Presidenti i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko tha se nëse Rusia sulmohet drejtpërdrejt, vendi i tij do t’i bashkohet luftës në anën e Rusisë.
Në fjalimin e tij drejtuar Parlamentit Bjellorus, Lukashenko vlerësoi tensionin ushtarak në rritje në rajon mes Rusisë, SHBA-së dhe NATO-s.
Lukashenko deklaroi se tensioni është rritur në kufirin ukrainas, në jug të Bjellorusisë.
“Ukraina është subjekt i një pazari prapaskenash. Ukrainasit janë shtyrë në flakët e konfliktit, ata përgatiten qëllimisht për agresion. Ata formojnë një qëndrim armiqësor ndaj popujve vëllazërorë, duke përfshirë edhe bjellorusët”,- tha ai.
Duke vënë në dukje se mundësia e një konflikti ushtarak në rajon do të ndodhë vetëm në dy raste, Lukashenko tha: “Nëse Bjellorusia sulmohet drejtpërdrejt, nëse fillon një luftë e nxehtë kundër Bjellorusisë. Situata e dytë është nëse aleati ynë Rusia sulmohet drejtpërdrejt. Kësaj i bashkohet edhe Bjellorusia dhe baza e kësaj janë marrëveshjet tona të aleancës”, theksoi presidenti bjellorus.
Lukashenko deklaroi se “qindra-mijëra” ushtarë rusë do të shkojnë në Bjellorusi në rast të një sulmi ndaj vendit të tij. /trt