Nga: Xhasim Mutava
Teknika për zgjidhjen e problemeve 3
Para se burri dhe gruaja të shkojnë të kërkojnë ndihmën e një konsulenti sociolog, le të përpiqen që problemet mes tyre t’i zgjidhin vetë. Këtë le ta bëjnë duke kërkuar ndihmë nga teknikat që do të përmendim më poshtë.
1 – Zgjeroje kufirin e fantazisë tënde. Pasi të kemi konstatuar problemin, ne i japim mundësi fantazisë tonë që të kërkojë një zgjidhje për këtë problem.
Nëse vajza e ndonjërit prej nesh ka mbushur pesëmbëdhjetë vjeç dhe refuzon të veshë hixhabin, padyshim që ky është një problem familjar. Pasi të konstatoj problemin, unë filloj të fantazoj mbi një zgjidhje të caktuar për këtë problem. Këtë e bëj thjesht duke sjellë ndër mend emra sendesh ose frymorësh, si kasetofon, stilolaps, qiell, hënë, det, raketë etj… Siç e vini re, këto nuk kanë ndonjë lidhje me hixhabin. Pasi të kem caktuar disa emra sendesh, zgjedh njërën prej tyre dhe filloj të gjej se çfarë e lidh atë me hixhabin. Gjatë kohës që bëj këtë, fillojnë të më lindin ide të reja që nuk i kisha më parë mbi hixhabin. Le ta bëjmë diçka të tillë në mënyrë praktike:
Kemi një vajzë që refuzon të veshë hixhabin dhe pasi zgjodha disa sende nga fantazia ime, u fokusova tek trëndafili. Pas kësaj, filloj të zbuloj si mund ta përdor trëndafilin për të bindur vajzën që të veshë hixhabin. Një ide është që unë mund të blej një hixhab të bukur, ta paketoj, t’i shkruaj një letër dhe brenda t’i vendos një trëndafil. Një ide tjetër është që vajzës t’i blej një hixhab të dizenjuar me foto të disa trëndafilave të bukur. Një ide tjetër është që të shkoj me vajzën time në një lulishte me trëndafila. Atje do të marr një trëndafil dhe do i them vajzës: O bija ime! A e shikon këtë trëndafil kaq të bukur që ka krijuar Zoti? Edhe pse është vetëm një trëndafil, ai i bindet vullnetit të Zotit. Edhe ti o bija ime je e bukur si vetë trëndafili. Ashtu siç i ngjan trëndafilit në bindjen ndaj vullnetit të Zotit. Veç të tjerave, Zoti na ka urdhëruar që femrat myslimane të veshin hixhabin…”
Këto ishin tre ide, por për të njëjtën çështje mund të zbulojmë shumë ide të tjera rreth kësaj çështjeje.
Një herë, po trajnoja disa gra rreth teknikave të zgjidhjes së problemeve dhe pikërisht mbi të fantazuarit. Një nga gratë që merrte pjesë në trajnim, u ngrit dhe më tha:”Burri im nuk falet. çfarë mund të bëj?”
Unë i kërkova asaj dhe grave të tjera që të fantazojnë rreth një zgjidhjeje të mundshme, duke përdorur teknikën e lart përmendur. Një ndër sendet që u përmendën si mundësi zgjidhjeje të problemit të saj, ishte një kuti parfumi. Pas kësaj, filluan të mendojnë si mund ta përdorin parfumin për ta bindur burrin e kësaj gruaje të falet. Ajo që e ndihmoi në këtë çështje, ishte se burri i saj i pëlqente shumë parfumet. Kështu, ajo shkoi në treg dhe bleu një nga parfumet më të shtrenjtë. Gjithashtu ajo bleu dhe një sixhade, e parfumoi dhe atë bashkë me parfumin i paketoi. Në fund, i shkroi disa fjalë dashurie mbi një letër të cilën edhe atë e parfumoi. Kutinë e vendosa mbi krevat dhe u shtriva. Si gjithmonë, burri u vonua edhe atë natë bashkë me shokët e tij. Kur u kthye, unë shtiresha sikur po flija. Kur hyri në dhomën e gjumit pas mesnate, ai menjëherë e ndjeu erën e parfumit. Kur pa kutinë, menjëherë e hapi dhe i mori erë sexhades dhe parfumit. Edhe pse nuk ishte falur asnjëherë, kur ndjeu erën e parfumit në sixhade, u prek shumë. Më pas, shkoi mori abdes dhe fali namazin e tij të parë, mbi sexhaden që i kisha blerë unë.”
2 – Ideja e relaksimit. Kur dikush prej nesh përballet me probleme, ndihet i lodhur dhe i dërmuar. Gjëja më e mirë në raste të tilla, është që ai të largohet për disa kohë dhe të relaksohet, duke mos menduar fare mbi problemin. Le të shkojë në një lulishte të bukur, le të merret me sport, të udhëtojë, të shkojë në Umre etj…
Gjatë periudhës së pushimit dhe relaksimit, atij do i vijnë ide dhe mendime të ndryshme, për të dalë nga problemi.
3 – Pyet sa më shumë. Nëse unë përballem me një problem, para se të mendoj në zgjidhjen e tij, duhet të pyes si erdhi ai problem, cilat janë shkaqet, a ka lidhje me aspektin edukativ, a kam faj unë për këtë problem, kush mund të më ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi etj… Duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve, më ndihmojnë në diagnostifikimin e problemit dhe kjo më ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zgjidhjen e problemit.
4 – Ndrysho vizion. Shpesh herë, ne i shohim gjërat nga një këndvështrim i caktuar. Duke i parë gjërat nga një këndvështrim i ndryshëm, ne fillojmë të zbulojmë gjëra të cilat nuk i konstatonim më parë. Sa më shpesh ta ndryshoj këndvështrimin, aq më shumë informacion zbuloj. Të njëjtën teknikë, është mmirë që ta përdorim edhe kur ndeshemi me probleme të çfarëdo lloji qofshin.
çfarë të bëjmë nëse një vajzë adoleshente ka shkëputur lidhjet me prindërit, as nuk u bindet, nuk flet dhe as nuk bisedon? Në vend që ta ul në divan dhe t’i filloj t’i flas dhe bërtas, unë ndryshoj taktikë dhe këndvështrim. Duke bërë këtë, unë mund të zbuloj dhe konstatoj diçka që nuk e dalloja më parë. Ajo mund të jetë një arsye e pranueshme për këtë lloj komunikimi me prindërit.
Për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, unë duhet ta studioj problemin nga shumë këndvështrime.
5 – Konsultimi. Na ndodh shpesh herë që të dështojmë teksa përpiqemi të zgjidhim një problem. Në këtë rast, unë i drejtohem një konsulenti për t’u këshilluar dhe e përfshij edhe atë në zgjidhjen e këtij problemi. Ky konsulent mund të jetë një pjestar familje apo njeri i afërt, por mund të jetë dhe një konsulent social. Një shërbim i tillë sot gjendet kudo dhe ai mund të bëhet nëpërmjet telefonit, internetit, kanaleve satelitorë, telefonisë celulare, libra, kaseta, CD, klinikë ku ofrohen konsulta etj…
Kush prej nesh e beson që diçka të tillë e ka praktikuar vetë i dërguari i Zotit a.s?!
Ai ishte i dërguar dhe profet i Zotit, megjithatë ai kërkonte ndihmën e konsulentëve. Kjo, sepse e dinte se konsultimi është një teknikë për zgjidhjen e problemeve.
Një herë tjetër, mes Profetit a.s dhe Aishes kishte lindur një konflikt. Duke dashur që t’a bindë, Profeti a.s i tha:”Kë dëshiron të marrim si gjykatës mes nesh? A e pranon Umer ibnul Hattabin?”
Aisheja i tha:”Jo, Umerin nuk e dua se është i vrazhdë.”
Profeti a.s e pyeti:”A e pranon babanë tënd?”
Aisheja i tha:”Po.”
Me të ardhur Ebu Bekri, Aisheja iu drejtua Profetit a.s me fjalët:”Tregoji si qëndron puna, por kij frikë Zotin dhe mos thuaj veçse të vërtetën.”
Kjo e nervozoi së tepërmi Ebu Bekri i cili i tha:”O e paedukatë! Po a mund të flasë veçse të vërtetën i dërguari i Zotit?!” dhe u mat ta qëllojë Aishen.
Profeti a.s ndërhyri dhe e mbajti Ebu Bekri, duke i thënë:”O Ebu Bekr, nuk të ftuam për këtë.” Ndërkohë, Aisheja mbrohej nga babai i saj duke qëndruar pas shpinës së Profetit a.s.
Pasi Ebu Bekri doli jashtë gjithë nerva, Profeti a.s i tha Aishes:”A e pe si të mbrojta prej tij?”
Këto fjalë e bënë Aishen të qeshë dhe bashkë me të dhe Profeti a.s. Ebu Bekri e dëgjoi të qeshurën e tyre dhe u kthye përsëri. Pasi hyri brenda dhe i gjeti duke qeshur u tha:”Më bëni ortak të paqes mes jush, ashtu siç më bëtë ortak të luftës.”
Në këtë rast, shohim që Profeti a.s ftoi një konsulent për ta ndihmuar në zgjidhjen e një problemi mes tij dhe gruas. Në këtë kohë, Aisheja ishte vetëm 16-17 vjeçe, kurse Profeti a.s ishte mbi pesëdhjetë vjeç. Edhe pse ishte i pjekur, edhe pse ishte i arsyeshëm dhe kishte një jetë eksperiencë, Profeti a.s i propozonte të shoqes një konsulent, një palë të tretë për ta zgjidhur problemin e tyre. Kjo, sepse ai ishte përpjekur ta zgjidhë vetë atë problem, por e shoqja kishte refuzuar.
Në një transmetim tjetër, thuhet se Profeti a.s e pyeti Aishen:”A do të flasësh ti, apo të flas unë?”
Ajo i tha:”Fol ti, por mos thuaj veçse të vërtetën.”
Kur Ebu Bekri u nervozua dhe u nis ta qëllojë, Profeti a.s ndërhyri dhe filloi ta mbrojë Aishen nga babai i saj.
6 – Marrja e një pale të tretë. Kjo palë mund të jetë një njeri i afërt, babai i gruas ose nëna e saj, vëllai, motra dhe kushdo tjetër. Pala e tretë, mund të shfaqet hapurazi si pala pajtuese, ose mund të veprojë edhe në prapaskenë. Një burrë, mund t’i kërkojë motrës së gruas së tij, që ajo t’i flasë të shoqes në mënyrë indirekte mbi një problem të caktuar. Në këtë rast, gruaja nuk din asgjë mes marrëveshjes së burrit dhe motrës së saj. Unë kam qenë dëshmitar i shumë problemeve të cilat janë zgjidhur në këtë mënyrë.
7 – Të dy fitojmë. Sa herë që dikush prej nesh përballet me një problem familjar, secila palë mendon se ka të drejtë dhe se pala tjetër e ka fajin. Përse të mos e bëjmë ndryshe, ku t’i japim të drejtë të dyve?
Sa herë që ia hedhim fajin palës tjetër, të dy ne humbasim dhe nuk fitojmë gjë. Nëse kam një problem me fëmijën tim, unë duhet të gjej një zgjidhje ku si unë ashtu dhe fëmija të fitojmë. Kjo duhet të ndodhë edhe mes bashkëshortëve. Nëse një bashkëshort/e humbet disa herë, e ka të pamundur të durojë gjithë jetën. Deri kur do të vazhdojë të pranojë humbjen dhe të sakrifikojë? Padyshim që do të vijë një moment kur pala që ka sakrifikuar gjer atëherë të shpërthejë.
Një herë, mu kërkua të hyj si palë e tretë në një problem familjar, por gruaja e refuzonte çdo lloj zgjidhjeje. Ajo më tha:”Unë e di se zgjidhja është e lehtë dhe se ky problem nuk meriton të zmadhohet kaq shumë, por unë nuk mund të duroj më. Ka pesëmbëdhjetë vite që duroj, por pa dobi. Kam sakrifikuar sa nuk ka më dhe tani e kam të pamundur të pranoj një sakrificë tjetër. Tashmë jam ngopur me sakrifica të këtij lloji.”
Prandaj, është e rëndësishme që në zgjidhjen e problemeve tona familjare, të fitojnë të dy palët, ose të paktën të humbim të dy njëlloj. Nëse unë fitoj 50 % dhe bashkëshortja ime fiton po 50 %, të dy ne kemi fituar.
8 – Përshkallëzimi është një ndër parimet islame në zgjidhjen e problemeve sociale. Një herë, më erdhi një grua e cila kërkonte divorcin sepse burri i saj drogohej. Unë e pyeta:”Po a nuk ka gatishmëri që të ndryshojë burri?”
Ajo u përgjigj:”Nuk e di, pyete vetë.”
Duke qenë se kishin dhjetë vite martesë dhe kishin katër fëmijë, unë u takova me të shoqin dhe e pyeta:”A je i gatshëm të ndryshosh dhe ta lësh drogën?”
Ai u përgjigj:”Le të përpiqemi njëherë.”
Unë e pyeta:”Sa është doza që merr në ditë?”
Ai u përgjigj:”Pesëdhjetë tableta.”
Unë e pyeta:”A është e mundur ta reduktosh dhe ta ulësh në dyzet e pesë?”
Ai u përgjigj:”Ta provoj.”
Kështu, filluam trajtimin e tij. çdo dy tre javë, ai përdorte pesë tableta më pak. Trajtimi vazhdoi për një vit e gjysmë derisa më në fund ai arriti të shkëputej krejtësisht nga droga.
Përshkallëzimi në distancimin nga një ves i keq, është një nga parimet islame. Kur Zoti e ndaloi pirjen e alkoolit, nuk e ndaloi për një ditë. Po ashtu edhe veshja, hixhabi, nuk është obliguar menjëherë. Ashtu si dhe zekati, namazi etj… rite të cilat janë obliguar gradualisht dhe në mënyrë të përshkallëzuar.
9 – Ekzistenca e një reference për të dy bashkëshortët, ose palët në konflikt. Në mosmarrëveshjet tona, secila palë ka si referencë mendjen e tij. A është e mundur të arrijmë në një rezultat, duke ditur se mendjet tona janë të ndryshme nga njëra-tjetra?! Si mund të arrijmë në një rezultat, duke ditur se kultura ku jam rritur unë ëshë e ndryshme nga ajo e palës tjetër?
Gjatë hutbes së lamtumirës, Profeti a.s u tha myslimanëve:”U kam lënë dy gjëra. Përderisa do u përmbaheni, nuk do të humbisni kurrë. Ato dy gjëra janë Libri i Zotit, Kurani, dhe tradita ime.”
Prandaj, nëse kemi Kuranin dhe traditën profetike si referencë, e kemi reduktuar në masë të madhe rrethin e konfliktit dhe mosmarrëveshjes. Në momentin që biem dakort që problemin ta zgjidhim sipas Kuranit dhe sunetit, ky problem do të zgjidhet shumë shpejt dhe të dy palët mbeten të kënaqura.
Unë njoh një çift, të cilët që ditën e parë të martesës ranë dakord që sa herë të kenë mosmarrëveshje, asnjëri të mos pretendojë se ka të drejtë, por menjëherë t’i referohemi Librit të Zotit dhe sunetit të Profetit a.s. Tregon burri:”Për Zotin, nuk më kujtohet ndonjë mosmarrëveshje e cila ka zgjatur më shumë se 24 orë. çdo problem ne ia paraqisnim Librit të Zotit dhe sunetit të Profetit a.s. Në fund, vepronim sipas udhëzimeve dhe dispozitave të Kuranit dhe sunetit.
…