Grupet Muslimane janë të Shqetësuara për një Reagim të Ashpër në Paris
Organizatat e Muslimanëve në Francë dhe në të gjithë botën e kanë dënuar masakrën që u bë në revistën Charlie Hebdo dhe sulmet e tjera në Paris.
Mesazhi është i qartë: Terroristët nuk kanë asnjë të drejtë të pretendojnë që ata po e bëjnë këtë mizori në emër të Islamit apo të Profetit Muhamed.
Grupet muslimane janë të shqetësuara për një reagim të ashpër të mundshëm.
Imami i Drancy-it në Paris, Hassen Chalghoumi, tha për Euronews: “Pse ata (terroristët) po përdorin të rinjtë tanë? Ata janë të rinj francez që po luftojnë kundra vendit të tyre. Ata kanë shkuar të luftojnë (si xhihadistë) në Mali, dhe tani janë në Siri dhe kudo. Çdo njeri duhet të marrë përgjegjësitë e veta, as shoqëria civile, as politikanët dhe as gjyqtarët, nuk po veprojnë aq sa duhet për ta goditur këtë dukuri.”
Qeveria franceze është dakord për këtë dhe po i bën thirrje njerëzve që mos të bien pre e asaj çfarë terroristat duan të arrijnë: përçarje dhe stigmatizim.
Isabelle Kumar, gazetare ne Euronews, bisedoi me një figurë të shquar të mendimit Islam, Tarik Ramadanin, profesor i studimeve bashkëkohore Islamike në Universitetin e Oksfordit.
Isabelle Kumar: “Shumë thjesht, përse këta të rinj dalin dhe vrasin?”
Tarik Ramadan: “Mendoj se ka shumë arsye, e para sigurisht është mënyra se si ata e kuptojnë Islamin ose mënyra se si atyre u është mësuar Islami, nje lloj mënyre me dy kendveshtrime te ndryshme. Për shkak të asaj çfarë po dëgjojmë nga Siria dhe Iraku, dhe nga disa grupe ekstremistash të dhunshëm, të cilët thonë që muslimanët kanë të drejtë dhe të gjithë njerëzit e tjerë janë gabim, ne shtypemi nga Perëndimi, Franca, ose SH.B.A-të, nga Perëndimi në tërësi, pasi kemi të bëjmë me një kuptim jo të saktë.”
Isabelle Kumar: “Gjithashtu disa po flasin për një dështim të procesit të integrimit në Francë.”
Tarik Ramadan: “Jo, nuk mendoj se kjo në tërësi ka të bëjë me integrimin. Unë mendoj se pjesa më e madhe e muslimanëve francezë, e muslimanëve evropianë janë pjesë e shoqërisë. Dhe shikoni reagimet- kemi një konsesus të plotë nga të gjitha komunitetet në Perëndim, të cilat e dënojnë atë që ndodhi. Unë mendoj se kjo nuk ka të bëjë fare me procesin e gjatë të integrimit. Në terma historikë, fakti që muslimanët janë tashmë pjesë e shoqërisë perëndimore dhe evropiane është një fakt, dhe ne duhet ta shmangim rikthimin e herë pas herëshëm të së njëjtës pyetje.”
Isabelle Kumar: “Sipas mendimit tuaj, a është Franca një shtet me pikëpamje raciste?”
Tarik Ramadan: “Jo, mendoj se përgjithësimi i këtyre deklaratave është tërësisht i gabuar. Franca nuk është vend racist, edhe pse kemi njerëz racist në Francë.”
Isabelle Kumar: “Ju jetoni në Britani për momentin. Si e shikoni ndryshimin mes dy shteteve? A ka ndonjë ndryshim në mënyrën se si ata e trajtojnë komunitetin musliman atje?
Tarik Ramadan: “Ajo me të cilën kemi të bëjmë është një realitet transnacional që shihet në Gjermani, në Belgjikë, në Francë, madje edhe në Britani me lindjen e partisë UKIP-së (United Kingdom Independence Party- Partia e Pavarur e Mbretërisë së Bashkuar) që po i stigmatizon emigrantët dhe muslimanët, duke thënë që Islami është i huaj në kontinentin evropian. Ndërsa unë mendoj krejt të kundërtën: Islami është një fe evropiane, është një fe perëndimore dhe ne jemi pjesë e saj, dhe ne do ta ndërtojmë sëbashku të ardhmen tonë.”
Isabelle Kumar: “A mendoni se një nga objektivat e terroristëve është që të krijojnë përçarje, të krijojnë Islamofobi dhe kështu të shkaketojnë më shumë radikalizim?”
Tarik Ramadan: “Ajo çfarë ata duan është ta ushqejnë këtë Islamofobi, ta ushqejnë këtë ndjenjë izolimi dhe zhgënjimi. Kjo është arsyeja pse duhet të mbajmë një qëndrim, kjo është arsyeja se pse po u them muslimanëve në të gjithë botën që të bëjnë krejtësisht të kundërtën e asaj që ata psikologjikisht do të bënin, gjë që do të thotë të mos izolohen në vetvete, mos të rrinë të margjinalizuar, të bëhen gjithëpërfshirës, të bëhen të dukshëm, ta ngrejnë zërin, të bëhen zëri i atyre që nuk flasin, i shumicës së heshtur që është kundër asaj çfarë po ndodh.”
Isabelle Kumar: “A po interpretohet Islami si një ideologji e dhunshme që sa vjen e rritet? Një pjesë shumë e frikshme e fesë po përhapet. A mendoni se kjo do të vazhdojë?”
Tarik Ramadan: “Mendoj se ne nuk e dimë se çfarë mund të ndodhë. Edhe një herë, kjo është shumë e vogël në krahasim me shumicën e madhe muslimane.”
Isabelle Kumar: “Por po rritet…”
Tarik Ramadan: “Po rritet, por gjithsesi është shumë e pakonsiderueshme. E dini çfarë? Në 90% të herëve që jam i ftuar në media, jam për të shpjeguar se çfarë nuk është Islami. Nuk ftohem për të thënë se çfarë është Islami, cilat janë vlerat tona dhe si e përjetojmë ne fenë tonë. Gjithmonë jam duke u mbrojtur: Më thoni pse ju nuk përbëni rrezik? Pse ju nuk doni që unë t’u tregoj që kam vlera me anë të të cilave mund të kontribuoj në këtë shoqëri? Perceptimi i muslimanëve në Perëndim gjithmonë është ose të jesh shfajësues ose të jesh në mbrojtje. Ne duhet ta ndalojmë këtë mënyrë të drejtuari ndaj vetes sonë, sepse në fund të ditës unë jam një perëndimor si ju dhe jam një pjesë e muslimanëve të së ardhmes.”
Copyright © 2015 Euronews
Përktheu nga anglishtja : Suela Bunguri
…