1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

E vërteta më e pastër se floriri

Më të lexuarat

Thotë i Lartësuari: “Çdo profeti Ne i bëmë armiq prej shejtanëve njerëz dhe xhinde, që frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë të bukura e mashtrime. Sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të vepronin ashtu, por ti lëri ata dhe trillimet e tyre. Le të anojnë andej (në mashtrim) zemrat e atyre që nuk besojnë në botën e ardhshme dhe le të kënaqen me të (mosbesimin) e të ngarkohen me ato (gjynahe) që janë duke u ngarkuar.” El En’am, 112–113.

Shpjegimi i ajeteve

“Çdo profeti Ne i bëmë armiq prej shejtanëve njerëz dhe xhinde …”

Duke dashur ta ngushëllojë Profetin e Tij, Allahu i Madhëruar i përkujton rregullin e Tij të pandryshueshëm: profetët dhe pasuesit e së vërtetës gjithmonë do të kenë kundërshtarë e armiq, që do t’i luftojnë, qofshin ata prej njerëzve apo prej xhindëve. Ushtria e së kotës gjithmonë do të synojë luftimin e së vërtetës dhe pengimin e saj nga njëra anë, e shfaqjen e së kotës dhe përhapjen e saj nga ana tjetër.

“… që frymëzojnë njëri-tjetrin me fjalë të bukura e mashtrime. Sikur të donte Zoti yt, ata nuk do të vepronin ashtu, por ti lëri ata dhe trillimet e tyre!”

Ata ia zbukurojnë njëri-tjetrit të kotën që pasojnë dhe i joshin të tjerët për ta pasuar atë. Rrugën e tyre të kotë e paraqesin me pamjet më të bukura. Në këtë mënyrë, ata mashtrojnë të metët dhe mendjelehtët, të cilët nuk e kuptojnë drejt realitetin. Ata nuk i kuptojnë gjërat ashtu si duhet dhe gënjehen nga xhingla të vogla. Ata mahniten nga fjalët e bukura e të fryra, pa vënë në përdorim logjikën, për të parë te thelbi. Ata e shohin të vërtetën si mashtrim, ndërsa mashtrimin e konsiderojnë si e vërteta, që duhet pasuar. Por, sikurse thotë i Lartësuari, këto trillime i pasojnë veçse mendjelehtët dhe ata që synojnë thjesht këtë botë dhe kënaqjen e epsheve të tyre:

“Le të anojnë andej (në mashtrim) zemrat e atyre që nuk besojnë në botën e ardhshme dhe le të kënaqen me të (mosbesimin) e të ngarkohen me ato (gjynahe) që janë duke u ngarkuar.”

Fjalët dhe ftesat e tyre të zbukuruara i dëgjojnë veçse zemrat e atyre që nuk besojnë ahiretin. Zemrat e tyre nuk e njohin të mirën dhe nuk gjykojnë drejt, prandaj anojnë drejt ftesave të kota. Pasi i dëgjojnë ato ftesa të zbukuruara, ata fillojnë t’i pëlqejnë dhe t’i zbatojnë. Nëse vazhdojnë kështu, ato ua pushtojnë zemrën, duke iu kthyer në besim të patundur. Pasimi i të kotës bëhet cilësi e pandashme e tyre. Dëgjimi, pëlqimi dhe kënaqësia që ata gjejnë me të kotën i bën më pas që të kryejnë ato punë që kryejnë: ligësi me fjalë dhe vepra.

Kjo është gjendja e të mashtruarve, që pasojnë shejtanët njerëz dhe xhindë, duke iu përgjigjur ftesës së tyre. Ndërsa ata që e besojnë jetën tjetër dhe kanë zemër të ndriçuar e mençuri, ata nuk mashtrohen nga fjalët e fryra dhe të zbukuruara. Vullneti i tyre është që të zbulojnë të vërtetën. Ata e shqyrtojnë mirë ftesën që u drejtohet. Ata dëgjojnë fjalët dhe mendojnë për kuptimin e tyre. Nëse janë të vërteta dhe bazohen në të vërtetën, ata i pranojnë, edhe sikur të mos jenë shprehje aq të fryra e të zbukuruara, edhe sikur të mbulohen nga fyerjet e shpifjet e të tjerëve. Por nëse ftesa është e kotë dhe e gabuar që në origjinën e saj, ata e refuzojnë, kushdo qoftë ftuesi, edhe nëse ajo është e stolisur me shprehjet më të bukura, më të ëmbla dhe më të buta.

Prej urtësisë së Allahut është edhe fakti që Ai dëshiroi dhe përcaktoi që, ashtu si profetët kanë pasuesit e tyre, që ndihmojnë e luftojnë për të vërtetën, po ashtu edhe e liga të ketë ushtarët e saj, të cilët luftojnë profetët, shpalljet e Zotit dhe pasuesit e tyre. Në këtë mënyrë sprovohen robtë dhe dallohen të sinqertët nga gënjeshtarët, të mençurit nga injorantët e mendjelehtët, ata që shohin nga të verbërit.

Në luftën mes së mirës dhe së keqes shfaqet edhe një urtësi tjetër e Allahut: e vërteta qartësohet edhe më shumë, ashtu sikurse edhe faktet që mbështesin të vërtetën bëhen më të dukshme. Gjithashtu, e kota kuptohet si e tillë, ashtu si kuptohet edhe kotësia e “argumenteve” që mbështesin atë. Kjo është një mirësi shumë e madhe. Qartësimi i së vërtetës dhe argumenteve të saj dhe luftimi i së kotës dhe trillimeve të saj ishte dhe është një nga synimet më të larta dhe veprat më të shpërblyeshme, për të cilën kanë garuar ata që lakmojnë gradat e larta te Zoti i Madhëruar.

Përktheu: Uthman Agolli

Burimi Jetës

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit