-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Politika varfëroi ekonominë | Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Ekonomia e Kosovës ka pësuar më së shumti nga raportet e tensionuara politike dhe etnike që janë shfaqur ndër vite mes Kosovës dhe Serbisë, thonë ekonomistët vendorë.

Sipas tyre, ekonomia e Kosovës ia ka parë sherrin edhe nivelit të madh të korrupsionit, krimit si dhe tensioneve të shpeshta të brendshme në Kosovë që nga mbarim i luftës në vitin 1999.

Këto situata, sipas profesorit të ekonomisë, Safet Gërxhaliu kanë ndikuar edhe në largimin e investitorëve potencialë.

“Nëse çdo ditë do të kemi tensione të tilla si tani dhe çdo ditë do të gjenerojmë agjendë politike, atëherë ardhmëria ekonomike e Kosovës do të jetë e zymtë. Nuk mund të ketë një shtet me stabilitet politik, social, ekonomik e integrues nëse nuk do të ketë zhvillim ekonomik”, thotë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

 

Situata në veri është shqetësuese, thotë ai, dhe si e tillë po dërgon mesazh negativ jo vetëm për Kosovën, por edhe për Ballkanin Perëndimor.

Kosova, shton Gërxhaliu, duhet ta ruajë bashkërendimin me partnerët ndërkombëtarë dhe problemet me Serbinë t’i zgjidhë përmes dialogut.

“Dialogu duhet të përshpejtohet dhe të bëhet zgjidhje. Por, duhet të theksohet se Kosova dhe Serbia do të kenë punë të shumta dhe dialogu do të këtë vazhdimësi të gjatë”, thotë ai.

Investimet e huaja direkte, të vlerësuara si të domosdoshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, kanë rënë në Kosovë përgjatë viteve.

Një nga arsyet e rënies, shton Gërxhaliu, janë mosmarrëveshjet politike mes Kosovës dhe Serbisë në 22 vjetët e pasluftës.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, që nga viti 2011 investimet e ndërkombëtare direkte kanë shënuar rënie.

Derisa në vitin 2011 investimet e huaja ishin 378.9 milionë euro, vetëm një vit më vonë këto investime ishin 232 milionë euro.

Në vitin 2019 investimet e huaja ishin mbi 250 milionë euro, derisa në vitin 2020 rreth 350 milionë.

Shatri: Askush nuk investon në vende ku ka tensione

Tashmë janë bërë dhjetë ditë që kur rrugët që çojnë në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të bllokuara. Ato janë bllokuar nga vetura dhe kamionë të vendosur nga serbë lokalë të cilët po kundërshtojnë masën e reciprocitetit të vendosur nga Kosova për targat e veturave nga Serbia.

Ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo situatë nuk i garanton siguri një investitori dhe pengon zhvillimin ekonomik të vendit.

Askush nuk investon në një vend ku nuk ka siguri, thotë Shatri.

“Situata e re e krijuar me këto tensione dhe përmasat që ka marrë në opinionin ndërkombëtar, ndikon në tërheqjen e investitorëve potencialë ose ata që kanë filluar të veprojnë në Kosovë mund të tërhiqen sepse nuk dëshirojnë të investojnë para aty ku nuk ka siguri dhe ka paqartësi”, thotë ai.

 

Shatri thotë se në ngecje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe rënie e investimeve, përveç tensioneve politike me Serbinë, ka ndikuar edhe jostabilitetin politik në vend.

Këtë problem e kishte vë në pah edhe raporti i Departamentit amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve, i publikuar në korrik të këtij viti. Në këtë raport thuhet se Kosova ka potencial për të tërhequr investime të huaja direkte, por ky potencial, përveç tjerash, kufizohet edhe nga paqëndrueshmërinë politike në Kosovë.

Ndërkohë, situata aktuale në veri, sipas ish-ministrit, Haki Shatri ka shkaktuar edhe dëme në furnizim. Bllokimi i pikave kufitare ka pamundësuar lëvizjen e mallrave.

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë periudhës 20-24 shtator, nga Serbia janë importuar mallra në vlerë prej 3.9 milionë eurosh. Ndërsa, pesë ditë para vendosjes së masës së reciprocitetit, përkatësisht nga 15 deri më 19 shtator, janë importuar mallra në vlerë prej 4.9 milionë eurosh.

Përkundër bllokadave në pikat kufitare Jarnijë dhe Bërnjak, mallrat mes Kosovës dhe Serbisë po lëvizin në pika tjera. Kosova dhe Serbia kanë gjithsej gjashtë kalime kufitare.

Ekonomia e Kosovës në shifra

Papunësia mbetet një nga problemet më të mëdha në Kosovë. Mbi 25 për qind e popullatës janë të papunë. Mesatarja e pagës në Kosovë në vitin 2020 ishte 466 euro.

Bruto Produkti Vendor (BPV) për vitin 2020 në Kosovë ishte 6.77 miliardë euro. BPV për kokë banori në Kosovë është 3,772 euro kurse në vendet e Bashkimit Evropian është 34,000 euro.

Deficiti i lartë tregtar po ashtu përbën një sfidë të rëndësishme për ekonominë e Kosovës. Në vitin 2020, vlera e eksportit të mallrave ka qenë rreth 475 milionë euro, derisa importi i mallrave ishte 3.2 miliardë euro.  /REL/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit