Lufta është pjesë e realitetit jetësor të njeriut, kështu ka qenë për mijëra vjet, që kur njeriu erdhi në këtë botë, dhe kështu do të vazhdojë sa të ketë jetë kjo dynja. Ajo vërtetë mund të jetë e padëshirueshme, por shpesh herë është e pashmangshme. Lufta sigurisht që është e egër, e dhimbshme, vrasëse, e pamëshirshme dhe sjell pasoja të rënda në jetën e njerëzve, sidomos në kohët moderne ku armët e shkatërrimit në masë bëjnë kërdinë në jetë njerëzish, por pikërisht nisur nga kjo të besosh se njerëzit do të reflektojnë për të vendosur një paqe të përhershme është ose naivitet ose utopi që ushqehet nga ideologji jorealiste.
Njerëzit janë të prirë të luftojnë për arsye nga më të ndryshmet, shpesh edhe për gjërat më pavlerë, dhe nuk duan t’ia dinë për pasojat, të paktën në momentin e parë kur e nisin betejën. Kështu që trumbetimi i paqes sado i dobishëm qoftë, nuk e shmang dot përjetësisht luftën, ndaj dhe njeriu duhet të jetë i përgatitur shpirtërisht se një ditë ndoshta mund të përballet me këtë dhunë të pashoqe njerëzore.
I Dërguari i Allahut para një beteje u drejtohet shokëve, dhe umetit të tij njëkohësisht, duke u thënë që t’i luten Allahut për paqe, por nëse ata gjenden në luftë duhet ta dinë se Xheneti gjendet nën hijen e shpatave. Pra muslimani nuk e dëshiron luftën, por nëse ai përballet me të nuk duhet t’i kthejë asaj shpinën, përndryshe siç edhe përmendet në hadithin ku tregohen shtatë gjynahet më të mëdha, braktisja nga frika e fushës së betejës është njëra prej këtyre gjynaheve. Profeti i Zotit na ka paralajmëruar se lufta nuk do të ndërpritet asnjëherë, deri në Ditën e Kiametit, kështu që kushdo musliman që pretendon se luftës me armë i ka ardhur fundi, më së paku nuk e njeh siç duhet Kuranin dhe as Sunetin, dhe as realitetin njerëzor madje, por jeton në botën e ëndrrave, dëshirave dhe iluzioneve të tij.
Lufta që Rusia nisi ndaj Ukrainës, pavarësisht shkaqeve dhe arsyeve të saj, tregon se bota nuk është kurrë e qetë dhe as ka për të qenë e qetë. Qetësia dhe paqja shpesh herë janë relative dhe jo të përhershme, ndaj dhe ne si shqiptarë duke u gjendur në një realitet të brishtë gjeopolitik, ku na rrezikohet jeta, prona, nderi, familja, por edhe feja e atdheu, na duhet të jemi gjithmonë syçelur dhe të përgatitur për çdo të papritur. Ajo që ndodhi në Bosnje dhe më pas në Shqipërinë verilindore, në Kosovën tonë, është e freskët në memorien e shumëve prej nesh, ndaj veç aleancave të domosdoshme, për të mbrojtur integritetin tonë territorial na duhet edhe ne vetë të jemi të parapërgatitur. Dhe kjo përgatitje nis që nga vendosja e drejtësisë, luftimi i së keqes dhe amoralitetit brenda nesh si dhe kontributi për zhvillimin ekonomik të këtyre trojeve, sepse siç e dimë të gjithë një vend sa më i drejtë dhe i zhvilluar të jetë, aq më shumë ai ka mundësi të parapërgatitet për ditë më të këqija, mes tyre edhe lufta. Kështu që çdo kush prej nesh ka një rol për të luajtur në këtë interes të përbashkët kombëtar dhe fetar, edhe pse ndoshta shumica jonë mund të mos kap kurrë armë me dorë, por roli që mund të luajmë mund të jetë shumë herë më i madh sesa përdorimi i mjeteve luftarake.
Synimi i fesë është t’i udhëzojë njerëzit si të jetojnë në këtë botë, në luftë dhe në paqe, në përputhje me kënaqësinë e Zotit dhe në interesin më madhor të njerëzve.