Nga: Dr. Selman Aude
Qeni që shqyen trutë tanë
U bë bujë e madhe në internet dhe në predikimet e xhamive, lidhur me ngjarjen e një mongoli i cili atwbotw paska sharë profetin Muhamed a.s. Sipas rrwfyesve ai ishte sulmuar nga qeni i tij i lidhur, i cili e kishte kafshuar disa herë. Falë të pranishmëve personi në fjalë shpëtoi i gjallë. E megjithatë nuk kishte zënë mend, pasi menjëherë kishte filluar sërish të përbaltë figurën e Profetit. Por sërish qeni i ishte hedhur sipër, e këtë radhë viktima nuk i shpëton thonjve të vdekjes për shkak të kafshimeve të thella të qenit.
Edhe pse kjo ngjarje është nxjerrë nga burime historike, unë besoj se përzgjedhja e saj nga një mori e panumërt ngjarjesh dhe rrëfenjash, publikimi dhe besimi i saj, janë tregues të një traume të rëndë të mendjes së myslimanit.
Ngjarjen e mësipërme e transmeton Ibnu Haxher në Durer Kamine 4/153, të rrëfyer nga Ali ibnu Merzuk, për të cilin nuk thuhet asnjë fjalë më shumë sesa ka qenë tregtar. Ajo që duket qartë është se historisë i mungon vargu i transmetuesve dhe është zakon i atyre që shkruajnë biografi të gjata të shtojnë ngjarje nga më të çuditshmet, pa u thelluar në saktësinë e tyre. Ibnu Haxheri nuk sjell ndonjë informacion tjetër rreth transmetuesit të ngjarjes në fjalë, gjë e cila është e mjaftueshme për ta refuzuar këtë ngjarje.
Qeni na është shndërruar në propogandues për shkakun e të cilit pranojnë Islamin dyzet mijë burra njëkohësisht! Kam frikë se çështja do të rëndohet, saqë do të detyrohemi që ti klasifikojmë edhe kafshët sipas përkatësisë sektare, partiake apo organizative, duke u bërë gazi i botës.
Lexuesit e këtyre historive, komentojnë duke thënë se gjëra të tilla u ndodhin ambiciozëve që shohin larg, cilësi kjo që nuk përkon me gjendjen tonë. E në ndodhtë që një komentues të manifestojë rezerva për histori të tilla, bombardohet nga një rrebesh komentesh dhe togfjalëshash të tipit “Kij frikë Zotin!” “Këto fjalë të ngjeshin në xhenehem shtatëdhjetë vjeshta!”… Reagimet janw tw ngjashme sikur të kishte hedhur dyshime për një tekst Kurani apo një hadithi të saktë dhe sikur reaguesit të mos kishin aq haber sa të bëjnë dallimin mes gajbit (botës së padukshme) dhe legjendave, miteve, iluzioneve dhe gënjeshtrave. Histori të tilla mund ti përhapë dhe një dashakeq i islamit, por që shumë njerëz të cekët i marrin si tekste të shenjta, duke u vënë në mbrojtje të tyre me fanatizëm sikur të ishin parimet e përgjithshme të Islamit dhe vija ndarëse me jomyslimanët. Njerëz të tillë kanë si tregues besimi injorimin e logjikës së shëndoshë, studimin dhe shqyrtimin. Ata u dorëzohen tregimeve dhe ngjarjeve, sado të çuditshme dhe të pabesueshme qofshin.
Vetë i dërguari i Zotit a.s ra pre e torturave dhe përgënjeshtrimit nga populli i tij. E megjithatë, ai ishte urdhëruar të përgjigjej:“Përlëvduar qoftë Zoti im! Unë nuk jam tjetër, veçse njeri – i dërguar”! (Isra, 93) A nuk i hodhën sipër kokës të zorrët e një deveje? A nuk e plagosën në kokë në betejë? A nuk i vranë shokët?
Ndoshta dikush mund të sjellë si argument disa mrekulli dhe keramete të Profetit a.s. Po, por mos harrojmë se këto mrekulli apo keramete ishin gjëra të pazakonta dhe aksidentale, ata nuk përkonin me ligjet e zakonishme të jetës. Askush s’ka të drejtë të pretendojë diçka që nuk ka ndodhur duke përzier të vërtetën me të pavërtetën, fjalën e drejtë me gënjeshtrën. Të parët tanë thonin për hadithet që dëgjonin larg e poshtë:”Na trego zinxhirin e transmetimit!” kurse Zoti në Kuran bën thirrje duke thënë:” Thuaju (o Muhamed): “Nëse është e vërtetë ajo që thoni, atëherë sillni provën tuaj!” (Bekare, 111)
Ne të gjithë e dimë se qentë nuk bëjnë pjesë në kuadrin e krijesave të përgjegjshme, duke mos kuptuar gjë nga zhurmat dhe zërat që dëgjojnë përreth. Thotë Zoti në Kuran:” i shëmbëllejnë kafshëve, të cilat, kur i thërret dikush, dëgjojnë vetëm thirrje e zë, por s’kuptojnë asgjë. Ata janë të shurdhër, memecë dhe të verbër e nuk kuptojnë asgjë.” (Bekare, 171)
Ato nuk janë të arsyeshëm, pasi arsyeja është një dhunti të cilën Zoti ia ka dhënë vetëm qenieve humane, edhe pse ka prej njerëzve të cilët e kanë çaktivizuar këtë dhunti, e kanë injoruar dhe lënë pas dore. Disa e kanë varrosur, e për rrjedhojë i dorëzohen çdo zëri që dëgjojnë dhe rendin pas iluzioneve.
Një herë, idhujtarët vajtën te Ebu Bekri të cilit i thanë duke u orvatur ta largojnë nga Profeti a.s:”A nuk e ke dëgjuar çfarë thotë miku yt?!” Ebu Bekri i pyeti:”E çfarë paska thënë?” Ata iu përgjigjën:”Pretendon se mbrëmë ka vajtur në tokën e shenjtë (xhaminë Aksa) e që andej ka udhëtuar në shtatë kate qiell dhe është kthyer.” Ebu Bekri ua ktheu:”Nëse e ka thënë këtë, ka thënë të vërtetën.” Që atë ditë, Ebu Bekri filloi të njihej me nofkën Siddik (që beson të vërtetën). Siddik është ai që beson shpalljen hyjnore e cila vjen nga qielli dhe jo nga akumulimi i habereve të çuditshme të mendjes njerëzore të disa sharlatanëve. Ata i rrëkëllenjë të tilla tregime të helmosura, mbi të cilat bazojnë të gjithë kulturën dhe informacionin e tyre, duke mos ditur ta ndajë fenë nga mitologjia.
Logjikë mitologjike
Një logjikë e tillë mitologjike, e cila nuk bën dot dallimin me të vërtetës dhe të kotës, është përgjegjëse për përhapjen e miteve brenda shoqërisë islame, mungesës së mendimit të shëndoshë, dobësimit të analizës objektive dhe akumulimit të gafave neto. E si mund të saktësojmë, planifikojmë, ndërtojmë civilizim dhe lavdi nëse mendjet i kemi të kalbura, gjykimin e sëmurë dhe metodat e studimit jashtë mode? Përse lejojmë interferimin e tregimeve iluzionare në mendjet e publikut, madje edhe në mendjet e rinisë dhe intelektualëve, të cilët ndonjëherë mendojnë se është më mirë ti besosh këto mite, duke mos e ditur se besimi i të kotës është si përgënjeshtrimi i të vërtetës?
Logjika dhe arsyeja e myslimanit janë të vetëdijshme dhe perceptojnë drejt, saqë edhe besimi në botën e padukshme (gajb) bazohet në dije dhe informacion. Vetë shpallja hyjnore nuk përmban gjëra që bien ndesh me arsyen e shëndoshë apo me ligjet e jetës.
Bota e gajbit është një botë që qëndron sipër arsyes dhe jo poshtë saj. Që arsyeja ka mangësitë dhe të metat e saj është diçka e provuar tashmë nga vetë ajo. Megjithatë, vetë Zoti urdhëron të merret si referencë gjykuese teksa bën thirrje për besim “për një popull që arsyetojnë” “për një popull që meditojnë” (Junus, 24) “a nuk arsyetojnë” (Jasin, 68) “këto janë argumenta për ata që janë mendarë” (Taha, 54) “A nuk janë këto betime të mëdha për njerëzit e mençur?!” (Fexhr, 5) Ndër gafat më të rënda është pretendimi se besimi është antonim i arsyes, ose se shkenca është e kundërta e fesë.
Reformatorëve, propoganduesve dhe edukuesve nuk u falet që të bëjnë paqe dhe tu dorëzohen mendjeve të disa sharlatanëve. Po, do të ekzistojnë gjithmonë mendje të cekëta, por është e pafalshme që produkti i tyre të shndërrohet në kulturë dominuese e cila ushtron presion mbi mendjet e reja dhe rinore, duke e vendosur brezin e ri mes dy alternativave: Mes besimit të trashëguar të përzier me falsitete që nuk kanë asgjë të përbashkët me shpalljen hyjnore, dhe mes shkencës dhe fakteve të pamohueshme. Fakti që fenë e kemi amanet mbi supet tona, na shtyn që besimin e vërtetë dhe të pastër ta shenjtërojmë. Njëkohësisht, të vëmë alarmin dhe të shkulim me rrënjë të gjitha shtesat e bishtat mitologjike që ia kanë veshur.
Imamët tanë tregohen tolerantë në rrëfimin e tregimeve dhe historive të ndryshme, të shoqëruara me zinxhir transmetimi, për të cilat thonë:”Kush e shoqëron një tregim apo ngjarje me zinxhirin e transmetuesve, ka shpëtuar nga pwrgjegjwsia.” Por tregime dhe rrëfenja të tilla nuk ka përse publikohen për të gjithë njerëzit, duke lënë pasdore shumë specifika thelbësore fetare, e duke u dhënë armiqve të kësaj feje material për ta sulmuar atë. Shpesh herë, më ka ndodhur që të gjendem përballë rrëfenjash e tregimesh të kësaj kategorie të cilat janë përhapur lart e poshtë nga vaizët dhe ligjëruesit e papërgjegjshëm. Nëse i shqyrton dhe gjurmon burimin, do të gjeni se janë sajuar nga njerëz të pamoralshëm për të vënë në lojë një kategori njerëzish. Dikush prej këtyre, pati përhapur fjalë për një të vdekur se kur iu hap varri, e gjetën në drejtim të kundërt të kibles për shkak se kishte qenë duhanpirës.
Besimi tek kerametet nuk ka përse të keqpërdoret për reklamimin e rrëfenjave të këtij kalibri, me pretekstin se mund të jenë keramete. Vetë kerametet kanë kriteret dhe rrugët e vërtetimit të tyre. Myslimani ka si obligim fetar të besojë vetëm atë që është pohuar në Kuran dhe traditën profetike. Sakaq rendja pas rrëfenjave të çuditshme është modë e shtresës së pashkolluar dhe të paditur. Thotë Zoti i lartësuar në Kuran:”Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm mendarët i pranojnë këshillat!” (Zumer,9)
Perktheu: Elmaz Fida
…