3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kotësia e festave të tilla

Më të lexuarat

NGA FITIM ZEKTHI/ Pavarësisht gjendjes ekonomike, varfërisë dhe pamundësive për të shpenzuar, thuajse të gjithë rendin të festojnë, të blejnë diçka për dhuratë, të shtrojnë një darkë sa më të bollshme, të urojnë “Gëzuar Vitin e Ri” etj.

Në fakt, kjo festë është veçse një pus i thatë. Gjithkush e kujton ndjesinë e të qenit bosh, i zbrazët të nesërmen e festës teksa jeta i kthehet rutinës së përditshme. Drita, pemë, toptha zbukurimi, lodra e gjithçka tjetër mblidhen, futen në qeska apo thasë dhe presin vitin tjetër.

Shumë gjëra të tjera hidhen Ekzistenca e përditshme e njerëzve do të rrinte gjithnjë në zgrip apo në thep të së panjohurës në qoftë se nuk do të ekzistonin mite, narrativa të mëdha, me të cilat ne të lidhnin veten tonë, atëherë ne nuk do të mund të mbijetonim.

Është pikërisht tradita ajo që e bën këtë lidhje me mitet apo narrativa të tilla të mëdha. Tradita na shtyn në aktivitete që përfshijnë trupin tonë, jo vetëm mendjen tonë, dhe na kujton ne, trupit dhe mendjes, se çfarë është e rëndësishme.

Festat fetare (Bajrami, Krishtlindja, Pashka etj.), e kanë përmbushur përgjatë gjithë historisë këtë nevojë: lidhjen e njeriut me shoqërinë dhe shtetin si edhe përmbushjen spirituale.

Sot, teksa shoqëria vrapon drejt një drejtimi që as i ka fare të rëndësishme aspektet spirituale, festa si Viti i Ri, por edhe festa fetare të sekularizuara, sidomos Krishtlindja, nuk kanë asnjë shans ta ndihmojnë njeriun të shpëtojë nga kurthi i madh material i botës.

Besimtarët përpiqen që të mos i jetojnë festat fetare, Krishtlindjen, Pashkën, Bajramin si ndodhi sekulare që kërkojnë të sublimojnë realitetin, por si gjëra të shenjta që kërkojnë ta shpëtojnë realitetin.

Në kimi, sublimimi është procesi i pastrimit të një gjëje duke e avulluar atë me qëllim largimin e papastërtive dhe më pas ftohja e tij. I përdorur herët në alkimi, ky proces synonte të kthente hekurin në ar, gjë që është e pamundur. Por sublimimi nuk ka mundësi të ndryshojë natyrën e gjërave. Ai vetëm pastron atë që ekziston.

Kur bota po hynte dhunshëm në një periudhë të re, Jean Jacque Rousseau e shihte sublimimin si gjënë e vetme që mund t’i bënte njerëzit të jetonin dhe t’u jepnin kuptim gjërave. Ai e përdori atë gjerësisht në teoritë e tij mbi edukimin dhe shoqërinë.

Ai përdori termin rafinim (pastrim, purifikim), me anë të të cilit u atribuohej kuptim universal përvojave njerëzore duke i bërë ato të vlefshme. Për të shoqëritë duhet të sublimonin disa përvoja në mënyrë që të mbijetonin, sepse përndryshe nuk ekzistonte asnjë mënyrë tjetër për të gjetur shpjegim me kuptim për jetën tonë të përditshme.

Festimi i Vitit të Ri me kaq pasion, shndërrimi i natës së ndërrimit të viteve në një natë me domethënie të madhe, në një natë ku nis një periudhë e re, një fat i ri, ka hahet dhe pihet rëndshëm, është në të vërtetë një përpjekje për të lidhur jetën me një narrativë të madhe, për t’i dhënë kuptim universal dhe për të bërë të vlefshme një përvojë njerëzore.

Nga ana tjetër, kjo festë e Vitit të Ri, kjo përpjekje për të sublimuar një realitet në një masë dërrmuese, në mos plotësisht i drejtohet vetëm trupit, ka në qendër vetëm trupin.

Kjo festë, ky lloj festimi, kjo ngarendje e çuditshme për të blerë gjelin, për të mbushur tryezën, për të gëzuar dhe pritur vitin e ri me gëzim shumë pak ka në qendër të saj shpirtin, shumë pak na tregon se çfarë është në të vërtetë e rëndësishme ose na tregon që e rëndësishme është harbimi, ngrënia, të pirët, shpërthimi i fishekzjarrëve etj. Vetëm kështu njeriu nuk ka mundësi të kuptojë nëse ka jeta një qëllim dhe cili është ky qëllim. Vetëm kështu një festë nuk shërben për ta lidhur atë me shoqërinë dhe shtetin dhe për ta përmbushur atë spiritualisht.

Në fakt, Viti i Ri nuk ka mundësi të luajë rolin e një feste që përfshin trupin dhe mendjen dhe që na tregon ne, trupit dhe mendjes se çfarë është e rëndësishme. Sublimi nuk ka mundësi ta kthejë hekurin në ar, pavarësisht luftës së alkimistëve.

Viti i Ri është thjesht një kotësi që i shtyn njerëzit edhe më tej në kotësinë që përfaqëson. Për njeriun, të cilin Zoti e ka krijuar me trup dhe shpirt, është dramatikisht e nevojshme të mos zhytet në një bote pa dritë me dimension të vetëm materialen.

© Panorama.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit