm bëjnë… Po predikimi në gjuhët amtare është një fakt shumë i vonshëm në historinë e popujve. Edhe sot ai nuk është i plotë, pale nëse shikojmë se çfarë bëhej para humanizmit evropian, në Mesjetën e hershme a të periudhës së mesme ku gjuha latine nuk ishte kurrfarë gjuha e popullit të thjeshtë.
Besimet nuk janë as të cekëta as të rrënjosura për jetë, ato varen nga ndikimi që ushtrojnë institucionet apo elitat mbi masat, janë në njëfarë mënyre forma komunikimi propagandues. Nëse agjencitë që i komunikojnë nuk kanë më forcë për t’i përhapur, besimet largohen dhe harrohen.
Kështu ka ndodhur. Ndryshimi i besimeve nuk është një faktor që shpjegohet automatikisht me cektësinë e besimeve fetare të mëparshme. Elitat fetare klerike katolike që u konvertuan në kishën anglikane, apo më parë në protestantizëm, nuk është se kishin besim dhe njohuri të cekëta për fenë katolike. Nuk shpjegohet ky konvertim me cektësinë e besimeve të mëparshme. Ka faktorë të tjerë.
Nisur nga sa më sipër, ka vend të mendojmë në mënyrë kritike para se ta gjejmë specifikën e shpirtit shqiptar, të identitetit shqiptar, atje ku në fakt nuk është. Shpesh nga mosnjohja e historisë së popujve të tjerë na është dukur se ajo që ka ndodhur në trevat tona është shumë specifike si karakteristikë e jona e dallueshme. Dalja në botën e madhe pastaj e mëson njeriun se nuk është asfare kështu. Se ajo që ka ndodhur te ne, ka ndodhur me specifikat e veta edhe te popujt e tjerë. Dallimet nuk gjenden dot në formulime propagandistike, të dobishme për të legjitimuar këtë apo atë aksion politik të dobishëm të kohës. Duhen analiza kritike përtej dogmave rutinë. Përndryshe do të vazhdojmë të themi me pak fjalë ose me fjalë të tjera se shqiptari paska një shpirt të veçantë historikisht dhe veçanësia e tij qenka se paskësh qenë i pabesë…
Prof. Artan Fuga